PRESIDENTI
- MOMENT PRAGMATIZMI, APO FILLIM PROCESI
Shkruan
Besnik KONÇI
Fjala
consensus ka qenë më e shkruara dhe më e dëgjuara
gjatë ditëve të fundit në të gjitha mediat
shqiptare dhe në të gjithë zhargonin e përditshëm.
Foto e dy protagonistëve më të fuqishëm të
politikës shqiptare të dekadës së fundit mbushi
faqet e para të gazetave dhe hapi emisionet televizive të
lajmeve. Ngjarjet kanë rjedhur aq shpejt, sa që njerëzit
e gjendur në befasi, e kanë parë si ngrirje
të pluralizmit në Republikën e Shqipërisë,
ose si unifikim të përkohshëm të
dy partive kryesore politike në vend. Fillimi i një muaji
mjalti në politikën shqiptare ka dhënë
fëmijën e parë - një President konsensual,
që, për më tepër, është një njeri
me integritet, një personalitet ushtarako-politik, politikisht
i ekuilibruar, pasardhës i një familje me tradita të
shëndosha dhe kontribut atdhetar.
Në
fakt Presidenti i ardhur si pasojë e marrëveshjeve politike
është model që aplikohet në shumë vende
që janë Republika Parlamentare. Ai ruan ekuilibret politike
dhe luan rolin e një arbitri institucional mbi forcat politike.
Por, në rastin e Republikës së Shqipërisë
punët ndryshojnë, jo vetëm për faktin se ky
akt politik përbën një risi shqiptare, por edhe sepse
vijmë nga periudha e konfliktit politik dhe e krizës së
gjithanëshme dhe, për pasojë, duam të dijmë
me saktësinë e mundëshme se si erdhëm deri këtu
dhe për ku po shkojmë.
Komentet
e analistëve politike dhe të opinionit publik në
këtë pikë grupohen në disa variante. Ka nga
ata që mendojnë se Nano dhe Berisha janë në
një proces reflektimi të brendëshëm, të
tjerë mendojnë se ata kanë qenë të detyruar
nga presioni i jashtëm dhe i brendëshëm dhe, për
pasojë, kanë pasur shansin e vetëm të mbijetesës
politike, ndërsa në një grup tjetër hyjnë
ata që mendojnë se të dy këto faktorë kanë
qenë të pranishëm në veprimet e fundit politike,
që, sidoqoftë përbëjnë zhvillimin politik
më pozitiv në periudhën e pluralizmit shqiptar të
dymbëdhjetë viteve të fundit.
Vetë
protagonistët, të regjur tashmë politikisht, nuk
vonuan, por e dhanë përgjigjen ndaj dilemave të mësipërme,
të paktën verbalisht. Ata vunë në dukje, gjatë
një paraqitje televizive se, sëbashku, do të inkurajonin
zhvillimin e një cikli të ri në politikën shqiptare,
i cili do të nxisë gjithashtu një proces reformash
politike, institucionale dhe ekonomike, të mbështetura
nga të gjitha palët - pra, thënë më një
fjalë, konsensus për gjërat themelore, që është
i domosdoshëm për të gjitha shoqëritë.
Për
hir të së vërtetës, duhet evidentuar fakti që
presioni ndërkombëtar, kësaj radhe, ishte shumë
konkret. Kondicionimi i mënyrës së zgjedhjes së
Presidentit me hapjen e ngociatave për Marrëvëshjen
e Stabilizim Asocimit në Vjeshtë, e vuri politikën
shqiptare me shpatulla pas murit. Cdo veprim tjetër do të
ishtë dështim me përmasa të tilla, mbase pa
kthim. Mirëpo, nga ana tjetër, premtimi për hapjen
e një cikli të një politike ndryshe na bën të
shpresojmë se është shprehje e reflektimit të
brendëshëm, me dëshirën për të vepruar
duke korrigjuar atë që nuk është bërë
mirë deri tani.
`
Nëse është kështu, sikurse dëshirojmë
të jetë e vërtetë, gjithcka duhet të fillojë
me institucionin bazë - votën. Sinjali i parë do
të jetë mbarëvajtja e punës së Komisionit
Bipartizan të caktuar për të realizuar reformën
elektorale, bazuar në vërejtjet e ODIHR-it për zgjedhjet
e fundit parlamentare. Kësisoj, Republika e Shqipërisë
do t`i japë fund lojës me votimet. Më tej, duhet
vazhduar me drejtësinë, e cila, më shumë se
drejtësi ka ndihmuar krizat e vazhdueshme politike, duke u
bërë palë në skenën e ndeshjes së
klaneve dhe forcave politike, si dhe abuzim në përpjestim
me rryshfetet dhënë gjyqtarëve. Drejtësia shqiptare
do të meritojë të quhet drejtësi vetëm
kur të mos vazhdojë të jetë pre e politikës
dhe vend për të shpërblyer përkrahësit
dhe militantët, qofshin ata të ardhur nga e majta, apo
nga e djathta. Dhe një gjë e tillë kërkon marrëveshje,
consensus.
Jo
pak nga politika e kanë pësuar institucionet shtetërore.
Mjafton të kujtojmë se Qeveria e fundit Majko ishte goma
e shpëtimit për maxhorancën në një
moment kur ajo ishte arenë e ndeshjeve të ashpra klanore.
Si një sajesë e momentit, një Qeveri e tillë
nuk mund të ishte as profesionalisht e goditur dhe as jetëgjatë.
Ajo lindi nga konfliktet e brendëshme dhe përfundon me
uljen e tensioneve të brendëshme. Nisma për korrigjimin
e saj është e pritëshme. Por, sëpata politike
ka goditur më rëndë administratën shqiptare.
Rigjenerimi i saj mbi kritere thjesht profesionale, nuk mund të
jetë vetëm kthimi fizikisht në të i të
larguarve për arsye të bindjeve ( jo rrallë edhe
nga fakti se kanë shërbyer në administratë gjatë
kohës kur ka drejtuar kundërshtari politik ), por edhe
garantimi ligjor se karriera administrative e gjithkujt do të
përcaktohet, para së gjithash, nga profesionalizmi dhe
suksesi. Nano dhe Berisha kanë premtuar tashmë se partitë
e tyre do të ndërmarrin një reformë të
tillë.
Dhe
konsensusi mund të marrë dimensione edhe në fushën
e luftës kundër korrupsionit, trafiqeve, në politikat
ekonomike bazë, privatizimin strategjik, infrastrukturë,
linjat palcore të politikës së jashtëme, në
problemin e pronës etj. Lexuesi i rregullt i kësaj gazete
ka pasur rastin të shohë nje trajtim të detajuar
të këtyre problemeve, disa numura më parë, atherë
kur konsensusi dukej vetëm dëshirë utopike, por që
duhej inkurajuar me shpresë për tu bërë realitet.
Të
humbur dhe të fituar
Kthesa
të tilla - nëse kjo është realisht kthesë
- kanë viktima dhe triumfues, të dëshpëruar
dhe të gëzuar, pra humbës dhe fitues. Më skeptikët,
të cilët ndjehen edhe viktimat më të rënda,
mendojnë se u mbyll pjesa shqiptare e skenarit të hartuar
në Katovicë, ai i sundimit përfundimtar ekonomiko-politik
të trashigimtarëve të etërve, të cilët,
të konvertuar në socialistë, kontrollojnë gjithcka.
Mandati i tyre i dytë radhazi do të shkojë deri në
fund, madje në qetësi, ata do të forcojnë pozitat
ekonomike, sado të luftojnë trafiqet dhe korrupsionin.
Si duken punët, njerëzit do të ftohen më tej
me Partinë Demokratike, dhe nuk nuk është befasi
që të majtët të fitojnë edhe një mandat
tjetër më 2005. Në fakt, kjo pjesë e opinionit
duket se për një gjë ka të drejtë - për
zgjedhje të parakohëshme vështirë se mund te
bëhet më fjalë.
Partitë e vogla duket se ndjejnë frikën politike.
Ata shpesh herë e kanë bazuar suksesin e tyre politk,
jo tek përfaqësimi elektoral, por tek lëshimet e
të mëdhenjve, të cilët, në situata konflikti
kanë bërë aleanca josimetrike për të rregulluar
imazhin e tyre përballë faktorëve të jashtëm
e të brendëshëm dhe për të forcuar frontin
e luftës politike. Thjesht, ka parti politike që kanë
mbijetuar në sajë të konfliktualitetit. Dias prej
tyre, për të fituar kuotë politike, ose votuan kundër
konsensusit për Presidentin, ose kanë dalë me tezën
e nevojës për zgjedhje të parakohëshme, në
një moment kur edhe vetë janë të bindur se ky
është momenti më pak oportun për një kërkesë
të tillë.
Edhe politika shqiptare ka të humburit e saj. Ajo do të
bëhet pronë vetëm e profesionistëve, pra i njerëzve
që atë do ta konsiderojnë profesionin e tyre bazë
dhe jo më, si deri tani, edhe një stacion ku ndalet përkohësisht
gjithkush që i bie rruga apo i jepet rasti si shpërblim.
Hyrja në politikë dhe dalja prej saj në mënyrë
të rastësishme do të bëhen më pak të
mundëshme, ndërsa, edhe njerëzit që karrierën
ose mbijetesën politike e bazojnë tek militantizmi politik
i ushqyer nga situatat konfliktuale, që stimulojnë më
të fortin, do të kenë më pak shanse
të penetrojnë në politikë. Gjithashtu, politika
do të fillojë - në të vërtetë ka filluar
- të zhvillohet më e distancuar nga elektorati, roli i
të cilit do të kërkohet vetëm në situata
zgjedhore, apo kur preken në mënyrë flagrante interesat
e tij.
Trafikantët, kontrabandistët, të korruptuarit deri
tek autorët e krimeve ordinere, krerët kryesorë të
të cilëve kanë pemetruar në nivelet më
të larta të politikës shqiptare, kanë qenë
përfituesit më të mëdhenj të mjegullës
politike dhe, për rrjedhojë do të duhet të jenë
humbësit më të mëdhenj të së ardhmes.
Ata kanë mundur t`i ikin ndëshkimit të institucioneve
shtetërore përgjegjëse, jo vetëm se këto
të fundit kanë qenë vetë me probleme, por edhe
sepse janë marrë nën sqetull nga klanet, dhe formacionet
e ndryshme politike në ndeshjet e ashpra ndërmjet tyre.
Lufta kundër trafiqeve, korrupsioni dhe kontrabandës është
keqpërdorur në formën e fushatave të ashpra
verbale vetëm për motive të dobta personale, klanore
dhe politike duke u bërë një nder të pavlerësueshëm
autorëve të këtyre fenomeneve.
Hë për hë, më i fituar duket populli, apo si
kanë qejf ta quajnë poltikanët, elektorati. Të
paktën, veshët i kanë rënë në qetësi
nga zhurma e politikanëve dhe shpreson se politika mund të
ketë kuptuar ndopak rolin e saj për tu vënë
në shërbim të zgjedhësve dhe dicka mund të
bëhet mirë edhe për të.
Sidoqoftë, koha së shpejti do të dëshmojë
nëse u mbyll një Pazar i zakonshëm politik, ose u
hap një process i ri. Le të presim e të shikojmë
- me besim, por pa shumë eufori.
|