NUMĖR 67
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
DOSSIER
ARTIKUJ
ANALIZË
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
EDITORIAL VITI IV - 1 TETOR 2002

HUMBËSIT DIHEN, FITUESIT ENDE JO

Shkruan: Shqiptar OSEKU

Ky numër i revistës PASQYRA do të perqëndrohet te stina e zgjedhjeve, efektet e të cilës do t'i ndikojnë jetërat tona e pakta për katër vjet. Në një aspekt, nën diell përnjëmend s'lind kurrë gjë e re. Aq më pak ndër këto farët e fiset tona të prapambetura, ku kufizimet e fuqisë dhe vizionit kanë bërë që armiku gjithnjë të shfaqet me fytyrën e fqiut të parë. Në Siujdhesën Ilirike, politika ka qenë ndër kohëra thjesht grindje qorre fqinjësh, për një lëndinë këtu, një livadh aty e një përrua atje; e druaj se kjo s'do të ndërrojë aq shumë për katër vjet.

































Ajo që dallon kësaj radhe është se shqiptarët për herë të parë hyjnë në zgjedhje në kushte relativisht demokratike kudo që rrojnë. Me këtë mendoj se ata kanë përfaqësues që i kanë zgjedhur vet, pra që s'u mohohet dot legjitimiteti. Vota ka sot një peshë krejt tjetër nga ç'ka qenë rasti deri tash: tani e tutje s'ia lëmë dot më fajet "Evropës kurvë".

E pra, rezultatet e para të demokracisë janë bukur kokëçarëse. Merreni shembull, ta zëmë, Luginën e Preshevës. Me fjalët Xhafer Shatrit në këtë numër: "U shkëput prej Kosovës në mbarim të viteve 1950 me një firmosje të Titos, për ta çimentuar kontrollin serb mbi magjistralen jugosllave Beograd-Shkup; u nda me armë në dorë prej Serbisë në mbarim të viteve 1990 për të kërkuar rikthim në Kosovë; e u kthye sërish në Serbi në prag të mijëvjeçarit të ri - kësaj radhe me firmën demokratike të përfaqësuesve shqiptarë"!

Apo merreni, ju lutem, skandalin zgjedhor në IRJM-në (Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë). Atje shumëkush e trumbeton "ngadhnjimin" e guerilit Ali Ahmeti ndër zgjedhësit shqiptarë. Ndërkohë, grindjet ndërshqiptare u kanë mundësuar sllavëve ta zaptojnë shumicën absolute në parlament. Po të mos ish zori i ndihmave perëndimore, ja ata sllavët e përbuzur të IRJM-së sot do ta kishin një qeveri krejt të veten, pa as një shqiptar sa për be. E liderëve shqiptarë s'u kuqen veshët fare të vejnë amani o burra te perëndimorët, bëni sevap me ca poste ministrore edhe për ne.



































Merreni me mend vet, ju lutem, se si mund të vejnë zgjedhjet në Serbi, po deshi djalli e vajtën si zakonisht! Apo, pse jo, edhe në Kosovë…

Është, pra, punë bukur e vështirë t'ia qëllosh se kush po i fiton zgjedhjet ndër shqiptarë, meqë fitoreve të paralajmëruara s'u është parë ende as nami, e as nishani. Standardi i jetesës ndër shqiptarët ka rënë gjithandej; e askund më shumë se në Kosovë pas "ngadhnjimit" të mbramë ekonomik, kalimit në euro. Në rrafshin kombëtar, vendimet e "Evropës kurvë" për t'i hapërdarë shqiptarët tani i kanë edhe firmat e shqiptarëve, madje bash të përfaqësuesve të tyre demokratikë: ç'tu thuhet tashti këtyre, me fjalorin fishtian!?

Femrat, humbëset e zgjedhjeve

Përkundrazi, ajo që dihet qysh tani, është ajo se kush do të jenë humbësit e kësaj stine zgjedhore. Në radhë të parë do të humbasin femrat shqiptare, meqë politika shqiptare është sistem i ndërtuar prej meshkujve, e për meshkujt. Në demokracitë e qytetëruara, femra e ka marrë në dorë kontrollin mbi gjenitaliet e veta dhe mbi ciklin e vet seksual prej meshkujve kujdestarë. Shoqëritë e mirëfillta demokratike i shfrytëzojnë tërë resurset e veta, duke mishëruar barazinë gjinore në lëmitë e trashëgimisë familjare, e të drejtave të shkollimit, e të drejtës së prindërisë, e tregut të punës, etj. Njerëzit janë e duhet të jenë të ndryshëm e unikë, por ata duhet të gëzojnë shans të njëjtë në jetë. Nëse dikush ka disavantazh pse ka lindur me sy të kaltër, hundë të gjatë, këmbë të shkurta, a vagjinë në vend të penisit, kësaj i thonë diskriminim.

Humbësit e dytë janë fëmijët, kundër të cilëve ushtrohet dhunë sistematike në familjet shqiptare nën pretekstin e "edukimit (!) të mbarë". Ky është brezi i ri, ai i cili shpresojmë se do ta zhvillojë më tej gjuhën e tolerancës dhe demokracisë. E për çfarë zhvillimi mund të bëhet fjalë, kur, në raste të konflikteve, e vetmja gjuhë që njohin shumica e fëmijëve është gjuha e dajakut!?

Humbësit e tretë janë pleqtë shqiptarë, ata që kanë parë tek u avullohen pensionet e kursimet e tërë jetës. Ata ndjejnë se i kanë mbetur barrë fëmijëve të vet të varfër, ndonës kanë punuar e derdhur djersë tërë jetës së vet të pjekur.

Kuti për ta matur humanitetin e një demokracie s'është tjetër, veçse pozita e shtetasve më të eksponuar të saj. E shtresave të dobëta, si e femrave, e fëmijëve, e pleqve etj, dhe pozita e minoritarëve: e pakicave etnike, e handikapatëve, e pacientëve mentalë, e personave me preferenca tjera seksuale, etj. Më thotë mendja se një shoqëri që s'ka se ç'të rrëfejë as në lëmin e sukseseve ushtarake, as politike, e as ekonomike, e pakta mund të bëhet ca më humane, apo jo?

Ndërsa dhjetëra gra e vajza vriten përvjet për "çështje nderi" (a ka term më të pandershëm!?), ndërsa femra shqiptare diskriminohet në punë, në shkollë, në prindëri e në familje, deri atje sa OKB-ja e vlerëson këtë si "pengesë për zhvillim ekonomik e tjetërfare të shoqërisë shqiptare"; e ndërsa fëmija shqiptare i eksponohet rregullisht të rrahurave si metodë e edukimit: qëllojani, ju lutem, sa parti shqiptare e kanë në rend të ditës çlirimin e femrës, e ndalesën e ndëshkimeve fizike kundër fëmijëve?

Zero. As edhe një e vetme për be!

Vetëm sa për ta kruar kokën, ndoshta, në këtë stinë zgjedhore.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 0:07
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË