NUMĖR 81
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
 
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
EDITORIAL VITI VI - 31 DHJETOR 2004

Haga si topuz

Shkruan : Xhafer SHATRI

1. Marrja cullak

Zgjedhjet e fundit në Kosovë u mbajtën pa ndonjë problem të madh. Atyre u qitën hije bojkotimi serb dhe rinumërimi i votave, por megjithatë rezultatet u pranuan nga të gjithë si të rregullta dhe të drejta.
Cuditërisht tensioni u ngrit më shumë pas zgjedhjeve, për arsyen e thjeshtë se duhej ndarë kulaçi i pushtetit.
Jo vetëm në prag të zgjedhjeve, por edhe gjatë fushatës zgjedhore janë dalluar vijat e koalicioneve paszgjedhore. Është vërejtur qartazi një koalicion i mundshërm LDK-AAK në një anë dhe PDK-Ora, në anën tjetër. Një gjë krejt normale sidomos në zgripcin që ka vënë partitë politike Korniza Kushtetuese, e cila në mënyrë arbitrare penalizon jetën politike në vend duke rritur numrin e deputetëve me 20 minoritarë të pazgjedhur dhe duke zvogëluar rezultatet në mënyrë krejt fiktive.
Pas publikimit të rezultateve kishim dy diskurse: «do t’i ndërtojmë institucionet së shpejti në përputhje me vullnetin e shprehur në votime» (Rugova) dhe «kemi nevojë për institucione gjithëpërfshirëse » (Thaçi).
Në këtë mesokohë hamendjesh ndërhyri Gjykata e Hagës. Ndërhyri në atë mënyrë që nuk i bën nder gjyqësisë. Burime të informuara mirë shpërndanë informatën e gjymtë se Ramush Haradinaj do të merrej në pyetje nga hetues të Tribunalit lidhur me disa krime që janë kryer gjatë luftës në Kosovë. Për të qenë i saktë këtë gjysmë të vërtetë e bënë të njohur gazetarët e Kosovës, të cilët e fshehen pjesën tjetër të lajmit: sepse nga hetuesit e Tribunalit për të njëjtat gjëra e në të njëjtën kohë ishin marrë në pyetje edhe dy drejtuesit më të lartë të PDK-së.
Por kjo ishte praktika tashmë e njohur e gejshe-gazetarëve të Kosovës, që janë aq të shumtë dhe që po e ndotin ambientin e Kosovës edhe ashtu plot skllotë e mjegull.
Me një fjalë, të dy kandidatët për kryeministër të Kosovës, Thaçi dhe Haradinaj u shënjuan nga Tribunali si kandidatë të mundshëm për Sheveningen. Ky është deri me tash implikimi më i drejtpërdrejtë i Tribunalit në politikë. Thuajse Kryeprokurorja nuk kishte pasur kohë më të përshtatshme për t’i marrë ata në pyetje tash e pesë vjet me radhë, por kishte gjetur kohën e paszgjedhjeve e që, normalisht, nuk mund të lexohet ndryshe pos si përpjekje e dënueshme për të penguar ose për të vështirësuar në maksimum ndërtimin aq të nevojshëm të institucioneve të Kosovës.

Pavarësisht nga kjo hallakamë, LDK dhe AAK mundësuan marrëveshjen për koalicion, sipas të cilës Rugova do të bëhet kryetar i vendit, ndërkaq Haradinaj kryeministër. Nga njohësit e rrethanave politike në Kosovë ky koalicion është pritur, por ajo që nuk është pritur ishte reagimi i kolonës së pestë të atyre që ishin
«për institucione gjithpërfshirëse». Nuk është në pyetje vetëm thashethemnaja, por edhe shkrime e denoncime të pamoralshme ku burgosja e Haradinajt u shit e po shitet si një fakt i kryer!

Por këtë nyje të sajuar edhe nga shqiptarët shpirtvegjël e preu me shpatë guvernatori i Kosovës, Petersen, kur tha: Nëse i them jo Haradinajt kryeministër, i them jo Demokracisë! Ky qëndrim i Kryeadministratorit i pruri dinjitetin në vend politikës ndërkombëtare të kompromentuar keq në Kosovë dhe bëri me dije se Ai paskesh ardhur këtu jo për të bërë pisllëqe, siç jemi mësuar t’i shohim e t’i ndiejmë në kurriz, por për të ndërtuar një paqe dhe një demokraci të qëndrueshme.

Siç dihet, Tribunalin e Hagës e ka formuar Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara. Ky organ suprem ndërkombëtar udhëheq dhe administron sot me Kosovën. I takonte këtij organi e askujt tjetër të thotë : «Ky politikan apo ai tjetri nuk mund të merret me politikë», siç ka vepruar më së njëherë Eshdauni në Bosnje e Hercegovinë. Por kjo do të duhej thënë larg para zgjedhjeve dhe këtë duke ua bërë me dije personave përkatës jo përmes kalemxhinjve mercenarë, por zyrtarisht me shkresë recommandé.


2. Drejtësia në pazarin e politikës

Tribunali i Hagës është një vazhdimësi e Gjykatës Ndërkombëtare të Nurenbergut dhe ka për qëllim të hetojë e të dënojë kryerësit e krimeve që janë bërë gjatë luftërave dhjetëvjeçare në ish-Jugosllavi. Në kompetencat e Tribunalit, natyrisht, është edhe Kosova.
Edhe pse në statutin e Tribunalit nuk përcaktohet shkoqur, megjithatë nga ai del se në radhë të parë ndiqen personat të cilët kanë vepruar në emër të shtetit, natyrisht duke pasur post komandues politik ose ushtarak, me një plan të caktuar që ka pasur për synim zaptimin e territoreve dhe ndryshimin me përdhunë të strukturës së tyre etnike. Pra njerëzit që kanë ekzekutuar sistematikisht një plan konkret strategjik, i cili nuk ka mundur të realizohet pa krime të llahtarshme siç janë krimet që lidhen me emra konkretë : Vukovari, Srebërnica, Reçaku, Meja, Izbica etj.

Fillimisht Tribunali ka ndjekur një vijë që quhet drejtësi, një vijë që ua bënte me dije viktimave të panumërta të vrara ose të gjalla se drejtësia me çdo kusht ka për t’u vënë në vend dhe se xhelatët e tyre nuk do t’i shpëtojnë tehut të saj.

Por me kohën Tribunali, konkretisht Kryeprokurorja, doli nga kuadri i mandatit që ka dhe filloi të sillet si star. Carla del Ponte po shihet se i ka harruar krejtësisht viktimat dhe ka hequr dorë nga detyrimi që ka ndaj tyre. Ajo, e shtyrë mjeshtërisht nga qarqe politike, si duket i ka vënë vetës për detyrë t’i bëjë lëmsh xhelatët dhe viktimat.
Nuk e kam dëgjuar asnjëherë Zonjën Del Ponte të përmendë me një fjalë të vetme përdhosjen e kufomave të shqiptarëve të masakruar, të cilat janë dërguar në Serbi dhe mbi të cilat janë mbjellë kopshte nëpër kazerma, janë ushqyer peshqit nëpër liqene apo janë ndërtuar rrugë të asfaltuara.
Unë nuk kam dëgjuar asnjëherë dikë nga Tribunali (do të dëshiroja shumë të jem gabim!) të flasë apo të kërkojë llogari për krematoriumin në Fabrikën e Surdulicës «Maçkatica», ku, në
«stufat fushore» nr. 4 e 5, u dogjën kufomat e dhjetëra shqiptarëve të vrarë, në mesin e tyre edhe fëmijë. E personat që i kanë bërë këto krime sot janë shëndoshë e mirë dhe në funksione të larta zyrtare në shtetin që quhet Serbi.


3. Shkrimi i historisë

Lideri serb Vojisllav Koshtunica e ka thënë më se njëherë se në Hagë po shkruhet historia. Këtë mesazh të tijin e ka marrë seriozisht Carla del Ponte dhe ka vendosur ta shkruajë historinë në mënyrën e saj: të gjithë janë fajtorë; edhe serbët, edhe kroatët, edhe boshnjakët edhe shqiptarët. Sepse të gjithë kanë bërë krime! Kësaj teze të rrezikshme i vënë çandra, mjerisht edhe qarqe të caktuara politike perëndimore, të cilat, duke i fajësuar të gjithë e duke i vënë në të njëjtin cung, mbi këtë bazë duan të marrin vendime politike që drejtpërdrejt lidhen me të ardhmen e kufijve në rajon.
Dhe kjo jo pa arsye:

1. Shteti serb, sidomos 23 vjetët e fundit, ka bërë çdo gjë të mundshme për t’i asgjësuar shqiptarët e Kosovës. Në luftën e fundit Serbia ka pasur në Kosovë 180'000 trupa me të cilat ka komanduar gjenerali Nebojsha Pavkoviç, ndihmësit e tij kanë qenë gjenerali i ushtrisë Lazareviç dhe ai i policisë, Llukiç. Që të tre gati tash një vit janë të akuzuar nga Tribunali i Hagës për krimet e kryera në Kosovë.

Asnjëri prej tyre sot nuk ndodhet në Hagë, sepse Koshtunica nuk po i dërgon atje. Siç nuk ka lejuar ta dërgojnë atje as kasapin e Srebrenicës, Ratko Mladiçin, as shefin e tij, Radovan Karaxhiçin.

2. E ndodhur nën presion financiar dhe politik, Carla del Ponte, siç po e dëshmon koha, është futur në pazar me Beogradin. Siç po shihet Koshtunica i ka premtuar se do t’ia çojë në Hagë ndonjërin prej ushtarakëve serbë me kusht që ajo të ngrisë një aktakuzë kundër një personaliteti shqiptar siç është Ramush Haradinaj. Kjo do të mund t’i ndodhte gjithsesi edhe Hashim Thaçit po të ishte zgjedhur kryeministër. Sepse duhet shkruar historia. Sepse shteti serb nuk pranon kurrsesi të ulet i vetëm në bankën e zezë të të akuzuarit.

3. Gjykimi në Hagë i një personaliteti kyç të luftës, siç është Haradinaj do ta lehtësonte shumë pozitën negociuese të Serbisë në bisedimet për statusin e Kosovës që detyrimisht duhet të mbahen vitin e ardhshëm.

Mu për këtë, Zonja del Ponte e ka lënë definitivisht drejtësinë për çka ka mandat dhe po merret me politikë për çka edhe zogjtë e dinë se nuk ka mandat.

4. Pavkoviç dhe Haradinaj

Nebojsha Pavkoviç ka kryer të gjitha shkollat ushtarake në ish-Yu. Ai në Kosovë ka komanduar me 180'000 trupa të rregullta duke pasur përballë asnjëherë më shumë se 4000 luftëtarë shqiptarë të armatosur dobët dhe të organizuar keq. Mu për këtë prandaj pjesa dërrmuese e trupave serbe janë marrë me popullsinë civile: kanë vrarë, kanë terrorizuar, kanë përdhunar. Më në fund gjysmën e popullsisë, pasi ia kanë marrë krejt të hollat që ka pasur dhe krejt dokumentacionin identifikues ose pronësor, e kanë nxjerrë jashtë Kosovës.
Të vrarët i kanë nxjerrë nga varrezat dhe i kanë dërguar në Serbi.

Pavkoviç ka urdhëruar të kryhen këto mizori duke ekzekutuar një projekt konkret me synim pastrimin etnik dhe duke qenë në një zyrë të ngrohtë, me të gjitha të mirat përreth dhe pa iu rrezikuar as qimja e flokut.
Ramush Haradinaj nuk ka kryer asnjë shkollë ushtarake. Ka qenë punëtor i thjeshtë në Zvicër. Kur e ka parë çka po ndodhë me vendin e tij ka vendosur të kthehet dhe t’u bashkangjitet filizave të para të lëvizjes së armatosur në Kosovë. Ai me shokët e tij të armëve kanë vepruar në Dukagjin, ku operacionet ushtarake dhe përleshjet kanë qenë më të ashprat, sepse trupat serbe kanë qenë më të koncentruarat atje në pritje të një invadimi tokësor të NATO-s përmes territorit të Shqipërisë.
Gjatë gjithë luftës Ramush Haradinaj i ka pasur përballë ushtritë serbe, ndërsa prapa dhjetëra e qindra mijëra civilë, pleq gra e fëmijë dhe është përpjekur t’i mbrojë nga hordhitë e egra të Pavkoviçit.
Gjenerali Pavkoviç dhe pjesa dërrmuese e ushtarëve të tij i kanë pasur shtëpitë dhe familjet e tyre qindra kilometra larg prej aty, ndërkaq Ramush Haradinaj dhe shokët e tij i kanë pasur edhe shtëpitë, edhe familjet aty, ku kanë jetuar gjithmonë dhe ku kanë vepruar gjatë gjithë luftës.
Pavkoviç ka pasur armatime, municion e ushtarë sa i ka dashur qejfi, Ramush Haradinaj ka pasur tmerrësisht pak.
Kjo ka qenë një luftë llahtarisht e pabarabartë dhe mu për këtë të zë llahtari kur e sheh se ata që po e projektojnë medoemos një aktakuzë për Ramush Haradinajn duan të vënë një vijë barazimi mes tij dhe Pavkoviçit.
Nuk ka shembull më konkret e më barbar të barazimit të xhelatit me viktimën. Dhe këtë ka mundur ta bëjë kushdo tjetër, por kurrsesi Tribunali i Hagës, i cili ka aq shumë detyrime morale e juridike ndaj viktimave.

5. Trazimi i gjithë rajonit

Ramush Haradinaj është sot një kryeministër legjitim. Krahas këtij legjitimiteti ai te populli i Kosovës ka dhe një peshë tjetër: Gjatë dhe pas Luftës ka bërë përpjekje për t’ua mbyllë derën ndasive ndërshqiptare. Por çka është më kryesorja nuk ka lejuar të realizohet plani i Millosheviçit, Moskës dhe i ndokujt tjetër për copëtimin e Kosovës, sepse siç dihet në ditët e pasluftës ka qenë e paraparë që territori i Kosovës Përendimore dhe Veriore (Mitrovica) të mbetet në duart të serbëve dhe kufiri i ri të vijëzohet përmes rrugës nacionale Mitrovicë, Pejë, Deçan duke u ngjitur përpjetë deri në Koshare. Në këtë rast nuk do ta kishim vetëm Mitrovicën, por edhe Pejën dhe Deçanin të ndarë më dysh.
Ka qenë e ditur se organet e shtetit serb nuk do t’ia falin kurrë këtë Ramush Haradinajt. Dhe kanë bërë çdo gjë të mundshme që të fabrikojnë «dokumente», «dëshmi» e çka jo tjetër për ta dërguar atë në Hagë. Mediat serbe citojnë prokurorinë e Serbisë të ketë thënë se edhe ajo ka punuar bashkë me ekipin e Carla del Ponte për ngritjen e aktakuzës kundër Ramush Haradinajt.
(A propos, unë nuk përjashtoj aspak mundësinë që qoftë njësitë e Haradinajt, qoftë ato të Limajt etj., të kenë bërë ndonjë faj apo krim dhe jam absolutisht për atë që fajtorët të ndëshkohen, të ndëshkohen pa pardon. Por në asnjë rrethanë nuk mund të thuhet se njësitë e njërit ose tjetrit kanë kryer ‘shkelje të rënda të së drejtës humanitare ndërkombëtare’, ato mund të kenë bërë veprime dhe ekzekutime arbitrare dhe për këto vepra të dënueshme penale dihet se duhet të merren gjyqet vendore e kurrsesi Tribunali i Hagës, sepse sipas Rezolutës themeltare të OKB-së, mandati i Gjykatës Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë përcaktohet si më poshtë :

- Të vërë para drejtësisë personat e dyshuar si përgjegjës për shkelje të rënda të së drejtës humanitare ndërkombëtare ;
- T’ua kthejë viktimave të drejtën që u takon ;
- Ta imponojë të vërtetën gjyqësore për të penguar revizionizmin (rehabilitimin e krimeve dhe kriminelëve, shënim imi)…

Flitet e përshpëritet se deri kah mesi i janarit kundër Haradinajt do të ngritet aktakuza. Pastaj do të bëhet një presion i jashtëzakonshëm mbi të që ai të japë dorëheqje. Sepse nuk ka Trup gjykues që do të pranonte ta gjykojë një personalitet me imunitet që i ka dhënë një parlament i dalur nga votat e lira.
Ndërkohë gjendja në Kosovë do të tensionohet në maksimum. Në këtë rast gjithsesi priten protesta masive dhe KFOR-i do të ndodhet në një pozitë tejet të vështirë. Para bashkësisë ndërkombëtare shqiptarët do të shpallen fajtorë, sepse po duan ta mbrojnë një «kriminel lufte». Këtë tollovi do ta shfrytëzojë Serbia dhe do t’i fusë trupat e saj nëpër enklava dhe kështu do ta përligjë ndarjen e Kosovës. Si dhe në ngjarjet e marsit të kaluar ata nuk kanë nevojë të kenë uniforma. I përkujtoj ata që kanë punë tjera pos Kosovës se, para dy ditësh shtatmadhoria serbe ka vendosur të dërgojë në kufi me Kosovën të paktën një brigadë elite të ushtrisë.
Dhe shpjegimi i mëtejmë i skenarit do të ishte i tepërt. Diplomacia do t’i ndëshkojë shqiptarët e Kosovës duke ua marrë ditën për diell një pjesë të territorit. Por historia, ajo nuk do të harrojë, megjithatë, ta shënojë se në thelb shkaktar i kësaj tragjedie ishte Carla del Ponte që kësaj radhe po bën punën e Beogradit.
Historia do të shënojë gjithashtu se në këtë pisllëk ka marrë pjesë aktive edhe ndonjë jeniçer shqiptar, që për motive shumë të ulëta pranon t’ia ngulë thikën në shpinë jo rivalëve të tij politikë, por Kosovës, drejtpërdrejt.
Se copëtimi i Kosovës do të shkaktojë probleme zinxhir që do ta trazojnë rajonin edhe 50 vjetët e ardhshëm nuk ka asnjë dyshim, por fakti se kjo po lejohet nga ata që kanë ardhur në rajon për ta vënë drejtësinë në vend, është jo vetëm vështirë të shpjegohet, por edhe krejt e pamundur të arsyetohet.


 

Copyright © 2004 PASQYRA.COM ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË