| Shqipëria
fortifikohet para Vitit të Ri
Shkruan
: Skerdi SIKA
Në
këtë mbarim të dhjetorit në Shqipëri, mediat
ia kanë kallur datën publikut. Në gazeta, TV e radio
transmetohen pa kritikë komikata luftarake nga Ministria e
Rendit, që spikasin numrin e efektivave të policisë
rrugore të komanduar në të gjitha udhëkryqet
e vendit. Policia kriminale, sigurimi, doganat, deri edhe ushtria
e shtjerrur nga fondet, të gjithë kanë nxituar kolektivisht
të shpallin gjendjen e gatishmërisë, thuase pritet
të aterrojë jo Babadimri, po Bin Ladeni & Co.
Shikuesi i mësuar i teatrit politik në Tiranë s’e
ka të vështirë (po mbase të pështirë)
ta njohë aktrimin entuziast të dhelprës socialiste,
tek loz „mbrojtësin e shtetit“ këtyre ditëve
të fundit të vitit të vjetër. Mjerisht për
shqiptarët, dhelpra s’është rojtar i mirë
i koteceve.
Sigurisht që po t’i kish mbrojtur qeveria socialiste
përnjëmend vezët e shqiptarëve, atëhere
bashkësia ndërkombëtare s’do t’i kish
kritikuar për agresivitet politik, pasivitet politik, e korrupsion.
Shqipëria s’do të ishte edhe simjet e mbrama në
rreshtin e gjatë drejt BE-së, e jashtë të gjitha
listave për anëtarësim në Nato.
Natyrisht, Nano & Co. do t’ju shprehin bindje krejt tjera.
Po t’i shikoni statistikat zyrtare të shtetit, të
krehura nga floktarët socialistë, do të mahniteni
me një bum të pashembullt ekonomik. Sipas tyre, rritja
ekonomike e Shqipërisë, 6 përqind, ka ritme më
të larta se në të gjitha vendet e BE-së, madje
më të larta se krejt BE marrë tok, që mezi rrok
3-4 përqind. Inflacioni shqiptar, zyrtarisht 3 përqind,
është më i ulët se sa ai suedez. Rezervat valutore
të Shqipërisë, 1.2 md USD, janë proporcionalisht
më të mëdha se sa ato në atdheun dhe burimin
e dollarëve, në SHBA – gjithnjë sipas statistikave
vjetore të qeverisë socialiste.
Në rastin më të mirë, këto shifra janë
komplet gënjeshtra. Në rastin më të keq, ato
madje mund të jenë edhe gjysmë të vërteta.
Gjë që do të shpiente në pyetjen normale, se
athua ku vajtën lekët nga tërë kjo ngritje marramendëse
e ekonomisë shqiptare?
Një gjë është e prerë, që te qytetari
i rëndomtë shqiptar s’gjen dot lekë edhe po
ta shtrydhish. E ku të ketë, me një papunësi
të regjistruar prej 25 përqind, më të madhen
në tërë Evropën pas Kosovës? Ka qytete
si Shkodra e Kuçova, papunësia i kapërcen 40 përqind!
Ndërmarrësit shqiptarë s’mund ta ngopin tregun
vendor as me bukën e gojës, 90 përqind të ushqimeve
importohen. As shteti s’ka përfituar gjë për
të qenë: investimet e shtetit simjet ishin 5 md lekë
më të ulëta se ato të planifikuara për
vitin 2001. Pra, ku vajtën lekët?
Përdoreni metodën e eliminimit, pa do gjeni përgjegjen.
Përfituesi i vetëm eventual nga një rritjeje ekonomike
në Shqipëri është krimi i organizuar. Rrjeti
i trafiqeve ilegale të njerëzve, lëndëve, e
armëve. Elementare, i dashuri Uotson. Elimino të pamundurën,
e ajo që mbetet, sado e pabesueshme, është e vërtetë.
Ju mund të mos më besoni mua. Por do t’i besoni
Bankës Botërore. Në raportin e vet zyrtar për
v. 2004, eksperët e BB thonë troç që s’mund
ta konstatojnë, por as ta përjashtojnë, një
rritje eventuale në brutoprodhimin kombëtar të Shqipërisë.
E nëse ai ekziston, atëhere sigurisht që burimin
s’e ka te nismat qeveritare, po te ”ekonomia gri”.
Te emigracioni, trafiqet, prostitucioni. Pa më thoni ju, kush
qëndron pas këtyre në botën e civilizuar, shteti
apo krimi?
Problemi është, se Shqipëria nuk numërohet dot
në botën e civilizuar. Më vje keq ta them, por atdheu
s’ndihmohet dot nëse gënjejnë edhe gazetarët.
Hapi i parë drejt shërimit është diagnoza e
saktë.
Në Shqipëri dallimi mes shtetit e krimit është
fshirë qëmoti, qysh në kohën e regjimit të
Sali Berishës. Shteti e krimi janë bërë partnerë,
që nganjëherë vërtet vriten e priten, po që
në shumicën e rasteve bashkëpunojnë për
ta rritur profitin e përbashkët. Me pasoja të mnershme
për qytetarin e rëndomtë. Për mua e ty, e për
fëmijët tanë gjer në brezin e tretë –
kur shpresoj se do t’i vje radha edhe Shqipërisë
të integrohet në Evropë.
Këtu kah fundi, mos ta gënjejë askënd mendja
se ata tjerët, pra opozita, janë tëlyen i shkrirë.
Një gjëmë si kjo s’do ta godiste vendin po
të kishte opozitë të pastër. Një opozitë
e pakomprometuar do ta kish përmbysur regjimin qëmoti,
si të mos kish qenë fare. Por shtetasit nuk i besojnë
opozitës, meqë shohin te ajo shpresa tinzare që të
bëjë njësoj si qeveria, sapo të marrë pushtetin.
E në rrethana të tilla, shtetasi i urtë më mirë
e lë në pushtet kriminelin e ngopur, se sa e ngrit atë
të uriturin.
Në dritën e këtyre fakteve, s’do mend që
qeveria socialiste do të shpallë shtetrrethim virtual
para Vitit të Ri. Po të mos ishte ky eveniment ceremonial,
athua si do të bënte qeveria për ta përhapur
iluzionin se gjoja në vend mbizotëron rend e rregull?
|