NUMĖR 80
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
 
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI VI - 21 TETOR 2004

Në Shqipëri, zgjedhësit më rehat pa politikë

Shkruan: Skerdi SIKA

Zgjedhjet e radhës në Shqipëri duket që dallojnë prej herave tjera. Në siprinë duket sikur njerëzit këtu do të provojnë raritetin e një fushate normale zgjedhore. E para e këtij lloji, le të shtojmë, që pas ngadhnjimit të demokracisë në këtë vend. S’ka më gjëkundi këmbë militanti, Skënderbeu maje kalit në sheshin e vet në Tiranë çuditet athua ku mbetën mitingjet; madje as premtimet e politikanëve sivjet s’janë njësoj absurde si më parë.

Optimistët duan të besojnë që ky normalizim i zgjedhjeve varet, të paktën pjesërisht, edhe prej kuptesës së klasës politike. Politikanëve mund t’u kenë ardhur mentë. Ata mund të kenë kuptuar se duhet të rrijnë sus brenda caqeve të të drejtave e detyrave të veta qytetare, madje edhe gjatë një fushate zgjedhore.

Unë për vete, që s’jam tip optimist, them se druaj ende. Heqma drojën, ta fal kalin, thoshte im gjysh. Klasa politike shqiptare ka dëshmuar sa e sa herë që është një Frankenshtajn abnormal, piroman e i përdhunshëm. Afati i telasheve s’ka mbaruar ende, mitingjet mund të plasin prapë qysh nesër.

Edhe sikur Frankenshtajni ynë të mos gjejë një shkas të vetin për t’u hedhur në aksion, sigurisht që ne qytetarët, krijuesit e tij, do t’ia sjellim një te dera. Një aksident tragjik si ky i Pukës, një mbytje mërgimtarësh në det, një vrasje për ahmarrje a droga në rrugë, mjafton për t’ia zgjuar bishës instinktet e gjahut. Në kohëra zgjedhjesh, them se ky rrezik është imanent.

Për atë që është mësuar t’i njohë fërkemët në xhunglën e politikës shqiptare, shenjat janë atje. Këto janë çështjet e hapura, rreth të cilave shtërngohen nofullat më së shpeshti:

• Financimi zgjedhor. Kështu si kanë qenë rregullat gjer tani, s’është çudi që 3 shqiptarë kanë 2 parti, meqë fondet i janë paguar me kesh në dorë në prag të zgjedhjeve cilitdo grup që ka përmbushur një minimum të formës. Misioni i OSBE-së, ideatori i zgjuar i kësaj praktike, ua kish lënë në besim ”partive” që s’arrijnë në parlament ta kthejnë vet tepricën e fondeve pas zgjedhjeve. E ku se, në Shqipëri! – Si thoni ju, sa ”parti” ia kthyen ndonjëherë kusurin OSBE-së?
Tani, ekspertët e OSBE-së propozojnë që gjysma e fondeve t’u paguhet pas zgjedhjeve atyre që kalojnë pragun 2.5 përqind e hyjnë në parlament. Plus që partitë do zbulojnë këdo që kontribon më shumë se 1 mil lekë. E po mirë fort, thoni ju, pse të mbahen me fonde publike iks ”liderë” që ia fusin kot? Pse të fshehen burimet e financave? – Pa guxoni pyesni një çikë liderët partiakë në Shqipëri, e do të kuptoni se sa është ora…

• Komisioni qendror zgjedhor. Socialistët duan të respektohet ligji, parlamenti t’i zgjedh anëtarët në KQZ. Për dallim nga ligjet e papërshtatshme, që socialistët i ndërrojnë më shpesh se brekët, këtë Ligj – me L të madhe – socialistët e kanë të shenjtë. Arsyeja: pas zgjedhjeve të fundit, të kritikuara ndërkombëtarisht, socialistët e kanë një shumicë stabile në parlament.
S’do mend se opozita, thënë më së lehti, ka vërejtje. Ekspertët e OSBE-së kanë propozuar katër (4) variante të kompromisit. Të katra janë refuzuar me zjarr prej socialistëve, që kanë akuzuar – nota bene! – ekspertët akademikë të OSBE-së për shpërfillje të demokracisë. PS dhe PD kanë ofruar një zgjidhje të veten, mbi kokën e partive tjera parlamentare, ku PS e tërheq, e PD e merr, një post në KQZ. – Si thoni ju, si do të reagojnë partitë minore?

• Komisionet lokale. Një variant dypartiak si ai më lartë për KQZ-në, me përfaqësues vetëm nga PD dhe PS, u prit me flakë prej partive të vogla. Propozimi aktual është që komisionet lokale të kenë nga 6 përfaqësues, 3 nga e majta, 3 nga e djathta. ”Për hir të thjeshtësisë” tani thuhet se mjafton një shumicë e thjeshtë (p.sh. vetëm një votë më tepër) që komisioni t’i shpall zgjedhjet free & fair; më herët lypej shumica cilësore.

• Listat e zgjedhësve. Kjo është një pikë shumë e lezeçme. Listat e zgjedhësve janë kompetencë e madhorive lokale. E komunës, e bashkisë. Një tjetër rast ky i një praktike normale në krejt botën e qytetëruar, që në Shqipëri shkakton tension.

Siç patë, arsye për brengosje ka sa të duash. Por për momentin, prijësit e partive dhe militantët e tyre kanë zgjedhur veçse të gushojnë, si ujq që s’e kanë mbledhur ende ta lëshojnë kujën e tyre hapur. Një tjetër arsye e ngurrimit të tyre mund të jetë shpërfillja e elektoratit. Të bësh dramë e të shkaktosh skena, thjesht s’është interesant nëse s’ke publik.

Në zgjedhjet e fundit, pjesëmarrja ishte më e ulta në historinë moderne të Shqipërisë; plot sektorë të popullsisë, si të rinjtë, femrat etj, kishin pjesëmarrje më të ultë se në një sërë vendesh afrikane e aziate. Elektorati, që është është mësuar sherr, e vështron me mosbesim kurbat e shtira të zjarmisë politike.

Le që edhe përfitimet nga zgjedhjet janë minimale. Raporti i fundit i BE-së për ekonominë shqiptare kishte dy lajme. Lajmin e mirë, se shqiptarët e kanë përmirësuar standardin e jetesës. E lajmin e keq, se kjo s’ka ndodhur falë shtetit. Rendi demokratik e tregu i lirë nuk të japin bukë sot në Shqipëri, po të hyrat e emigrantëve, tregu i hirtë, trafiqet e dyshimta. Në situata të tilla, kur mirëqenia private s’puqet më me politikën, krijohet lehtë një qëndrim „jeto për vete e më lër të jetoj“. E ç’i intereson lalës se kush është kryeministër, gjersa i ecën biznesi tejdetar?

Për ju s’e di, po unë e parapëlqej më parë këtë stil, se sa atë militantizmin e mëhershëm. Kur zgjedh mes dy të këqiash... Mjerisht, është ende herët ta prognozojmë rezultatin final. Shqipëria do të fitonte nga një palë zgjedhje normale. Sa për të humbur, zor që ka mbetur diçka.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 21.10.2004 22:59
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË