Shqiptarët
e maqedonët duhet të punojnë bashkë
Shkruan:
Shefki OLLOMANI
Maqedonia
e sotme Lindore, Maqedonia e Pirinit dhe Maqedonia e Egjeut janë
tri krahinat e mëdha gjeografike që përbëjnë
Maqedoninë antike të fisit pellazgo-ilir të maqedonëve,
të cilët në historinë e lashtë identifikohen
me mbretin e tyre Filipin II dhe birin e tij, Lekën e Madh,
apo Aleksandrin e Maqedonisë.
Sot,
këto tri treva, regjione apo krahina të Maqedonisë
antike pellazgo-ilire: Maqedonia Lindore, Maqedonia e Pirinit dhe
Maqedonia e Egjeut formojnë atë që nacionalistët
sllavomaqedonas e quajnë herë Maqedonia e Madhe, e herë
Maqedonia Etnike.
Pas
dyndjeve, djegëjeve e shkatërrimeve të mëdha
të hunëve, mongolëve, gotëve, vikingëve,
sllavëve etj., në Siujdhesën Ilirike dhe në
Maqedoninë antike ilire (para erës sonë dhe në
fillim të erës sonë), maqedonët ilirë u
larguan me dhunë nga vendi i tyre, shumë u vranë
në luftë mbrojtëse që zhvilluan, kurse një
pjesë e tyre u asimiluan në sllavë dhe grekë.
Nga ata fise sllave që depërtuan dhe u ngulitën në
Ilirik janë edhe sllavët e sotëm që banojnë
në trevat e Maqedonisë së dikurshme antike, të
cilët më vonë e quajtën veten maqedonas, sipas
emrit të vendit ku banojnë. Prandaj, që këta
maqedonas të sotëm, për t’i dalluar nga maqedonët
antikë pellazgo-ilirë, në terminologjinë e sotme
politike, në të shumtën e rasteve, emërtohen
si sllavomaqedonas.
Treva
e sotme gjeografike që sot quhet Maqedonia Veri-Perëndimore,
e banuar kryesisht nga pasardhësit e Ilirëve – Shqiptarët,
në kohën antike ishte pjesë integrale e shtetit ilir
të Dardanëve – Dardanisë, ishte si të
thuash Dardania Jugore. Dardania antike fillonte nga Tregu i Ri
e Nishi në veri dhe mbaronte në Ohër e Manastir në
jug dhe kryeqendër kishte Shkupin. Prandaj, edhe sot, kufiri
në mes të Maqedonisë Etnike dhe Shqipërisë
Etnike gjarpëron përmes fushash e brigjesh nga Kumanova,
nëpër Veles e deri në Manastir, për të
vazhduar pastaj në drejtim të Florinës, Janinës
e Artës në Greqi. Kjo vijë gjeografike antike, është
njëkohësisht edhe vija kufitare ndërmjet Maqedonisë
Lindore sllavomaqedonase dhe Maqedonisë Veri-Perëndimore
shqiptare.
Tanimë
janë të njohura botërisht aspiratat kombëtare
e shtetërore të lëvizjeve e partive politike sllavomaqedone
dhe shqiptare për krijimin e shteteve të tyre kombëtare,
për çlirimin dhe bashkimin e trojeve të tyre etnike,
të pushtuara dhe të kolonizuara nga popujt fqinjë:
serbët, bullgarët dhe grekët, e cila arrihet vetëm
me formimin e Shqipërisë Etnike dhe të Maqedonisë
Etnike.
Gjysma
e territorit dhe e popullsisë së Republikës aktuale
të Maqedonisë, që njihet juridikisht në OKB
me emrin Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë (IRJM), apo
anglisht FYROM, Maqedonia Veri-Perëndimore, apo Ilirida, siç
i thonë sot shqiptarët, është tokë shqiptare,
pjesë e shkëputur me dhunë nga Shqipëria Etnike.
Dhe dihet që, shteti kombëtar nuk krijohet e nuk mund
të mbahet me toka e me popuj të huaj, sepse nuk ka ardhmëri
dhe jetë të gjatë.
Republika
e sotme e Maqedonisë është një shtet gjysmak,
jo funksional, i rrethuar në të katër anët me
kufinj shtetërorë tokësorë, pa dalje në
det dhe pa perspektivë të zhvillimit ekonomik, si dhe
i varur përjetësisht politikisht dhe ekonomikisht nga
shtetet rretherrotull, sepse, shteti pa det, është sikurse
shtëpia pa dritare. Prandaj, rruga, puna dhe angazhimi i vetëm
i drejtë i popullit sllavomaqedonas dhe udhëheqësve
të tij është përpjekja intenzive dhe konkrete
për zgjidhjen përfundimtare të Çështjes
Maqedone, është lufta politike për bashkimin kombëtar
e territorial të sllavomaqedonëve dhe të Maqedonisë
Etnike.
Pushtetarët
sllavomaqedonas, të të gjitha ngjyrave politike e ideologjike,
nuk duhet të humbin kohë dhe energji duke ndjekur, diskriminuar
e shtypur shqiptarët, sepse shqiptarët nuk janë armiqtë
e sllavomaqedonëve, sepse shqiptarët dhe sllavomaqedonët
kanë të njëjtin problem pa zgjidhur: formimin e shtetit
etnik kombëtar. Sepse shqiptarët dhe sllavomaqedonët
nuk janë armiq të njëri-tjetri, por kanë armiqtë
e përbashkët.
Populli
sllavomaqedonas dhe politikanët e tij nuk duhet të luftojnë
kundër shqiptarëve, sepse armiqtë e tyre janë
serbët. Ata të cilët, në bashkëpunim me
shovenistët bullgarë dhe grekë pas vitit 1912, e
pushtuan dhe e ndanë Maqedoninë etnike midis tyre në
tri pjesë, duke e quajtur pjesën e tyre Juzhna Srbija
(Serbia Jugore)! Janë serbët ata që kanë sjellë
me dhjetëramijëra kolonë serbë në kohën
e Jugosllavisë së kralëve për ta kolonizuar
e serbizuar Maqedoninë! Janë serbët ata që mbollën
farën e shovenizmit, të urrejtjes e të përçarjes
midis sllavomaqedonëve e shqiptarëve me qëllim të
sundimit të tyre më të lehtë e më të
sigurt! Janë serbët ata të cilët edhe sot nuk
e njohin Pavarësinë e Kishës Ortodokse Maqedone!
Janë shovenistët serbë ata që ende në arkivat
e tyre sekrete mbajnë të fshehura planet për aneksimin
dhe serbizimin e Maqedonisë, prandaj edhe me aq ngurrim dhe
vonesë e njohën pavarësinë e saj, pas shpërbërjes
së Jugosllavisë!
Kurse
Shqipëria ishte shteti i parë në botë që
njohu Maqedoninë si shtet të pavarur e sovran, pas daljes
së saj nga ish-Jugosllavia. Janë serbët, edhe sot,
ata që po hiqen si ”aleatët” e ”miqtë”
e popullit sllavomaqedonas e të Maqedonisë, duke e frikësuar
atë me ”gogolin” e shtetit të Kosovës,
duke u përpjekur që të shtijnë pyka helmuese
midis shqiptarëve e sllavomaqedonëve dhe me politikën
e tyre të hapur antishqiptare dhe të fshehtë antisllavomaqedone
tentojnë që t’i fusin në luftë të
armatosur e të përgjakshme dy popujt tanë, me synimin
përfundimtar që të fitojnë ata, që ta shtrijnë
përsëri sundimin e tyre në Maqedoni!
As
bullgarët e Bullgaria nuk janë lule, nuk janë miqtë
e vërtetë e të sinqertë të Maqedonisë
dhe sllavomaqedonëve, sepse edhe ata kanë qëllime
pushtuese ndaj tyre, si dhe nuk e njohin kombin sllavomaqedonas,
gjuhën, historinë dhe kulturën e tij kombëtare!
Ata edhe sot ua mohojnë të drejtat kombëtare, njerëzore
e kulturore sllavomaqedonasve në Maqedoninë e Pirinit,
të cilën e kanë pushtuar padrejtësisht, në
aleancë me serbo-grekët, gjatë Luftërave Ballkanike
në vitet 1912-1914! Edhe ndihmën ”vëllazërore”
që ia dha Bullgaria Maqedonisë në konfliktin e vitit
2001 kundër shqiptarëve, duke i falur armatim të
vjetëruar, e kishte me hile, sa për sy e faqe dhe, sikurse
serbët, për të armiqësuar sllavomaqedonët
me shqiptarët, për t’i dobësuar ata dhe në
fund për t’i pushtuar e për t’i sunduar ata!
Të
mos flasim për Greqinë, këtë aleate tinëzare
të Serbisë, e cila që nga formimi i saj si shtet,
me ndihmën kolosale të luftëtarëve e kryekomandantëve
arvanitas (shqiptar), më shumë është qeverisur
nga hunta e qeveri fashiste, se sa nga qeveri demokratike! Greqia,
edhe më keq se Serbia, Maqedoninë nuk e njeh as si shtet,
as si komb as si emër! Populli sllavomaqedonas në Maqedoninë
e Egjeut nuk njihet as si pakicë kombëtare dhe të
mos flasim për të drejta njerëzore, kulturore, gjuhësore
apo kombëtare! Kushtetuta greke dhe regjimet e Greqisë
e kanë proklamuar atë si shtet të pastër etnik,
ku ”nuk” ekzistojnë pakica tjera kombëtare
jo greke!
Por
realiteti objektiv dhe e vërteta mund të fshehen, aq sa
mund të mbulohet dielli me shoshë. Dhe është
fakt i gjallë se, që nga Gjevgjelia e deri në Selanik,
në të dyja anët e rrjedhës së Vardarit,
shtrihet Maqedonia e Egjeut, e banuar kryesisht me popullsi sllavomaqedone,
që mendojnë e ndjejnë sllavomaqedonisht, edhe pse,
si në të kaluarën, ashtu edhe tash, nuk guxojnë
as të shkruajnë dhe as të flasin publikisht sllavomaqedonisht
nga regjimet dhe politika në vazhdimësi fashiste e raciste
e Athinës!
Shqiptarët
dhe sllavomaqedonët kanë qenë dhe janë aleatë
natyrorë dhe strategjikë të njëri-tjetrit. Ata
kurrë nuk kanë luftuar mes veti dhe nuk kanë pushtuar
me vetëdije tokat e njëri-tjetrit, përveç
se në raste kur kanë ra në kurthën e të
huajve, si për shembëll: kur luftëtarët sllavomaqedonas
janë nxitur dhe mashtruar nga shovenistët serbo-bullgarë,
pas tërheqjes së Turqisë nga Ballkani, gjatë
Luftërave Ballkanike, në luftë për pushtimin
e tokave shqiptare! Apo rasti tjetër, kur ballistët shqiptarë,
të nxitur nga fashistët italo-gjermanë, kanë
luftuar kundër sllavomaqedonëve për mbrojtjen e krijesës
fashiste, shtetit gjysmak e kuisling të ”Shqipërisë
së Madhe”, e cila as si e tillë nuk ka qenë
fare e madhe, sepse s’ka qenë as sa gjysma e Shqipërisë
reale etnike!
Sidoqoftë,
edhe ato pak përleshje të armatosura që janë
zhvilluar midis shqiptarëve dhe sllavomaqedonëve, janë
rezultat i intrigave dhe politikave antishqiptare dhe antisllavomaqedone
të Serbisë, Bullgarisë, Greqisë dhe regjimeve
fashiste evropiane. Kurse, gjatë gjithë periudhës
tjetër historike, shqiptarët dhe sllavomaqedonët
kanë bashkëpunuar, kanë qenë aleatë dhe
kanë luftuar së bashku kundër pushtimit turk dhe
të tjerëve më vonë, për çlirim kombëtar.
Nuk
është këtu vetëm rasti i Kryengritjes së
Ilindenit dhe Republikës sllavomaqedono-shqiptare të Krushevës
më 1903, ku Pjetër Guri bënte pjesë ndër
krerët që ia lëshuan kushtrimin tërë Maqedonisë,
”pa marrë parasysh besimin, kombësinë, gjininë
a bindjet”. Janë me qindra beteja e ndihma solidare të
shqiptarëve dhe sllavomaqedonëve në luftën e
tyre për liri e pavarësi kombëtare. Ky bashkëpunim
e bashkëveprim i përbashkët është pohuar
e shkruar edhe nga vetë luftëtarët, historianët,
shkrimtarët dhe udhëheqësit politikë e ushtarakë
sllavomaqedonas të asaj periudhe kohore. Kush e ka shfletuar
historinë e Maqedonisë dhe të Shqipërisë
të shekujve XVIII, XIX e XIX do të bindet lehtë për
këtë të vërtetë.
Historia
është për t’u lexuar, për t’u analizuar,
për t’u kuptuar drejt, për të mësuar nga
ajo dhe për të mos u përsëritur gabimet historike
të të dy popujve tanë sot dhe në të ardhmen.
Po ta lexojnë me vëmendje, seriozisht, shkencërisht,
me mendje të kthjelltë, me zemër e sinqeritet të
vërtetë shqiptarët dhe sllavomaqedonët historinë
e tyre kombëtare dhe historinë e njëri-tjetrit, atëherë
do të shohin dhe do të binden se ata kanë qenë
dhe janë të vetmit aleatë natyrorë e strategjikë,
të vetmit mbështetës të njëri-tjetrit për
zgjidhjen e drejtë të çështjeve të tyre
kombëtare në Ballkan, janë bashkëluftëtarë
për krijimin e Shqipërisë Etnike dhe të Maqedonisë
Etnike. Natyrisht që, përveç njëri-tjetrit,
shqiptarët dhe sllavomaqedonët kanë e do të
kenë edhe aleatë të tjerë në Ballkan dhe
në botë.
Shqiptarët
dhe sllavomaqedonët, thjesht, varen prej njëri-tjetrit.
Prandaj, kur shqiptari godet sllavomaqedonin, atëherë
ai ka goditur edhe vetveten dhe anasjelltas, kur sllavomaqedoni
vret apo burgos shqiptarin, atëherë ai në të
njëjtën kohë ka vrarë e burgosur edhe vetveten!
Sepse, lufta ndërmjet sllavomaqedonëve dhe shqiptarëve
i dobëson që të dy popujt tanë, kurse në
fund fitojnë armiqtë e tyre: serbët, bullgarët
dhe grekët!
Nuk
mund të çlirohet e të bashkohet Maqedonia Etnike,
duke luftuar sllavomaqedonët kundër të gjithë
popujve fqinjë, e sidomos kundër shqiptarëve, sepse
nuk kanë resurse njerëzore dhe ekonomike. As duke mbajtur
nën sundim Iliridën shqiptare (Maqedoninë Veri-Perëndimore),
por duke u afruar e pajtuar, duke bashkëvepruar e lidhur aleancë
politiko-ushtarake me shqiptarët e Iliridës e të
gjithë Shqipërisë Etnike, në luftë të
përbashkët kundër armiqëve e pushtuesve të
përbashkët të tyre.
Le
të shërbejë Marrëveshja historike e Ohrit e
gushtit 2001 si një urë lidhëse, afrimi, pajtimi
e besimi reciprok; si një fillim i bashkëpunimit politiko-strategjik,
si një ripërtritje e aleancës shekullore shqiptaro-sllavomaqedone
në luftë të përbashkët për aspirata
të njëjta kombëtare. Le të shërbejë
Marrëveshja e Ohrit si pikënisje, si gur themeli për
ndarjen paqësore e demokratike të të dy popujve tanë
dhe për forcimin e fqinjësisë dhe miqësisë
midis shqiptarëve e sllavomaqedonëve dhe si fillim i bashkëpunimit
ndërshtetëror në mes të Maqedonisë Etnike
dhe Shqipërisë së ardhshme Etnike.
Prandaj,
të mos e dëmtojmë më tej njëri-tjetrin,
të mos e luftojmë dhe urrejmë më tej njëri-tjetrin,
të mos e pengojmë më tej njëri-tjetrin në
rrugë për çlirim dhe bashkim kombëtar, sepse
në këtë mënyrë luftojmë vetveten,
pengojmë me vetëdije ribashkimin e Maqedonisë Etnike
dhe të Shqipërisë Etnike.
As
Shqipëria Etnike nuk mund të çlirohet e të
ribashkohet duke u ngritur shqiptarët kundër gjithë
Ballkanit, pavarësisht se ata janë rreth 8 milionë
banorë në gjithë hapësirat e Shqipërisë
Etnike. Edhe shqiptarëve u duhen aleatë natyrorë
e miq për të realizuar të drejtat dhe idealet e tyre
kombëtare. Dhe njëri nga ata 5-6 aleatët e mundshëm
të shqiptarëve janë edhe sllavomaqedonët.
Armiqtë
e shqiptarëve dhe të sllavomaqedonëve janë në
bashkëpunim të fshehtë dhe në aleancë të
fortë me njëri-tjetrin kundër dy popujve tanë,
dhe përmes taktikës e dredhisë romake ”përçajë
e sundo” e kanë penguar dhe po e pengojnë ende ribashkimin
e popullit sllavomaqedonas dhe të popullit shqiptar në
shtetet e tyre etnike. Edhe sa do të ketë sukses kjo taktikë
e politikë kolonialiste serbo-bullgaro-greke, kjo do të
varet nga mençuria, vendosmëria, guximi, afrimi, pajtimi,
bashkëveprimi, marrëveshja dhe lidhja e aleancës
politiko-ushtarake midis shqiptarëve dhe sllavomaqedonëve
për të punuar e luftuar së bashku kundër pushtuesve
e kolonizatorëve të Shqipërisë Etnike dhe të
Maqedonisë Etnike.
Ndoshta
edhe ndarazi, e të armiqësuar me njëri-tjetrin, shqiptarët
dhe sllavomaqedonët do ta realizojnë idealin, programin
dhe të drejtën e tyre për shtete të bashkuara
etnike. Por është vështirë të besohet se
kjo mund të arrihet përmes ndeshjeve e përleshjeve
të kota e të panevojshme midis shqiptarëve e sllavomaqedonëve,
të cilat gjakosin dy popujt tanë e gëzojnë armiqtë
tanë të përbashkët!
Një
tragjedi dhe gabim i tillë historik e fatal nuk duhet të
ndodhë, sepse udhëheqësve e luftëtarëve
shqiptarë e sllavomaqedonas një gjë të tillë
nuk do t’ua falte kurrë as historia, as ndërgjegja
njerëzore e demokratike dhe as brezat e ardhshëm të
të dy popujve tanë.
Uroj
nga zemra që shqiptarët dhe sllavomaqedonët, si dhe
politikanët e tyre të tashëm e të ardhshëm,
ta shqyrtojnë me bindje e seriozitet të plotë, me
zemër të ngrohtë e gjak të ftohtë, realitetin
historik e aktual të marrëdhënieve shqiptaro-sllavomaqedone.
Ne duhet të hartojmë kontrata, pakte e marrëveshje
të reja strategjike bashkëpunimi e bashkëveprimi
në interes të forcimit të paqes e të pajtimit,
të krijimit të aleancës shqiptaro-sllavomaqedone
për arritjen e objektivave legjitime kombëtare për
vetëvendosje të të dy popujve tanë, si dhe për
ribashkimin e Shqipërisë Etnike dhe të Maqedonisë
Etnike.
|