NUMĖR 82
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
 
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI VII - 6 PRILL 2005

Kosova, ky tmerr i patreguar

Në mesin e shumë gazetarëve që mbuluan luftën në Kosovë ishte dhe britaniku Mathhew McAllester, që punonte për Newsday, e përditshme amerikane.

Por lufta në Kosovë nuk mbeti thjesht në raportet e përditshme të gazetarit. Dy vjet pas përfundimit të luftës ai botoi librin "Përtej maleve të të nëmunve – Lufta brenda Kosovës".

Atëherë kur NATO-ja sulmonte caqet serbe, UÇK-ja luftonte në tokë, paraushtarakët dhe njësitet serbe masakronin civilë. Historia që ai sjell është historia e zakonshme e një familje shqiptare në Pejë që është përpjekur të mbijetojë në kohën e aparteidit, që u përpoq të mbijetonte gjatë sulmeve ajrore të NATO-s dhe që në momentin e fundit kur sulmet ajrore përfunduan dhe NATO-ja veç kishte mbërritur në Prishtinë paraushtarakët e Miniçit vrasin pesë nga shtatë fëmijët e familjes Bala, njëherësh dhe Vjollcë e Musa Balën, duke lënë pas vëllain tjetër Isa Balën, bashkëshorten e tij Halishen dhe dy fëmijë që mbijetuan veç në saj të fatit.

Libri i publicistit McAllister është historia e një jete, e një failje që pavarëissht kushteve të vështira dhe dhunës megjithatë beson se fëmijët dhe puna i japin kuptim jetës.

Natyrisht kjo nuk mjafton për familjen Bala, historia e së cilës është historia e njeriut që jeton nga komunizmi në aparteid e më pas në luftë.

McAllester nuk tregon luftën virtuale, por atë të vërtetën ku çdo frymmarje më tepër është dhe shenjë fati që je gjallë, apo e kundërta shenjë se duhet ta mbash në shpinë një fat të tmerrshëm.

Në vazhdim, nga ky libër sillet kapitulli "Vrasjet", një dëshmi më shumë se tmerret e ndodhura në Kosovë nuk janë treguar ende.


"Matanë maleve të të nëmurve" - Lufta brenda Kosovës

Shkruan: Matthew MCALLESTER

VRASJET

Dukej sikur një betejë e armatosur kishte shpërthyer në gjithë Pejën, ndonëse nuk mund të qe kështu. Në qytet nuk kishte më armiq ndaj të cilëve mund të luftonin serbët. Halishja ishte e trembur. Serbët ishin çmendur krejt.

"Duhet të ketë një marrëveshje", tha Isai që kishte dëgjuar lajmet në televizionin e fqinjit, derisa sateliti i tij nuk punonte më. "Mos u shqetëso. Ata janë marrosur krejt dhe do të festojnë edhe humbjet e tyre".

Është e mërkurë, 9 qershor dhe serbët kanë humbur dhe një tjetër betejë në Kosovë. Por këtë rradhë, ndryshe nga 1389, fundi është i qartë. Është një humbje e pastër. 610 vjet më parë beteja në Fushë Kosovë kishte shënuar rrënimin e Serbisë si një vend i pavarur, çfarë bëri që beteja e famshme të shihej si humbje. Por këtë rradhë është mundur. Nuk ka keqkuptime, se marrëveshja që Millosheviqi do të nënshkruajë me NATO-n është humbje dhe në dallim nga 1389 shumica e serbëve të Kosovës nuk po rrijnë e të kundrojnë si do të ecin gjërat pas konfliktit.

Ndonëse pala e tij - NATO-ja dhe guerrilët e UÇK-së, kanë fituar - Isai është i trembur. Ushtarët e mundur mund t'iu kthehen civilëve për t'u hakmarrë. Dhe serbët e thjeshtë, fqinjët, që tashmë duhet të largohen nga shtëpitë e tyre pa faj, ndoshta nuk do jenë aq të sjellshëm sa kanë qenë në këto 11 javë të bombardimeve. Gjatë natës Isai ulet në dritare i shqetësuar se dikush do të vijë në shtëpinë e tyre. Balajt janë në mesin e fare pak familjeve të mbetura në qytet dhe të gjithë e dinë këtë. Ata janë një cak i kollajshëm për dikë që do të hakmerret. Isai shikon rrugën dhe heton me kujdes hijet që lënë dritat e makinave të mbushura me veshje, gjëra të vlefshme dhe fëmijët. Fillimisht ishin fqinjët e tij shqiptarë që ikën kështu, ndërsa tani ata serbë kanë filluar të braktisin shtëpitë dhe qytetin. Ka nga ata që po ikin me traktorë, njësoj si shqiptarët, duke u larguar nga fshatrat afër, përmes Pejës drejt maleve që të çojnë në Mal të Zi.

Duke ndenjur e menduar pranë dritares, një ditë pasi NATO-ja kishte ndërprerë bombardimet, Isai pa një Lada Niva, të forcave policore të kamufluar në blu dhe purpurtë. Ai e dinte se ajo i takonte Nebojsha Miniçit. E kishte parë të kalonte gjatë këtyre javëve nëpër rrugë dhe lutej të mos i vinte re se Balajt ishin ende në qytet. Kishte dëgjuar shumë për Miniçin gjatë këtyre javëve dhe nga të gjitha ato e dinte se qe më mirë që Miniçi të mos e dinte se ata ishin ende në shtëpinë e tyre.

Niva është në krye të një kolone prej 15 makinash që ecnin ngadalë kur hynë në rrugën Dushan Mugosha dhe kaluan para shtëpisë së Isait. Makinat e tjera janë të zeza, derisa banda e Miniçit thirret Munje apo rrufeja. Isai i sheh dhe mendon: "Ata kanë armë të luftojnë me gjysmën e Evropës".

Rada, e dashura e Miniçit, një refugjate serbe e Bosnjës, qëndron e ulur në vendin e pasagjerit, pranë Miniçit, që mban një megafon në dorë derisa ecën ngadalë në rrugët e Pejës.

"Vëllezër serbë, Mos e lini Kosovën! Kosova është e jona! Mos e lëshoni Kosovën!", thërriste Miniçi nëpër rrugë. Më pas ai fillon të këndojë këngë popullore serbe, nga ato që flasin për krenarinë serbe dhe fitoren.

Më pas makinat e tjera kanë pankarta kus shkruhet " Serbia e Kosova - janë tonat". Parada e makinave kalon shtëpinë e Isait dhe drejtohet në pjesët e tjera të qytetit, derisa zëri bëhet gjithmonë e më i largët, kurse autokolona i bie qytetit dy herë rradhaz.

"Ai ishte i dëshpëruar dhe donte të riorganizonte njerëzit e tij dhe të bashkohej me ata që kishin mbetur nga ushtria, policia dhe grupet e tjera paraushtarake që ishin të gatshëm të qëndronin dhe të prisnin ardhjen e italianëve në qytet", kujton një ushtar serb me pseudonimin "Gjorgje", që e kishte njohur Miniçin gjatë luftës dhe kishte bashkëpunuar ngushtë me Munje. "Ishte paraparë që ata të qëndronin dhe të mbronin serbët e mbetur, të gatshëm për të qëndruar. Njëherësh të mbronin qytetin nga UÇK-ja derisa nuk kishin ardhur italianët. Nuk e di se sa ishin, pasi vetë jam larguar dy ditë para fundit", tregon Gjorgje.

Të premten Isai shikonte civilët serbë, jo larg lagjjes së tij, që kishin injoruar thirrjet e Miniçit dhe largoheshin këtë rradhë me të madhe. Makinat e tyre kaluan para shtëpisë së Isait në drejtim të Malit të Zi. Vetëm pak njerëz kishin mbetur: pak ishin shqiptarët që qëndruan dhe mbijetuan, tashmë janë pak civilë serbë që janë të gatshëm të qëndrojnë duke rrezikuar ardhjen e UÇK-së dhe NATO-s për hir të shtëpive të tyre. Të shtunën në mbrëmje Peja ishte më e qetë krahasuar me ditët e fundit.

Rryma ishte ndërprerë që në dreke, kështu që Balajt u bënë gati për shtrat më herët se zakonisht. Musai e kaloi paraditen tek Riza. Ai kishte marrë dy litra raki me vete dhe pas disa orësh kur ishte laguar kishte mbetur vetëm një litër. Tani ai është disi i pirë dhe qëndron i ulur duke pirë cigaret njëra pas tjetrës. Halishje po ngroh fasule në një ngrohëse të vogël gazi. Nuk ka më kuptim të qëndrohet më gjatë në errësirë derisa fëmijët po bëhen edhe më shume grindavecë. Ata po e ndjejnë se koha e çlirimit për ta është afër, pas tre muajsh që kanë qëndruar mbyllur. Dje Halishja kishte bërë petulla në oborr. Fëmijët pasi i kishin ngrënë petullat me sheqer i kishin puthur duart Halishes. Ishte një ndjesi feste. Edhe sonte fëmijët ndiheshin njësoj, por Isai kishte ankth. Halishja dhe Vjollca i veshën fëmijëve pizhamat që t'i çonin në shtrat menjëherë pas darkës me fasule. Isa po ndihmonte duke shtruar përdhe në dhomën e ndenjjes për familjen e tij dhe në dhomën ngjitur për familjen e Musait. Nesër, kishte njoftuar televizori, trupat e NATO-s do arrinin dhe në Kosovën perëndimore.

Miku i vjetër i Isait, Ramë Gashi, po mbante cigaren në gishtat e hollë tashmë në ngjyrë kafe dhe tymoste në errësirën e natës. Ora sapo ka kaluar tetë dhe është shumë errësirë. Rama rri uluar në karrige në oborrin e shtëpisë së tij të mbyllur me dyer të larta hekuri, që gjendet në krye të rrugës Kosmonauti. Derisa thithte cigaren mendonte se si ia kishte dalë familja e tij të mbijetonte në Pejë. Veç një grusht njerëzish kanë qëndruar dhe kanë mundur të mbeten gjallë në Pejë. Familja e tij ishte në mesin e 10 mijë njerëzve që u dërguan në stadiumin e basketbollit dhe që të nesërmen i thanë të kthehen në shtëpi. Përveç kësaj ata u përpoqën dhe dy herë të tjera por çdo herë i kthyen mbrapsht. Policia ushtarake dhe paraushtarakët serbë e dinin që familja e tij ishte në qytet. Rama madje ishte me Isanë në gjykatë ditën e gjyqit të Musait. Ai i mbante mend fjalët e Baçkoviçit.

Nga jashtë dëgjohet zhurma e një makine dhe më pas ndalet. Për fat të keq dëgjohen të trokitura në derë. Rama qëndron i heshtur pa bërë as zhurmën më të vogël. "Hapeni" dëgjohet një zë burri që thërret në serbisht. "Hapeni!"

Rama sërish nuk lëviz. Kushdo që të jetë ndoshta troket e shkon. Brenda në shtëpi janë gruaja dhe tetë fëmijët, mes të cilëve dhe tre vajza adoleshente, Shpresa, Shqipja dhe Valbona. I kujtohet dita kur filluan bombardimet dhe kërcënimet e atij që dihet se çfarë nami ka. Ishte një serb i madh i quajtur Nebojsha Miniç. Njerëzit e tij kishin ardhur në fillim të bombardimeve dhe kishin kërkuar para, duke kërcënuar se do dhunonin tre bijat e tij nëse plaku nuk jepte para në dorë menjëherë. Rama është 65 vjeç dhe punët me shëndetin nuk i ka fort mirë. Ka punuar si inxhinier dhe ka dalë në pension pak vite më parë. Paratë nuk i ka me shumicë, por atë ditë i dha aq sa mundi njerëzve të Miniçit. Rama shpreson se kushdoqoftë ai që po troket në derë nuk është Miniçi, djalli që ai e njeh se si është. Derisa ishin dëgjuar të goditurat në derë fëmijët ishin mbledhur tek dritaret, shihnin oborrin dhe kishin ngulur sytë nga porta e hekurt e shtëpisë. Ai filloi të dëgjonte njerëzit që ngjiteshin në muret e shtëpisë dhe më pas ja ku janë dorezat e zeza pa gishta, deisa një xhip kaki rrafshoi muret e derës dhe hyri në oborr. Rama e dinte se tashmë nuk mund të bënte asgjë.

Më pas një fytyrë e vizatuar me viza të zeza shfaqet. "Hapeni derën ju të q…nëne" thërriste fytyra e vizatuar.

"Oh, tungatë, prit veç një minutë se po vij ta hapë derën" thirri Rama me zë mikpritës.
Hapi derën ku po rrinin Miniçi dhe njerëzit e tij. Ishin gjithsej rreth 30 veta, të gjithë në tesha kamuflazhi, të gjithë me fytyra të vizatuara me viza të zeza dhe pa shenja identifikuese. Kishin ardhur në gjashtë xhipa të mëdhenj.

Një nga njerëzit e Miniçit i vuri armën në fyt Ramës dhe shkuan nga dhoma e ndenjjes.. Fëmijët filluan të bërtasin. Rreth nëntë prej njerëzve të Miniçit ishin brenda në shtëpi.

"Mbylleni gojën" iu kërcënua një nga burrat duke ia drejtuar armën fëmijëve. Miniçi u ul në kauçin trengjyrësh, të trëndafiltë, të zi e blu në dhomën e ndenjjes, që ishte përballë me derën e hyrjes dhe fuste gishtat në flokët e zinj të prerë shklurt. Dy nga njerëzit e tij erdhën në dhomën e ndenjjes derisa ai nga aty ku ishte mund të jepte urdhëra edhe atyre që ishin ende në oborr të shtëpisë. Miniçi kishte radiolidhëse nga ku dëgjohej një tjetër zë burri, nga i cili dukej se Miniçi merrte urdhëra. Njëherësh ai bisedonte me familjen e Ramës. Ai dukej të ishte në një gjendje të paparashikushme, ku sa kërcënonte me vrasje, në minutën tjetër përpiqej të fitonte simpatinë e njerëzve të shtëpisë.
"Këto janë kohë të vështira" tha Miniçi derisa djersiste në uniformën e policisë. Në dhomën e ndenjjes ishte ngrohtë, pasi aty qe dhe nxehësja e bardhë. "Janë kohë të vështira. E di që do vritem, por sonte do përpiqem të shpëtojë jetët tuaja".

Fytyra e zeshkët e Miniçit dukej e lodhur dhe frymëmarrja i vinte era alkol. Rama dhe fëmijët i kishin parë tatuazhet e Miniçit më parë dhe disa prej tyre mund t'i shihnin sërish. Ja ku ishte sëpata, shkurtesa JNA e veteranëve të ushtrisë, një kobër në shpatulla që niste poshtë në shpinë, katër S-të cirilike të slloganit serb dhe një thikë. Por është dhe një thikë tjetër, por prej vërteti që varej në brez së bashku me revolen në xhepin e bluzës së gjelbër. Ata e dinë pseudonimin e tij, Mrtvi. Sonte, vdekja kishte dhe dy kryqe rreth qafës, një prej ari dhe një prej druri. Njerëzit e Miniçit as qeshnin dhe as bënin shaka. Për një kohë të gjatë ata qëndruan në heshtje, e natyrisht prsinin urdhëra nga zëri në radio. Herë pas here Miniçi thoshte ndonjë fjalë si për të shpjeguar vetveten.
"Ne jemi luftëtarë" i tha ai familjes që mërmëritën për të shtuar se se "askush prej nesh nuk do të ikë prej këtej derisa sa të vdesë dhe i fundit prej nesh. NATO-ja kurrë nuk do të vijë këtu sa të jemi ne gjallë".

Më vonë ai shpjegon se "sonte më në fund po pastrojmë qendrën e qytetit."

Kaloi një orë, ndoshta dhe një orë e gjysmë deris Miniçi dha një urdhër.

"Joska merre atë dhe le të të tregojë shtëpinë" ai i tha njërit prej njerëzve të tij që Rama e dinte se quhej Dalibor Banjac, por që njihej ndryshe si Joska. Banjac ka flokë të shkurtra të verdha dhe është rreth tridhjetë vjeç. "Ti e di se ç'duhet të bësh."

Rama ngrihet i tmerruar dhe drejtohet nga Joska dhe dy burra, një nga të cilët është i gjatë e me mjekër të zezë. Ata e vunë Ramën në ndenjësen e pasme të makinës së zezë që priste përjashta. Rama e ndjen se aty ku u ul pantallonat e tij u lagën. Vë dorën të shohë se çfarë është dhe kur e ngre para syve dora është e mbuluar në gjak. Ai i drejton ata drejt shtëpisë së mikut të tij Isa Bala, kasapit.

Në shtëpinë e Isait, Joska dhe paramilitari me mjekër shkojnë në derën kryesore derisa i treti qëndroi jashtë me Ramën.

Agoni duhet të lodhet pak para se ta zërë gjumi. Ai është në atë gjendje superaktive përpara se lodhja ta kaploi dhe ta kthejë si në filmat me kartona në gjumë të pandërprerë. Kështu që Isai e merr në qafë dhe ecin së bashku përreth shtëpisë.

" Babë, dua të shkojë në shkollë", thërret ai derisa i grah shpatullave të gjera.

"Patjetër do të shkosh", thotë Isai.

"A mundem me pas çantë shkolle?"

"Po kam me të ble një çantë shkolle prej ari"

"Unë do kem çantë shkolle prej ari" thërriste Agoni në mes të të qeshurave.

"Pse nuk do na blesh dhe ne çanta shkolle të arta", pyet një nga fëmijët e Isait, që shikonte derisa i ati kalëronte në shpinë Agonin.

"Unë do t'ju blejë çanta diamanti krejtëve", hidhet Halishja dhe gjithë familja është e lumtur.

Goditjet vijnë nga poshtë prej portës kryesore. Është nëntë e gjysmë e mbrëmjes. Njerëzit nuk vijnë për vizitë në këtë kohë veçanërisht kur nuk ka rrymë. Dëgjohet një zë burri në serbisht. Isai ul Agonin përdhe.

"Hapeni derën. Hapeni derën o shk….. Do t'ja u shkërdhej zotin tuaj. Hapeni këtë derë".

Nuk kishte asnjë nevojë të liheshin jashtë, ndaj Isai nxitoi shkallëve me çelësa në dorë. Dhe derisa bëhej gati të fuste çelësin në portë i bie nga dora. Mungesa e rrymës ka krijuar errësirë të plotë. Me të futur çelësin nis ta rrotullojë. Dardania del në krye të shkallëve .

"Çka do na bëjnë? Cfarë do bëjnë ata me ne Babë?"

"Shko brenda loçka ime. Mos u shqetëso"

Gishtat e mëdha të Isait ndjejnë çelësin dhe hapi derën.

"Nuk do të na hapësh derën", dëgjon ai një zë hakërrues.

Përballë Isait janë shtatë a tetë burra me kamuflazh të paisur me kallashnikovë, pistoleta, thika dhe granata. Një tjetër pret përjashta në derën e një makine. Të tjerët turren drejt shtëpisë dhe Isai nxiton të ngjisë shkallët me ngut, derisa burrat bërtasin pas tij. Ndonëse errësirë Isai mund të thoshte me siguri se nuk njihte asnjë prej tyre. Isai është në krye të shkallëve kur ndalet dhe i thotë të sapoardhurve. "Merreni orën time", tha Isai, thua se kjo do t'i kthente ata pas.

"Mbaje orën dhe të gjithë të mblidhen në dhomën e ndenjjes dhe qëndroni atje. Tani menjëherë".

Familja Bala i bindet urdhërit dhe të gjithë në rresht ulen në kauçin e lakuar që shtrihet në murin qëndror dhe pjesa perëndimore përfundon në dhomën e ndenjjes.

"Ju jeni Musa dhe Isa Bala?" pyet një nga burrat.

"Po. Mos na vrisni kemi fëmijë të vegjël", ia ktheu Isai.

"Ata nuk do na vrasin, hë", siguron Hajriu të atin. "Ata nuk do na vrasin se ne jemi vetëm fëmijë"

Burrat kanë kapele të zeza dhe janë të armatosur rëndë. Një nga burrat në dhomën e ndenjjes është Joska, por për momentin familja nuk e di se kush është ai. Tjetri është i gjatë dhe me mjekër të zezë. Ata i vënë flakën një jastëku me shkrepse dhe e vënë në mes të dhomës për t'i parë fytyrat familjes, t'i hedhin një sy pengjeve të tyre dhe ndoshta të sigurohen se janë në familjen e duhur.

"Ku i keni paratë?" pyesin ata Isain dhe Musanë. Isai ngrihet dhe shkon drejt një dhome të pasme të shtëpisë nga ku nxjerr tre mijë marka.

"Ejani me mua" i thotë Joska Isait dhe Musait. "Të tjerët të rrinë ulur. Përjashta është një tjetër paraushtarak me Ramë Gashin. Një burrë qëndron të shohë shtëpinë, por të tjerët marrin makinën e zezë dhe i bien shkurt te rruga Dushan Mugosha, kalojnë përmes rrugës Ushtria Popullore Jugosllave dhe rrotullohen tek qoshja, nga ku shtëpia e Ramës është e para në të djathtë. Nebojsha Miniç po priste kur ata erdhën. Isai e njohu atë menjëherë. Miniç. Mrtvi. Vdekja. Është ai që ka blerë suxhuk në shitoren e tij, që banon jo larg prej aty, ishte po ai që ngiste një Lada Niva një ditë më parë duke i bërë thirrje nëpër rrugë bashkëqytetarëve të tij serbë që të qëndronin. Duket qartë se ai është në krye të njerëzve që janë mbledhur tek shtëpia e Ramës. Dhe duket se ai di shumëçka për Isanë dhe familjen e tij. Joska i jep Miniçit paratë.

"Tre mirë", thotë Miniçi.
"Po"

"Jo. Aty ka shumë më tepër. Nxirrini jashtë, thyejini nga një këmbë dhe do vijnë me shumë më tepër para se kaq. Do t'jua vrasim fëmijët nëse nuk ja jepni paratë".

Ai i thotë këto fjalë i shkujdesur dhe njëjherësh nxjerr revolen duke ia vënë në kokë Isait.

"Kam dhe 4'900 të tjera", thotë Isai.

"Joska, merre atë dhe sill paratë", thotë Miniçi.

Joska dhe Isa shkojnë sërish në shtëpinë e Isait.

Rama dhe Musa rrinë me Miniçin në dhomën tjetër të ndenjjes të shtëpisë së Ramës, që është në të majtë të derës kryesore.

"A doni kafe? e pyet Rama Miniçin, ashti siç bëhet me mysafirët e respektuar.

"Po plak e dua një kafe", thotë Miniçi.

"Edhe unë" thotë Musa.

Të tre qëndrojnë të ulur në heshtje derisa një nga bijat e Ramës përgatit kafen turke, që e sjell në filxhanë të vegjël dhe i vendos nga tabakaja në tryezën e kafes, prej druri. Rama i dobët e i zbehtë, por i mençur shpreson se e ka krijuar një lidhje me Miniçin gjatë kafes. Ai do që ta bëjë Miniçin të ndihet si mik, me gjithë mirësjelljen e Ballkanit që e kërkon ky rol. Nëse ju hyni në shtëpinë e një shqiptari padyshim ai ju mbron me jetën e vet.

"Dëgjo, a do ma kursesh jetën pasi kam shumë fëmijë"", pyet Rama.

"Do jetë shumë e vështirë për ta shpëtuar jetën, por sonte do përpiqem, thotë Miniçi. "Por pas natës së sotme do të jetë shumë e vështirë të të shpëtojë jetën, pasi dhe unë kam urdhërat e mia".

Rama nuk e kupton krejt se çfarë do të thotë kjo, por nuk e shtyn më tutje duke besuar se e ka një grimë vullneti të mirë nga Miniçi. Rama beson se Miniçi është paramilitari i dytë më i fuqishëm tani në Pejë dhe nëse ai thotë se dikush duhet të vdesë ai do vdesë. Duket sikur familja Gashi ka dhe një ditë më shumë jetë falë mëshirës së Miniçit.

Në këtë kohë në shtëpinë tek rruga Dushan Mugosha, Isa merr 4'900 markat e fshehura dhe ia jep Joskës.

"Sa para të tjera ke?, pyet Joska.

Kjo është e gjitha, 4'900 marka", përgjigjet Isai.

"A je i sigurt?"

Isa mendon se Joska do të mbajë një pjesë për vete pa i treguar Miniçit.

"Jam i sigurt".

Joska e beson Isanë. "OK shkojmë", thotë ai.

Në shtëpinë e Ramës Miniçi merr 4'900 markat dhe duket i bindur se nuk ka para të tjera në shtëpinë e Isait.

"Ktheje ku e morre", thotë Miniçi duke drejtuar dorën nga Isai.

"Po mua?", pyet Musa.

Miniçi qesh."Ty do të mbajmë", ia kthen.

Joska dhe Isa kthehen në shtëpinë e Isait. Musa mbeti dhe duket se e ka mbërthyer paniku. "Merreni këtë" i thotë Miniçi dy nga njerëzve të tij për Musanë dhe Rama dëgjon zhurmën e makinës që morri Musanë.

Në rrugën Dushan Mugosha, Isa dhe Joska ngjisin shkallët e shtëpisë dhe i bashkohen anëtarëve të tjerë të familjes dhe paramilitarëve me mjekra. Isa ulet bri të preferuarit të tij, Agonit dhe i përkëdhel qafën e hollë.

"Po të kisha një pushkë i kisha vrarë ata" i pëshpërit të atit në vesh Agoni. Isa e përqafon djalin e tij të vogël.

Joska shikon nga Vjollca dhe me veprime i thotë asaj duke i drejtuar pushkën "Ngrihu". Dhe Vjollca ngrihet.

Njeriu me mjekër në dhomën e ndenjjes mbikqyr me armë anëtarët e familjes, derisa Joska e çon Vjollcën në dhomën e pasme, përbri me dhomën ku gjendjet e shtrirë Mahia. Plaka e paralizuar dëgjon ngashërimat e nuses së djalit, derisa gjithë shtëpia bie në heshtje. Pas pak minutash hapet dera e dhomës ku ishte Vjollca dhe ajo del prej andej me flokë të shprishur dhe e heshtur.

"Çfarë të bëri", e pyet Isai.

"Asgjë", thotë ajo derisa dhunuesi e kthen atë sërish në kauç. "Asgjë".

Njeriu me mjekër rrotullohet tek Isai dhe i vë pushkën në kokë si ndëshkim për pyetjen.

"Babë, Babë", thërret një nga fëmijët e Isait.

"Mbylle gojën ose ju vramë", hakërrohet burri.

Derisa ecin drejt kauçit Joska kërkon nga Vjollca t'i japë krejt bizhutë, përfshi unazat, qaforen, byrzylukun. Ajo heq gjthë arin dhe ia jep paramilitarit.

Vjollca ndihet e turpëruar. Burri me mjekër sapo e kishte detyruar të bënte çkado me të, derisa pjesa tjetër e familjes gjendje në dhomën e ndenjjes e kërcënuar me pushkë, kurse vjehrra e dëgjonte. Çdo anëtar i familjes që ishte në një moshë që kuptonte e dinte se Vjollacën sapo e kishin dhunuar, derisa më të vegjëlit e kishin kuptuar se mamit, apo teta Vjollcës, burri me mjekër i kishte bërë diçka të keqe. Është fat që burri i saj, i cili tani mund të ishte i vdekur nuk ishte aty. Ndoshta ai kurrë nuk do ta merrte vesh.

Vjollca po vuante turpin e saj dhe për pak minuta derisa po ulej në kauç, kurse dy burrat bënë gati kallashnikovat dhe pyetën "A janë të gjithë këtu?"

"Po", tha Isai "Të gjithë këtu jemi".

Pa asnjë fjalë shtesë ata ngrehën armët dhe i bënë gati për t'i shkrepur AK-47. Ata qëlluan së pari fëmijët.

Halishja bëri atë që do bënte çdo nënë. U hodh mbi fëmijët duke u përpjekur që plumbat të binin mbi të. Derisa ajo gjendet përgjatë kauçit ata masakrojnë fëmijët, plumbat grijnë trupat e tyre, duke hedhur në të katër anët copa lëkure, apo organesh të brendshme derisa ata vazhdojnë me breshëritë e tyre. Plumbat kur dalin nga trupat lënë në kurriz vrima edhe më të mëdha se kur kanë hyrë në trup. Më pas plumbat përshkojnë kadifen e kauçit për t'u përplasur në mur. Disa rikthehen në dysheme, derisa të tjerë plumba shpërndahen andej-këtej.

Kur filluan breshëritë e plumbave Vetoni vrapoi dhe brenda sekondit u gjet në dritaren tip francez që çon drejt ballkonit. Shtyn derën, kacavirret nga ballkoni dhe më në fund hidhet në oborrin e shtëpisë. Ndonëse i vogël dhe me eshtra ende të brishta duket se në ato momente asgjë nuk i bën përshtypje. Madje nuk e vuri re që e kishte vrarë këmbën derisa kacavirrej në hekurat e ballkonit. Pas tij vrapon Isai që e pa djalin të largohej nga kauçi në drejtim të ballkonit. Ai e morri menjëherë vendimin se duhet ta mbronte të birin, pasi të tjerët në dhomë nuk kishin më asnjë shans të mbeteshin gjallë. Vetëm Vetoni kishte shpresë të mbijetonte. Ndonëse peshë e rëndë ai u hodh nga ballkoni kapi djalin për dore dhe vraponte rrugëve nëpër natë. Një nga burrat me kallashnikovë vazhdon të lëshojë breshëri plumbash, por ato nuk arrijnë të prekin as Isain e as Vetonin. Ata arrijnë së pari në shtëpinë e një fqinji serb, të cilët nga frika nuk i ndihmojnë. Isai vrapon dhe e lë Vetonin në shtëpinë e Rizës për t'u kthyer pas pak minutash në shtëpinë etij.

Në kaosin e krijuar nga arratija e Vetonit dhe Isait edhe një fëmijë tjetër arrin të largohet. I pa vënë re nga burrat e armatosur, Roni i vogël hidhet nga kauçi dhe vrapon në korridorin e shtëpisë. Ai vrapon për atje ku beson se është i sigurt, tek gjyshja e paralizuar. Gjyshja Mahie qëndronte e shtrirë dhe dëgjonte tek vdisnin njerëzit e familjes. Dhe ja dëshpërimisht në krahët e saj gjendet i nipi. Ajo mendon se ndoshta tani është rradha e saj. Megjithatë mendja i shkon se mund ta mbrojë Ronin me trupin e saj. Kështu e merr djalin e vogël, fëmija i fundit nga shtatë fëmijët dhe e fsheh poshtë këmbëve të saj të pajeta. Është hera e parë që ato këmbë pas kaq vitesh po shërbejnë për diçka dhe këtë rradhë po shpëtojnë një jetë. Kur burrat e armatosur hyjnë në dhomën e saj thonë se nuk ia vlen të merresh me të, derisa nuk e panë fëmijën që rrinte i heshtur i fshehur nën mbulesa dhe i bërë njësh me trupin e gjyshes. Ndoshta edhe ata e kanë humbur aftësinë të numërojnë se sa fëmijë mungojnë. Ndoshta ia ka marrë mendja se ia ka marrë vrapit natën nëpër rrugë. Ndoshta kanë në plan të djegin shtëpinë e bashkë me të gjithçka është brenda.

Dhe kur kanë mbaruar me gjithçka, kur mendojnë se kanë vrarë gjithë familjen, me përjashtim të plakës së paralizuar në dhomën e pasme, me të cilën as nuk ia vlente të merreshe, e derisa ati dhe biri ishin arratisur nga ballkoni, ata i vunë flakën disa jastëkëve dhe i lanë ata të digjen.

"Shkërdhatat e kërkuan këtë", dëgjoi Halishja të thoshin derisa dy burrat largoheshin. Hapat e tyre dukeshin të rëndë derisa ecinin nëpër dyshemenë që e kishte mbuluar gjaku që po përphapej me shpejtësi ngado. Vendet që nuk i kishte mbuluar gjaku dukeshin si ishuj të rrethuar nga det gjaku. "Këta qenër kërkuan NATO-n".

"I kam dhier mu në shpirtin shqiptar", iu përgjigj tjetri.

"Shiko, le të hedhim ca granata kështu që shtëpia të digjet. Më mirë të mos lëmë shenja që t'i gjejnë të tjerët"

Burrat i heqin siguresën dy granatave të dorës dhe i lënë në shkallë, të cilat duke qenë prej druri do marrin flakë lehtësisht. Me shpejtësi ata u larguan. E shtrirë mbi trupat e fëmijëve Halishja dëgjoi dy shpërthime, që nuk shkaktuan dot zjarr. Ndoshta mjekëroshave nuk iu intereson shumë për të djegur shtëpinë pasi nuk kthehen pas të kontrollojnë a t'i torturojnë sërish. Ndoshta janë shumë të zënë. Trupat e NATO-s janë në Prishtinë dhe brenda një dite ato do jenë dhe në Pejë. Ndoshta atyre iu duhet të bëjnë bagazhet gati për t'u larguar para se të nisen nga malet drejt Rozhajës.

Kanë kaluar 30 minuta që kur paraushtarakët erdhën në shtëpinë e Isait. Tani ora shënon 10 e mbrëmjes.

Pesë nga shtatë fëmijët gjenden në kauç me trupat e copëtuara nga plumbat. Katër prej tyre janë të vdekur. Nita ka humbur vetëdijen, por është ende gjallë. Nëna e saj, Vjollca edhe ajo ka vdekur. Halishja është qëlluar tetë herë, në krah, në kraharor në gjoks. Burrat menduan se ishte e vdekur. Edhe Halishja beson se shpejt do të vdesë.

Halishja tërhiqet dhe sheh mbi kauç trupat e fëmijëve njëri-mbi tjetrin si dhe Vjollcën. Zvarritet nëpër tërë shtëpinë duke kërkuar kush ka mbijetuar, por nuk gjen askënd. Mahia dhe Roni janë të heshtur në tmerrin e tyre. Kontrollon në banjë, në depo derisa gjaku është ngado dhe ajo duke u mbajtur në mure i lyen ato gjithë gjak.

Kthehet sëish në dhomën e ndenjjes ku sheh se Nita është ende gjallë, por e plagosur rëndë.

"Oh loçkë, tani duhet të shkojmë", thotë Halishja. "Duhet me shku në spital".

"Nuk e lë mamin", thotë Nita. "Nuk e lë, jo, ajo do zgjohet shpejt."

Halishja përpiqet ta bindë Nitën, por ajo nuk do të largohet.

10 minuta pas breshërive Isai kthehet në shtëpi vetëm. Është i tmeruar nga ajo që beson se do gjejë në shtëpi, vrasësit dhe kufomat e fëmijëve.

Berenda në shtëpi janë Halishja dhe Nita, dhe dëmet e shkaktuara nga granatat, gjaku dhe ajo pishinë e errët gjaku në dhomën e ndenjes. Isai dhe Halishja flasin nxitimthi, pa kuptim derisa askush nuk e dëgjon njëri-tjetrin. Isai përpiqet ta marrë Halishen me vete e të largohen nga shtëpia. Ai është i tmerruar se ata do kthehen sërish. Tani është rradha e Halishes të mos pranojë t'i lërë kufomat vetëm. Fëmijët e saj kanë vdekur dhe ajo është qëlluar aq shumë herë, po humb aq shumë gjak sa që padyshim do të vdesë së shpejti.

Ajo do të qëndrojë me ta.

Isai largohet të shohë sërish Vetonin dhe kur kthehet nuk e gjen Halishen aty. E frikësuar për vdekje se ata do ktheheshin prapë Halishja hidhet nga ballkoni dhe troket tek shtëpia e Rizës. Më vonë në ditarin e tij Riza shkruan: " Ia hapa derën. Mezi qëndronte në këmbë. E ndihmova të hynte brenda dhe pashë se ishte e mbuluar në gjak. E vendosëm në qilar si vendi më i sigurt, kurse ajo na tha se ishte plagosur në gjoks. Ajo nuk pushonte së qari e së rënkuari për fëmijët, duke thënë se nuk ka më kuptim të jetonte pa fëmjët, jeta e saj nuk vlen më asgjë. Ishte errësirë e thellë, aq sa nuk mund të shikonim as se ku ishin plagët. Edhe fëmija i saj qante. Isai nuk po dukej. Më vonë e pamë se kishte hemorragji të madhe nga e cila dhe mund të vdiste, por si ta ndihmonim kur nuk kishim as dhe një shkrepse të vetme. Breshëritë e plumbave dëgjoheshin papushim dhe nga drejtime të ndryshme. Tani as mund ta mendonim të largoheshim nga shtëpia. Si mund ta linim të plagosurën vetëm. Ta merrnim me vete ishte e pamundur pasi ajo nuk mund të ecte. Nga ana tjetër nuk e mbanim dot, pasi ishte e rëndë, mbi 100 kile. kështu ia lëmë veten në dorë fatit."

Ende në shtëpi Isai gjen Ronin në dhomën e pasme dhe vendos që të mos ta lërë tek shtëpia e Rizës në mënyrë që familja të kishte më shumë gjasa t'i mbijetonte sulmeve të tjera të paraushtarakëve. Isai e lë nënën në dhomën e saj dhe del në rrugë së bashku me Ronin. Nita nuk pranon të largohet nga e ëma dhe mbetet aty e shtrirë në mesin e të vdekurve, derisa plagët i kullonin gjak në kauçin edhe ashtu të zhytur në gjak.

Në cepin e një shtëpie të djegur, vetëm dy dyer larg shtëpisë së tij Isai hyn në rrënoja dhe e gjen një cep ku çatia ende mbahej. Aty ndihej era e djegjes së dy muajve më parë. Kjo ishte një nga shtëpitë e para të djegura në Brezhnik. Nuk dihet se si, por flakët kishin harruar një shtrat, në të cilin Isai e vë Ronin. Djalin e vogël e zë gjumi. Isanë nuk e zë gjumi. Roni zgjohet herë pas here natën dhe kapet pas Isait i trembur nga ëndërrat e këqija. "Mos ki frike. Fli", ia kthente Isa.

I ulur mbi mbulesat e shtratit, me kokën pas murit, Isai shtrin qafën. Është e dhimbshme, e padurueshme, e mbushur mëri. Kjo është hera e parë që i duhet të mendojë. Ka parë t'i vriten fëmijët, derisa nuk e di ku e ka vëllanë. I kujtohet hakërrimi i Baçkoviçit se do të vriste të vëllanë me thikë, duke e prerë në copa.

Riza për atë natë shkruan në ditarin e tij: "Halishja rrinte pa bërë zhurmë vetëm nuk pushonte duke këkruar ndjesë për shqetësimin që na kishte shkaktuar. Nuk ankohej për dhimbjet e veta, vetëm donte të kthehej në shtëpi që të mos na dëmtonte ne. Shihja në të një shpirt të madh e bujar. Breshërtië dëgjoheshin ende.

Halishja më tha se kishte ftohtë pasi e pyeta si ndihej. E mbuluam sërish dhe e vendosëm në kauç dhe i kërkova të mbahej dhe e këshillova të mos lëvizte shumë që të kufizonte humbjen e gjakut. Isai ende nuk erdhi. Druheshim se e kishin vrarë dhe atë".
Rreth orës 5 të mëngjesit Isa zgjon Ronin dhe ata ecin në rrugë drejt qendrës së policisë. Riza kryqëzohet me ta dhe ndihet i lumtur që janë gjallë.

"Pas gjysmë ore vjen Isai me djalin e Musës", shkruan Riza. "Ai tha se kishte qenë në qendër dhe kishte kërkuar ndihmën spitalore për Haliishen dhe Nitën. Ata i kishin premtur se urgjenca do të vinte"

Isai gjeti një polic serb që e njihte me emrin Kaplan e që ra dakord t'i çonte Halishen dhe Nitën në spital. Isa trembej nga Kaplani. Ai e pyeti se kush e kishte bërë këtë.

"Miniç dhe njerëzit e tij", i tha Isa.

"Më vjen keq. Kjo nuk është në rregull", tha Kaplan.

Ai po i çon ata në spital që gjendet në pjesën perëndimore të qytetit në rrugën që të çon nga Patriakana dhe gryka e Rugovës. Halishja dhe Nita qëndrojnë afër njëra-tjetrës, e megjithëse kanë kaluar 12 orë ende u rrjedh gjak. Ato janë tepër të këputura.

"Faleminderit Zotit ti ke shpëtuar", i pëshpërit Nita Halishes. "Ti do kujdesesh për mua njësoj si mami, apo jo?"

"Po loçkë." Halishja e ndjen përqafimin e butë të Nitës.

Kur arrijnë në spital Halishja dhe Nita rrethohet nga një numër motrash medicionale shqiptare që kishin mbetur. Ato i çojnë menjëherë tek kirurgjia, ku në shërbim është një mjek serb. Ai quhet Jovica Marinkoviç. Në Pejë nuk kanë mbetur mjekë shqiptarë. Marinkoviç është mjek ushtarak, është me uniformë. Shikon gruan dhe vazjën e vogël dhe i drejtohet Isait "Duhet t'i japim gjak menjëherë". Mjeku pyet për grupin e gjakut të Halishes dhe Nitës. "Sa anëtarë të familjes të kanë vrarë" pyet doktori Isën. "Pesë, kurse vëllai është zhdukur", thotë Isa. Marinkoviçi bë kryq dhe pyet" Si mund të bënin një gjë të tillë? Si? Shiko unë do përpiqem t'i shpëtojë. Mos ki frikë se jam serb. Do të bëjë gjithçka mundem".

Isa largohet nga spitali pasi ka lënë atje gruan dhe mbesën. Ka një energji brenda tij. Ai nuk mund ta përballojë idenë se macet mund të lëpijnë gjakun dhe trupat e familjes së tij, apo se mund të marrin erë në të nxehtën e qershorit. Ai nxiton drejt shtëpisë dhe gjen qese plastike dhe i vë në katin nën tokë ku është freksët e ku fëmijët rrinin gjatë bombardimeve. Riza është me Isanë dhe e ndihmon. Një nga një ata i marrin trupat nga dhoma e ndenjjes nëpër shkallë dhe i sjellin poshtë duke i shtrirë në plastikë. Riza ndihet i pafuqishëm kur shikon se një pjesë e kokës së Dardanes nuk është shkëputur nga breshëritë. Derisa Isa e ngre në krah kufomën e Dardanes pjesë nga truri dhe kafka bien në dysheme. Isait i duhet të mbledhë me dorë trurin e së bijës. Edhe një pjesë e kokës së Agonit të vogël nuk është në vend.

Kur ata janë të gjithë në katin nën tokë ai i mbyll plastikat dhe sigurohet se tani asnjë kafshë nuk do ushqehet me trupat e fëmijëvë të tij.

... Në spital Marinkoviçi operon së pari Nitën, gjendja e së cilës është më e rëndë. Ajo vdes gjatë operacionit. Pesë nga shtatë fëmijët tani janë të vdekur.

Më pas ai i shpëton jetën Halishes. Në dhomën e operacionit ai i tregon asaj se ishte qëlluar tetë herë, gjashtë herë në trup dhe dy herë në krah dhe se ishte me fat të mbijtonte pas kaq orësh duke humbur gjak.

Ai i thotë se ajo duhte të qëndrojë në sital për dy muaj e të pushojë, derisa i shpreh keqardhjen për vdekjen e fëmijëve. Ai i tregon se Nita vdiq.


 

Copyright © 2004 PASQYRA.COM ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË