Koha
për ndërrime në Kosovë
Shkruan:
Shqiptar OSEKU
Si tërë mërgimtarët tjerë nga Kosova, edhe
unë mbeta pa frymë kur mora vesh së pari se ç'paskësh
ndodhur në Mitrovicë më 17 mars. Për mua ai
kumt do të mbetet përjetë në kujtesë si
ujëndarës. Do ta mbaj mend gjersa të vdes, e do t'ia
lë amanet edhe bijës time të mitur, se ku isha e
ç'po bëja në momentin kur dëgjova më
së pari për plojën e re që paskësh tronditur
Kosovën.
20 (?) të vrarë dhe 945
të plagosur e pasqyrojnë fiaskon e radhës të
OKB-së. Organizatat joqeveritare pohojnë se shumica e
viktimave s'kanë rënë pre e grindjeve etnike, por
e plumbave të ndërkombëtarëve.
Pikë
së pari, le ta themi troç. Numri i lartë i të
vrarëve është skandal. Ajo që shumica janë
vrarë prej trupash të dërguara këtu për
të shpëtuar jetëra është skandal i dyfishtë.
Shifrat e pasqyrojnë mbidhunën
horifike të ndërkombëtarëve. Ushtarë të
stërvitur për luftë u komanduan të dalin para
protestantëve të zemëruar. Pasojat ta kujtojnë
apartheidin jugafrikan, të miturve iu dha plumb në ballë
pse hedhën gurë.
Antiglobalistët në Perëndim
për vite me radhë kanë hedhur më shumë
gurë e molotovë se sa në Kosovë, me vetëm
një viktimë të vetme të shumëpërmendur,
në Itali më 2001. Ushtarët me municion luftarak thjesht
s'përshtaten për kontroll trazirash. Vendet e BE-së
të përfaqësuara në Kosovë me të drejtë
i kanë qortuar shtetet tjera për mbidhunë në
situata të ngjashme.
Kush u paska dhënë leje
evropianëve të hapin zjarr me municion luftarak kundër
gurëhedhësve? Apo mos është e lejuar kjo nëse
ndodh jashtë BE-së!?
Si nënshtetas krenar i një
vendi evropian me traditë të gjatë demokratike, e
anëtar aktiv i një partie parlamentare atje, them me plotë
gojën se s'ka qeveri evropiane që do ta mbijetonte një
kërdi kundër dhjetëra shtetasve kështu si ka
ndodhur në Kosovë.
S'ka
qeveritar evropian që do ta lëshonte, as ka ushtarak që
do ta zbatonte, urdhërin për të hapur zjarr të
mprehtë p.sh. kundër një turme që i vë
zjarrin një kishe, një godine qeveritare, a një shtëpie
të braktisur në Evropë. Sepse tullat vijnë në
vend përsëri, po jeta e njeriut jo. Fakti që protektorati
në Kosovë po orvatet t'i fshehë këto fakte e
t'i shmanget përgjegjësisë së vet morale e juridike
është për mua konfirmim i haverisë së tij
totale.
Njësoj e pakuptueshme është
për mua fushtata represive që ka pasuar pas trazirave.
Kjo, njësoj si mbidhuna e ushtruar gjatë kontrollit të
trazirave, ngjall kujtime traumatike nga një mars tjetër
mëse 20 vjet më parë.
Me këtë përvojë
të re "evropiane" nga Kosova, s'guxoj t'i çregjistroj
as dyshimet që më herët do t'i kisha quajtur paranoike.
Në rastin konkret, dyshoj që krerët e protektoratit
ndërkombëtar kanë vendosur qëllimisht të
ndërmarrin gjah të shtrigave e"distancime ideopolitike"
prej protestuesve, njësoj si ndërmirrte Beogradi më
1981, për ta fshehur fajin e vet të kthjelltë, të
pamohueshëm e flagrant për gjakderdhjen në Kosovë
- njësoj si Beogradi më 1981!
E pra, dielli me shoshë nuk
fshehet. Ndërkombëtarët janë bërë
pjesë e problemit në Kosovë, në vend se të
ofrojnë zgjidhjet. Një tragjedi familjare s'do të
kish shkaktuar revolt masiv sikur shqiptarët t'i besonin bashkësisë
ndërkombëtare. Por ata besojnë se ajo po i mashtron.
Papunësia në Kosovë
është zyrtarisht 60 përqind, jozyrtarisht 70 përqind,
gjersa Begradi pranon ndihma shumëfish më të mëdha
financiare se sa viktimat e tij kosovare. Në raportet e veta
vjetore Banka Botërore konstaton se Kosova nën administrimin
ndërkombëtar ka arritur, për herë të parë
në historinë e vet moderne, nivelet e varfërisë
afrikane.
7 000 serbë janë kthyer
në Kosovë që pas mbarimit të luftës, por
asnjë nga dhjetëramijëra shqiptarët e zbuar
s'e shkel dot këmbën në eklavat serbe: ata janë
shndërruar në ikanakë permanentë në vendin
e tyre. Një raport zyrtar i OSBE-së para zgjedhjeve serbe
konstatonte se Beogradi tërë kohës, e sidomos pas
rrëzimit të Millosheviçit, e ka ushqyer e koordinuar
separatizmin në eklavat serbe, para hundës së ndërkombëtarëve.
Se kjo është shkelje flagrante e Rezolutës 1244 e
se ndërkombëtarët duhet të reagojnë.
Unë kam parë me sytë
e mi se si kosovarëve, pas tri palë zgjedhjesh të
lavdëruara në botë, s'u lejohet ta drejtojnë
as një stacion autobusësh. Parlamenti i Kosovës s'mundet
as ta formulojë një projektligj pa lejen e ndërkombëtarëve.
Kosovarët, që e kanë zhvilluar dellin e humorit të
zi, vendin e vet kanë zënë ta quajnë ironikisht
"Unmikistan".
A kështu u mësokemi ne
evropianët demokracinë serbëve e shqiptarëve!?
A është e mundur vallë, që askujt fare s'i paska
thënë mendja se kjo do të shkaktonte eksplodim në
Kosovë, me pasoja tragjike për të gjithë?
UNMIK-u dhe K-Fori nevojiten në
Kosovë, për hir të kosovarëve, të serbëve,
e të tërë Evropës. Por ata s'janë këtu
për të vënë gur mbi barrë. Ata s'janë
këtu për t'i thyer rezolutat e Këshillit të
Sigurisë, as për të korrur dhjetëra jeta në
shtypje protestash.
Shpresoj se ndërkombëtarët
në Kosovë do të nisin hetime urgjente rreth mbidhunës
së përdorur gjatë trazirave. Djemtë e vajzat
evropiane që kanë ardhur në Kosovë janë
nisur vullnetarisht, në bindjen se do të bëjnë
diçka mirë për paqen. Nëse del se ata janë
komanduar të hapin zjarr kundër demonstrantëve, atyre
që kanë lëshuar, ndërmjetësuar, e zbatuar
urdhërin për të shtënë mprehtë u duhet
kërkuar përgjegjësi morale e juridike.
Njëherit shpresoj se institucionet,
organizatat joqeveritare dhe shtetasit e Kosovës do të
tregojnë guxim qytetar e s'do të marrin pjesë në
orvatjet për mbulimin e fajit të ndërkombëtarëve.
Kosova s'ka se ç'humbet, pos praktikave jodemokratike. Përkundër
shantazheve që po trumpetohen rregullisht, bota s'ka ardhur
këtu që t'i mbledh çaklat për shkak të
ca sulltanëve të Unmikistanit.
Poashtu, qeveritë evropiane
bëjnë mirë ta mbledhin mendjen. Ushtarë evropianë
kanë marrë pjesë në ngjarje jashtëzakonisht
brutale që u kanë kushtuar jetën dhjetëra vetëve,
në një regjion që tashmë përbën fqinjësinë
e parë të BE-së.
Është
koha të merret një vendim. Ose bashkësia ndërkombëtare
do ta merr përnjëmend mbi vete rolin e një pushtuesi
brutal. Ose do marrë vesh se shteti është bërë
për njerëzit, e jo anasjelltas. 90 përqind të
njerëzve në Kosovë s'e duan më as Serbinë,
e as klonin e saj ndërkombëtar. Kur qëron detajet,
del se thelbi është te besimi: unë për vete
besoj që kosovarët s'do ta keqtrajtonin kurrë vendin
e vet ashtu si bënte dikur Serbia, e si po bën tani UNMIK-u
dhe K-Fori.
|