Patriotizmi
i barbarit
Shkruan:
Xhafer SHATRI
Ekzekutimi
barbar
Në natën mes 3 e 4 qershorit
të këtij viti, në Kastriot janë mbytur mizorisht
në shtëpinë e vet tre serbë, pjesëtarë
të familjes Stoliç; çifti i moshuar Sllobodan
(80 vjeç) e Radmila (78 vjeçe) dhe djali i tyre 53
vjeçar, Ljubinko.
Siç
është konstatuar më vonë, gjatë obduksionit,
gjakësorët i kishin torturuar barbarisht viktimat deri
në vdekje e pastaj i kishin vënë zjarri shtëpisë
së tyre. Sipas mjekëve ligjor, janë konstatuar goditje,
sipas të gjitha gjasëve me shufër metalike, thyerje
gjymtyrësh dhe lëndime vdekjeprurëse në kokë.
Fqinjtë serbë u kanë deklaruar mediave se viktimave
u ishin nxjerrë edhe sytë.
Pas vrasjes së kositësve
serbë në Gaçkën e Vjetër e hedhjes në
ajër të autobusit të Nish-expres në Mërdarë,
ky është krimi më i rëndë që ka ndodhur
në Kosovën e pasluftës, ku viktima ishin pjesëtarët
e bashkësisë serbe.
Ky krim i llahtarshëm, sipas
një praktike tashmë të njohur, është kryer
në prag të ngjarjeve që do të ndikojnë
në statusin e ardhshëm të Kosovës: atë
ditë vinte në Kosovë shefi evropian për punë
të jashtme e siguri, Javier Solana. Ai vinte për të
përgatitur pjesëmarrjen e Kosovës në mbledhjen
e ardhshme të Selanikut, për të cilën thuhej
se do të jetë vendimtare për të ardhmen e vendeve
të Ballkanit Perëndimor.
Vlen të përmendet se ky
krim i shëmtuar u krye në prag të 4 vjetorit të
çlirimit të Kosovës, e të mbajtjes së
mbledhjes së Këshillit të Sigurimit lidhur me gjendjen
në Kosovë.
Provimi
që nuk e dha Kuvendi i Kosovës
Ditën e krimit Kuvendi i Kosovës
mbajti një nga mbledhjet e tij të përmallshme. Të
gjithë ata njerëz që mendojnë dhe përpiqen
që Kosova të jetë një shtet i lirë, i pavarur
e demokratik, atë ditë kanë pritur që kryetari
i Kuvendit që në krye të hapjes së mbledhjes
do të kërkojë që me një minut heshtje të
nderohet kujtimi i tre qytetarëve të Kosovës që
kriminelët i kishin ekzektuar barbarisht në shtëpinë
tyre.
Jo vetëm kaq, por kanë
pritur që të aprovohet dhe një rezolutë përmes
së cilës, në emër të popullit të Kosovës,
dënohej ashpër ky krim dhe institucioneve ndërkombëtare
u përcillej një mesazh i fuqishëm se institucionet
e Kosovës, jo vetëm dënojnë krimin, por edhe
kërkojnë me të drejtë marrjen e kompetencave
për të mbrojtur qytetarët e vet.
Asgjë nga krejt kjo. Madje
siç e tha Dragisha Kërstoviç, kryetar i grupit
parlamentar serb "kolegët tanë shqiptarë nuk
na kanë shprehur as ngushëllime!" Me një fjalë,
jo vetëm u bë një shkelje e pafalshme e traditës
së mirë shqiptare për të respektuar dhimbjen
e tjetrit kushdo qoftë ai, por u shpërfaq njëfarë
lojë e flliqtë, një hipokrizi politike që Ballkanin
kaherë e ka bërë të njohur e të neveritshëm
në krejt botën.
Natyrish, në mungesë të
një veprimi të përgjegjshëm të krerëve
të Kosovës, pasoi dalja nga Kuvendi e koalicionit "Kthimi",
të cilit, në fakt nuk i mbeti rrugë tjetër.
Dhe pasoi presioni i ndërkombëtarëve mbi krerët
e Kosovës që të shfaqin shqetësimin e tyre bile
sa për sy e faqe!
Nuk dështuan vetëm institucionet
kryesore të vendit, por dështoi edhe shoqëria civile,
dështuan mediat, dështuan edhe intelektualët... Sepse
me datën 4 qershor është pritur një manifestim
i madhe e i heshtur në qendër të Prishtinës,
përmss të cilit do të shqiptohej Jo-ja e vendosur
e Kosovës ndaj krimit dhe Po-ja e fuqishme e saj për tolerancë
e shtet ligjor, pa të cilët nuk mund të ketë
as pavarësi e as demokraci.
Si
mund të shpjegohet kjo indolencë
Fakti se Kuvendi atë ditë
është sjellë sikur ta kishte për qëllim
që botës t'ia dërgoj një mesazh të kobshëm
nga Kosova: "neve nuk na ndjen fare për vrasje të
tilla, ne për qytetarët e Kosovës kemi kute të
ndryshëm!".
A është fjala për
arrogancë, për papërgjegjësi apo ndoshta edhe
për diçka tjetër akoma më të rëndë
koha do ta tregoj një ditë.
Sidoqoftë nga këndvështrimi
aktual ky qëndrim i elitës së Kosovës nuk mund
të arsyetohet me ato që kanë ndodhur në Kosovë,
me ato që nuk mund të harrohen kurrë. Por më
tepër me faktin se elita jonë pushtetore:
- është e papërgjegjshme
për detyrimet që ka;
- në vend se për të ardhmen e vendit, më tepër
mendon për ata votues që rrenën dhe manipulimin e
konsiderojnë për patriotizëm të kulluar;
- nuk ka guximin qytetar të këmbëngulë në
krijimin e një morali të ri që të zezës
t'i thuhet e zezë e të bardhës e bardhë;
- në substancë është produkt i një mjedisi
ku hipokrizia dhe mungesa totale e kurrizit ishin dhe vazhdojnë
të mbeten lëndët dhe orientimet kryesore në
shkollimin dhe praktikën e tyre politike.
Me një fjalë, elita politike
e Kosovës la një rast të jashtzakonshëm për
veprime e qëndrime largapamëse politike. Njerëzit
kanë pritur se Rugova dhe Rexhepi do të kërkojnë
takim urgjent me Steinerin e Fabio Minin, ku do të kërkonin
llogari deri në dorëheqje për mungesë të
masave të sigurisë do të kërkonin kompetencat
që u takojnë organeve të vetëqeverisjes së
përkohshme për marrjen në mbrojtje të qytetarëve
të Kosovës. Me një fjalë, në mos më
shumë, do t'ua merrnin argumentet të gjithë atyre,
që janë aq të shumtë, e që do të abuzonin
me krimin në Kastriot.
Cuditërisht as mediat nuk bënë
zhurmën që është pritur. Ndonjë artikull
kritik me tepër se me shqetësim ishte i pëmbushur
me frikën se çka do të thonë huliganët
politikë, çka do të thonë ata që gjithë
jetën e tjerrin mendimin para gotës së çajit
rus. Mediat e përgjegjshme nuk merren me ekulibrime në
mes të keqes dhe të mirës.
Po kështu dështoi edhe
shoqëria civile. Eshtë pritur që KMLDNJ, kurrizi
i shoqërisë civile në Kosovë, të jetë
më i zëshëm, e madje edhe të organizojë
manifestime kundër vrasësve dhe shtisëve.
Kush
e kreu krimin në Kastriot?
Kjo është pyetje në
të cilën duhet të përgjigjet policia, por, në
mungesë të organeve të përgjegjshme, ne, gazetarët
e kemi për detyrë të përpiqemi të japim
ndonjë përgjigje.
A
mund ta ketaë kryer këtë vrasje ndonjë grup
politik e i armatosur shqiptar?
Nuk ma merr mendja. Sepse Stoliçët
ishin qytetar të rëndomtë dhe pa asnjë ndikim
në jetën politike. E kaluara e tyre nuk flet të kenë
qenë të implikuar shumë në lëvizjet e zeza
politike serbe në dy dhjetëvjeçarët e fundit.
Fundja në favor të Jo-së
flet edhe mënyra e ekzekutimit: militantët politikë
sado fanatikë e të mbushur me urrejtje qofshin, edhe pse
ndoshta do t'i vrisnin, megjithatë nuk do t'i masakronin viktimat...
Me një fjalë politikisht ky akt kriminal do të kthehej
kundër synimeve të tyre.
Pastaj, çka është
themelore, vrasjet me motive politike deklarohen si të tilla
nga grupimi që kryen krimin.
A
mund t'i ketë vrarë dikush Stoliçët për
t'ua marrë pasurinë e patundshme?
Nuk e besoj, sepse në këtë
rast ata do të zbuloheshin fare lehtë!
A
mund ta kenë kryer krimin hajdutët shqiptarë?
Nuk ma merr mendja, sepse Stoliçët
si shumica e serbëve në Kosovën e pasluftës
janë të varfër. Për shkak të atyre që
kanë ndodhur në Kosovë, ata nuk kanë pasur të
holla të gatshme. Në rastin konkret viktimat ishin njerëz
të vjetër, të dy pleqtë në perëndim
të jetës së tyre, të cilët më së
shumti kanë mundur të kenë në shtëpi 70
euro, nga pensioni i tyre modest. Stoliçët ishin të
fundit në Kosovë, të cilëve do t'ua mësyenin
plaçkitësit.
Kush
tjetër mund ta ketë kryer këtë vrasje?
Mendja e shëndoshë, e
cila kurrë nuk guxon të heqë dorë nga dyshimi,
thotë se këtë krim monstruoz mund ta kenë kryer
persona të paguar rrast. Madje shtisit duhet të kenë
shkoqitur mirë edhe mënyrën se si dhe kohën
se kur duhej kryer krimi. Ekzekutorët në këtë
rast mund të jenë të çdo race ose etnie. Pra
mund të jenë dhe shqiptarë.
Ose ndonjë celulë paramilitare
serbe: Në Kosovë ekzistojnë dhe funksionojnë
pandeprerë struktura të shërbimeve serbe. Me ndryshimet
e fundit në Beograd këto struktura janë izoluar e
vënë në dyshim dhe kanë vendosur të marrin
vetë punët në dorë. Meqë është
fjala për struktura që nuk kanë se çka të
humbin, ato konsiderojnë se me veprime të tilla do të
kontribuojnë që ngjarjet në Kosovë të marrin
kahjen që dëshirojnë ato.
Cka
flet në favor të këtij versioni?
Momenti kur u krye dhe mënyra
se si u krye krimi. Vrasja në Kastriot u bë, siç
u tha në fillim, para vendimeve të rëndësishme
politike që do të ndikonin në statusin e ardhshëm
të Kosovës.
Viktimat janë torturuar dhe
vrasësit janë përkujdesur që vënia e zjarrit
shtëpisë të jetë vetëm gjoja një tentim
por kurrsesi edhe qëllim zhdukja e gjurmëve.
Policia dhe gjyqi duhet ta thonë
fjalën e vet. Por këto të fundit, megjithatë
mbetën pistat kryesore që do të duhej ndjekur, Sepse
këso krimesh do të shpeshtohen në të ardhmen.
Dhe kjo në funksion të luftës politike, por edhe
tjetër, për statusin e ardhshëm të Kosovës.
Kriminelët janë vazhdimisht
një hap përpara. Dhe në rastin tone, këtyre
veç indolencës së ndërkombëtarëve
u ndihmon edhe paria e Kosovës, e cila, siç u pa në
këtë rast, me patriotizmin e saj të dyshimtë
nuk ka kurajë për të qenë e prerë dhe unike
në përcaktimin e saj ndaj të keqes. |