Edhe
finlandezja Rehn në garë për postin e Shtajnerit
Shkruan:
Shqiptar OSEKU
Politikanja e diplomatja finlandeze,
znj Elisabet Ren (Elisabeth Rehn), ka kandiduar për postin
e shefit të administratës së OKB-së në
Kosovë. Kështu shkruan gazeta finlandeze "Kainuun
Sanomat".
Në
vendin e vet, Elisabet Ren ka shërbyer si Ministre e Mbrojtjes
dhe si Ministre për Barazi Sociale. Me përvojën e
vet shumëvjeçare në Kryqin e Kuq Ndërkombëtar,
në OSBE, në OKB, në Parlamentin e Evropës etj,
ajo është sot një ndër profilet më "ndërkombëtare"
të Finlandës. Elisabet Ren është, poashtu, edhe
një ndër figurat publike më të arsimuara të
atij vendi, me dy doktoratura shkencore në bagazh, në
lëmet politikë e ekonomi.
Njëherit, ajo çmohet
në Finlandë edhe për shkak të nderit të
pacenuar e integritetit privat. Ajo është e martuar tash
47 vjet, e mëmë e 4 fëmijëve. Rreth saj s'kanë
fryer kurrë shtërngatat e skandaleve, që janë
të rëndomta në ato nivele. Deri sot, "skandali"
i vetëm i saj daton nga viti 2000, kur u gjobit nga një
polic rrugor për vozitje të shpejtë. "Skandali"
konsistoi te ajo se tiketa e gjobës u gris nga shefi i policisë.
Ky u degradua pas shkrimeve në gazeta, por jo znj Ren - ajo
e kish paguar dënimin, rreth 250 euro, me para në dorë,
duke kërkuar sinqerisht falje nga polici...
Për momentin, znj Ren rezidon
në Helsinki, me status zyrtar "bashkëpunëtore
speciale" pranë Departamentit të Jashtëm finlandez.
Ajo është, poashtu, ndër drejtorët e ndërmarrjes
hulumtuese "Intellibridge Inc" me seli në Uashington
DC, e anëtare në Pleqësinë vlerësuese pranë
Departamentit për Paqeruajtje të OKB-së. Në
këto poste ajo është tërhequr pas skadimit të
afatit si anëtare e Gjykatës për Pajtim e Arbitrim
pranë OSBE-së.
Znj Ren ka përvojë shumëvjeçare
nga Ballkani. Në Kosovë ajo arriti së pari në
tetor 1996, si Raportuese speciale e KS të OKB-së për
të Drejtat e Njeriut. Asokohe znj Ren kërkonte të
marrë vesh si po zbatohej e aq. Ujdia e Arsimit, dakorduar
mes Rugovës e Millosheviçit një muaj më herët.
Nga perspektiva e Beogradit të
atëhershëm zyrtar, vizita e znj Ren vajti keq. Pasi kish
takuar dy palët, znj Ren mbajti konferencë për shtyp
ku e akuzoi serbët për represion kundër nxënësve
e mësuesve shqiptarë, duke kërkuar trysni ndërkombëtare
kundër Beogradit. Si pasojë, znj Ren iu pat anuluar një
takim i planuar paraprakisht me Millosheviçin.
Pos anës profesionale, znj
Ren ka edhe kredenciale bukur të forta private, që mund
të lozin rol në garën për postin e Shtajnerit.
Kujtimet e fëmijërisë nga agresioni sovjetik i kanë
lënë asaj mbresa personale nga tmerret e luftës.
Në anën tjetër, znj Ren është suedeze etnike
nga Finlanda, me sensibilitet të natyrshëm për çështjet
minoritare. S'do mend se ajo këto i shikon nëpër
thjerrëzat finlandeze: Finlanda definohet me kushtetutë
e në praktikë si vend dygjuhësor, ndonëse suedezët
etnikë përbëjnë vetëm 6 përqind të
popullsisë.
Si avantazh i tretë i znj Ren
numërohet edhe angazhimi i saj në çështje
të grave. Ajo ka qenë anëtare e Komitetit Stiring
për barazim gjinor në proceset e paqes; si dhe kryesuese
e Shoqërisë finlandeze për stërvitje të
grave në parandalim të krizave. Në paraqitjet e veta
finlandezja Ren e ka theksuar gjithnjë rolin e gruas në
shoqëri, duke fituar miq me ndikim në vendet e përparuara.
Shefi i tanishëm i UNMIK-ut
z. Shtajner ka pranuar se do ta lë Kosovën gjatë
verës. Ministria e jashtme gjermane ka bërë me dije
se ai do të tërhiqet me detyrë të re në
Gjenevë. Sa për kuriozitet, Shtajneri citohet kësaj
jave nga mediat gjermane të ketë thënë se "një
vit në Kosovë është pak, e dy vite shumë".
Pos znj Ren, në garë për
postin e Shtajnerit janë edhe suedezi Pjer Shori, shef i dërgatës
suedeze pranë OKB-së; si dhe italianët Stefano Sanino,
këshilltar i shefit të BE-së, Romano Prodi, e Antonio
Armellini, ish-koordinator i Paktit të Stabilitetit për
Ballkan.
|