NUMĖR 65
SOT ËSHTË
 
BALLINA
ARTIKUJ
EDITORIAL
INTERVISTA
DOSSIER
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
Kthimi serbëve në Kosovë, apo
zjarrëvënësi i vjetër me detyrë të re
 
Me Maqedoninë qeverisë mafia
 
Presidenti - moment pragmatizmi, apo fillim procesi
 
"Krimi dhe dënimi" i mediumeve masive shqiptare
 
ARTIKUJ VITI IV - 1 KORRIK 2002

MBI VEPRIMTARINË E FEHMI AGANIT

Shkruan Rexhep ISMAJLI

Sot është e natyrshme të pyesim: cila është trashëgimia krijuese dhe mendore që na la prapa Fehmi Agani? Pa qenë në gjendje të jap përgjigje me vlerë, po jap këtu disa shënime, gjithë duke ditur se do të vijnë të tjerë për t‘i ndriçuar çështjet.
Duke pasë studiuar për filozofi, specializizuar në shkencat sociologjike dhe politike, doktoruar në këto shkenca, F. Agani, pas një përvoje si arsimtar i filozofisë dhe i lëndëve të afërta në shkollat e mesme të Prishtinës, kishte vazhduar si gazetar dhe komentator i politikës së jashtme në gazetën Rilindja, për t’iu kthyer sërish arsimit - tani në rrafshin universitar si ligjërues, docent e profesor i sociologjisë dhe i sociologjisë politike, po edhe i lëndëve të afërta me to, duke u bërë njëherësh dhe themelues i Degës së Filozofisë e Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, po edhe një nga ndërtuesit kryesorë të Universitetit në tërësi.

Veprimtarinë e frytshme prej arsimtari universitar Fehmiu e kishte nisur para Plenumit të Brioneve, që shënoi kthesë në zhvillimet politike në ish-Jugosllavi dhe sidomos në Kosovë. Pikërisht në atë kohë të çlirimit të energjive krijuese të shqiptarëve shquhet roli i grupit të intelektualëve që përpiqeshin që ato energji t‘i kanalizonin në drejtime pozitive. Fehmiu ishte ndër ata që shquheshin posaçërisht qoftë sa i përket angazhimit për demaskimin e shtypjes barbare të ushtruar mbi shqiptarët, qoftë edhe më shumë në kërkimin e hapësirave të reja për zgjerimin e të drejtave shoqërore dhe kombëtare të shqiptarëve me synim barazimin me të tjerët në ish-Jugosllavi. Gjurmët e angazhimit të tij hetohen në disa drejtime:

1. Në drejtimin politik - në kërkimin e rrugëve për përparim institucional të këtyre të drejtave, krijimin e klimës politike dhe pastaj edhe të kërkesave juridike-kushtetuese për avancimin e statusit të Kosovës në kuadër të federatës jugosllave. Dhe pikërisht në ato vite (1967) artikulohet nëpër mbledhje kërkesa për krijimin e Republikës së Kosovës të barabartë me republikat e tjera të Jugosllavisë. Fehmiu ishte ndër ata që jo vetëm e mbështetën këtë kërkesë, por e argumentuan dhe e ushqyen me tërë fuqinë e mendjes e të dijeve që kishin mbledhur në jetën e tyre. Për brezin të cilit i takoj unë Fehmiu dhe 2-3 shokët e tij vlenin për njerëzit që e ushqenin vazhdimisht idenë e Republikës së Kosovës, ashtu siç ushqehet një krijesë e vetja. Është e qartë se në lëvizje të tilla ata nuk kanë mundur të jenë të ndarë nga realitetet politiko-shoqërore. Besoj se shumë shpejt do të dalin raste dhe njerëz të tjerë për të folur me saktësi për këto gjëra. Mendohet, porse, që pas demonstratave të vitit 1968, pikërisht për arsye si ato që u përmendën më sipër ndër të parët në thumb të sulmeve prej arsimtarëve të Universitetit u gjet Fehmiu.

2. Një prej rezultateve të lëvizjes së atëhershme ishte se Kosova objektivisht rrëmbeu një hapësirë politike brenda së cilës të drejtat e popullatës së saj dhe të drejtat e shqiptarëve duhej të ngriheshin në një nivel tjetër dhe kjo hapësirë mund të bëhej reale nëse mbushej me zhvillimin e veprimtarive instiutcionale, politike, administrative, kulturore, shkencore e të tjera. Në të gjitha këto drejtime të veprimit Fehmi Aganin e gjejmë diku në radhët e më shpesh në ballë. Dhe në të gjitha ato veprimtari, jo vetëm për brezin tonë, po edhe për shumë para nesh, reagimi i Fehmiut dhe i disa prej shokëve të tij kishte rëndësi jo vetëm për efektet që krijonte tek institucionet politike e administrative, po në radhë të parë për rolin e reperit, të pikës orientuese për sjelljen e të tjerëve në rrethanat kur informimi dhe çdogjë tjetër ishte e dirigjuar.

3. Në ndërtimin e mëtejmë të rrjetit të shkollave të larta dhe të fakulteteve, për të kaluar në organizim universitar me mësim të plotë në gjuhën shqipe. Ne që kemi marrë pjesë si studentë në jetën e fakulteteve në ato vite e mbajmë mend mirë luftën prej luani që bënte ai për çdo vend pune, për çdo orë mësimi shqip, për çdo të drejtë specializimi të të rinjve në qendra të tjetra. Është e sigurt se angazhimi i tij ashtu me tërë qenien dhe mendjen arrinte të mobilizonte të gjitha energjitë që ndodheshin në fakultet atëherë për të hapur rrugën dhe për të arritur më shpejt synimin themelor: të ndërtohej rrjeti i fakulteteve deri në shkallën e nevojshme për themelimin e universitetit të pavarur nga Universiteti i Beogradit dhe njëherësh për mbushjen e tërë hapësirës me mësim në gjuhën shqipe.

4. Në themelimin dhe ngritjen e institucioneve shkencore. Më 1967 Fehmi Agani qe emëruar drejtor i Institutit të sapothemeluar Albanologjik në Prishtinë (Instituti Albanologjik ishte themeluar më 1953 dhe ishte mbyllur më 1955). Tani çdogjë duhej të fillonte nga e para.

5. Në angazhimin për hapjen e komunikimit të shqiptarëve të ish-Jugosllavisë me shqiptarët e tjerë, posaçërisht me Shqipërinë. Fehmi Agani ka luajtur një rol të dorës së parë në kërkimin dhe gjetjen e rrugëve jo shumë të lehta në rrethanat e atëhershme politike për komunikim midis shqiptarëve ngado që të jenë. Nuk mund të harrohen ndihmesat dhe angazhimet e tij të guximshme për organizimin e kontakteve shkencore-kulturore me instancat përkatëse të Shqipërisë. Është posaçërisht me rëndësi të theksohet këmbëngulja e tij në gjetjen e formave dhe në krijimin e rrethanave për integrime shqiptare, çka nuk ishte gjë krejt e lehtë, jo vetëm për shkak të qëndrimeve antishqiptare të shumëkujt në Jugosllavi, po edhe për shkak të hezitimeve, apo bindjeve që ishin krijuar ose po krijoheshin edhe ndër shqiptarë në anë të ndryshme të kufirit. Si sukses me vlerë posaçërisht të madhe simbolike, po edhe konkrete, mund të konsiderohet nxitja dhe organizimi i Konsultës Gjuhësore të Prishtinës të vitit 1968, që u mbajt me organizim të Instiutit Albanologjik dhe të Katedrës së Gjuhës Shqipe të Fakultetit Filozofik, e që në mënyrë konkrete dhe faktike e legalizoi vendimin për një gjuhë të vetme letrare për të gjithë shqiptarët. Ky ishte hapi më i madh konkret që ishte bërë në drejtim të integrimeve shqiptare. Në diskutimet dhe nxitjet krejtësisht pa imponim të Fehmiut binin në sy qysh atëherë dhe në kontrast me mentalitetin dhe ideologjitë sunduese ndër ne kërkesat që shtronte ai për procese demokratizimi, poaq sa për unitetin e kulturës kombëtare pavarësisht nga ndarjet dhe kufijt.

6. Në situatën e re të Kosovës në federatën jugosllave, pas Amendamenteve kushtetuese dhe Kushtetutës së vitit 1974 Fehmiut dhe një numri gjithsesi të vogël intelektualësh shqiptarë u binte barra e shpjegimit dhe e mbrojtjes së interesave, të kauzës shqiptare, duke kërkuar hapësira të reja, sidomos në raport me botën shqiptare dhe botën tjetër. Në vargun e angazhimeve të tilla që kërkonin dhe shumë guxim intelektual e tjetër mund të përmendet angazhimi i tij vendimtar për pengimin e laurimit të krijuesit të projekteve gjenocidale kundër shqiptarëve akademik Vaso Çubriuloviqit me çmimin e AVNOJ-it. Si për ironi, më vonë kjo kërkesë e shovinistëve serbë u realizua pikërisht në kohën kur në krye të Jugosllavisë ishte një shqiptar.

7. Pas themelimit të Universitetit të Prishtinës dhe krijimit të një rrjeti minimal të institucioneve themelore shkencore Fehmiu dhe grupi i intelektualëve që kishin merita të posaçme në këtë drejtim veprimtarinë e tyre e përqëndruan në rritjen e infrastrukturës së brendshme të këtyre institucioneve dhe të cilësisë e gjerësisë së punës brenda tyre, çka reflektohej drejtpërsëdrejti në rritjen dhe përhapjen e nevojave dhe të kërkesave për pavarësim, për akumulimin e argumentimit të pabarazisë së gjendjes ekzistuese, pra edhe për krijimin e vetëdijes për nevojën e ndryshimit të gjendjes. Pas Demonstratave të vitit 1981 në institucionet e Universitetit Fehmi Agani shquhet me argumentimet kundër vlerësimeve zyrtare jugosllave për karakterin e Demonstratave dhe kundër represionit policor-ushtarak mbi studentët dhe rininë. Angazhimet e tilla ishin baza për ndëshkimin që i dha pushteti partiako-policor duke e larguar nga mësimi dhe duke e mbajtur në vështrim të përhershëm policor.

8. Në fillim të viteve ´90 Fehmiu është në kreun e lëvizjes së madhe politike për pavarësinë e Kosovës, në udhëheqjen e ngushtë të LDK-së (nënkryetar dhe kreator i shumë ideve dhe nxitës i proceseve larg përtej suazave të LDK-së), në manifestimet e ndryshme dhe sidomos në kontaktet intensive me gazetarë dhe diplomatë të huaj tërësisht të dhënë pas shpjegimit, argumentimit të arsyeve për pavarësinë e Kosovës dhe pas krijimit të lidhjeve e të miqësive që do ta ndihmonin këtë proces. Eshtë e çuditshme ku e gjente gjithë atë energji që edhe pas të gjitha këtyre të arrinte të merrej deri në detaje me projektimin, organizimin dhe efektuimin e kësaj lëvizjeje, duke lënë kështu gjurmë të pashlyeshme. Eshtë poashtu e çuditshme aftësia e tij krejtësisht e rrallë që përkrye të gjithave të mbante kontakte jashtëzakonisht të gjera me njerëz dhe shtresa nga më të ndryshmet.

9. Në hartimin e të gjitha dokumenteve të rëndësishme për lëvizjen politike në Kosovë në dekadën e fundit, sidomos në hartimin e atyre dokumenteve që kanë peshë dhe vlerë ndërkombëtare, etj.

10. Në ndërtimin dhe selitjen e raporteve sa më të afërta midis grupeve dhe partive në Kosovën e viteve ’90, etj.

Me një fjalë, veprimtaria intensive në kuadër të proceseve shoqërore gjithnjë në vorbullin kryesor dhe shumë shpesh në prijë të proceseve mori një pjesë të madhe të energjive krijuese të Fehmi Aganit për 4 dekada me radhë.

Veprimtaria e shkruar

Si njeri që ka pasur privilegjin ta njihte nga afër mënyrën e punës të Fehmiut dhe që është në situatë të shohë tash në mënyrë rekapitulative gjithë ç‘ka lënë Fehmiu në veprimtarinë e tij të gjerë intelektuale të shkruar, të botuar ose jo, pa pretendime për të bërë klasifikime valide, mund të them se ai ka lënë prapa një vepër të rëndësishme intelektuale-shkencore në fusha me interes të veçantë për ne si shkencat shoqërore në përgjithësi, sociologjia, sociologjia politike dhe filozofia e politikës në veçanti. Përkrye angazhimeve tejet të mëdha dhe shterruese që u përmendën më sipër, arrinte gjithnjë të shkruante dhe të botonte studime, diskutime dhe ndërhyrje me vlerë. Dhe nuk mund të mos vihet në pah harmonia midis veprimeve të tij shoqërore-politike dhe bindjeve e ideve që dalin nga studimet dhe mendimtaria e tij.
Nga ato që kam arritur të shoh deri tash rezulton se përqëndrimet kryesore të Fehmi Aganit në veprimtarinë e tij të gjatë intelektuale e shkencore mund të paraqiten kronologjikisht si vijon:

- Nga fillimet e deri në fund të jetës së tij është konstante vija e angazhimit intelektual me shkrime dhe tekste serioze në drejtim të argumentimit të qenësisë njësore etniko-shoqërore shqiptare përtej ndarjeve të padrejta shtetërore, duke theksuar sidomos mëvetësinë dhe veçantinë e shoqërisë shqiptare në konturat shtetërore-shoqërore jugosllave, për të kaluar te shquarja e idesë për realizimin konkret të kësaj mëvetësie si pavarësi e plotë. Në këtë fushë Fehmiu ka lënë shumë shkrime me cilësi të lartë intelektuale dhe ato mund të përbëjnë ndoshta dy vëllime të përmbledhura.
Paralelisht me shkrimet që kanë impakt të drejtpërdrejtë në jetën tonë shoqërore, në vitet ´60 Fehmiu ka shkruar një bllok studimesh me vlerë sociologjiko-politike për proceset e participimit të punëtorëve në drejtimet e ndërmarrjeve (Mitbestimmung) në Gjermani. Ato studime, që përbëjnë një tërësi dhe vëllim më vete, janë botuar serbokroatisht nëpër revista shkencore të atëhershme dhe janë vlerësuar nga specialistët.
Nga viti 1967 e tëhu bie në sy përqëndrimi i Fehmiut në veprimtarinë hulumtuese-shkencore për proceset shoqërore-politike në Shqipëri gjatë Luftës II Botërore, sidomos në studimin e veprimtarisë së partive politike. Në këtë kohë ai kishte hartuar disertacionin e doktoratës për Partitë dhe grupet politike në Shqipëri gjatë Luftës II Botërore, që përbën një monografi të gjerë dhe shumë serioze si për hulumtimin kompleks politik e sociologjik, ashtu dhe për guximin intelektual, shkencor e politik për të folur publikisht për ato probleme.
Pas vitit 1970 mbisundojnë shkrime më ngushtësisht sociologjiko-teorike, përfshirë dhe tekste për nevoja të shkollave, të hartuara qoftë vetëm, qoftë bashkë me autorë të tjerë.
Në vitet ´80, sidomos pasi iu mohua e drejta e mësimdhënies më 1983, Fehmi Agani ishte përqëndruar në projektin e rëndësishëm të studimit të historisë së mendimit sociologjik. Rezultat i pjesërishëm i kësaj pune është libri me vlerë të posaçme dhe gjithnjë i vetëm i atij lloji ndër ne Në rrjedha të mendimit sociologjik i botuar më 1990.
Në vitet ´90 interesimet intelektuale dhe shkrimet e Fehmiut përqëndrohen në dy trasa kryesore: në argumentimet dhe shpjegimet serioze politike të të drejtave shqiptare dhe të Kosovës në raport me sllavët e jugut përreth, në projektimet e lëvizjeve konkrete politike përbrenda shoqërisë sonë, në projektimet dhe argumentimet e pavarësisë shtetërore dhe shtetformuese të Kosovës dhe në mbrojtjen dhe përhapjen e këtyre ideve; ana tjetër dhe gati paralele me këtë ka të bëjë me çështjet e organizimit të jetës shoqërore, përgjithësisht me organizimin e shoqërisë civile dhe me proceset e demokratizimit. Prodhimi intelektual i Fehmiut në këto dy fusha mund të përmblidhet në më shumë se dy vëllime serioze.
Në vitet ´80 Fehmiu ka shpenzuar energji intelektuale dhe krijuese në ndihmë të mekanizmave shoqërorë shqiptarë për t‘u mbrojtur nga sulmet dhe shtrembërimet e kampanjës antishqiptare të drejtuar nga qarqet policore. Në këtë fushë ndër dorëshkrime kam gjetur gati në tërësi librin rreth 200 faqesh të hartuar për nevoja të instancave shqiptare.
Polemikat e ndryshme me karakter shoqëror, ku spikat nervi i tij për të hetuar problemet por pa e prekur personalitetin e atij me të cilin polemizonte, të hartuara qoftë shqip qoftë serbisht, pikërisht pse janë të tilla dhe shpjegojnë çështje, ashtu si dhe për disa veçori stili, mund të përbëjnë një vëllim të veçantë.
Trajtim më vete dhe në vëllim të veçantë duan intervistat e Fehmi Aganit për shtypin dhe mediumet shqiptare, të ish-Jugosllavisë dhe ndërkombëtare të periudhës 1990-1999, në të cilat poashtu vend qëndror zënë çështjet që lidhen me proceset shoqërore dhe politike ndër shqiptarë dhe në Ballkan, çështja madhore e pavarësimit të Kosovës, rrugët e ndërtimit të shtetit të pavarur, etj.
Një vlerë më vete paraqesin përkthimet që ka bërë Fehmi Agani në fushat e sociologjisë dhe të filozofisë, duke dhënë kështu një ndihmesë të shquar në krijimin dhe në stabilizimin e termino-logjisë, po edhe në fokusimin e vëmendjes së opinionit në këto fusha.
Prodhimtaria shkencore-intelektuale e Fehmi Aganit është shkruar për pjesën më të madhe në gjuhën shqipe. Për një pjesë ajo është hartuar serbisht, por ka dhe shkrime që janë ruajtur në përkthim anglisht. Edhe vetë kam qenë i habitur kur dorëshkrimin e tezës së tij të doktoratës e gjeta të hartuar në dy gjuhë - shqip dhe serbisht. Një prej miqve të tij, që i njihte më mirë rrethanat në vitet ´70, më shpjegoi se ai kishte qenë i shtrënguar të vepronte ashtu për shkak të temës dhe të fushës në të cilën po punonte dhe të rrethanave komplekse në të cilat po mbrohej disertacioni.

Në gjendjen që është trashëgimia shkencore, mendimore dhe publicistike e Fehmi Aganit dalin të ne-vojshme dhe të ngutshme disa veprime. As në Akademi e as gjetiu, për fat të keq, deri tash nuk kam gjetur një bibliografi të përgjithshme dhe të përdorshme për botimet e tij. Mbledhja dhe sistemimi i shkrimeve të tij është detyra e parë që shtrohet para atyre që duan të merren me këtë vepër në mënyrë të organizuar. Me tej del e nevojshme të hulumtohet nëpër materialet që i kanë shpëtuar luftës dhe të rindërtohen dorëshkrimet eventuale, apo të zbardhen fragmentet, copat, idetë dhe skicat me të cilat ishte gjithnjë plot kjo kokë e madhe jona.
E përmbledhur dhe e sitemuar veprimtaria e gjerë shkencore-intelektuale e Fehmi Aganit do të jetë (in)formative edhe për shumë kohë për lexuesin tonë. Përkrah gjallërisë së tij të jashtëzakonshme në veprimtaritë shoqërore, veprimtaria e tij shkrimore-shkencore-intelektuale e thekson edhe më shumë përmasën e kthjellësisë dhe të thellësisë së mendjes, shpirtin krijues, në përgjithësi intelektualin e kalibrit krejtësisht të veçantë në hapësirën shqiptare.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 21.10.2004 22:59
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË