NUMĖR 81
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
 
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI VI - 31 DHJETOR 2004

Dëshirat e mia për Babadimrin

Shkruan: Ardiana SHALA

Pasanikut i punon edhe fati. Gjersa Babadimri, alias Shën Kolli, endej nëpër qiejtë e Evropës dhe Amerikës me sajën e renëve, mbi të varfërit në Azinë Juglindore derdhej vala e vdekjes. Tashti, kur fëmijët e kamur janë shpërblyer, e fëmijët e varfër janë zhdukur, radha i ka ardhur edhe Ballkanit, që ndodhet diku në mes.
Për plakun fluturues, Ballkani është një ndërulje në marshutën e gjatë prej Evroamerikës drejt Azisë sllave. Sa mbaron Krishtlindja perëndimore, fillon Viti i Ri i atyre që ende hamenden. Sidomos aterrimi në Kosovë është i komplikuar. Atij i duhet ta marrë emrin e ri, shpikur prej paraardhësve superkomunistë të serbëve të sotëm superortodoksë, e të huazuar prej të gjithë antiserbëve. Pastaj i duhet t’i lë edhe renët, e t’i ndërrojë herë me kaproj, herë me lepuj, varësisht se si janë kujtuar entuziastët lokalë. E me të mbaruar vizitën e ngatërruar këtu – kujtoni vetëm kufijtë e pashkruar, po vdekjeprurës, të enklavave etnike! – i vje radha maskeradave të reja, për t’u përvjedhur disi edhe te sllavët aziatikë atje kah fundi i janarit.

Po ç’ti bësh, trashalluqët zemërgjërë do ta hanë në këtë botë të komplikuar. Njëfarë ngushëllimi ndoshta është, që në Kosovë të paktën s’do t’ia prejnë fytin, sikur do t’i ndodhte po ta humbiste rrugën e të aterronte në Irak.

Andaj, bazuar në këtë favor jo aq të vogël – dhuratë prej nesh, për ty, o Babadimër! - s’më duket e tepërt nëse e ndjek traditën prej vitit të kaluar dhe e prezentoj publikisht listën e dhuratave të mia të preferuara. Të lutem, Babadimër, lexo me kujdes:

• Barazi gjinore. Në Evropë nuk shtypet femra askund si te shqiptarët. (Në këtë aspekt shqiptarët janë më afër kurdëve e somalezëve se sa evropianëve, po gjeografia qorre…) Burra narcisoidë janë ulur këmbëkryq në ballë të oxhakut në politikë, në ekonomi, në art e kulturë, në muzikë, në gazetari. Aq qejf e kanë njër-tjetrin, e aq zor e kanë gruan, sa hamendet njeriu se kah i kanë preferencat seksuale. Përvoja ime empirike më ka bindur që patriarkalët tanë janë aq bythërëndë, sa duhet ndjekur praktika izraelite, komplet me lotsjellës e plumba gome, për t’i zbuar prej kolltuqeve. (Meqë jemi këtu, ndërro o Babadimër hymnin shqiptar, që u këndon narcisisht burrave shqiptarë, e i lë në harresë ato që u lane bythën atyre kur ishin të vegjël.)

• Zgjedhje normale në Shqipëri. Pra me fitues e të mundur që pranojnë se kanë fituar, gjegjësisht kanë humbur. Kështu si po shkojnë punët, as fituesit s’po e pranojnë ngadhnjimin, meqë fajin për dështimet ia lënë vazhdimisht të mundurve; e as të mundurit s’e pranojnë humbjen, meqë sillen si të kishin fituar, pa pasur gjë prej gjëje në dorë.

• Parlament normal. Përze Babadimër, t’u zbërtheftë saja, e të cofshin në vend renët (e kaprojtë, e lepujt) në 2.000 km lartësi mbidetare, nëse s’i ul qeveri e opozitë bashkë në Kuvendin Popullor. Shenjtorët tjerë, ata që e kishin përnjëmend, ecnin mbi kufoma për t’i arritur caqet e veta: ti o i ngratë mos i lë të të pengojnë dy rrecka mizerable.

• Legjislacion, gjyqe, e prokurori të veçantë për antikorrupsion. Mos u lodh fare për kufinjtë në këtë pikë, kjo paqetë duhet gjithandej.

• Një kryeministër të ri në Kosovë. Këshilltarët, u raftë pika, i thanë Ramush Haradinajt t’i bashkonte miqtë, e t’i përçante armiqtë. Por i thanë para se të regjistrohej në fakultet, e ky i varfëri s’i mori vesh. Ndryshe s’honepset pse i përçau miqtë, e i bashkoi armiqtë. Tashti që do merret në orar të plotë me kryeministrari, druaj se s’ka kohë më fare për studime intelektuale, e vaj halli për keqkuptimet tjera që do t’i ndodhin. Atij e neve.

• Meqë jemi te Kosova, oburra o Babadimër ta shtysh pavarësinë minimumi gjer më 2015. E mundësisht pa kufi. Pa të huajt pranë frerëve, zor që femrat do të ishin 30 përqind në parlamentin e Kosovës. Pa shikoni një çikë ato lëmi ku meshkujt tanë sundojnë: llogore burrash. Jo po, llogore korrupte burrash! Nëse shqiptarët as sot, kur e kanë shembullin (e zorin) e të huajve të civilizuar para hunde, s’arrijnë të krijojnë një mbarëvajtje me barazi gjinore, rritje ekonomike, e pa korrupsion, si do të vejnë vallë punët kur t’i mbartin çaklat ndërkombëtarët? –Zgjat Zot kësi moti!, them unë.

• Në IRJM, ndihmoj Babadimër atij Ali Ahmetit, se ndryshe do t’i dalë tymi krejt vendit. Hapju sytë superpatriotëve shqiptarë të shohin, se më mirë një IRJM-zë 1.5 milionëshe në kufi të Shqipërisë, se sa një Bullgari 20-milionëshe. Si dhe superpatriotëve sllavomaqedonas të kuptojnë, se tanket e Bullgarisë 20-milionëshe do t’i shtypnin më së pari fshatrat e tyre.

Nëse s’e mundësi t’i plotësosh të gjitha këto dëshira (e kuptoj që janë shumë për një lazdrane si unë) atëhere mjafton të ma sjellësh një datalojë në shqip, që çuni im ta mësojë edhe shqipen nga datori, kështu sikur po e mëson gjuhën e vendit ku banon.


 

Copyright © 2004 PASQYRA.COM ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË