NUMĖR 65
SOT ËSHTË
 
BALLINA
ARTIKUJ
EDITORIAL
INTERVISTA
DOSSIER
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
Me Maqedoninë qeverisë mafia
 
Presidenti - moment pragmatizmi, apo fillim procesi
 
"Krimi dhe dënimi" i mediumeve masive shqiptare
 
Mbi veprimtarinë e Fehmi Aganit
 
ARTIKUJ VITI IV - 1 KORRIK 2002

KËTHIMI I SËRBËVE NË KOSOVË, APO ZJARRËVËNËSI I VJETËR ME DETYRË TË RE

Shkruan Xhafer SHATRI

Kthimi apo mashtrimi i madh?

Këtë vit sidomos nga Beogradi po ushtrohet një presion i veçantë për kthimin në Kosovë të atyre serbëve që kanë ikur para ose pasi është dëbuar Serbia prej këtu. Fushata politike dhe mediale e Beogradit për këtë çështje të përkujton vitet e paharrueshme tetëdhjetë, apo përpjekjen më të fundit të «butë» të shtetit serb për ndryshimin e strukturës etnike të Kosovës.
Kjo fushatë drejtpërdrejt lidhet me zgjedhjet e ardhshme lokale në Kosovë, të cilat bashkësia serbe, e dirigjuar nga Beogradi, do t’i bojkotojë nëse nuk lejohet dhe nuk financohet «kthimi i madh»…
Sipas mediave serbe në fund të gushtit të sivjetëm parashihet të kthehen deri në 100 mijë serbë. Kthimi do të bëhet taman serbisht: në ditën e caktuar, kolonat do të vijnë drejt Kosovës dhe në ballë të tyre do të qëndrojë Mirosllav Sholeviç, një protoganist i njohur në historinë më të re të Kosovës. Ky fakt dëshmon se elita serbe edhe pas të gjitha atyre që kanë ndodhë, apo, thënë më saktë, pas të gjitha atyre të zezave që i ka bërë shteti serb, megjithatë nuk është mbushë mend. Përkundrazi.

Portreti i «liderit popullor serb»

Mirosllav Sholeviç (53 vjeç ) është nga Sekiraça e Kurshumlisë. Me profesion është teknik. Ka tre fëmijë, djalin e vogël e ka pagëzuar me emrin Karagjorgje. Ka jetuar në Prishtinë, në Lagjen Dardania, te Kurrizi, hyrja nr. 7. Ka qenë kryetar i Konferencës aksionale të Lidhjes Komuniste, dega e Fushë-Kosovës. Aktualisht është pronar i një ferme dhishë, në afërsi të Nishit.
Më 1982 Sholeviç ka formuar Lëvizjen kombëtare serbe në Kosovë, e cila ka pasur si qëllim që «shokëve të Komitet Qendror të LK të Serbisë t’ua bëjë me dije se duhet të sigurohet barazia e serbëve në Kosovë…». Kjo bamje me dije është bërë fillimisht përmes peticioneve, të cilat i kanë shkruar akademikët serbë në Beograd dhe i kanë nënshkruar fshatarët të manipuluat dhe të frustruar të bashkësisë serbe në Kosovë. Këto peticione janë dërguar pastaj në Komitetin Qendror të Serbisë e të Jugosllavisë dhe efekti i tyre në Kosovë ka qenë i menjëhershëm: sajimi i delikteve dhe konflikteve me prapavijë etnike siç ishte përdhosja e varrezave, «përdhunimet», rrahjet, djegia e lëmëve etj., për të cilat më vonë është konstatuar se kanë qenë vepër e KOS-it (shërbimi ushtarak serb i kundërzbulimit). Këto veprimtari në jetën e përditshme të Kosovës pasqyroheshin me sforcimin e represionit policor (arrestime, diferencime, procese gjyqësore deri dhe te sajime të shëmtuara siç ishte rasti i neveritshëm Martinoviq etj.), me acarimin e marrëdhënieve ndëretnike, me shkërmoqjen këmbëngulëse të institucioneve themelore të Kosovës etj.
Me kohën peticionet u zëvendësuan me mitingje të cilat sollën në skenën politike Sllobodan Millosheviqin. Kjo periudhë njihet si jogurtrevolucion. Mitingashët, të udhëhequr nga Sholeviç, rrëzuan udhëheqjet autonomiste në Vojvodinë, në Kosovë dhe në Mal të Zi. Pjesëmarrësit e mitingjeve i kishin të gjitha gratis: autobusët, trenat, ushqimin. Çdonjëri prej tyre merrte dhe dieta të majme.
Sholeviç drejtpërdrejt ka qenë organizator i tubimit me Millosheviqin në Fushë-Kosovë, më 24 e 25 prill 1987 dhe nxitës i masës së manipuluar për të sulmuar policinë, me ç’rast u përgatit terreni për sulm frontal mbi skeletin e autonomisë së Kosovës dhe për luftën që do të shpërthente më vonë gati kudo në ish-Jugosllavi.
Aktualisht Sholeviç është kryetar i Shoqatës së serbëve nga Kosova «Kuçni prag» (Pragu i shtëpisë). Sipas tij shqiptarët e Kosovës janë katër llojesh:
Albanët (albanci) muslimanë,
Albanët katolikë
Shqiptarët (shiptari) muslimanë dhe
Shqiptarët katolikë.
Më të rrezikshmit sipas Sholeviçit janë dy llojet e para, të cilët duhet ndjekur me çdo kusht nga Kosova, ndërsa me llojet e fundit mund të gjendet një zgjidhje…, qoftë dhe me luftë, pavarësisht se «pranë të thatit do të digjet dhe i njomi»...

Taktika e re, strategjia e vjetër

Sipas Sholeviçit aktualisht më armiqësori ndaj çështjes serbe është shefi i UNMIK-ut, Mikael Steiner. Porse «me një presion mbi të dhe mbi bashkësinë ndërkombërtare ata do të detyrohen të bëjnë lëshime të mëdha…» Presioni do të jetë krejt konkret: praktika e mitingjeve të dikurshme kur dhjetëra mijëra serbë do të vëshojnë drejt «kufijve administrativë». Në mesin e tyre do të ketë paqësorë por edhe asi «që problemet duan t’i zgjidhin vetëm me armë». Për këtë aksion Sholeviç thotë se ka mbështetjen e Kishës Ortodokse Serbe, ndërkaq povereniku i Beogradit, Nebojsha Qoviç, këtë aksion e ka quajtur si një të drejtë legjitime.
Në fakt si dikur edhe tash Sholeviç është vetëm ajo coha e kuqe e toreadorëve që përdoret për të egërsuar por edhe për të mashtruar tarakun: pra mobilizimi i masës së dikurshme të mitingashëve dhe zhurmagjinjve të tjerë, ndërkohë që ustallarët e Koshtunicës dhe Qoviçit në heshtje do të përpiqen të përçajnë korpusin politik shqiptar, të fusin pyka mes vendorëve e ndërkombëtarëve dhe të bëjnë presion në Këshillin e Sigurimit në mënyrë që Kosova, përmes «decentralizimit të domosdoshëm» praktikisht të copëtohet dhe «pjesa serbe» t’i jipet një ditë Serbisë.
Çështja e rikthimit të serbëve lidhet dhe me një çështje tjetër, të cilën e nxjerr në pah këshilltari i Koshtunicës, Predrag Simiç: serbët duhet të kthehen në Kosovë para se të fillojë privatizimi në mënyrë që ta marrin pjesën e kulaçit.
Simiç është kundër programit të Steinerit për kthimin normal të qytetarëve të Kosovës në vendbanimet e tyre, sepse sygjeron që kthimi të bëhet në mënyrë masive dhe pavarësisht mungesës së infrastrukturës ata të vendosen nëpër enklava. Sepse kështu tensionet do të jenë më të larta dhe mundësia e manipulimit prej Beogradit shumë më e madhe.

Hutia e vendorëve dhe endërkombëtarëve

Përballë këtij presioni që po intensifikohet ndërkombëtarët dhe pulenët e tyre kosovarë ditë e më tepër po ndihen të hutuar. Ata po arsyetohen se po punojnë për një Kosovë multietnike, duke pëdorur këtë termin e fundit vend e pa vend si dikur komunistët bashkim-vëllazërimin e famshëm.
Ky është dhe një absurd i llojit të vet, sepse ndërkombëtarët, në kundërshtim me praktikat në vendet e tyre, konceptin e qytetarisë, pra konceptin e shoqërisë që e përbëjnë qytetarët e barabartë në të drejta dhe në detyrime, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike, fetare ose politike, po e kthejnë në një shoqëri të konceptuar mbi baza etnike me rreziqe të mëdha për të gjithë qytetarët e vendit.
Nën trysninë e shumfishtë dhe të koordinuar të shtetit serb, në Kosovën e administruar nga perëndimorët, flitet e shkruhet se u vra një serb, u shpërngul një jevg, u arrestua një shqiptar duke cilësuar qytetarët dhe veprimet e tyre jo si njerëz, jo si qytetar por si etni. Sipas kësaj logjike kur vritet një serb ose një shqiptar duhet të mërziten të gjithë serbët dhe të gëzohen të gjithë shqiptarë ose anasjelltas. E kështu në vend të rendit demokratik, ku qytetari do të jetë në qendër të vëmendjes e të preokupimit të institucioneve ndërtohet rrethi vicioz i përbërësve etnikë prej të cilit Kosova do të humbë rrugën në oborr, sepse nuk do të ndërtojë një shoqëri normale të qytetarëve të barabartë, por praktika e ligje të veçanta sipas kuteve dhe shijeve etnike.
Këto praktika kanë shkatërruar vende shumë më të mëdha dhe shumë më të fuqishme se Kosova. Fundja këto praktika kanë sjell luftën në ish-Jugosllavi, pra dhe në Kosovë.
UNMIK-u dhe tutorët e tij do të duhej të tregohen njëjtë të vendosur në mënyrë që ashtu siç po u jep detyra shtëpie politikanëve kosovarë, të cilët po tregohen jo vetëm të butë, por edhe pa kurriz fare, t’i japë detyra edhe Beogradit që t’i kryejë atje, në Serbi dhe t’i lërë serbët e Kosovës në hallin e tyre. Këta të fundit duhet të kenë jo kukulla, por përfaqësues të tyre autoktonë, që futen në institucione të Kosovës për të realizuar dhe për të mbrojtur të drejtat e tyre. Në të kundërtën do ta pësojnë edhe më keq, nëse vazhdojnë të shkojnë pas qerres së Beogradit, i cili është treguar manipulues i pamëshirshëm. Ka luajtur si mos më keq me ta dhe, më në fund, i ka lënë në baltë. Jo vetëm njëherë.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 21.10.2004 22:59
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË