NUMĖR 67
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
DOSSIER
ARTIKUJ
ANALIZË
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI IV - 1 TETOR 2002

MEDIAT DHE FUSHATA PARAZGJEDHORE
INFORMOJNË, MBËSHTESIN APO RREJNË GAZETARËT?

Shkruan: Gëzim MEKULI

Mediat duhet të posedojnë para për të mbijetuar. Por athua vallë, mos po jeton industria mediale shqiptare gjithnjë e me tëpër ekskluzivisht për të fituar para?

Veçanërisht në këto kohëra parazgjedhore, gazetaria senzacionale e ka pushtuar numrin më të madh të radios, televizionit dhe gazetës dardane. Zhurmës, tensionit e britmave në politikën shqiptare në masë të madhe u ka kontribuar industria e "mediave masive".

Për recipicientin shqiptar është më se e tejdukshme dhe lehtëkuptuese, se monologjet ofenduese parazgjedhjore në gazetat e përditshme dardanase, bazohen mbi model të gazetarisë autoritare. Ata që kanë forcën dhe fuqinë në shtet për momentin i japin "privilegje e përparsi të pakufizuar" përsonave privatë e bordeve e shoqatave "të pavarura" mediale. E këta persona e anëtarë bordesh të priveligjuar e të "dëgjuar", (nëpërmes industrisë së fuqishme mediale që e posedojnë) sillen sikur e kanë për detyrë politiko-ideologjike që të lansojnë, tregojnë dhe (dez)informojnë atë se ç'ka vendosur bosi i radhës, pardon: "shteti e ligjdhënësi ynë me sistem politik demokratik!"

Në këtë etapë politike e të papërvojë në Dardani, mediat tona do të duhej të ishin një forum për mirëkuptim të dyanshëm. Gazetaria e tillë do të kuronte shoqërinë tonë të stërlodhur nga tensionet e panevojshme partiake. Ajo do të krijonte një ambient të domiuar nga një mirëkuptim i ndërsjelltë. Mund të kemi mendime të kundërta, madje duhet t'i kemi, por s'kemi nevojë ta shtyjnë njëri-tjetrin jashtë kufijve etikë - meqë atje, jashtë atyre kufijve, fitues s'ka!

Etika mediale nënkupton gjithashtu, që gazetarët dhe gazetaret, enkas sot, duhet të rrezatojnë kujdes e lojalitet ndaj njëri-tjetrit. Mu ashtu sikundër që detyra e mjekut është që të parandalojë sëmurjen e rëndë e të shërojë të sëmurin, po ashtu gazetarët - dhe gazetaret! - e kanë obligim e përgjegjësi që të transmetojnë informacione objektive dhe të krijojne një siguri të lartë besimi e mirëqënie informative në hapësirën ku ata veprojnë.

Si ekziston një etikë mjeksore, ashtu ekziston edhe një etikë gazetareske. Shmangiet nga kjo etikë, moszbatimi i ndërgjegjshëm i profesionit, në mjekësi shkaktojnë vdekjen e pacientit. Në rastin e gazetarëve, viktika e parë e lajthitjeve profesionale bëhet e vërteta; e, sikur na mëson historia, herët a vonë vje koha të viktimizohet edhe vet gazetari.

Fushata e egër parazgjedhore, e transportuar dhe e lansuar nga disa media, para publikut shqiptar zgjojnë ca pyetje enigmë. Ç'synon media dardanase, të raportojë për realitetin, apo ta regjisojë atë? A është duke kontribuar media dardanase që të krijohen raporte të mira, shoqërore e miqësore ndërmjet atyre që kanë pikëpamje të ndryshme mbi veprimtarinë politike, opcione e mendime të ndryshme ndaj zgjidhjes së çështjes kombetare shqiptare? Dhe, ndoshta është koha të shtrohen edhe pyetje të tilla: A është kjo, apo ndoshta s'është fare, detyrë e gazetarit?

Në zemër të problemit qëndron një pyetje delikate. A është edhe gazetari banor i kësaj shoqërie, me përgjegjësi etike e morale për mirëqenien e saj, apo Ufo nga ndonjë planet tjetër, që na nderon me praninë e vet vetëm e vetëm për një shkak: për të bërë biznes?

Në shoqërinë dardanase, përgjegja në këtë pyetje sot duhet që anon kah kjo e dyta. E në Perëndim, roli vital shoqëror i gazetarëve spikatet në termin sociologjik për mediat: "pushteti i katërt", pas qeverisë, gjyqësisë, dhe organeve përmbaruese.

A është duke u larguar (vetëdishëm) përmbajtja informative që do kishtë rëndësi për të kapur e kuptuar proceset politike, ekonomike e kulturore shqiptare? Apo, përkthyer në gjuhën e fushatës zgjedhore: mos është bërë qëllimi i pangopshëm komercial determinant se çka e si do të konsiderojnë mediat si lajm parazgjedhor, e çka jo?

Dhe, për të qenë konsekuent gjer në fund: Mos janë duke dëmtuar, "ftohur" a "varrosur" industrialistët dhe industrialistet mediale shqiptare vetitë dhe dhuntitë njërezore për bisedime e komunikime "sy ndër sy" e "gju në gju"? A mos është vallë mu kjo, industria më e madhe që po "tymon" sot në Kosovë, ajo që po i bënë njërëzit të largohen nga njëri-tjetri e të mos angazhohen në ndihmimin, kërkesat dhe problemet e njërezve tjerë?

Rreth kësaj duhet ta kruajmë kokën mirë, aq më tepër në kohë zgjedhjes. Sepse, nëse mediat "tona" vijojnë si deri tani, ato jo vetëm që destabilizojnë politikën në përgjithësi. Por përbëjnë edhe rrezik kronik për shëndetin mental të njeriut shqiptar në shekullin e ri.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 0:07
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË