NUMĖR 67
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
DOSSIER
ARTIKUJ
ANALIZË
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI IV - 1 TETOR 2002

"NJË NATË ME BANDITËT"

"Ku po shkoni? - pyeti kamarieri grek, duke ngritur duart në shenjë tmerri. "Ata janë të gjithë banditë. Do t'ju presin në grykë, që t'ju marrin të hollat. Një gjë e tillë i ka ndodhur dikujt jo më larg se një javë më parë" - vazhdoi kamarieri grek.

Në fakt ai nuk kishte qenë kurrë në Shqipëri, pavarësisht faktit se kishte jetuar tërë jetën në ishullin e Korfuzit, vetëm pak kilometra larg Shqipërisë. Por të njëjtin shqetësim melodramatik do ta dëgjoni thuajse nga të gjithë banorët e këtij ishulli të zhurmshëm turistik të Greqisë.

"Barbarë ja se çfarë janë ata, të gjithë", thotë një grua në një shitore suvenirësh. "Mos pranoni asnjë pije prej tyre. Do jetë e droguar dhe kur të përmendeni gjithçka do të ketë shkuar". Pasi na mbërtheu me një vështrim të ashpër, shtoi duke tundur gishtin: "Natyrisht nëse do të zgjoheni…"

Sado që u përpoqa t'i vija poshtë këto anektoda tmerri, përmes mendimit se qenë vetëm paragjykime dhe një lloj mbrojtje, nuk më ndihmuan që të mënjanoja një ndjenjë shqetësimi të mërzitshëm, ndërsa hipja në bordin e një trageti të vjetër e të ndryshkur, që do të më çonte nga Korfuzi i qetë e me diell në qytetin - port të Sarandës në Shqipëri.

Një orë udhëtimi kushton 15 euro me tragetin Kaliopi, që valëvit flamurin shqiptar. Ndërsa lundronim në ngushticën e Korfuzit, i hodha një vështrim me bisht të syrit udhëtarëve të tjerë, në përpjekje për të diktuar banditët e mundshëm. Çfarë pashë qe një grup burrash zeshkan dhe një grua me flokë të ngjyrosur si mos më keq. Të gjithë qenë të veshur me tesha të errta dhe kishin me vete jashtzakonisht shumë mallra të llojeve të ndryshme: paisje elektrike, shtroje e tesha dhe ushqime. Por të gjithë dukeshin krejt të pafajshëm.

Ishim të paktë ne që kishim rrezikuar të vinim në Sarandë si udhëtarë të paorganizuar në grupe turistike.
Shumica e vizitorëve janë pushues evropianë, pushimet në grup të të cilëve parashohin dhe një ditë udhëtim në Shqipëri.

"Është një kuriozitet", thoshte Nicqui Stanton, një agjente udhëtimesh, e cila gjente turistë të interesuar për udhëtim një ditor në Shqipëri për 30 euro.

Është e lehtë të shohësh vlerën e kuriozitetit. Këtu është një vend, që për 5 dhjetvjeçarë e ka mbajtur veten të izoluar nga Evropa dhe pjesa më e madhe e botës, nën udhëheqjen e ashpër të diktatorit komunist Enver Hoxha. Ky i fundit një paranojak i vërtetë, shpenzoi pjesën dërrmuese të të ardhurave të vendit për të ndërtuar bunkerë, që të mbrohej nga pushtuesit.
Pjesa më e madhe e veriut të vendit duket si e mbëthyer ende në kohrat e mesjetës, madje në disa pjesë tradita e hakmarrjes vazhdon dhe sot. Sipas kësaj praktike lejohet që dikush të marrë hak, me pasoja fatale kundrejt një tjetri, që i ka bërë keq familjes së tij, ndonjëherë për ngjarje që kanë ndodhur para disa brezash.

Vetëm pas vdekjes së Hoxhës më 1985 dhe lëvizjeve të ndryshimit në Evropën Lindore, Shqipëria nisi të shihte jashtë vetes. Por dhe këto 10 vite të fundit kanë qenë të shoqëruara me probleme të brendshme, lëvizje të dhunshme si dhe me Kosovën fqinje të përfshirë nga trazirat.

Pasi mbërritëm në Sarandë, zyrtarë me uniformë na morrën pashaportat dhe na shoqëruan për në kalatë. Atje në një kthinë të vogël e të mërzitshme prisnim me durim derisa zyrtarët të buzëqeshur kontrollonin dokumentat tona, mbushnin formularët në tre kopje, morrën eurot dhe na kthyen pashaportat, tashmë të paisura me viza, si dhe na thyen eurot duke na dhënë një dëng me lek, monedha vendase.
Saranda nuk ofron shumëçka. Një shëtitore, e rrethuar nga një vijë pemësh që shkon paralel me vijën bregdetare, një grusht restorantesh, baresh e hotelesh dhe një plazh të vogël gjithë mbeturina.
Vetëm pak minuta larg bregdetit janë rrugët e mbushura me kambistë, që thyejnë çdo lloj monedhe, të paisur me dëngje monedhash dhe makinash llogaritëse, kafetë ku shiten byrek me djathë a mish, shitore që shesin suvenire shqiptare dhe një treg i hapur ku gjeje fruta e zarzavate të freskëta si dhe midhje vendase të sapozëna nga peshkatarët e zonës.

Kudo sheh ndërtesa që ngrihen, madje dhe një hotel që thirrej me pesë yje, i cili në kohën e vizitës sonë nuk qe hapur ende.

Është këndshëm dhe ka "një qetësi si para furtune", që ndihet shpesh në qendrat e pushimit, të cilat janë në fillimet e tyre.

Ashtu si shumica e vizitorëve të tjerë në Sarandë, arsyeja kryesore e ardhjes është udhëtimi 30 minutësh drejt Butrintit. Me një Mercedes-taksi udhëtimi ynë deri në Butrint kushtoi 200 lekë. Rruga deri në Liqenin e Butrinit, nga vinin midhjet e famshme shqiptare, që shërbeheshin me çmime shumë të larta në restorantet e Korfuzit, ishte tepër e harkuar dhe në një si shpat mali.

Butrinti duhet të jetë një nga qytetet arkeologjike më interesante në Evropë. Kjo jo se është tepër i madh, apo i ruajtur jashtzakonisht mirë, apo se ka qenë ndonjë qytet i rëndësie të jashtzakonshme. Asnjëherë nuk ka qenë i tillë, pavarësisht pozitës së tij si portë hyrëse mes Lindjes dhe perëndimit për romakët.
Çfarë e bën atë të veçantë është atmosfera unike e vendit më pak të frekuentuar e më së paku të perkëdhelur në mesin e qyteteve klasike mesdhetare.

Natyra dhe historia aty bashkjetojnë. Breshkat e ujit vërdallisen përgjatë rugicave që dikur shkeleshin nga romakët, ndërsa insekte e bimë harlisen përreth mureve të shkërmoqura të kishave , shtëpive e ndërtesave dikur publike.

Arkeologët nisën të interesohen për Butrintin përpara më pak se një shekulli, çfarë nënkupton se dhe sot një pjesë e madhe e tij mbetet e pazbuluar.
Kthehemi në mbrëmje në Sarandë, ku i bashkohemi qindra vendasve që shëtisin në shëtitjet tradicionale ballkanse përgjatë buzë detit.

Më pas ndaluam për darkë në një restorant me kopësht, i cili shihte nga deti dhe quhej "Venecia e vogël". Aty duke vështruar botën, të patrazuar hëngrëm peshk të freskët, më të shijshmin që kishim ngrënë ndonjëherë dhe shoqëruar me verën më të keqe - një Riestling shqiptar, prodhim i 1997.
Darka për tre vetë kushtoi 30 euro.

Do të niseshim në Korfuz me tragetin e orës 2 të pasdites së nesërme. Pas një nate në një dhomë të pastër e të rehatshme te Hotel Ari kaluam mëngjesin e ditës tjetër duke pirë kafe, bënim fotografi dhe u vërdallisëm nëpër shitore. Ndalesa jonë e fundit në Sarandë qe në tregun e hapur ku blemë një kilogramë midhje të freskëta vendase, kundrejt një shume që nuk i kalonte dy dollarë. Midhjet i gatuam me verë, pasi u kthyem në Korfuz dhe ai qe vakti më i mirë që hëngrëm gjatë gjithë qëndrimit tonë në Greqi.
Ndoshta ia vlen që në Sarandë të rrihet më gjatë - por mos ia thoni këtë ndonjë kamarieri grek.

HAZEL PARRY - DPA


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 0:35
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË