NUMĖR 82
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
 
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
EDITORIAL VITI VII - 6 PRILL 2005

Stina e nxehtë e zgjedhjeve

Tirana dhe zgjedhjet

E nxehta e kësaj vere në Shqipëri ka filluar të ndihet më herët. Dhe kjo ka të bëjë me lëvizjet e partive dhe drejtuesve politikë në të gjithë vendin, në një fushatë zgjedhore që ka filluar muaj përpara datës së zgjedhjeve.

Natyrisht si përherë kësaj atmosfere nuk i kanë munguar sharjet dhe fyerjet reciproke, veçanërisht mes partive të mëdha. Nuk i kanë munguar as grindjet e stërzgjatura rreth hartës zgjedhore dhe as premtimet e papeshuara.

Padyshim që nuk do të kishte zgjedhje pa ndërkombëtarët, që si zakonisht këto vitet e fundit janë "melmësat" e ngjarjeve në Shqipëri.

Bashkimi Evropian i ka vënë zgjedhjet e përgjithshme të kësaj vere si kusht për përmbylljen e proçesit të asocim-stabilizimit me Shqipërinë. Mbajtja e zgjedhjeve të lira e të ndershme është prova që duhet ta kalojë Shqipëria zyrtare në verën e këtij viti. Në fakt së fundi edhe Moldavia, vendi më i varfër në Evropë, me probleme territoriale të pazgjidhura, në të cilat është përfshirë drejtpërdrejt dhe Rusia, arriti të mbajë zgjedhje të pranueshme për standardet ndërkombëtare.

14 vjet pas zgjedhjeve të para shumëpartiake Shqipëria sërish është ende në të njëjtat ujëra, në ato ku luftohet për mbijetesë.

Prishtina dhe fillimvera

Pas fund majit, kohë kur do të bëhet evaluimi i përmbushjes së standardeve të përcaktuara për Kosovën nga bashkësia ndërkombëtare, vera do të jetë koha kur do diskutohet mundësia e hapjes së bisedimeve për statusin përfundimtar të Kosovës.

Shqiptarët në Kosovë besojnë se kjo është koha e fundit për hapjen e statusit, pasi çdo shtyrje do ta rëndonte gjendjen. Ka deklarata të shumta mbi pasojat e shtyrjes së bisedimeve, por jo edhe analiza serioze mbi pasojat të bëra nga institucionet apo struktura të tjera vendore.

Një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare vazhdon të bëjë lojën e strucit me dëshirën që bisedat për statusin të shtyhen sa më tej. Kjo e ka arsyen e thjeshtë – paaftësia për t'u përballur me një problem të tillë.

Megjithatë për hir të së vërtetës një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare, ndoshta jo më e fuqishmja numerikisht, beson ndershmërisht se kjo është koha e fundit për vendosjen e statusit të Kosovës.

Pikërisht vendimi mbi hapjen apo jo të bisedimeve për statusin do të ndodhë këtë verë. Kjo kohë vendimmarrje përkon me kalimin e provës së Shqipërisë, provë në të cilën Tirana zyrtare po rrëzohet prej 14 vitesh.

E ndonëse Prishtina e Tirana përpiqen të krijojnë përshtypjen se kanë pak lidhje me njëra-tjetrën, madje më pak se dy fqinj të mirë, zgjedhjet në Shqipëri dhe vendimi për statusin do të ndikojnë tek njëri-tjetri. Një provë e pakaluar nga Shqipëria do ta vështirësojë vendimin për fillimin e bisedimeve për statusin. Ndërsa zgjedhjet e ndershme në Shqipëri, të pranuara nga të gjithë, së paku do t'i heqin një argument më shumë burokratëve evropianë se shqiptarët duhen shtyrë për një kohë tjetër...


 

Copyright © 2004 PASQYRA.COM ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË