NUMĖR 78
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
INTERVISTA
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
EDITORIAL VITI VI - 10 SHKURT 2004

Një dele, një UFO, e tre amerikanë

Shkruan: Shqiptar OSEKU

Një rrëfenjë e këtij nënqielli tregon për një dele të rrëmbyer prej ujkut. Gjersa ujku po kërkonte në leshin e ngjeshur një vend ku t’i ngul dhëmbët, delja lutej symbyllur: ”Bëje Zot ëndërr!” -S’do mend që ka arsye të numërta pse shqiptarët në Kosovë e pëlqejnë humorin e zi. Por edhe sikur të mos ishin tjerat, do të mjaftonin historirat e këtyre viteve të fundit për të t’i nxjerrur lotët. Prej gazit, kuptohet.

Hokat ne i kemi traditë. Sa për fillim, ne jemi të vetmit në botë që fituam një luftë duke ikur. Si pasojë, ne jemi të vetmit që s’e vërejnë dot dallimin mes fitores e humbjes. Në pushtim kishim rrymë, në çlirim nuk kemi. Parlamenti serb nxirte ligje me kamion, yni s’po arrin as t’i përkthejë. Me serbët bëje pazar nën rrogoz, këta të ngopurit na rjepën të gjallë. Mezi shpëtuam prej ”Vëllazërim-Bashkimit“, e oburra në stacionin ”Multikulturalizëm”. Në Kosovën mbi 90 përqind shqiptare, kurdo e dëgjoj ”multikulturën” më duket sikur ma tregon gishtin e mesëm Tito nga varri; nëse ka një jetë pas vdekjes, sigurisht që mareshali plak po meket së qeshuri…

Liria, që thoni ju, qenka dardhë me bisht. E bishti, si dihet, mund të mbetet në fyt. Pastaj për ta nxjerrë atë, duhet të vjellësh krejt ç’ke brenda.

E pra, mundet që mu ky është plani i bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë. T’ua nxjerrin shqiptarëve fitoren (?) për hundësh. Të na bëjnë rreckë, gjersa të na merr malli për Serbinë.

Dikur një teori të tillë e propagonin vetëm dy grupe, kadetët shqiptarë të revolucionit, e ata që vinin kësula celofani nga droja se po u vjedhin mendimet. Të dy palët rëndom i takoje nëpër reparte të psiqiatrisë.

Kurse sot, kjo s’është më teori e paranojës shqiptare. Atë e besojnë p.sh. në Amerikë një ish ndihmëssekretar shteti demokrat, një lektor universitar, si dhe një këshilltar i lartë republikan.

Morton Abramovic, që ka shërbyer nën Klintonin, vepron tani në „International Crisis Group“, një vargan mendimtar me seli në Gjenevë të Zvicrës. Në të përditshmen „The Washington Post“ në fillim të janarit, zt. Abramovic konstaton se bota “ka kërkuar prej Kosovës të plotësojë standarde të mrekullishme para se ta kuvendojë statusin e saj”. Në një koment dhënë radios Evropa e Lirë, zt. Abramowitz thotë troç se „standardet nordike“ janë vënë meqë „disa vende perëndimore shpresojnë se shqiptarët do të heqin dorë prej pavarësisë“.

Xhefri Simon është lektor pranë “National Defence University” në Uashington. Ai mbajti një fjalim për Kosovën në “Woodrow Wilson Centre” të demokratëve më 21 janar. Zt. Simon tha se ”gjërat s’janë fare mirë në Kosovë”, meqë bashkësia ndërkombëtare “as që e ka vënë në agjendë” çështjen e statusit.

Dag Bendou punon në ”Cato Institute” dhe foli për Kosovën të nesërmen, më 22 janar, pranë “The Heritage Foundation” të republikanëve. “Qeveria kosovare ka pushtet real vetëm mbi shëndetësinë. Personeli i saj është i rjepur nga fondet, e s’ka kualifikim as për ato lëmi që i përkasin. Zyrtarët e lartë të Kosovës shkurajohen që të mos udhëtojnë jashtë vendit, e s’e kanë asnjë mundësi t’i paraqesin pikëpamjet e veta të pacunguara.”

“Në një moment 22 tipik, UNMIK-u, i mbështetur prej SHBA-ve dhe BE-së, ngulmon që standardet të vejnë para statusit, e se statusi final i Kosovës mund të kuvendohet vetëm kur qeveria e Kosovës, me ingerencat e veta të kufizuara, t’i arrijë disi ca nivele të shkëlqyera, të cilat u mungojnë të gjitha shteteve të Ballkanit”, tha zt. Bendou, e shtoi: “Kjo formulë është disajnuar enkas për t’i shmangur kërkesat e Kosovës për zgjidhje të statusit, me shpresë se dëshira e saj për pavarësi disi do të zhbëhet.”

Në dritën e këtyre fjalëve, kam filluar t’i shoh gjërat krejt ndryshe. Tani psh kam arritur ta kuptoj paradoksin e pasluftës. Atë se si arritëm ne shqiptarët, në afat rekord, të bëheshim të çliruarit e vetëm në botë, që çlirimtarët i shohin më me dyshim se sa pushtuesit.

E si të vente ndryshe, kur çlirimtarët dashkan ta zbrapsin çlirimin!?

Madje kam nisur ta kuptoj edhe enigmën shkencore, se pse e vunë në krye të UNMIK-ut një UFO. Që thoni ju, atheun e Harri Holkerit e njoh bukur mirë. Vajzat simpatike në Helsinki, bulevardin kryesor „Car Aleksandri“, monumentin „Miqësia e përjetshme mes popujve vëllezër finlandez e sovjetik“. Posi. Tani po i kuptoj të gjitha, ndonëse ca me vonesë.

Mjerisht, realizimet e mia s’kanë arritur ende gjer në kokën e pushtetarëve të shpifur kosovarë. Ata s’e kanë ende për gjë t’i përsërisin mendimet dëshirore të pasluftës, të tipit „Amerika na i ka prerë teshat“. Kryetari i Kosovës, Ibrahim Rugova, shpenzoi 28.000 euro për udhëtim zyrtar anembanë Evropës, ndonëse burri i botës është i bindur se pavarësia është pas kthesës së parë. Seriozisht. Apo ç’tha ai me të kthyer: „Iu luta [mikpritësve] që ta shpejtojnë procesin e pranimit formal të pavarësisë së Kosovës.“

Të nxitohet, pra. Të kryhen edhe formalitetet e fundit, se është turp që na kanë mbetur cikërrimet...

Ndërkohë, në pritje të formaliteteve, kryetari kosovar me punë shuuumë serioze. Agjencia e lajmeve presidenciale, QIK-u, i ka në arkivin e vet 500-e-tëhu lajme për veprimtarinë e tij qëkur u shpall kryetar. Përurime, ngushëllime, gjykime, përgëzime. Aty-këtu edhe ndonjë konstatim. Shumica me gojë, por nja dy-tre edhe me shkrim. Aq shumë punë, në fakt, sa kryetari harroi krejt të vetmen detyrë që i është ngarkuar zyrtarisht, ta lexojë një raport vjetor para parlamentit.

Ndoshta Ibrahim Rugova e ka vënë kësulën e celofanit, që të mos i pengojnë mendimet e pakëndshme. Mua për vete më shkojnë rrëqethët, sa herë që zotëriu i mbaron mesazhet e veta me thirrjen: ”Zoti e bekoftë Kosovën”!

S’ka nevojë kryetari të ma kujtojë çdo kremtë, o jahu, se kemi mbetur prapë në dorë të Zotit. Si ajo delja e rrëfenjës.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 21.10.2004 22:59
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË