NUMĖR 65
SOT ËSHTË
 
BALLINA
ARTIKUJ
EDITORIAL
INTERVISTA
DOSSIER
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
Kryetari Bush i shtyn shqiptarët ta kruajnë kokën
 
EDITORIAL VITI IV - 1 KORRIK 2002

KU E LAMË, E KU NA MBETI...


Shkruan Shqiptar OSEKU

Ovacionet e papërmbajtshme në Kuvendin Popullor kësaj jave, pas miratimit të kandidaturës së z. Alfred Moisiu për postin e kryetarit të shtetit, ishin muzikë e ëmbël për shumëkë.

Më në fund shpëtuam; më në fund u dakorduan edhe krerët ziliqarë shqiptarë rreth një njeriu për president (se fjala kryetar, ashtu shqip si është, ka dalur prej modës); më në fund u gjet një shteg për t'i kërkuar ndihmat e botës; më në fund...

Kurse mua, m'u dha ta qaj me mindil Shqipërinë e gjorë.

Përse, thoni ju?

Paj, ndoshta pse jam i ndjeshëm e irritohem tepër prej imtësirave. Si p.sh. prej faktit që Shqipëria, e cila para LPB ishte në nivel ekonomik pak a shumë si Greqia, sot është vendi absolutisht më i varfër në Evropë. Se deshët që i prijnë këtij vendi i lejojnë vetit luksin t'u shtyhen negociatat për asociim-stabilizim me BE-në, vetëm pse s'duan t'ia lëshojnë udhën njëri-tjetrit. E se kopeja e tyre, që kryen përditë vrasje makabre për vjedhje cikërrimesh, i lënë këta krerë me vite të tëra që t'u rjepin së vjedhuri sistematikisht, të hollat, dinjitetin njerëzor, e dy gishtat e mbramë të erzit e fytyrës në sytë e botës.

E para së gjithash, pse ky vend, pas mëse dhjetë vjetësh demokraci, vie në ditën që "Shansi i Mbramë" t'i bëhet një vejan 75 vjeç, ish-partizan i Enver Hoxhës gjatë luftës civile 1943-1945, student shembullor (merreni me mend, ju lutem!) i akademisë ushtarake sovjetike, e ish-zëvendësministër (!) gjatë diktaturës më morbide komuniste në tërë trollin e Evropës!

Po a ka mindil që ta qajë tërë këtë mizerje?

Alfred Spiro Moisiu, në komentet e veta po thotë se ndjehet "krenar" për "konsideratën" që i bëhet atij e familjes së tij. Mua më duket që ai e ka keqkuptuar situatën. Alfred Moisiun s'e kanë zgjedhur në shenjë nderimi atij a familjes së tij (për të cilën, sikur shumica e tjerëve, s'kam dëgjuar as mirë, as keq). Por pse është çmuar si kandidat kompromis, që s'e rrezikon as qeverinë, as opozitën. Me një fjalë: marionetë pa vullnet vetjak.

Biografia e tij e dëshmon këtë më së miri. Ministër për Enverin. Ministër për Berishën. Ministër sërish, për pasardhës të Berishës. Alfred Spiro Moisiu sillet lavdërueshëm, kudo që ta vësh. Ai nuk ka vullnet të vetin, nuk ka bindje të veten. Ai bën si t'i thuash. Pa shikoni se sa urtë e ka dëgjuar Enverin!

Alfred Spiro Moisiu nuk është Vaclav Havel, nuk është Nelson Mandelë, e, ta marrë dreqi: nuk është madje as Ibrahim Rugovë!

Alfred Spiro Moisiu, që ma pastë më qafë familja që s'ia njoh, është vetëm një statist margjinal në një horror live; për më tepër, një statist me plot skeletra në garderobë.

Në një vend sadopak më normal se sa Shqipëria, z. Moisiu do t'i bëhej nder po ta linin të qetë në pension. Në Poloni, zyrtarët komunistë hetohen. Në Hungari, kryeministri kërcënohet prej rrëzimit për bashkëpunim (margjinal) me zbulimin e vendit të vet gjatë komunizmit. Në shtetet baltike, krimet e komunizmit shpallen zyrtarisht nga parlamentet si "krime kundër njerëzimit". E në Shqipërinë time, që e paça sot e në mot, ish-partizani prosovjetik e ministri i diktaturës, shpallet së pari kryetar i Shoqatës transatlantike, e më vonë: President!

S'u thonë kot fëmijëve të lazdruar në Kosovë: "Qetësohu, se na e bëre këtu Shqipëri!"

Një herë e një mot: para se të krenoheshin shqiptarët me Spirot, para se ta bënin vendin rrëmujë, para se të të vinin presidentë të martuar me serbe, para se t'i lavdëronin në televizion cjepërit për ethje dhishë, edhe më herët pra, sa s'i kish ngulur ende Spiro me shokët e tij flamujt jugosllavë nëpër kishat e minaret e Shkodrës, Shqipëria ishte frymëzimi e krenaria e të gjithë neve shqiptarëve.

Sot, po e ulim kokën prej turpit. Ne tjerët, kuptohet, jo Alfred Spiro Moisiu, që thotë - me gjithë mend, si duket - se ia paskan nderuar familjen.

Ku e lamë, e ku na mbeti: ec e mos e qaj me mindil, Shqipërinë time - Shqipërinë time të gjorë.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 21.10.2004 22:59
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË