Sajimi
i panikut
Testi i rrezikshëm i tolerancës
Shkruan:
Andej NIKOLAIDIS*
Kohë
pas kohe, në formën e flakareshës që na sjell
nga fantazia në realitetin jetësor, ndodhin gjëra
të cilat na përkujtojnë se përralla për
“përputhjet ndëretnike” dhe “arritjen
e një shkalle të lartë të të drejtave të
popujve pakicë në Mal të Zi”, thjeshtë
nuk është e mjaftueshme... Frazat e zbrazëta politike
më së keqi i dërrmon praktika politike... Ngjarjet
e kohëve më parë, si dhe në sistemin e dominove,
kur rrëzimi i elementit të parë rrëzon me radhë
krejt katrorët, thyen mitin medial të kultivuar me përkujdesje
për Malin e Zi „të ri e multietnik“. Ato ngjarje
treguan se në këtë vend, edhe përkundër
të gjitha leksioneve që kemi besuar se i kemi mësuar,
mund të përseriten tensionet etnike të fillimviteve
nëntëdhjetë të shekullit të kaluar. Mali
i Zi dhe njëherë zbuloi përmasat e plagueshmërisë
së vet: mjafton që dikush të blejë një
faqe interneti për një ose dyqind dollarë dhe të
rrezikojë besimin ndërnacional në të. Për
dhjetë ose njëzet mijë dollarë është
e mundshme që para çdo vendimi për statusin shtetëror,
ta llahtarisësh Malin e Zi nga vetëvetja!
Ta
përkujtojmë kërkesën politike nga e cila lindi
e tërë epizoda, në të cilën, fundi i fundit,
qytetarët e Malit të Zi, që veç të tjerash
janë shqiptarë, në bazë të një faqeje
interneti të rrejshme e të kurdisur, përmes manipulimit
të mediave drejtpërdrejt jo vetëm u bënë
të dyshimtë përkizati me lojalitetin ndaj Malit të
Zi, por edhe për synime terroriste me qëllim që disa
pjesë të Malit të Zi t’ia bashkangjesin Shqipërisë...
Si dhe në çdo fermë kafshësh, edhe në
Mal të Zi të gjitha kafshët janë të njëjta-
por se disa janë pak a shumë më të njëjta
se të tjerat. Historia fillon me kërkesën që
Tuzi të fitojë statusin e komunës. Pushteti i Malit
të Zi nuk është i gatshëm ta plotësojë
këtë kërkesë. Pastaj shoqata joqeveritare, gati
krejt e panjohur (Unitas), fillon mbledhjen e nënshkrimeve
për formimin e regjioneve shqiptare në Mal të Zi.
Si në lojën e pokerit, rritet atuja: kërkojnë
regjione, në mënyrë që ta fitojnë komunën.
Por në poker mund të fitojë ai që ka më
shumë mundësi të rris atutë.
Si
përgjigje në topprovën për regjionet, në
tavolinë del teza për organizatën terroriste shqiptare.
Shfaqet faqja në internet për organizatën e paqenë
terroriste shqiptare, e cila vë në pikëpyetje integritetin
territorial të Malit të Zi. Ishte ky poker i asëve.
Loja ka mbaruar, tavolina është pastruar. Të nesërmen
faqja zhduket nga interneti, ndërsa organizata joqeveritare,
të cilës i përgjigjen me përrallën për
terrorizmin, ndërpren mbledhjen e nënshkrimeve për
regjionalizimin e Malit të Zi.
Lajmin
për sajtin e famshëm të „ushtrisë kombëtare
të Malit të Zi”, i pari e ka bërë publik
gazeta e Podgoricës “Dan”. Para së gjithash
mendojeni organizatën nacionaliste shqiptare me këtë
emër! Ajo nuk ka emër kombëtar, por emrin e shtetit
të cilin gjoja ajo organizatë dashka ta copëtojë?
Kjo është e njëjta gjë sikur Armata Republikane
Irlandeze të quhej Armata republikane e Britanisë, ose
ta zëmë Ushtria çlirimitare e Kosovës të
quhej Ushtria çlirimtare e Shumadisë. Por në këtë
poterë nuk i është përmbajtur logjikës
së shëndoshë. Qëllimi është të
krijohet panik- e atje ku sundon paniku, arsyeja e pëson e
para.
Nëse
duam të mbajmë mend, gazeta “Dan”, gati në
intervale të njëjta kohe shpërndan informacione sipas
të cilave shqiptarët në Mal të Zi po përgatitin
kryengritje kundër shtetit. Dy tri herë në vit paralajmërohet
lufta civile në Mal të Zi. Asnjëherë qoftë
organet shtetërore, qoftë partitë politike, përveç
atyre shqiptare, nuk e kanë vlerësuar si problem të
veçantë pse një gazetë e përditshme me
plan dhe prapavijë implikon shqiptarët në mungesë
lojaliteti dhe qëllime terroriste. Mediat shtetërore që
janë nën ndikimin e DPS-t (partia e socialistëve
demokratë, shënim yni) nuk janë marrë asnjëherë
me këto informata. Përpos me rastin e nismës për
regjionalizim (lexo: komuna e Tuzit). Papritur ekzistenca e “faqes
terroriste në internet“, u bë lajm i ditës,
që niste emisionet kryesore informative. Faqja e internetit
lajmëronte qenien e organizatës terroriste (me argumente
të ndërmjemë, si në kohët e arta të
terrorit komunist!) dhe parashihte se prapa synimeve të shqiptarëve
që përmes ligjit të definojnë statusin e tyre
në Mal të Zi fshehen qëllime antishtetërore.
Cdo
manipulues me media e di shumë mirë se asnjë përgenjeshtrim
nuk e ka efektin e rrenës që e ka nxitë.
Megjithatë
dëmi u bë në mënyrë të pakthyeshme.
Besimi është luhatur, së pari besimi i shqiptarëve
në pushtetin malazez. Sepse ata që kanë hapur këtë
faqe interneti, s’di a ka nevojë ta them, nuk do të
zbulohen. Mediat të nesërmen kishin lajme të tjera
rëndësore. Kanë mbetur vetëm bashkëqytetarët
tanë shqiptarë, të cilët përmes manipulimeve
mediale, pa asnjë faj vetanak, janë bërë të
dyshimtë për terrorizëm. Le t’i bindë
ata tash pushteti malazez se janë qytetarë të barabartë
të Malit të Zi.
Mua
nuk mund të më bindë. Ndërkaq argumenti për
skepsë që kultivoj është i rëndomtë
e i vogël, çështje përditshmërie. Automobili
im deri kohët e fundit kishte targa të Tivarit. Tash i
ka të Ulqinit. Dhe a dini çka: për tre muaj sa
ka që i kam ndërruar tabelat, policia më ka ndalur
shumë herë më tepër se brenda një viti
derisa i kisha targat e Tivarit! Përderisa ndodhin gjëra
të tilla, mundësia për manipulim me ndjenjat kombëtare
mbetet shumë e madhe.
Hapin
e parë, natyrisht, duhet ta bëjë elita politike e
popullit shumicë. Reagimet e matura të partive politike
ndaj fantomwebcite-it është një bazë e mirë.
Opozita proserbe kësaj radhe nuk deshi ta rritë të
zgjedhësit urrejtjen ndaj pakicave.
Por
me këtë nuk u zgjidh problemi. Përkundrazi: vetëm
na u dëshmua, sikur të na thoshte: ekzistoj.
Jeta
në një bashkësi shumëkombëshe, vetëvetiu
lind edhe grupe apo kërkesa radikale - edhe te shumica edhe
te pakica. Porse një shoqëri e ndërtuar në themele
të demokracisë nuk lejon që të krijohen kushte
në të cilat radikalët do të jenë dominues..
Eshtë e vërtetë se në Mal të Zi ka ndryshuar
retorika publike në raport me fillimvitet nëntëdhjetë
të shekullit të kaluar. Por është gjtihastu
e vërtetë se çështja e pakicave nuk është
zgjidhur as ligjësisht e as institucionalisht.. Një surrogat
siç është Këshilli i Kryetarit të Republikës
për mbrojtjen e të drejtave të pjesëtarëve
të pakicave dhe grupeve etnike, në të cilin ka dhe
personalitete që kanë mbështetur pastrimet etnike,
siç ështër Amfilohije Radoviç (peshkopi
i Kishës Ortodokse Serbe, shënim i redaksisë), dëshmon
për mungesë gatishmëria të pushtetit për
të bërë hapa të vendosur në zgjidhjen e
kësaj çështjeje.
Janë
të nevojshme zgjidhje të themelshme sistemore për
rregullimin e statusit të popujve pakicë. Deri te ato
zgjidhje duhet të arrihet përmes dialogut me përfaqësuesit
e këtyre popujve, me një vullnet të dyanshëm.
Praktika e deritashme, përmes së cilës shumica me
„vullnetin e saj të mirë” u ka “dhënë”
diçka pakicave, sot thjeshtë është e paqëndrueshme.
Askush askujt këtu nuk i jep, por sidomos nuk duhet t’i
marrë.
Si
qëndron sot puna, popujt pakicë për njërën
palë janë “tradhtarë” dhe “problem”;
për palën tjetër një mori zgjedhësish me
të cilët fitohen votimet, apo një masë amorfe
e cila duhet të heshtë dhe t’i harrojë të
drejtat e saj themelore, përderisa populli shumicë nuk
e di se çka do të bëjë me vetëvetën
dhe me Malin e Zi. Praktika që në çdo kërkesë
të shqiptarëve, boshnjakëve ose kroatëve nga
ana malazeze të jipet përgjigjja: “pse mu tash,
pritni edhe pak, të kalojë referendumi”, thjeshtë
është e paqëndrueshme.
Gjërat duhet të zgjidhen me kohë, drejt dhe në
mënyre cilësore. Ose, një ditë, sërisht
do të shfaqet një faqe interneti. Herën tjetër
ndoshta nuk do të kemi kësi fati.
Marrë
nga revista malazez “Monitor”
|