NUMĖR 79
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
 
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI VI - 21 PRILL 2004

"The passion of the Christ" mbërrin në kinematë evropiane

Gibson krijon Krishtin e shekullit të XXI

Shkruan: Iliriana BAJO

Filmi i fundit i Mel Gibsonit, titulli i së cilit do të mund të perkthehej në shqip "Vuajtjet e Krishtit" sjell brenda dy orësh vuajtjet e Krishtit në 12 orët e fundit të jetës së tij.

Përshtypja e parë pas filmit, e dhënë pa u menduar, do të ishte "shumë dhunë dhe shumë gjak". Torturat që ushtarët romakë i bëjnë Krishtit, këmbëngulja e hebrejve për ta ndëshkuar me kryqëzim, "duarlarja" e Pilatit, devotshmëria e nënës, tradhëtia e atyre që të mbështesnin e rendinin pas teje, besnikëria e shumë pak të tjerëve, dhe natyrisht mëshira e ardhur nga Krishti janë elementët kryesorë të filmit.

Besimtarët janë të ndarë rreth filmit, hebrejtë kanë deklaruar se filmi është i padrejtë ndaj tyre, madje ka nota anti-semite, ndonëse të fshehura mirë. Kisha katolike ka reaguar duke pasur parasysh rolin e ushtarëve romakë. Për qytetarin e rëndomtë, që beson tek Zoti, apo për ateistin filmi nuk është thjesht pasqyrë e 12 orëve të fundit të Jezu Krishtit, por pasqyrë e shoqërisë të mbushur me dhunë, ikjes së përgjegjësisë nga ata që janë vendimmarrës, është simbol i qytetarit-luftëtar, i cili në shoqëritë në tranzicion mbetet i vetëm dhe jo rrallë i tradhëtuar, pavarësisht përpjekjeve nga të cilat përfitonin të gjithë.

Në vitin 1906 teologu dhe mjeku Albert Schweitzer shkruante se "epokat e ndryshme jo vetëm kanë pranuar Jezusin, sipas mënyrës së tyre, por cdo epokë ka rikrijuar modelin e vet të Jezu Krishtit". Jezu Krishti i Mel Gibsonit duket se do jetë modeli apo imazhi i Krishtit për këtë milenium të ri. Metafora e Krishtit të kohës së sotme është ajo e një shoqërie gati nihiliste, e një bote të mbërthyer nga dhuna, ku terrorizmi është vetëm njëra anë e medaljes. Drita e botës e përshkruar në librat e shenjtë duket se vjen e mbulur nga dhimbja e njeriut, madje është dhënë në film me nota groteske. Filmi është pasqyrë e dobësive njerëzore, madje është i detyruar të përballet me pasojat e gabimeve dhe dhunës së shkaktuar prej tij. Megjithatë filmi i Gibsonit nuk është një film heretik. Pavarësisht dhunës, tradhëtive, dobësive njerëzore, del në sipërfaqje ringjallja e Krishtit dhe parimeve që ai përfaqëson. "Mos u dëshpëro", është kjo edhe pjesë e mesazhit të krishterë, që natyrisht vjen edhe në filmin e Gibsonit.

Pak histori për filmin dhe Mel Gibsonin

Filmi i Mel Gibsonit, "Vuajtjet e Krishtit", është një prodhim i pavarur, pra nuk është bërë në studiot e Hollivudit, por me parat vetjake të Gibsonit.

Megjithatë filmi ka njohur një sukses të vërtetë financiar. Deri në fund të shkurtit vetëm nën Shtetet e Bashkuara filmi kishte nxjerrë mbi 330.9 millionë dollarë dhe mbi 30 milionë njerëz e kanë ndjekur në kinematë amerikane.

Sipas së përditshmes amerikane "Wall Street Journal" pritet që Mel Gibson të fitojë 400 millionë dollarë nga ky film vetëm në Shtetet e Bashkuara. Jashtë Shteteve të Bashkuara deri tani filmi ka nxjerrë mbi 100 millionë dollarë. Pritet që shifrat të rriten derisa filmi po vazhdon të shfaqet në kinematë evropiane. Sipas të njëjtave burime pritet që nga shtija e filmit në DVD dhe e së drejtës televizive, Gibson të fitojë deri në 240 millionë dollarë të tjera.

Në Hollivud, pas daljes së filmit të pavarur të Gibsonit, po rishihet mënyra e bërjes së filmave.
Vetë Gibson rolin e parë e ka luajtur në vitin 1977 në filmin "Summer City", ku ka fituar 400 dollarë. Ndërsa tre filmat e fundit, ku Gibson ka interpretuar kapin vlerën 25 millionë dollarë çdo njëri.

"Vuajtjet e Krishtit", hebrejtë dhe vetrrëfimi

Sipas institutit të pavarur për matjen e opinionit publik, Pew në Shtetet e Bashkuara, që nga dalja e filmit, numri i amerikanëve që mendojnë se hebrejtë janë fajtorë për vdekjen e Krishtit është rritur në 34% dhe 42% në mesin e popullsisë me ngjyrë.

Në vitin 1997 vetëm 17% mendonin se hebrejtë ishin fajtorë.

Nga ana tjetër filmi është shoqëruar dhe me një fenomen tjetër të veçantë; vetrrëfimin. Në Teksas pas parjes së filmit një person shkoi dhe pranoi në polici se kishte vrarë të dashurën vite më parë. Edhe në Suedi një ish anëtar i një grupi neo-nazist pranoi në polici një krim të kryer 10 vjet më parë.
"Vuajtjet e Krishtit" – një film që nuk të lë vetëm spektator.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 21.10.2004 22:59
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË