NUMĖR 69
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DEBAT
DOSSIER
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
EDITORIAL VITI V - 1 JANAR 2003

VIT I RI, TELASHE TË REJA

Shkruan: Shqiptar OSEKU


Ndërsa posta e ngadaltë kosovare ende s'i ka shkëmbyer të gjitha kartolinat me urime të Vitit të Ri, në horizontin e kësaj province që ka mbetur as në qiell as në tokë vërehen telashe të reja.

Burimi i tyre është, ku tjetër, te politikanët shqiptarë. Për ta arsyetuar mungesën e tyre nga sofra e ngushtë e vendimmarrjes, ku po shihet qartë se ulen sall Shtajneri e Çoviçi, ata kanë zënë t'i fusin në pe disa rruaza krejt palidhje - porse rruaza që Kosovës rrezikojnë t'i dalin dardhë me bisht.

Merreni p.sh. këtë nismën - që nismë i thënçin! - të Kryetarit të Kosovës, z. Ibrahim Rugova, që t'i bëhet kumbar hymnit e flamurit të shtetit të palindur të Kosovës. Peshku prishet në kokë së pari, ashtu edhe politika. Në këtë nënqiell zor që është parë ndonjëherë një gaf si ky i fundit i Rugovës: e kjo s'është pak, kur kihet parasysh se Ballkani është nëna, e Rugova babai i gafeve.

E para e punës, burri i botës duket se ka harruar që për t'u bërë kumbar duhet së pari të të lind fëmija. E dyta, kryetar a jo kryetar, kjo puna e hymnit dhe flamurit në demokraci e ka njëfarë rendi: merreni me mend se çfarë ideshë rreth shtetit paska Rugova, kur s'i pyetka kah i kanë dajtë as qeverinë, as parlamentin, e lëre më popullin e thjeshtë, për çështje jetike si një hymn e një flamur: po për cikërrime tjera, si do t'i vejë halli!? Dhe, e treta me rend po absolutisht jo me rëndësi, edhe kumbara më i keq e di që një foshnje jetime është kafshata e dreqit: e me çka do të bëjnë pazar për shtetësinë shqiptarët e varfër nesër pasnesër, kur t'ua ketë hedhur Rugova badihava hymnin e flamurin shqiptar në plehra?

Mua s'më habit ambicja e sëmurë e Rugovës, meqë ai ka dëshmuar sa e sa herë, ashtu qesh-e-vesh butësisht prapa syzeve të trasha e shallit xhentëlmen, se s'përton të shkelë mbi kufoma për ta ruajtur bajrakun: pa kujtoni një çikë "zgjedhjet demokratike" të 1998-s, eliminimin e të burgosurve në kuvendin e mëhershëm të LDK-së, ose lëmshin e pafije në këtë të fundit. Ajo që më habit, jo po më tmerron, është fryma normale me të cilën është pranuar në shoqëri ky demonstrim flagrant i reflekseve të tij autokratike.

Një tjetër xhevahir i politikës shqiptare, që na polli këtyre ditëve, është "shpresa" zyrtare e Tiranës për nisje të negociatave me BE shi këtë gjysmëvjetor, kur kryesinë e radhës e merr, po pra ia qëlluat: Greqia.

Se ç'i shtyn zyrtarët e shtetit shqiptar të shohin lëshojnë si lopa baglat, këtë s'e di asnjeri. Athua mos e paskan pasur smirë Shqipërinë danezët, që e kishin kryesinë e BE-së gjatë vjeshtës e dimrit, e ia bënë për inat? Apo besojnë në Tiranë se te grekërit, si ballkanas që janë, gjëllijnë pasione më të ngrohta për Shqipërinë? (E drejta, mundet që po, por unë personalisht s'do të doja të bëhem dëshmitar okular i plotësimit të pasioneve të tyre... pa inat ndaj homoseksualëve, por mënyra greke e dashurisë është e përmendur në Evropë.)

Në histori përmendet mesazhi i kancelarit mesjetar Aksel Oksenshterna, që ia dërgoi të birit me të dëgjuar se ky paskësh kërkuar shërbim si kalorës në oborrin e mbretit suedez: "Biri im, rri te shtëpia. Sikur ta dije ti se me sa pak urti udhëhiqet kjo botë, do të vrapoje i përlotur në palët e fustanit të jot ëme".

Më ka rënë shpesh të mendoj në këtë thënie, e më së shpeshti kur i kam parë bëmat e gjëmat e politikanëve shqiptarë. Do të doja ta jap një kumt më të mirë, një në kajde të urimit të Vitit të Ri a të ngjashme, në këtë thyerje motmotesh.

Mjerisht, e vetmja që mund të uroj është, se ky vit 2003 do t'i ngjajë bukur fort atij të mbrapshtit që sapo iku. Madje ky ka potencial të bëhet edhe më i mbrapsht; se më i mbarë jo se jo - dita e mirë shihet në mëngjes.

I vetmi ngushëllim është se s'i di të gjitha detajet, po vetëm ato që mund t'i shoh nga perspektiva ime. Ndryshe, ka rrezik që do ta nisja këtë vit duke vrapuar i përlotur te palët e fustanit të mamasë.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 0:42
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË