| Arshi
Pipa: diversanti i fundit në Shqipëri
Hektor
ÇIFTJA*
Ardhja
e parë si diversant:
Shqipëria,
gjatë 50 vjetëve, jo vetëm ishte shteti ku mungonin
plotësisht liritë e të drejtat e njeriut, por ishte
edhe vendi më i mbyllur në mënyrën më fantazmagorike,
ku shqiptaret nuk dinin absolutisht asgjë se çfarë
ndodhte përtej kufijve shtetërore. Aq sa nëpër
shkolla nxënësit i përfytyronin piramidat e kufirit
jo si gurë shënjues, por si vende ku bëheshin luftime
midis atyre që vinin nga jashtë, agresorëve, e që
ishin domosdoshmërisht armiqtë e atyre që ishin mbrenda
e që mbroheshin deri në vetësakrifikim. I tërë
kufiri u rrethua me tela me gjemba, kryesisht për të mos
lejuar arratisjen e shqiptarëve. Nëse dikush, me leje
të studiuar mirë nga organet kompetente, do të kapërcente
kufirin për të shkuar qoftë deri në Kosovë,
bie fjala për ndonjë ndeshje sportive, jo më shumë
se sa një javë, ai njeri quhej “i shëtitur”:
një bluzë e blerë atje do të ruhej si fetish,
simbol që tregonte epërsinë e tij ndaj çdo
shqiptari tjetër. Ndersa i huaji më i famshëm e për
të cilin shqiptarët kishin dëgjuar më shumë
ishte ndoshta Zhoa Amazona, i cili financohej nga ambasada shqiptare
për të shpërndarë librat e diktatorit në
Brazil. Ndërsa në familje burri ndjehej “më
burrë” nëqoftëse arrinte të ndërtonte
një paisje të veçantë për televizorin,
në mënyrë gjysëm klandestine, për të
shmangur zhurmuesit e instaluar nga qeveria, e për të
arritur të shikonte në orët e vona të natës
ndonjë program në kanalet televizive në gjuhë
të huaj të shteteve fqinj. Për shkak të luftës
së egër në çdo drejtim ndaj institucioneve
dhe besimeve fetare, shumica e shqiptarëve filluan ta shoqërizojnë
në mendje figurën e priftit jo si njeri që merret
me punët e fesë, por si një agjent sekret, me veladon
të zi, që punonte vetëm për të shkaktuar
kryengritje të armatosura. Një nga librat zyrtarë
të detyrueshëm për t’u lexuar nga të gjithë
shqiptaret ishte libri i diktatorit “:Rreziku anglo-amerikan
për Shqipërinë”, ku midis të tjerash i
lihej porosi të gjithë udhëheqësve të ardhshëm
të mos lejonin që në Shqipëri të hynte
asnjë i huaj me mjekër, sepse aty agjentët anglo-amerikanë
mund të fshihnin paisjet e tyre (“Comrade Lolou and the
Fun Factory”, nga Cali Ruschala, http://www.diacritica.com/degenerate/5/enver.html)
Le të vijmë tani tek Arshi Pipa. Shumë shqiptarë
të brezit të viteve ’80-të nuk do ta kishin
idenë se kush ishte Arshi Pipa sikur të mos kishte folur
vetë udhëheqësi në një kontekst tragjik
që lidhej me vetëvrasjen misterioze dhe mbretërore
të ish-kryeministrit. Mehmet Shehu ishte ushtarak i lartë
me shkollim perëndimor, marksist nga ata që shkuan vullnetarë
në Spanjë në vitet ’30-të, bashkëpunëtor
i diktatorit në të gjitha nismat e mëdha, (kupto
edhe krimet e mëdha), deri në shkëputjen banditeske
nga Bashkimi Sovjetik, i mbijetuari i të gjitha spastrimeve
në parti e shtet, dhe kandidati i vetëm për vendin
e diktatorit mbas vdekjes së tij, si pasojë kjo e lidhjeve
të fuqishme familjare në kupolën e partisë.
Kur diktatori e rrëzon këtë njeri deri në vetëvrasje,
një nga akuzat e mëdha që i bën ishte që
lejoi që djali i tij të fejohej me mbesën e Arshi
Pipës. Për shqiptarët e mbyllur e të izoluar
ishte vegimtar fakti që A.Pipa jetonte në Amerikën
e fortë dhe antikomuniste nga ku vinin vetëm diversantë.
Aq më tepër që përderisa kryeministri rrëzohet
nga pushteti vetëm sepse djali fejohet me mbesën e Pipës,
patjetër që ky Pipa duhej të qe shumë i rrezikshëm.
Në shkolla, televizion, shtyp, e në mbledhjet e përjavshme,
çdo shqiptari, sa herë që flitej për kryeministrin
e rrëzuar, aq herë, në një mënyre apo tjetër
do t’i përmendej Pipa. Ky kontakt i panatyrshëm
që shqiptari krijoi me figurën e Pipës, është
ajo që unë po e quaj këtu si ardhja e Pipës
si “diversant” në Shqipëri, sepse i një
natyre të përafërt ishte imazhi i rremë psikologjik
që u krijua për të mbrenda kufijve, sidomos për
shkak të izolimit të vendit dhe fushatave të vazhdueshme
të “shpëlarjes së trurit”.
Ardhja
e dytë si diversant:
Ndoshta
askush nga brezi i 30vjeçarëve e lart në ditët
e sotme nuk do ta kishte mësuar se kush ishte Arshi Pipa po
qe se për të nuk do të kishte shkruar Ismail Kadareja
tek “Ftesë në Studio”. Nje liber i çuditshëm
ky, pa formë, i botuar mbas “arratisjes” së
Kadaresë, por i shkruar përpara rënies së diktaturës.
Një libër në të cilin autori i ngjan atij marangozit
apo artizanit që mbas ‘90-ës, meqë në
treg dolën teknologji të reja, vendos të shesë
të gjithë punishten me çmim shumice se e di se
nuk do ta përdorë dot më, dhe ngutet të heqë
gjithçka që ka në bodrumin ku punon, përpara
se të jetë shumë vonë. Dhe kur një shkrimtar
nxjerr në treg bodrumin e tij, me fjalë të tjera
copa ditaresh, apo shënimesh personale që janë aq
personale sa vetëm për shkak të delirit se është
njeri i madh, ai kërkon t’i shesë për art,
faktikisht ai nxjerr në public copa mllefesh të hershme,
copa fantazish prej të sëmuri, paragrafë që
ka dashur t’i botojë po nuk do t’i përmblidhte
dot asnjë lloj libri e kështu me rradhë. Pikërisht
në këtë libër Kadareja merr pozicionin psikopatologjik
të viktimës, jo prej rregjimit, por të viktimës
prej kolegëve të vet të letrave, e fillon e fantazon
historira sikur ai është Moxarti e të tjerët
Salieri e kështu me rradhë.
Ishte në këtë libër, që si çdo libër
i Kadarëse jepej me detyrim nëpër shkolla, që
shqiptarët dëgjuan përsëri për Arshi Pipën.
Këtu Kadareja, me mllefin e tij psikopatik, të pahijshëm
e aspak artistik, shkon deri aty sa nuk shkojnë ndoshta as
dy të pirë që grinden në kafe: tallet me emrin
e Pipës, duke e deformuar në “Pipiç”,
gjë që nënkupton një sharje shumë të
rëndë. Profesor Pipa atje portretizohet si njeriu që
në botën tjetër-përendimi dhe Sh.B.A. kanë
qënë për shqiptarët gjithmonë “bota
andej, ose bota matanë”, pra bota e mistershme, e ndaluar-
pra shkruante dhe botonte “letra anonime” kundër
Kadarese, që regjimi komunist, mbasi të lexonte këto
“letra”, ta dënonte Kadarenë si “armik”.
Këto gjëra, Pipa, sipas Kadaresë, i bënte sepse
e kishte zili këtë të fundit si shkrimtar dhe donte
që ta “fundoste” përfundimisht.
Se si kishin qene keto “letra anonime”, pra se cfare
kishte shkruar e thene Pipa qe te meritonte keto sharje, kjo u mor
vesh mbas -90-es, kur gazetat i ribotuan disa nga këta shkrimet
kaq shqetësuese të profesorit shqiptaro-amerikan. Bëhej
fjalë për një studim “Subversioni përkundrejt
konformizmit- fenomeni Kadare”, botuar në vitet ‘70-të
në Sh.B.A. në një revistë në gjuhën
shqipe dhe që Pipa me fare pak ndryshime e ka përfshirë
në “Albanian Contemporary literature”. Shkrimi
në vetvete, me argumenta studiuesi e kritiku letërsie,
e në një frymë krejtësisht të re shkencore
arrin në tezën se në veprën e Kadaresë,
për shkak se shkrimtari i përket fizikisht regjimit komunist,
pamja e jashtme është konformiste me ideologjinë
zyrtare, ndërsa për shkak të talentit të lindur
dhe gjenialitetit, veprat përmbajne një subversion ideologjik,
që nuk është antikomunizëm i mirëfilltë,
por një lloj herezie e cila nuk vjen për shkak sepse shkrimtari
është disident apo rebel, si bie fjala Jevtushenko apo
Pasternaku, por sepse talenti i madh nuk i shpëton dot frymës
së realizmit artistik . Pra së pari bëhet fjalë
për një studim shkencor, dhe së dyti bëhet fjalë
për elementet letrare të natyrës subversive në
raport me kohën në veprën e Kadaresë. Kjo e
inatos Kadarenë e “Madh”, dhe bën që
pikërisht në fund të viteve 90-te, kur regjimi kishte
marrë tatatëpjetën, ai ta akuzojë Pipën
për “mëkatin” se kishte gjetur në veprën
e tij elemente që binin në kundërshtim me realizmin
socialist. Sot, Kadareja i ka harruar këto, dhe po bën
çmos të proklamohet si shkrimtar disident e antikomunist,
duke paguar shuma të mëdha për materiale propagandistike
si “ Dialog me Allen Bosquet ”, apo si librat socrealistë
të Maks Velos, Shaban Sinanit e Alfred Ucit, apo duke provokuar
debate e fushata të panevojshme mediatike si ai mbi “Pashallarët
e kuq”, një poemë fundekrye socrealiste, biles më
konformiste sesa romani “Dasma”. Të gjitha këto
do të ishin të panevojshmë, dhe jo kaq qesharake
dhe groteske, sikur njerëzit, në vend që të
merreshin me “:Pashallarët e kuq”, të lexonin
studimet e Pipës, ku Kadareja del shume teper e më seriozisht
i lavdëruar.
Ardhja
e tretë si diversant:
Për
herë të tretë si diversant, Pipa do të hyjë
në Shqipëri në vitin...2004
Citat: “Eshte per te ardhur keq qe Robert Elsie, i cili
edhe nje here duhet pergezuar per ate ndihmese te pacmuar qe ka
bere duke e e njohur letersine shqipe ne bote,me kete studim te
gjate e me te tjera si ky, te krijoje nje opinion te shtrember ,
ashtu si Pipa, per shkrimtarin tone te madh ne boten perendimore.
Nuk eshte cudi qe keto konsiderata te kene ndikuar dhe te ndikojne
te "senatoret e akullt" te Akademise se Shkencave te Suedise
qe Ismail Kadarese te mos i jepet per te gjashten kandidature cmimi
Nobel, me kerkesen e Akademsise Franceze. (Nën.im.-H.Ç.)
Do te doja qe kjo kerkese te vinte te pakten edhe nga disa organizma
jo zyrtare shqiptare , te Kosoves dhe te diaspores shqiptare, te
vete shtypit tone, i cili nuk duhet te mjaftohet vetem me nje lajm,
ku te shprehet keqardhja qe Kadarese ende padrejtesisht nuk po i
jepet ky titull, por t'i kthjeje faqet e tij, dhe kete ta beje qe
keta muaj, ne kolona ku ne nepermjet zerit te intelektualeve tane
me te shquar,madje edhe te huaj qe e duan ate sa e duam edhe ne,
te shprehet kjo deshire qe ky cmim te vije me se fundi ne atdheun
tone, ne vendlindjen e shkrimtarit tone me fame boterore.
Sepse, kur Kadareja te fitoje kete titull te merituar, ate e
ka fituar cdo shqiptar, e ka fituar Shqiperia, imazhi i se ciles
sot, per shkak te qeverisjes se pushtetareve tane te mbrapshte,te
molepsur nga korrupsioni dhe miopia politike, fatkeqesisht eshte
erresuar dukshem ne bote. (nën.im.-H.Ç) (Skifter
Këlliçi; Edhe Elsie si Pipa në disa gjykime për
Kadarenë “Koha Jonë”- E Hene, 23 Shkurt 2004)
Ky shkrim vjen pas një tjetri i cili i kushtohet terësisht
Pipës.Jo se është ndonjë artikull me të
cilin ja vlen të merresh ky shkrimi i këtij soc-realistit,
por është një tjetër dëshmi se si në
shekullin 21, në media moderne, profesori i vdekur shqiptaro-amerikan
perceptohet akoma si “diversanti” i përrallave
me sigurimsa të revistës “Në shërbim të
popullit”. Sot llogjika e këtyre njerëzve është
kjo-Shqipëria ka një imazh negativ, që të rregullohet
ky imazh negativ duhet që Kadareja të marrë çmimin
“Nobël”, dhe ata që shkruajnë se Kadareja
në veprën e vet i ka shërbyer regjimit komunist pa
tjetër që me siguri nuk duan që ai të marrë
çmimin “Nobel”, pra si rrjedhojë duan të
shkatërrojnë Shqipërinë që ajo të
ketë imazh të keq. Por përballë këtyre
diversantëve anti-shqiptarë, duhet të mobilizohet
i gjithë populli “ushtar” grusht-bashkuar rreth
Kadaresë, që ai të marrë çmimin “Nobel”.
“Do te doja qe kjo kerkese te vinte te pakten edhe nga
disa organizma jo zyrtare shqiptare , te Kosoves dhe te diaspores
shqiptare, te vete shtypit tone, i cili nuk duhet te mjaftohet vetem
me nje lajm, ku te shprehet keqardhja qe Kadarese ende padrejtesisht
nuk po i jepet ky titull, por t'i kthjeje faqet e tij, dhe kete
ta beje qe keta muaj, ne kolona ku ne nepermjet zerit te intelektualeve
tane me te shquar,madje edhe te huaj qe e duan ate sa e duam edhe
ne, te shprehet kjo deshire qe ky cmim te vije me se fundi ne atdheun
tone, ne vendlindjen e shkrimtarit tone me fame boterore.”(
S.Këlliçi)
Edhe këtë herë, njeriu i thjeshtë shqiptar dëgjon
për Pipën, jo si për studiuesin e qindra faqeve studime
si bie fjala “Trilogia Albanica”, apo “Albanian
Contemporary Literature”, por si për diversantin që
bashkë me ca diversantë të tjerë si Elsie, po
prish imazhin e Shqipërisë.
Dy
fjalë për jetën e “diversantit”:
Arshi
Pipa është lindur në Shkodër, Shqipëri,
në 1920. Pas diplomimit në liceun shtetëror të
Shkodrës, (Ndarje Klasike) në 1938 studioi filozofi në
Universitetin e Firences. Disertacioni i tij, “Morali dhe
feja në Bergson” (E. P. Lamanna, kosultant), mbaroi në
1942 dhe mori gradën e doktorit në filozofi. Në 1941-shin,
u emërua mësues filosofie në liceun shtetëror
të Tiranës. Në atë kohë jepte mësim
në licetë shtetërorë të Shkodrës dhe
Tiranës, 1942-44. Pas luftës, ishte mësues i italishtes
dhe shqipes në kolegjin e mësueseve në Tiranë.
Në Prill 1946, u arrestua, për shkak të kundërshtimit
të tij për të vepruar në përputhje me politikën
e regjimit shqiptar. Dokumentimi i dhjetë viteve (1946-56),
i kaluar në burgjet dhe në kampet e punës së
detyruar, gjendet në “Libri i burgut” (Prison notebook,1959).
Në 1957-ën u arratis për në Jugoslavi, ku jetoi
si refugjat për vite. Gjatë asaj periudhe, përktheu
në shqip përzgjedhje nga poezia lirike latine (250 faqe),
me përkthime, me kapituj mbi metrikat dhe shënime) Emigroi
në Shtetet e Bashkuara në 1958-ën. Emërimi i
tij i parë ishte në kolegjin, Philander Smith, Little
Rock, Arkansas, ku jepte mësim filozofinë (1960). Gjatë
vitit akademik pasues, drejtoi departamentin e gjuhës italiane
në universitetin e qytetit të Xhorxhias, shkolla e gjuhëve
dhe gjuhësisë dhe gjithashtu jepte mësim filozofi,
në kolegjin e arteve të lira (verë, ’61, dhe
’62). Ishte pedagog i gjuhës italiane në universitetin
Kolumbias në vitet 1961-62, dhe profesor asistent i gjuhës
italiane në universitetin e Delfit, Garden City, vitet pasuese
gjatë të cilave ai gjithashtu jepte mësim tema filozofike
në kolegjin Adelphi Suffolk. Nga viti 1963-66, ishte profesor
asistent (Profesor asistent i perkohshem në vitet 1963-64 ),
në departamentin e gjuhës italiane në universitetin
Kalifornisë, Berkli. Atje jepte mësim kurseve të
letërsisë moderne italiane dhe seminaret e kritikës
letrare, (De Sanctis, 1963, Croce, 1964, Vico,1965 ), aq mirë
sa dhe në gjuhën shqipe, letërsi dhe folklor, ( 1965
), Në vitin 1966, drejtoi disertacionet PhD. Nga viti 1966,
ka qenë në fakultetin e Universitetit të Minesotës
dhe Mineapolis, në fillim si profesor shoqërues ( 1966-69
), dhe më pas si profesor i gjuhës Italiane, në departamentin
e gjuhëve frënge dhe italiane, ( Departamenti i gjuhëve
Romane gjatë vitit 1968 ). U bë pjestar i UM, si anëtar
i zotuar, dhe shërbente si mbështetës në ndarjen
e diplomave të studimeve të gjuhës italiane. Programi
për gradat e Master-it u themelua në vitin 1968, ndërkohë
ai ishte drejtues i gradimeve studimore në gjuhën italiane.
Temë-diplomat për master dhe disertacionet e PhD, u shkruan
nën drejtimin e tij. I ka dhënë mësim kurseve
të padiplomuara të gjuhëve, të ndara në
kurse të ulët dhe të larta, kurseve të qytetërimit
dhe kulturës ( gjithashtu në Anglisht ) dhe, në veçanti,
kurseve të padiplomuara për shkrimtarët e mëdhenj,
( Dante, Boccaccio, Manzoni, Leopardi ), zhanre ( Poezinë kalorsiake.
Letërsinë Utopike ), dhe temat krahasuese (Marksizmi dhe
Ekzistencializmi në tregim dhe dramë ), përfshi seminaret
( Ungaretti dhe Montale, Vico dhe Croce ). I U ka dhënë
gjithashtu mësim sëbashku, kurseve të diplomuara
të gjuhëve Frënge dhe Italiane, ( Simbolizmi Francez
dhe Hermetizmi Italian, Romantizmi në Francë dhe në
Letërsinë Italiane ), duke pasuar me themelimin e programeve
të Master-it në gjuhët Frënge dhe Italiane (
1970 ), të ndërtuar përmes nismës së tij.
Publikimet dhe referatet e tij shkencore ( në Anglisht, Italisht,
Frengjisht dhe Shqip ), janë në: (a) poezi; (b) estetikë
dhe filozofi; (c) kritikë letrare. Në poezi kemi katër
volume me vjersha në Shqip: Lundëtarë ( Sailors,
1944 ), Libri i burgut ( Prison Notebook, 1959 ), Rusha ( 1968 ),
dhe Meridiana ( 1959 ); Në Estetikë dhe Filozofi kemi
artikuj të ndryshëm dhe shumë referate shkencore,
( disa prej tyre janë mbajtur në konferenca të huaja
dhe kongrese ndërkombëtare në Amsterdam, Londër,
Uppsala, Palermo, Venecia; Në kritikë letrare puna e tij
ka lidhje me letërsinë Italiane, po aq sa dhe me atë
Italo-Shqiptare dhe me letërsinë dhe kulturën Shqiptare.
Shkrimet e tij në letërsinë italiane janë më
shumë në fushën e specializimit të tij, letërsi
bashkëkohore (Montale dhe Ungaretti në veçanti
). Ka botuar gjithashtu artikuj mbi Danten, De Sanctis, Manzoni
dhe Moravia. Monografia e tij “Montale dhe Dante” (1968
), ka patur dhe një botim në italishte, “Montale
e Dante” (1975 ). Artikujt, reçencat dhe kritikat e
tij janë botuar në “Italica”, “Italian
Quarterly”, “The Romanic Review”, “Comparative
Literature”, “Books Abroad”, “Belfagor”,
“Le ragioni critiche”; “Revue de litterature comparée”,
“Revue des études italiennes”. Artikuj dhe revista
mbi Italo- Shqiptarët si edhe letërsinë dhe kulturën
Shqiptare, i ka botuar në: “Südost- Forschungen”,
“Zeitschrift für Balkanologie”; “Comparative
literature studies”, “Books Abroad”, “Rivista
di letterature moderne e comparate”, “Mondo operaio”,
“Revue des études sud-est européennes”.
Rezultati i kërkimeve të tij mbi Italo- Shqiptarët
si edhe kulturën dhe letërsinë Shqiptare janë
“Trilogia Albanica ( 1978 )”, e cila përbëhet
nga tre libra: "Vargu popullor shqiptar: Struktura dhe zhanri
i tij", "Jeronim De Rada”, "Letërsia Shqiptare:
Perspektivat sociale." (për një paraqitje më
të detajuar mbi punën studimore të Pipës shih
shënimet në fund të shkrimit )
Informacioni i mësipërm, i cili është kortezi
e Robert Elsie-së sipas burimeve autentike nga vetë Pipa,
sipas meje flet shumë për këtë shkencëtar
të madh. Së pari na tregon potencialin e tij intelektual,
i cili ka kaluar nepër një “filtër” të
rrallë, siç është ai i universiteteve amerikane.
Pra A.Pipa nuk ka qenë aspak autori i dështuar e xheloz,
përkundrazi. Së dyti, interesimet studimore e botuese
të Pipës kanë qenë shumë më tepër
sesa thjesht një konflikt imagjinar me k Kadarene, apo zhberja
e “kongresit të Drejtshkrimit” siç kanë
folur disa. Interesimet e tij janë prej studiuesi shqiptaro-amerikan,
dhe që të kuptohen shkrimet e tij, qoftë edhe ato
për Kadarenë apo për gjuhën e njësuar duhet
marrë parasysh patjetër konteksti kulturor i studimeve
letrare filozofike të kohës, si edhe shkollimi i tij i
mirëfilltë klasik. Qe të lexohen si duhen ato që
ka shkruar Pipa duhen marrë parasysh se me cfarë merreshin
profesorët amerikane të filozofisë dhe letërsisë
ato vite, si edhe baza e shëndoshë, por e huaj për
shqiptarët e realizmit socialist siç ishte shkollimi
klasik.
Të gjitha kërkimet tregojnë se Pipa ishte pak i interesuar
për fatin personal të Ismail Kadaresë, dhe studimi
i tij për Camajn, mikun dhe kolegun e ngushtë është
i vetmi studim ku Camaj përkufizohet si i dështuar e i
pazoti në shumë nga krijimet e tija letrare. Megjithatë
midis Camajt e Pipës nuk pati asnjë lloj konflikti.
Sot Pipa nuk jeton më: Atij ju benë vite që nuk është
më me të gjallët, (pavarësisht se S.Këlliçi
e vdes atë 20 vite para vdekjes së qënë). Ne
duhet të kuptojmë se prof. Pipa nuk ka patur, dhe nuk
ka më nevojë për ne, as që ta lavërojmë
e as që ta shajmë. Ai ishte një profesor i disa universiteteve
prestigjoze amerikane, ku për studimet dhe kërkimet shkencore
i mori shpërblimet, që kanë qenë vetëm
ato akademike, siç ishin titulli Profesor Emeritus, i dhene
nga universiteti i Minesotas, si edhe vendin e punës në
universitet. Sot, ne e dime mire se sa nuk është e lehtë
të meritosh një vend të tillë në Sh.B.A.
Studimet e tij kanë kaluar nëpër “filtra”
shkencorë të një natyre krejtësisht tjetër,
me “filtrat” ideologjikë, me të cilët
i shohim gjërat ne shqiptarët, edhe sot e kësaj dite
në shekullin 21. Sot jemi ne që kemi nevojë për
Pipën:
-Sepse u themi albanologëve të huaj që gjatë
një gjysëm shekulli shqiptarët nuk nxorrën vetëm
diktatorë, por edhe studiues letërsie, që ishin dinjitozë
në mjediset kërkimore-shkencore në Amerikë dhe
Europën Perëndimore;
-Sepse, duke përdorur studimet e Pipës, studentët
shqiptarë në gjithë universitetet në Shqipëri,
Kosovë, Maqedoni e gjithandej, si edhe mësuesit e gimnazeve
anembanë, nuk janë të detyruar ta bëjnë
studimin e 500 vjetëve letërsi duke ju referuar vetëm
kritikëve të realizmit socialist, qoftë të Shqipërisë
apo të Kosovës, po kanë në dorë edhe një
burim shkencor i cili të paktën është me natyrë
alternative;
-Sepse edhe njerëzve si Kadareja u bëhet më shumë
nder kur i lavdëron ai që di dhe ka mundësi të
kritikojë si Arshi Pipa, ashtu si për mbretin kanë
më shumë rëndësi lëvdadat e kundërshtarit,
sesa ato të lakejve apo palaçove të oborrit të
tij letrar.
*Master
në Kritike Letrare dhe pedagog letërsie në
Universitetin A.Xhuvani të Elbasanit.
|