NUMĖR 79
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
 
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI VI - 21 PRILL 2004

Analiza më e mirë për ngjarjet e 16 e 17 marsit

Shkruan: Nexhmedin SPAHIU*

-A do të digjeshin kishat dhe fshatërat serbe sikur ato t’i ruante TMK-ja siç ka kërkuar shumë kohë më parë

-Fakti se dhuna në Kosovë në mediat ndërkombëtare dhe Këshillin e Sigurimit të OKB-së po konsiderohet si dhunë ndëretnike është vetëm një rezultat i maskimit të sukseshëm të problemeve reale në Kosovë nga ana e UNMIK-ut.

Paralajmërimi I revoltës në bazën e KFOR-it

Shpërthimi i dhunës në Kosovë për shumëkënd ishte një befasi por jo edhe për përcjellësit e vëmendshëm të rrjedhave në Kosovë.

Një javë  para shpërthimit të protestave të fundit në Kosovë isha i ftuar në kampin e KFOR-it në Maxhunaj për të mbajtur një ligjeratë para përfaqësuesve të të gjithë sektorëve të KFOR-it së bashku me kolegun serb Zoran Vllashkoviq. Në fund të fjalimit tim deklarova mospajtimin tim me fjalimin hyrës të Gjeneralit Francez Xavier Michael, i cili tha se KFORi do të jetë përkrah UNMIK-ut në çdo situatë. Thashë se kjo gjë nuk do të ishte e këshillueshme pasiqë KFOR-i gëzon një respekt në Kosovë si një instrument sigurie, ndërsa UNMIK-u e ka shpenzuar kredibilitetin e tij para qytetarëve të Kosovës për shkak të menagjimit tejet të dobët politik e administrativ të Kosovës. Mosidentifikimi i KFOR-it me UNMIK-un do të kanalizojë pakënaqësinë e qytetarëve të Kosovës në drejtimin e kërkesave për një qeverisje më të mirë. Tek e fundit, UNMIK-u në Kosovë nuk është as më pak as më shumë se një qeveri reale e Kosovës dhe si shumëkund në botë është normale të jesh i pakënaqur me qeverisjen e një administrate të caktuar.

Mëkatet e UNMIK-ut

Janë shumë gjëra me të cilat UNMIK-u ka shkaktuar pakënaqësinë e qytetarëve të Kosovës:
1.Mosefikasiteti në zbulimin e krimit, ku UNMIK-u mban të gjitha kompetencat.
2.Moszhvillimi ekonomik, stopimi I privatizimit, keqadministrimi I ndërmarrjeve publike dhe korrupsioni në to (KEK-u PTK, „Trepçë“ etj.) e për më keq venitja e  shpresës për një zhvillim.
3.Poshtërimi që UNMIK-u u bënë publikisht politikanëve të zgjedhur kosovarë dhe shoqërisë civile kosovare ku arroganca është tipari më i shpeshtë si përgjigjie në kërkesat e tyre,
4.Dhe së fundit, ofrimi i opcioneve  jo korrekte për zgjidhjen e problemeve politike, ku merren në konsideratë rezultatet e dhunës, spastrimeve etnike etj. siç ishte ideja për bashkimin e veriut të Mitrovicës Komunës së Zveçanit bërë nga një organizatë joqeveritare e promovuar nga UNMIK-u.
Fakti se dhuna në Kosovë në mediat ndërkombëtare dhe Këshillin e Sigurimit të OKB-së po konsiderohet si dhunë ndëretnike është vetëm një rezultat i maskimit të sukseshëm të problemeve reale në Kosovë nga ana e UNMIK-ut. Në fakt, derisa provokimet serbe ndaj shqiptarëve ishin dhe janë pasojë e veprimeve të Beogradit për destabilitet në Kosovë për arsye të thjeshtë të pazarit politik rreth statusit të ardhshëm të Kosovës, sulmet e shqiptarëve ndaj serbëve janë një pasojë e konfliktit mes popullsisë shumicë të Kosovës dhe UNMIK-ut. Pjesëtarët e UNMIK-ut për të mbuluar hajnitë e veta kanalizuan revoltën në drejtim të serbëve. Fakti se pse kjo paknaqësi u shfaq rrufeshëm ka të bëjë me skrupullin. Pakënaqësia e qytetarëve të Kosovës është grubulluar gradualisht por në kulturën e këtij populli është që miku tolerohet derisa ai tejkalon çdo masë. Kur e kalon pikën kritike atëherë i gjithë pezmi shprehet përnjëherë dhe në mënyrë të pakontrolluar.  

Mitrovica – vendi që gjeneron proceset politike në Kosovë

Nëse duam ta dijmë gjenezën e këtyre trazirave atëherë duhet studiuar rasti i Mitrovicës, vendi ku filluan ato.
Mitrovica është dështimi më i madh i UNMIK-ut në çdo aspekt. Këtu edhe ikin nga burgu të akuzuarit për krime lufte edhe nuk i paraqiten interpolit. Ndodhë masakri i 2 Shkurtit 2000 ku vriten 14 qytetarë e plagosen me dhjetra dhe askush nuk dënohet. Zëdhënësi I UNMIK-ut në Mitrovicë mbanë qëndrime ekstremisht proserbe dhe shumica e gazetarëve shqiptarë bashkëpunojnë me të gjithë kolegët e tyre serbë por jo me të si turboserb. Administratorja e UNMIK-ut paraqitet në mediat serbe në komunat fqinje dhe flet në gjuhën serbe, por kurrë në mediat në gjuhën shqipe në komunën që administron. Çdo iniciativë ekonomike stopohet me arsyetimet e “politikës nga lart”. Papunësia kalon 80%.

Krerët komunalë të zgjedhur në mënyrë demokratike në zgjedhjet e organizuara nga UNMIK e OSBE njohtohen permes mediave se u heqet nga kompetenca gjysma e territorit të komunës e cila I ka zgjedhur (Urdhëresa Administrative 2002/26 e PSSP Steiner).

Kulmi i gjithë kësaj arrihet me mbytjen e tre fëmijëve në lumin Ibër dhe mospërpjekjeve të menjëherëshme për zbardhjen e krimit. Ishte jashtë çdo morali të thuhet se nuk dihet nëse dikush i ka frikësuar fëmijët apo jo, kur nuk kishte asnjë fakt që do të kundërshtonte deklaratën e fëmiut të katërt i cili i shpëtoi vdekjes. Kjo gjë ishte irituese për shkakun se jepte të kuptohej se edhe ky rast nuk do të zbardhej si gjitha rastet e tjera.

Këto ishin arsye të forta për të protestuar qetë para UNMIK-ut nën një organizim spontan të nxënësve të Gjimnazit dhe më pas gjithë qytetarëve. Mjaftoi një sjellje e patakt e forcave të sigurisë që protesta të merrte kahje të padëshiruar.

Përse u dogjën kishat që i ruajtëm me shekuj?

Shtrohet pyetja: nëse pezmi I qytetarëve të Kosovës ishte I drejtuar kundër UNMIK-ut përse atëherë u dogjën kishat serbe të cilat nuk I ka ngacmuar kush gjatë sundimit  500 vjeçarë Otoman ku shqiptarët kishin pushtet ose gjatë të dy luftërave botërore ku shqiptarët poashtu kishin pushtet. Kjo nuk ndodhi as gjatë luftës së fundit. Arsyeja është shumë e thjeshtë: Kishat u dogjën pikërisht ngase shqiptarët në Kosovë nuk kanë pushtet.

Gjëja më normale do t’ishte t’i mbronte  TMK-ja ose SHPK-ja, por kjo nuk ndodhi. Jo sepse nuk kishte vullnet dhe fuqi fizike nga ana e SHPK-së  dhe TMK-së, por sepse atyre u kishin caktuar detyra tjera. Madje edhe kur TMK-ja ka kërkuar t’I mbrojë kishat sërbe kjo nuk u është lejuar.

Do t’ishte normale që liderët politikë të dilnin para turmave që të ndalonin djegien e kishave, por atyre u janë ngrehur veshët me kohë që të jenë të disciplinuar dhe të mos ndërmarrin iniciativa politike sepse në të kundërtën merr fund kariera e tyre politike.

E pra cilat forca të organizuara, nëse jo politikanët, TMK-ja, SHPK-ja do t’i mbronte kishat dhe serbet?

Shoqëria civile

Cili do t’ishte ai heroj I cili do ta bënte detyrën që nuk e bëri policia e UNMIK-ut dhe KFOR-i. Shoqëria civile? E si ta dija unë që policia e KFOR-i nuk e kanë ndërmend t’I mbrojnë kishat serbe dhe serbët. A ta ruaja Radio dhe Televizionin tim nga policët e UNMIK-ut që e gjuanin me granata tymuese studiot e tij nw katin e 12-të për ta paaftësuar atë për transmetim.

Këtë të dielë, d.m.th. tri ditë para protestave I shoqërova dy gazetarë serbë nga ura e Ibrit për në Kishë dhe anasjelltas. Rrugës duke kaluar shumë adoleshentë shqiptarë I përshendetnin ata duke u bërë të ditur se I kanë parë në  TV Mitrovica disa netë më parë. Asnjë fyerje, asnje sharje, asnjë shikim I vëngër. Prifti serb u gëzua që dy besimtarë të tij po I vinin në kishë pa përcjellje të KFOR-it. U tregoi priftërinjëve të tjerë për gjestin tim duke shtuar se dy vjet më parëI kam sjellur në këtë kishë Pjetër Arbnorin, Arian Starovën dhe Kryeministrin Bajram Rexhepi. Kur dolëm nga kisha disa adoloshentë shqiptarë po komunikonin me gazetarët serbë krejt normal.

Katër ditë më pas, po kësaj kishe I është vënë zjarri nga adoloshentët shqiptarë që shumicën e kohës e mplakin duke luajtur Counter Strike nëpër Internet kafetë e qytetit derisa paqëruajtësit e KFOR-it nuk bënë ndonjë përpjekje serioze për ta mbrojtur atë. Tani  shumica e qytetarëve të Mitrovicës turpërohen nga kjo ngjarje dhe fajsojnë ndërkombëtarët pse mundësuan këtë turp për të na sjellur deri të copëtimi I Kosovës. Njëri nga ndërkombëtarët me shpoti u përgjigj: nëse ne ua paskëshim mësuar rrugën se si t’I digjni kishat, ju pse e bëtë këtë? Përgjigjia është se në çdo shoqëri gjenden ata që punojnë keq, por niveli I një shoqërie matet me mekanizmat që ka krijuar ajo shoqëri për ta shtypur të keqën.

A ishte ky vullnet i shumicës shqiptare që të digjeshin kishat serbe? Përgjigjia është jo. Përse nuk I mbrojtën ato? Përgjigjia është sepse UNMIK-ua degradoi gjithë mekanizmat që do të mund t’i mbronin ato, ndërsa vet nuk I mbrojti për të mbuluar hajnitë e veta dhe për ta arsyetuar dobësinë e vet me demek me egërsinë e fiseve që duan t’I djegin kultet fetare njëri tjetrit.

Në fund, kush humbi e kush fitoi? Humbën më së shumëti shqiptarët e Kosovës. Rrezikun më të madh për fatin e Kosovës: Copëtimin e Kosovës, e rritën në maksimum. Shqiptarët e Kosovës e patën numrin më të madh të viktimave. Humje të madhe pësoi edhe komuniteti serb I Kosovës, dorën në zemër shumë më pak viktima se sa shqiptarët por humbi shpresën edhe ashtu të vogël për të jetuar në një Kosovë të përbashkët. Humbi ajo pjesë e bashkësisë ndërkombëtare që përpiqet për paqë e stabilitet e korrektësi në botë. Fitues do t’ishte Beogradi sikur mos të bënte autogol duke djegur xhamitë në Beograd e Nish.

Kështu përfundimisht, të vetmit fitues ngelën hajnat e të gjitha përkatësive, më së shumëti ata ndërkombëtarë.

*Autori është analist politik dhe drejtor i RTV Mitrovicës

Marrë nga gazeta Shekulli : www.shekullicom.al


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 21.10.2004 22:59
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË