Një
fjalë zie për Rexhë Halimin
Shkruan:
Xhafer SHATRI
1.
Nja një muaj para se me dalë pranvera, në karrigën
e parkut të qytetit, jo larg Bahnhofit të Zürichit,
ku kishte punuar mbi 30 vjet rresht, e lëshoi zemra Rexhep
Halimin, mërgimtarin e vjetër nga Ferizaj. Ishte hera
e parë dhe e fundit që atë dhe të gjithë
ata që e kanë dashtë e respektuar i la në baltë
Zemra e tij fisnike.
2.
E kam njoftë këtu e 22 vjet më parë, në
Zurich dhe si sot me kujtohen duart e tij, duart e tij të mëdha
dhe fytyra e vrarë, portreti më origjinal i mërgimtarit
të Kosovës...
Këtë portret (me emra nga më të ndryshmit: Zijah,
Shabi, Shyqë, Kadri, Adem, Selman, Qamil, Hasan, Muhamet, Hevzi,
Sylejman, Sadri, Zeçë, Mehmet, Xhemail, Ragip, Simon,
Ismet, Hamit, Ahmet, Fehim, Ilaz, Shefqet, Zahir, Shahin, Jup, Beqë,
Qazim, Osman, Januz, Ibni, Myfit, Hekuran, Sherif, Bajram, Hajdin,
Remzi, Faridin, Selim, Shaban, Mejdi, Halil, Avdi, Hyzri, Avdyl,
Nazmi, Sylë, Isë, Jahir, Salih...) mund ta takoje në
Gjenevë, në Luasanne, në Bernë, në Zyrih,
në Dusseldorf, në Bazel, në Dortmund, në Stutgart,
në St. Gallen, në Mynih, në Vjenë, në Bruksel...
dhe mund ta dalloje që larg, sidomos atë vijën e
prerë, dramatike, që tregonte se mendja ishte rreth dy
mijë kilometra larg nga trupi; një vijë e dhimbshme
që përhitej edhe përmes shikimit të tretur diku
larg, në një votër ku ai mungonte, në një
votër ku ai e dinte se jetonte e ndezur shpresa se ai, megjithatë
do të kthehet një ditë.
Askund si te këta njerëz nuk e kam parë trupin e
braktisur nga mendimet e përfshira në një furtunë
shqetësimesh...
Pas çdo takimi me ta, e ato kanë qenë shumë,
ma ka çarë shpirtin si me me thikë pyetja e pakalueshme:
si do t’i vijë puna këtij vendi, këtij populli,
përderisa ata që kanë mbaruar shkolla, ata që
krahas përgatitjes intelektuale kanë dhe obligimin kryesor
të marrin mbi supe përgjegjësitë e veta, tash
në këto kohë me acar, janë strukur, sipas porosisë
së shefit të tyre; në birë të minit...,
dhe hallet, dhe fati i këtij vendi e i këtij populli kanë
mbetur në duart e plasaritura të Rexhës e të
shokëve të tij, në supet e tyre të lodhura nga
puna e rëndë, nga brengat e shumta që di t’i
ngarkojë në shpinën e njeriut vetëm mërgimi;
kanë mbetur në supet e njoma të nxënësve
e të studentëve që bënin të pamundurën
për të dëshmuar se Kosova nuk po dorëzohej,
se shqiptarët nuk po nënshtroheshin.
Për arsye se, si shumëçka në historinë
e shqiptarëve, edhe kjo qëndresë bëhej në
mënyrë të çuditshme: kundër pushtuesve
kishin ngritur krye ata që do të duhej të ishin të
fundit, ndërkaq kishin shtrirë qafën dhe kishin futur
veshët në lesh ata që do të duhej të ishin
prijatarë...
Fatbardhësisht pati edhe përjashtime, sepse në atë
shkozishtë gri kishte dhe ndonjë Lis, personifikim i të
cilëve ishte dhe mbeti Ukshin Hoti, shëmbulli i shkëlqyer
i intelektualit konsekuent.
3.
Rexhep Halimi banonte në ‘haimet’, pranë Bahnhofit.
Jetonte vetëm, sepse familjen e kishte në Kosovë.
Të gjithë ata veprimtarë që kanë kaluar
nëpër Bahnhof-Zürich e kanë ditur se do të
mund të bëjnë konak te Rexha ose te Ragipi: një
studio me kuzhinë të përbashkët. E mobiluar
vetëm me gjërat më të domosdoshme; një
shtrat, një orman dhe një tranzistor, për të
dëgjuar ndonjë këngë ose lajm shqip. Asgjë
tjetër.
Aty Rexha ka ndarë me ata që ia kanë mësy edhe
kafshatën e gojës, edhe rrogën, edhe teshat e trupit.
Aty janë përgatitur traktet e banderolat, nga aty janë
siguruar paraprakisht megafonet dhe pajisje të tjera aq të
domosdoshme në prag të çdo demonstrate...
Te Rexha, duke u thirrë në përpjekjet për çlirimin
e Kosovës, ka gjetur strehë edhe ndonjë argat i dreqit,
që nuk linte birë pa hi e sakrificë pa pështy...,
keni parasysh besëpremtë, ata bastardët e pashmangshëm
që i ka çdo lëvizje politike e që zakonisht
rrinë me fëlçi të hapura e me thika në
dorë... Dhe kur punëve të pista u dilte tymi, atëherë
Rexha i shkretë me atë thjeshtësinë e tij epike
përsëriste: Burra, në këtë botë nuk
paska mal pa çakej!
Te Rexha zbarkonin nganjëherë edhe policdiplomatët
e Enver Hoxhës. Ata zakonisht vinin fshehurazi për t’i
fryrë zjarrit që e ndezte Udba. Të llahtariste aftësia
e tyre tek abuzonin në mënyrat më të paimagjinueshme
me Kosovën, me Shqipërinë dhe me shqiptarët.
(“Burra, kur po vijnë ata po kam aq etje me fol e me
bisedu’ me ta, por kur po shkojnë po më duket se
ma kanë mbush jo veç barkun por edhe trunin me ujë
të turbullt!”)
4.
Rexhë Halimi nuk ka qenë as i gojës e as i lapsit,
por ka dijtë me e dashtë Kosovën; ka dijtë me
e dashtë me një përkushtim fanatik; ka dijtë
gjithashtu me qenë besnik edhe deri te shtrati i vorrit. Shpesh
ka ndodhur që ai t’i harrojë edhe detyrimet ndaj
fëmijëve të vet, por nuk ka ndodhur asnjëherë
t’i harrojë detyrimet ndaj Lëvizjes, organizatës
që i ka takuar që nga themelimi. Jo njëherë
ka ndodhur që Rexhë Halimi t’i japë të
gjitha kursimet e veta me qëllim që të blehen mjete
pa të cilat një lëvizje politike mund ta luajë
vetëm derën.
Jam krejt i sigurt se me kursimet e tij ai ka mundur t’iu
sigurojë ardhmëri pa telashe dy- tre brezave të familjes
së tij, por ai për familje kishte zgjedhur Kombin dhe
për shtëpi Lirinë. Ishte ky një përcaktim
i prerë e pa asnjë hije.
5.
Në vitet e rënda të luftës, Rexha i takoi vendosmërisht
korpusit të idealistëve që luftën e shihte si
çështje jetike të një kombi, e ku bashkimi
i të gjithëve përballë Serbisë duhej të
ishte lapidar. Por ky korpus, duke qenë krejtësisht i
zhveshur nga çdo pretendim pos lirisë, siç është
biografia e të gjithë idealistëve, u përballë
me kobashët e ‘majtë’ e të ‘djathtë’,
që kishin harruar krejtësisht Serbinë dhe përgatisnin
‘ushtritë’ e tyre për të luftuar me njëri-tjetrin.
Fundi i përballjes ishte krejt i qartë, sepse prapa kobashëve,
historia do ta dëshmojë, qëndronte KOS-i serb dhe
plani i tij “Barzan” për luftë të përgjakshme
ndërshqiptare.
Dhe kryetragjedia do të ndodhte patjetër sikur të
mos ndërhynin Washingtoni e Londra, që kishin vendosur
t’i ndalin njëherë e mirë “pohodet”
e kasapit të Ballkanit.
Ndërsa falë kobashëve që në vendin e posaçliruar
kapardiseshin me qeveritë e tyre fantazma, Kosova do të
mbetet edhe 5 vjet pas luftës jo subjekt që qeveris vetën,
por objekt që e administrojnë dhe e shkrryejnë të
tjerët.
6.
Zhgënjimet e Rexhë Halimit nuk do të prajnë
as pas Luftës. Sepse llaçumia e kobashëve, që
kishte shfrytëzuar LPK-në për qëllimet e veta,
vendosi ta shpallë inekzistente organizatën që nuk
kishte mundur ta shkatërrojë as Udba për 40 vjet
rresht! Dhe kjo ndodhte në Prizrenin e lirë dhe para syve
të Rexhës e të tjerëve si ai! Ishte ky ai akti
i shëmtuar i djemve plangprishës, që para se “të
ngjiten ma nalt” vendosin ta përdhunojnë Nënën
e tyre!
Dhe ata vërtetë do të shkojnë larg; do të
zënë pozita kyçe në Kosovën e pasluftës,
do të bëhen multimilionerë, do të ndërtojnë
kështjella e pallate edhe pse kurrë në jetën
e tyre nuk kishin punuar. Veç miqve ata do t’i ndërrojnë
edhe bindjet, si çerapat. Ndërsa ndonjëri prej
tyre do të bëhet edhe shef i Oznës, përcjellë
me vepra e akte të zeza, që i shkojnë prapa këtij
emri.
7.
Rexhë Halimi, pas varrimit, do të përmendet ditë
e më pak. Mbi vorrin e tij do të vyshken lulet dhe do
të zbërdhylen kurorat e shëmtuara plastike. Më
vonë dheun do ta mbulojnë herë bora e herë bari.
Ndërkaq, emrin e tij nuk do ta mbajë asnjë rrugë,
asnjë ngrehinë, asnjë urë, asnjë shesh.
Ndodhë kështu, sepse popujt e vonuar, si çdo gjë
tjetër pos marrëzisë, edhe kujtesën e kanë
të cekët. Kështu kopertinat do të mbyllen dhe
brenda tyre drama e një njeriu, e një familjeje, e një
vendi, e një kombi.
Nuk e di se si do të mundet dheu ta mbajë e ta tretë,
jo rrashtën, por dramën e Rexhë Halimit.
Ndërkaq
nëpër Bahnhofin e Zürichit do të shkojnë
e do të vijnë trenat, do të hipin e do të zbresin
udhëtarët. Dhe, një ditë, ndonjëri prej
tyre apo ndoshta era vetë, do ta sjellë edhe andej baladën
për mërgimtarin e paepur në pamjen e kalorësit
që i vjen era dhé, e i cili kthehet, dikur, në
tokën e premtuar.
Në
tokën që nuk ka më as lotë për njerëzit
e vet.
|