NUMĖR 67
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
DOSSIER
ARTIKUJ
ANALIZË
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI IV - 1 TETOR 2002

Serbët e Kosovës dhe lufta për pushtet në Serbi:
VOZHDËT E RI, SITUATA E RE, POLITIKA E VJETËR

Shkruan: Xhafer SHATRI

Në fund të gushtit, krejt papritur u bë sërish i gjallë vozhdi i dikurshëm i serbëve të Kosovës, Mirosllav Sholleviç. Në mediat serbe ai caktoi dhe një datë për kthimin masiv të serbëve në Kosovë. Dhe data ishte 21 shtatori, dita kur vera i lëshon radhën vjeshtës. Sipas Sholeviçit rreth 110 mijë serbë pritej të bllokonin 11 pika kufitare që hyjnë në Kosovë: shtatë në kufirin Serbi-Kosovë dhe nga një në kufinjtë me mes Kosovës e Malit të Zi gjegjësisht Maqedonisë. Bllokimi do të kishte 3 faza: më 21 e 22 shtator kufiri do të bllokohej nga gjashtë orë si paralajmërim për UNMIK-un që t'ua mundësojë kthimin serbëve në Kosovë, duke u siguruar njëherit shtëpi, duke i kthyer në vendet e punës dhe duke ua kompensuar dëmest që kanë pësuar gjatë dhe pas bombardimeve të Natos.

Nëse UNMIK-u nuk do t'i merrte parasysh këto paralajmërime, atëherë do të fillonte faza përmbytëse e kufirit, bllokimi i plotë dhe i pakusht gjersa UNMIK-u të zbatonte urdhërat e "Këshilli për kthimin e serbëve të përndjekur dhe pasardhësve të tyre në Kosovë e Metohi që prej 6 prillit 1941 e deri më sot!"


Serbët "paqësorë, por me përjashtime"

Sipas Sholeviçit, Këshillin për kthimin e serbëve dhe pasardhësve të tyre, e përbëjnë, krahas tij, akademiku Svetomir Arsiç Basara, dr. Sreten Martinoviç, Rato Çvoroviç dhe Marijana Bruder. Sholeviç na siguron se aksioni "Duam të kthehemi në shtëpi" është "300% paqësor", por pranon se në mesin e tyre "aty-këtu ka përkrahës të opcionit të armatosur".

Sipas mediave serbe, Këshilli i ka dërguar në fillim të këtij muaji një letër presidentit amerikan, Xhorxh Bush, Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe ambasadave të Fuqive të Mëdha në Beograd. Në letër thuhet se bashkësia ndërkombëtare s'paska bërë gjë fare për serbët në Kosovë. "Përderisa, nën mbikqyrjen ndërkombëtare, u kthyen për tri javë disa qindra mijëra shqiptarë në Kosovë, ndërkaq edhe pse kanë kaluar tri vjet UNMIK-u nuk po e bën këtë edhe për 300 mijë serbë të ndjekur (!) nga Kosova më 1999", thuhet.

Në një kumtesë të Këshillit thuhet: "Ne, serbëve të Kosovës dhe Metohisë po na ndjekin nga votrat tona prej 62 vjetësh e këtej, nga Hitleri deri te Klintoni. U bënë katër vjet nga përndjekja gjenocidale e verës së vitti 1999 dhe askush nuk del të na ndihmojë. Shpresat tona për t'u kthyer dolën të kota."

Më 9 shtator, të njëjtën ide e shpërfaqi përmes mediave edhe Nebojsha Çoviç, nënkryetar i qeverisë së Serbisë dhe kryetar i Qendrës Koordinuese për Kosovën dhe Metohinë. Ai akuzon rëndë UNMIK-un për mos ndërmarrjen e masave adekuate për kthimin e serbëve në Kosovë.

Në këtë vijë, më 13 shator 2002 në Shtëpinë e kulturës në Graçanicë, u mbajt mbledhja e Shoqatës "Spas" (Shpëtimi), në të cilën u vendos të dilet hapur me idenë për copëtimin e Kosovës. Kryetar i kësaj shoqate, Sllavisha Kostiç, që njëherit na qenkesh edhe "kryetari i pjesës serbe të komunës së Prishtinës" deklaroi se kjo nismë duhet të arsyetohet me faktin se është e pamundur bashkëjetesa e serbëve me shqiptarët, prandaj: "Ta shpëtojmë atë që mund të shpëtohet, ta bëjmë atë që duhet ta bëjmë!"


Kush janë liderët e ri/vjetër të ekstremistëve serbë?

Në një intervistë M. Sholleviç thotë se "ne do kërkojmë nga Shtajneri, që në të gjitha qytetet e Kosovës të kthehen serbët dhe, sipas shembullit të Mitrovicës, të ketë lagje të veçanta për serbë, ku ata do të jetonin krejt ndaras nga shqiptarët."

Ndërkaq Çoviçi deklaronte se "…ne do ta përcjellim situatën. Nuk do të intervenojmë as me polici as me ushtri, por në rast të incidenteve në kufirin administrativ do të intervenojmë." (Beta, 19. 09.02)

Organizimi i aksionit për Kthimin e Madh u fry aq shumë në mediat serbe sa që, më 19 shtator e detyroi shefin e UNMIK-ut M. Shtajner te deklaroi se: "Ideja për kthim masiv është cinike dhe keqpërdorim i njerëzve të zhvendosur. Nuk është e ndershme që t'i ftosh njerëzit të kthehen dhe në anën tjetër të mos kesh mundësi t'u garantosh siguri dhe kushte të tjera për jetesë…"

Shihej ashiqare se ndërkombëtarët nuk e kishin kuptuar lojën, në të cilën Sholleviçi - njësoj si dhe në vitet tetëdhjetë! - s'ish gjë tjetër pos xhoker mjeran i qarqeve më ultranacionaliste të Beogradit. Marshi duhej mbajtur në valën e fushatës elektorale dhe si mbështetje direkte e Koshtunicës! Dy ditë më vonë, një nga organizatorët e këtij takimi, Çoviçi, deklaroi publikisht se në garën presidenciale partia e tij do ta mbështeste Koshtunicën, pra jo të zgjedhurin e Xhinxhiçit, Llabushin!

Ky fakt nxjerr në pah se aksionin "Hoçemo kuçi", e ka organizuar Nebojsha Çoviç me porosi të Koshtunicës, e në funksion të shfrytëzimit të problemeve të serbëve të Kosovës për çështje elektorale. Njësoj si dikur në vitet tetëdhjetë, Sholeviç me "mitingashët" e tij besnikë janë bërë pjesë e rëndësishme në luftën për pushtet që bëhet në Beograd.


"Marshi i Madh" - "Malo Morgen"!

Në një takim të mbajtur më 20 shtator nga Çoviçi dhe Odbori i Sholjeviçit në hotelin "Zvezda" në Vrnjaçka Banja, u vendos që të hiqet dorë nga marshi "Duam të kthehemi në shtëpi"! Gjoja kjo ujdi u arrit pas një debati të nxehtë pesorësh.

Për këtë anulim u gjetën një arsyetim falso, e një real: se gjoja paskesh "informata të sigurta" se terroristët shqiptarë po përgatisin aksione kundër pjesëmarrësve të marshit! Dhe ajo kryuesorja, se Xhinxhiçi (kundër të cilit, pra, ish dizajnuar tërë ky lëmsh që në krye) gjoja paskësh takuar fshehurazi Shtajnerin, duke e anashkaluar zyrtarin e Koshtunicës, Nebojsha Çoviçin! E meqë "tradhëtarit" Xhinxhiç iu çor maska, piuni Sholleviç, oficeri Çoviç dhe mbreti Koshtunica vendosin, pra, bashkarisht ta shtyjnë "Marshin e Madh" për "Malo Morgen".

Ndonëse caku kryesor i riaktivizimit të oficerëve të vjetër të Millosheviçit në Kosovë mbetet, pra, në fushën e politikës së brendshem serbe, kjo s'do të thotë se Kosova s'kërcënohet nga pasojat e hileve në Beograd. Për Kosovën është me rëndësi madhori fakti se koordinator i politikave serbe kundrejt Kosovës mbetet besniku i Koshtunicës nacionalist, Nebojsha Çoviçi.

Zgjedhjet komunale kosovare do të mbahen më 26 tetor, e pjesëmarja e serbëve të Kosovës në to po kushtëzohet me koncesione konkrete që po quhet decentralizim. Faza tjetër në strategjinë e Koshtunicës është, natyrisht, copëtimi i Kosovës. Ai këtë e kërkonte qysh në kohën e Millosheviçit, e ka vazhduar ta mbështesë si opcion edhe gjatë presidencës së vet. S'është, pra, aspak e rastit pse më 23 shtator Çoviçi u takua me Shtajnerin në Prishtinë për ta biseduar këtë çështje. Në një intervistë dhënë gazetës "Danas", eskponentja e Çoviçit në parlamentin kosovar, Rada Trajkoviç, thotë: "ne i kemi marrë të gjitha masat për përgatitjen e zgjedhjeve, por kjo nuk do të thotë se ne do të marrim pjesë në to. Nuk ka pjesëmarrje veresie. Nëse nuk fitojmë diçka konkrete, ne do t'i bojkotojmë zgjedhjet tërësisht."

Pra, dy të vrame me një të rame. Të mbështetet fushata elektorale nacionalisti "të moderuar",Vojisllav Koshtunica, e njëherit të bëhet trysni mbi UNMIK-un për të lëshuar pe edhe më tej para kërkesave serbe, deri në copëtimin de jure të Kosovës.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 0:06
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË