NUMĖR 67
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
DOSSIER
ARTIKUJ
ANALIZË
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI IV - 1 TETOR 2002

INTELEKTUALI NË POLITIKË
Droj se duke u nisur nga qëllimet më të mira po bëj gabime gjithnjë më të mëdha

Kryetari çek, Vacllav Havel, ditë më parë ishte për vizitë zyrtare në SHBA. Në Universitetin e Nju-Jorkut, në një sallë të mbyllur, ku ishin të pranishëm miqtë e tij, mes tyre Bill Klinton dhe Eli Viesel, Haveli mbajti një fjalim lamtumirës (në shkurt të vitit të ardhshëm atij i skadon definitivisht mandati presidencial), ku u përpoq të shpjegojë dilemat e veta. Ishte ky një rrëfim filozofik mahnitës që të përkthyer po e publikojmë për lexuesit e Pasqyrës.

"Falënderoj Elin (Viesel) dhe Billin (Klintonin) për fjalët e bukura. Falënderoj të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen. E ruaj të freskët në kujtesë koncertin me të cilin Njujorku më pati përshëndetur më 1990, në cilësinë e kryetarit çekosllovak. Natyrisht se nuk nderohesha vetëm unë si individ. Përmes meje janë nderuar e përshendetur gjithë bashkëqytetarët e mi, që arritën pa dhunë ta rrëzojnë regjimin e përdhunshëm në vendin tonë, si dhe gjithë të tjerët që, krahas meje apo bashkë me mua në mënyrë të padhunshme iu kundërvunë atij regjimi.

Shumë mendje të lira në botë në fitoren e revolucionit të kadiftë çekosllovak kanë parë lajmëtarin e shpresës së mirë për një botë më njerëzore, ku fjala e poetëve ndoshta do të kishte peshë poaq sa edhe fjala e bankierëve. Në këtë takim, edhe pse miqësor e të këndshëm, nuk mund të mos pyetem se gjatë këtyre 13 vjet pushteti a kam ndryshuar, çka ka bërë me mua ky qëndrim i gjatë e i pakuptueshëm në funksionin e kryetarit, a më kanë ndryshuar dhe si ajo mori ngjarjesh të një epoke me aq përthyemje? Dhe gjithnjë e më tepër po bindem në një çështje të habitshme: edhe pse është pritur që përvoja e mbledhur do të më jepte më shumë vetëbesim, më shumë menquri dhe suverenitet, e vërteta është krejt ndryshe: gjatë kësaj kohe jam bërë më i pasigurtë dhe më modest.
Ndoshta nuk do të më besoni, por unë në të vërtetë për çdo ditë kam më tepër drojë, gjithnjë e më shpesh po frikohem se këtë ose atë nuk do të mund ta përballoj ose se do të prish diçka, gjithnjë e më tepër po mundohem duke shkruar fjalime, me ç'rast gjithnjë e më shumë po tmerrohem nga pashpresa e vetëpërseritjes, gjithnjë e më tepër po më kaplon droja se mos po i zhgënjej ata që besojnë në mua, që ndokund po tregohem jokompetent, se mos duke u nisur nga qëllimet më të mira po bëj gabime gjithnjë e më të mëdha, se mos po nuk po jam sa duhet i besueshëm dhe mos po humb të drejtën të bëj atë që po bëj…
Dhe përderisa presidentët më të rinj i gëzohen çdo rasti të takohen me njëri-tjetrin ose me njerëz të tjerë poashtu të rëndësishëm, ose të paraqiten në televizion ose të mbajnë fjalim dikund, unë kësaj po i frikohem gjithnjë e më tepër, ashtu si edhe asaj që do të duhej ta pranoj si shansë, po rrudhem nga frika gati iracionale se atë shansë ashtu ose kështu do ta humb dhe kështu çështjen e përgjithshme do ta dëmtoj. Shkurt, gjithnjë e më tepër jam spekptik.
Dhe sa më shumë po shtohet numri i armiqve, unë edhe më shumë po kaloj në anën e tyre, duke u bërë de fakto armiku kryesor i vetëvetës. Si ta shpjegoj këtë zhvillim vetanak krejt të pabesueshëm? Për këtë do të mendoj më thellë kur të përfundojë mandati im presidencial, kur do të mundem, qoftë dhe për një moment të tërhiqem anash, ta kem njëfarë distance nga politika dhe të filloj, sërish si njeri i lirë, të shkruaj dhe diçka tjetër e jo vetëm fjalime politike.
Tash për tash mund të ofroj vetëm njërin prej shpjegimeve të mundshme të kësaj çështjeje: me plakjen po pjekem, po fitoj përvojë dhe mend, po filloj lirisht dhe me gjithë qenien të bëhem i vetëdijshëm për shkallën e përgjegjësisë sime dhe tërësinë shumëngjyrëshe të obligimeve që dalin nga detyrimi që kam marrë.
Për më tepër, po vjen pandalë çasti i pashmangshëm kur rrethi, bota dhe çka është më së keqi ndërgjegjja ime, më pak me pyesin çfarë idealesh kam dhe cilat i kam synimet, çka dua të arrijë dhe si do ta ndryshoj botën, por fillojnë të më pyesin çka kam arritur, çka kam përmbushur nga synimet e mia, çfarë rezultatesh, çfarë gjurmësh dhe çfarë bote po lë pas.Ky është i njëjti shqetësim shpirti, i cili dikur me vite më ka shtyer t'i kundërvihem regjimit totalitar dhe nuk më ka lejuar të shkëputem prej saj, e i cili sot më detyron të dyshoj thellë në rezultatet e punës sime, si dhe të atyre që kam përkrahur ose veprimtarinë e të cilëve e kam mundësuar.
Gjatë marrjes së titujve të ndryshëm të doktorit të nderit, duke dëgjuar lavdatat e rastit, shpesh kam qeshur në vete, sepse në ato lavdata unë dilja gati si heroi i përrallave: si një djalë që aq gjatë i ka rënë me kokë murit të kështjellës, ku kanë sunduar mbretërit e këqinj, sa që muri është rrënuar, ndërkaq ai është bërë mbret dhe ka sunduar gjatë dhe mirë. Nuk dua të banalizoj, të gjithë titujt që më janë dhënë i çmoj, dhe gjithnjë kur të m'i japin unë ndihem i lumtur, por po përmend këtë anën tjetër, për mua komike të gjërave, sepse vetëm tash po kuptoj se kurtha dreqnore e fatit që mua, që nga dita në ditë më kanë kredhur në botën e përrallave, po detyrohem të përplasem për toke dhe të bindem gjithnjë se përrallat janë vetëm stereotipe të ngurtësuara njerëzore dhe se bota kurrsesi nuk ka strukturën e përrallave.
Dhe kështu, edhe pse nuk jam përpjekur të jem mbreti i përrallave, edhe pse në këtë funksion jam ndodhur gati me përdhunë dhe ngapak edhe si gabim i historisë asgjë nuk më është falur gjatë zbritjes së ngurtë nga përralla në tokë dhe nga bota e festave revolucionare në botën e përditshmërisë burokratike.
Që të mund të më kuptoni drejt: kurrsesi nuk dua të them se jam mundur në ndeshjen time dhe se e tëra është e humbur. Përkundrazi, bota jonë, njerëzimi, civilizimi ynë, sot ndodhen në udhëkryqin më të rëndësishëm të historisë dhe kanë mundësi me shumë se asnjëherë tjetër ta kuptojnë gjendjen e tyre dhe dykuptimësinë e orientimit të vet dhe të vendosin për rrugën e arsyes, të paqes dhe të drejtësisë. Theksoj vetëm një gjë: të shkosh kësaj rruge nënkupton shumë punë e të rëndë, sakrifica, durim, arsimim, vetëkontroll, pajtim me rrezikun e moskuptimit, si dhe çdonjëri që do të duhej të masë forcën e vet dhe të llogaris se me detyrat e tij të reja a do të rritet apo do të dobësohet forca e tij. Shkurt, nuk mund të mbështetemi më tej në përralla dhe në heronjtë e tyre. Eshtë e pamundur të mbështetemi në gabimet e historisë me të cilat poetët shpjegojnë rrënimin e perandorive dhe pakteve ushtarake. Duhet, natyrisht, të përdëgjohet vëmendshëm zëri i tyre paralajmërues, ndoshta më shumë se zëri i bankierëve dhe i bursës, por është e pamundur të mbështetesh në atë qe bota, nëse është zënë me dorën e poetit, gjithsesi do të kthehet në këngë.
Sido që të jetë, megjithatë për një gjë jam krejt i sigurt: pavarësisht se si e kam kryer detyrën që më është besuar, pavarësisht nëse e kam dashur ose merituar, pavarësisht nga ajo se nuk jam aspak i kënaqur me atë që kam bërë, funksionin tim si president e marrë si një dhuratë të madhe të fatit. Megjithatë kam pasur mundësi të marr pjesë në ndryshime vërtetë historike dhe me përmasa të përbotshme. Dhe ajo mundësi është- si përvojë jetësore dhe mundësi krijuese-kompenzim për të gjitha kurthet që ka fshehur në vete.
Ndërsa tash më lejoni që të largohem definitivisht nga vetja si qenie fizike dhe të përpiqem të formuloj tri çështje apo pikëpamje të miat që i kam vërtetuar gjatë qenies në botën e politikës së lartë.

1. Në qoftë se njerëzimi dëshiron të mbijetojë dhe të evitojë katastrofat e reja, i gjithë rendi botëror duhet të jetë i lidhur me një respekt të sinqertë reciprok të qarqeve të ndryshme të civilizimeve, të kulturave të popujve dhe të kontinenteve dhe në përpjekjet e tyre të sinqerta të kërkojnë dhe të gjejnë vlerat dhe moralin e domosdoshëm, që u është i përbashkët dhe të pajtohen në themelet e bashkëjetimit në këtë botë të lidhur globale.

2. Të keqes duhet kundërvënë që në fillesë të saj, nëse nuk bën ndryshe, atëherë edhe me forcë. Armatimi inteligjent dhe shumë i shtrenjtë mund të mbrojë popullsinë civile. Nëse nuk ndodhë kështu, atëherë miliardët e investuar janë harxhuar kot.

3. Nëse i vrojtojmë problemet e botës së sotme, qofshin ekonomike, sociale, ekologjike ose përgjithësisht të civilizimit, ne do të përballemi me pyetjen se sa kjo ose ajo është e moralshme, se sa diçka nga pikëvështrimi planetar është e përgjegjshme. Rendi moral dhe burimet e tij, të drejtat e njeriut dhe burimet e të drejtës së njeriut për t'u respektuar të drejtat e tij, përgjegjësia e njerëzve dhe e kaluara e saj, ndërgjegjja e njerëzve dhe rishqyrtimi i saj, para këtyre asgjë nuk mund të fshehet me një rrjet fjalësh patetike, këto, për bindjen time më të thellë dhe sipas përvojës sime janë temat më të rëndësishme politike të kohës sonë. Kur shoh para vetës aq njerëz të famshëm, të cilët sikur kanë rënë nga qielli me yje, nuk mund t'i ik ndjenjës së rënies së gjatë nga përralla në tokën e fortë dhe shpejtas kthehem në përrallë. Dallimi ndoshta është vetëm një: tash këtë nderim mund ta çmojë më shumë se sa kam qenë i aftë për këtë këtu e 13 vjet më parë…"


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 0:07
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË