Mos
e vrisni Shkodrën time!
Shkruan: Sami REPISHTI
Në gjysmën e dytë të prillit vizitova Shqipërinë,
kryesisht qytetin tim të lindjes, Shkodrën. Nuk e kisha
parë Shkodrën që nga viti l992, dhe pata mundësinë
të çmallem me familjarët. Largimi për një
kohë të gjatë shkakton vuajtje të mëdha
shpirtërore, dhe takimi plotëson shumë nevojë
emocionale. Rikujtimi i ditëve të kaluara në një
rreth familjarë të lumtur dhe të lidhur ngushtësisht
njeri me tjetrin më mbushi zemrën plot.
Natyrisht,
familjarët e mi ishin plakë. Por bashkë me ata, edhe
qyteti i Shkodrës kishte ndryshuar shumë në një
drejtim të padëshirushëm. Shkodrën plakë
e gjeta edhe më të lodhur, me zërin e humbur e shpresat
e fikura. Shkodra, dukej sikur jetonte agoninë e shuarjes së
saj, të një fundi që lë mbrapa vetëm kujtime
për ata që e deshën dhe e duan. Dukej sikur ajo jetonte
akoma tragjedinë që u imponua mbi qytetin nga një
mospërfillje e qëllimshme politike gjysëm shekullore
që vazhdon edhe sot nën sytë e hapur nga mosbesimi
i një popullsie që pëson, por nuk është
e përgatitur t'a besojë.
Sot, kam një lutje për të gjithë shqiptarët:
"Vëllezër e motra kudo që jetoni! Ju lutëm,
mos e vrisni Shkodrën time, Shkodrën tuaj, Shkodrën
tremijë vjeçare!
Që nga aeroporti "Nënë Tereza", Rinas,
e deri në Shkodër, udhëtimi ishte një torturë
e vërtetë, e një aventurë e rrezikshme. Nga
Jugu, rruga e shtruar shkonte për Tiranë; nga Veriu, rruga
e prishur shkonte për Shkodër. Ajo ishte e pakalueshme:
sipërfaqja e thyer, gropat e mëdha, balta deri në
gjunj, e një çrregullim trafiku që rrezikonte jetën
e udhëtarëve për çdo hap e në çdo
rast. Udhëtimi nëpër fshatrat anës rrugës
kryesore nuk mund të përshkruhet, ndërsa kafshë,
njerëz dhe udhëtarë përpiqeshin të kalonin
nëpër të njëjtën rrugë të prishur.
Me përjashtim të një sektori të shtruar, çdo
gjë ishte lënë në duar të fatit. E fati
ishte treguar i pamëshirshëm për Shkodrën time!
Bukuria madhështore e hyrjes në qytet me kështjellën
Rozafat e fushat magjepëse përreth, zbehej para vështirësive
të kalimit, gjendjes së rrugëve dhe çrregullimit
të trafikut, ndërsa qyteti vetë përshkohej nga
"shtigje" që nuk mund të quhen "rrugë",
sepse nuk kanë as shtresën, as kanalizimet, as trotuaret,
as dritat. Në të gjithë qytetin nuk pashë asnjë
punëtor mirëmbajtje. Në disa kryqëzime policia
me uniformë nuk ishte në gjendje të kontrollonte
trafikun, sepse nuk kishte asnjë shenjë, ose vijë
të bardhë, për të orientuar shoferin. Semaforët
e pakët të qytetit nuk funksiononin për mungesë
energjie elektrike...!
Ky
kuadër mjeran plotësohet nga grumbujt e plehrave, që
mbushin çdo qoshe të rrugëve të hedhura nga
qytetarë të pandërgjegjshëm, e që mbeteshin
të pambledhura për ditë e javë të tëra,
sepse nuk kishte shërbime bashkiake. Kanalizimet e mëparëshme
ishin bllokuar, prishë, ose uzurpuar për ndërtim
dyqanesh provizorë pa leje urbanistike, tenda e kioska. Edhe
sasia më e vogël e shiut krijonte liqene uji që bënin
të pamundur kalimin me këmbë të qytetarëve.
Në këtë gjendje të pabesueshme, "tregëtarët"
shesin frutat, perimet, vezët, djathin, e sidomos mishin e
invaduar nga mizat, e peshku që mbante erë disa qindra
metra për rreth. Aty grumbulloheshin qindra dyqane që
kishin uzurpuar trotuarin me shitje artikujsh të ndryshëm,
të importuar me shumicë, të një kualiteti shumë
të dobët e me çmime të përshtatëshme
për varfërinë që kishte mbuluar qytetin, këtë
qytet të braktisur nga kryeqyteti. Oh, ju lutem!! Mos e vrisni
Shkodrën time!
Hyrja e dalja nga qyteti vështirësohej nga një rrjet
"rrugësh" të pandrequra e plot baltë, e
me ura në gjendje të mjeruar. Kjo gjendje rrugore bënte
të pamundur tregëtinë me botën e jashtme. Për
fat të mirë, ujë të pijshëm kishte mjaft.
Por zgjeba, që mundonte qytetarët më shumë ishte
energjia elektrike. Punishtet e qendrat e prodhimit detyroheshin
të ndërprisnin punën, frigoriferët nuk punonin,
mundësitë e një prodhimi të rregullt e të
planifikuar nuk ekzistonin, e shanset për investime të
jashtme ishin pothuajse zero. Industria lokale, e vogël dhe
e pa perspektivë për mungesë tregjesh tradicional
dhe mundësive për të gjetur tregje të reja,
vuante nga mospërkrahja, e aftësia blerëse e kufizuar.
Dukej sikur gjithçka sillej mbrenda një rrethi vicioz
që nuk mundësonte asnjë dalje. Shkodra jetonte në
agoni!
***
Në këtë skenë dëshpëruese luhej fati
i popullsisë shkodrane. Ish-qendra e kulturës dhe jetës
ekonomike për Shqipërinë e Veriut, Shkodra, kryeqyteti
dhe qendra e "vilajetit" që në kohët e
lavdishme të mbretërve ilirë, sot nuk është
në gjendje të ushqejë 82 mijë banorët e
saj. Fajtorë, sepse kultivuan frymën e një dashurie
pa kompromis për liri, e vetëqeverisjen lokale, shqiptarët
shkodranë po paguajnë sot rëndë pasionin e tyre
fisnik. Në pragun e agonisë ku e sollën dyzetë
e pesë vjet shtypje nga tirania komuniste, shkodranët
e shohin vehtën të harruar, të lënë mbas
dore, të dënuar për të vdekur - një vdekje
e ngadalëshme, pa zhurmë, ndoshta e paevitueshme... Oh,
ju lutem! Mos e vrisni Shkodrën time, Shkodrën tuaj, Shkodrën
tremijë vjet shqiptare!
Në rrugët e prishura e të flliqura të qytetit
historik sillet sot një rini e papunë, e varfëruar,
e pa qëllime, që ka humbur busullën e udhëtimit,
sepse nuk sheh asnjë rrugë dalje. Arsimi, për mungesë
interesimi e fondesh, ka rënë në një nivel të
papranushëm. Përgatitjet profesionale për të
rinjtë nuk i tërheqin, sepse nuk kanë perspektivë.
Shpirti i inisiativës individuale mbytet nga korrupsioni qeveritar
e konkurrenca e pandershme në treg. Krijimtaria tradicionale
në art e muzikë e gjenisë shkodrane është
mbështjellë në rrobat e varfërisë, e nuk
gjen fushë veprimi, as ajër të pastër për
të mbijetuar. Çdo njeri ka heqë dorë nga përpjekja
për të ecë përpara, të ngrejë nivelin
e jetës në qytet, të përmirësojë kushtet
ekzistuese, të dalë jashtë rrethit vicioz që
po e mbytë...! Oh, ju lutem! Mos e vrisni Shkodrën time!
* * *
Olimpi i Shkodrës është sot kryeqyteti, atu ku prehen
perënditë pa përgjegjësi, qendra qeveritare
e pamend, gjykatorja dhe juria e pa ndërgjegjshme e fatit të
rretheve të vendit, siç është Shkodra. Atje,
grupet politike të interesuara për pushtetin qendror debatojnë
vertikalisht, shahen, rrahen, për kontroll të levave kryesore
që sundojnë vendin. Aty Zeusët e Tiranës, sundojnë
mbi një popullsi pa mbrojtje ligjore, e që ka nevojë
për bukë, paqe e liri! Shkodra ime është viktimë
direkte e këtij makinacioni makiavelik, brutal, e të pandershëm,
që mbushë xhepin e sundimtarit, e zbrazë barkun e
një popullsie që vuan, sepse i janë vrarë shpresat
për të nesërmen. Të rijtë e të rejat
marrin rrugët e kurbetit të përhershëm, ndërsa
prindërit mbeten, plaken e vdesin të dëshpëruar,
e në vetmi.
Fondet e grumbulluara e ndihmat e jashtme janë kthyer në
burime pasurimi të paligjshëm për piramidën
udhëheqëse që trajton shtetin si një lopë
qumshti, për një kompozicion grotesk elementësh të
korruptuara deri në palcë. Fëmijët e uritur
për bukë e arsim, prindër të dekurajuar nga
mungesa e punës sot dhe e shpresës nesër, masa të
gjëra të popullsisë që sillet vërdallë
pa orientim, të gënjyera nga politika e ditës, e
të zhgënjyera nga një autoritet që ka grabitur
pushtetin e bashkë me të edhe shpresën e qytetarëve,
janë sot brumi i mjerimit lugat që përpinë një
popullsi dikur të lavdishme të një qyteti aktiv politikisht,
ekonomikisht, e kulturalisht në ndërtim të një
qytetarie me prirje europiane.
Shkodra ka nevojë për një lëkundje sizmike që
të tundet nga vendi si me tërmetet e së kaluarës.
Shkodra ka nevojë për bijtë e bijat e vet më
të mirë! Shkodra duhet të zgjohet, të marrë
në duart e veta fatin e qytetit e të popullsisë,
të organizohet, të hapet për botën e jashtme,
e sidomos të çlirohet nga grushti shtypës i organeve
qendrore të kryeqytetit, e te levave politike e ekonomike që
përdoren kundër saj. Shkodra, duhet të ndërgjegjësohet
për gjendjen e rëndë ku ka rënë. Shkodra,
duhet të varrosë njëherë e përgjithëmonë
mentalitetin anadollak, paragjykimet shkatërrimtare e ndasitë
vdekje-pruese që e dëmtojnë aq shumë. Shkodra,
duhet të rikthehet në mentalitetin modern që drejton
sytë nga Perëndimi, e ndërgjegjshme për të
kaluarën e saj të ndritur, e vendosur të ringjallë
atë, dhe ta avancojë edhe më tej.
Shkodra ka nevojë për shkodrane e shkodranë të
dedikuar për të ndërtuar Shkodrën e lirë,
aktivisht të bashkuar, demokratike, moderne, europiane. Ku
janë shkodranët? Shikoni rreth e rrotull! Ata dhe ato
janë në mesin tonë. Kërkoni e do t'i gjeni.
Bota ndihmon vetëm ata që ndihmojnë vehten. Por hapi
i parë e guximtar duhet të bëhet nga vetë qytetarët
e qytetit të lavdishëm të Shkodrës.
Baldwin, New York
Maj,
2003
|