Robi
u thye, flamuri në dorë të Zotit
Shkruan:·
Ilir VROJTO
Ishte
vjeshtë e acartë në Prishtinën e vitit 1956
kur Sadriu, 17 vjeç, nga rrobaqepës u bë revolucionar.
Betimin e dha pasdite në shtëpi, gjersa e ëma po
ia lante rrobat në kopsht. Para statusit të organizatës
sekrete, një radhori të vockël me kopertina të
kuqe, dhe flamurit shqiptar, ai tha shkurt: ”Betohem para
flamurit, se do të luftoj sa të kem frymë, për
bashkim të viseve shqiptare në një Shqipëri.”
Bashkë me të ishin edhe tre mocanikë të tij,
një tip lexues që e pëlqente Balzakun, një dëshmor
i ardhshëm që atëbotë s’kish dërsirë
ende, dhe një gazmor i çiltër, që muaj më
vonë do ta tradhëtonte dëshmorin.
Për
mëse 4 dekada, Sadriu do të ndiqej, torturohej, e zbohej
larg prej vendlindjes, për hir të atij episodi. Gruan
e tre fëmijë do t’ia mbanin peng 12 vjet. Dy herë
do t’i kurdisnin atentat, për ta vrarë larg prej
atdheut. E atij s’do t’i vente mendja kurrë ta
braktis besën e dhënë; as ahere kur kish mbetur i
vetmi prej shokëve, pa asnjë dëshmitar të gjallë
që t’ia kujtonte atë pasdite. Kur e pyet sot, fiks
48 vjet më vonë, tek rri ulur me tespi në dorë
në shtëpinë e vet të moçme në Prishtinë,
ti e kupton se, megjithatë, një dëshmitar i pamenduar
paska qenë gjallë gjithë këtyre vjetëve.
”Paj pata dhânë besë para flamurit bre bac,”
thotë ai troç.
Në
tjetër pasdite me acar, në funddimrin 1999 në cepin
më verior të Shqipërisë, një tjetër
17-vjeçar qëndronte në aradhë gatitu para
flamurit. Heshtjen e mëngjesit alpin po e thente vetëm
shkaba, tek rrihte flatrat rreptësisht në erën e
mëngjesit. 17-vjeçari ishte nga Drenica, për një
kokë më i gjatë se tërë shokët tjerë
në aradhë, nofka – jo rastësisht – ”Zgjatani”.
Ai e kish lënë një bjondinë e punën në
Slloveni, e mbante qe një javë uniformë të UÇK-së.
S’ishte mësuar ende me cermin e bjeshkëve si shokët
tjerë, andaj sytë i lotonin. Do dërgoheshin për
në front me urgjencë, prandaj betimit i ranë trop:
”Betohem para flamurit, se do të luftoj gjer në
frymën e fundit, gjer në çlirim e bashkim.”
As më shumë, as më pak. Më vonë do t’i
thonte shokut të vet më të ngushtë se, me vështrimin
e trazuar, do t’i dukej sikur shqiponja po ia bënte me
kokë ”Mirë se erdhe”.
Një
javë më vonë, pas një dueli me shqehtë
në Rrasën e Zogut, Zgjatani do të qëllohej në
bark nga ciflat e një predhe. Kur ia vunë re njollat e
gjakut në dëborë, ai kish qenë i plagosur një
copë here të mirë. Por kish vazhduar të qëllojë.
Kish vendosur të mos e lëshojë transhin i gjallë,
pa të del ku të del. –Si krye drenicaku, më!
Zgjatani
s’kish pranuar ta tërheqin me lese. E kish zbuar sanitetin
duke u kërcënuar me armë, gjersa i kish rënë
të fikët. Me të këndellur, kur sheh që
po e tërhiqnin prej Kosovës, fillon t’i trujë
mjekët. ”Zoti ju vraftë bre! Mos paçi dritë
me sy! Po qysh po më nxjerrni bre prej Kosove!? Mosni bre,
a më ktheni! Mosni bre, a! Du’ me vdekë atje, a
po ndieni! Du me vdekë atje! Mosni bre, mosni breee, se jam
betu’ para flamurit!” Zgjatani vdiq teksa po gërmonte
në xhepat e uniformës. Atje mjekët i gjetën
më vonë një flamurth, dhe një fotografi të
dashnores sllovene.
Mjeku
i frontit sot punon në Kosovë. Është mesoburrë
i shtruar, njeri familjar, qytetar i vjetër. Po s’përmbahet
dot prej lotëve saherë që rrëfen për Zgjatanin.
Emrin e vërtetë s’ia ka mësuar as sot e kësaj
dite. ”O si na trunte, kuku mos pvet! E si na këqyrte,
e si na bânte be për gjynah, o kallën me ta shti
pasha emnin e Zotit! Po si s’e kthyem bre, po hajr mos paçim!
Ia kish dhân djali besën flamurit, s’dote me dalë
gjallë prej Kosovës.” Në një mbarokë
druri në shtëpinë e mjekut, ndër kujtimet tjera
të luftës, një flamurth i qëndisur me njolla
të përthara gjaku.
Dy
episoda me mbi 40 vjet ndërmjet, dy çuna moshatarë,
të panjohur për njëri-tjetrin, që jetojnë,
luftojnë, e japin shpirt, me të njëjtën frymë.
Marrëdhëniet mes shqiptarëve e flamurit të tyre
kanë qenë përherë marrëdhënie të
një dashurie fatale, që s’ka pranuar kurrë
dredha e gjysmakësira.
E
megjithatë, viti 2003 mundet që do të mbahet mend
në të ardhmen si viti i fundit kur shqiptarët patën
këtë flamur të përbashkët. Vitin tjetër,
e doemos në vitin 2005, kur është thënë
se do të maten 8 standardet e Kosovës, të gjithë
rreth flamurit të përbashkuar – s’do të
jemi më. Paria e re e Kosovës, të cilës i rrjedh
ende buza qumësht, e ka nisur një proces që shpreson
ta shpie drejt mëvetësimit politik. Në këtë
avanturë, që do ta shpiejë larg e më larg idealeve
të bashkimit kombëtar, shpresa për fitime është
e turbullt, e largët e diskutabile, ndërsa humbjet të
qarta, të përnjëhershme e definitive. E para fli
që duhet therrur në altarin e provincialistëve kosovarë
është, doemos, flamuri kombëtar.
E
pra, sido që të ketë qenë, kjo shkabë,
me helmetë e pa helmetë, me yll e pa yll, e lirë
a e ndaluar, megjithatë gjer sot ka qenë e përbashkët;
madje, sa më e përndjekur, aq më mitike ndër
shqiptarët. Me pushtetin e fortë që e ka një
simbol i ndaluar, ajo ka arritur ta përçojë ndër
breza amanetin e etërve të nacionalizmit shqiptar: bashkimin
territorial të shqiptarëve në një shtet.
Këto
momente janë, pa dyshim, ujëndarëse në ideologjinë
e nacionalizmit shqiptar. Gjer tani, kjo ideologji u ka bërë
ballë – nganjëherë mezi! – sfidave të
kohës. Por sfida më e re, ajo nga provincialistët
kosovarë, kërcënohet të jetë kreu përmbyllës
i historisë së saj mëse 100 vjeçare. Familjarë
”të një gjuhe, të një gjaku e të
një rrëze”, si i përkufizonte dikur Konica
shqiptarët, e të ndarë përdhunë fizikisht,
rrezikojnë të ndahen kësaj radhe edhe shpirtërisht:
ngastra të reja të krijohen mbi ato të moçmet,
të ruajtura syçeltësisht me konventa plotësuese
ndërkombëtare.
E,
për dallim prej ngastërimit të mëhershëm,
që shqiptarët kanë mundur ta denoncojnë si ilegjitim,
ky i radhës është absolutisht më tinzari, meqë
quhet demokratik. Bota e lirë demokratike i lë kosovarët
të zgjedhin krejt lirisht, vetëm me tehun serb në
fyt, nëse duan apo jo të heqin dorë nga unjësimi
kombëtar.
Por
as kjo s’është më e keqja. Ajo që të
lë krejt pa mend, është se në Kosovë paska
ende prijës që duan të shiten pa u hapur pazari.
Peshku prishet së pari në kokë. Kryetari i protektoratit
të atjeshëm, Ibrahim Rugova, s’i ka takuar ndonjëherë
Sadriun e Zgjatanin. Ai e ka qëndisur tashmë një
flamur të vetin, që në intervista me të jashtmit
e quan ”flamur të ardhshëm të Kosovës”.
E, si për ironi: flamuri i Rugovës ndryshon më shumë
(!) prej atij kombëtar, se sa që ndryshonte në vitet
1980 flamuri i Azem Vllasit, kolaboratorit të parë shqiptar
të Millosheviçit.
S’do
mend që kolegët e dikurshëm të ish intelektualit
kosovar kanë ngritur zërin, si kundër flamurit të
tij, ashtu edhe kundër mënyrës se si e ka sajuar
atë.
”Elementet
bazë të flamurit kombëtar, sfondi i kuq e shqiponja
e zezë, duhet gjithsesi të mbeten të paprekura",
mendon p.sh. prof. Jahja Drançolli, shef i Katedrës
së Historisë në Prishtinë. "Një variant
i tillë në perspektivë mendoj që nuk do ta përjashtonte
bashkimin kombëtar.”
Jusuf
Bajraktari, drejtor i Institutit të Historisë në
Prishtinë:
"Është
ende herët, ne kemi probleme tjera para caktimit të simboleve.
Kosova duhet te kete simbolet e shtetit, por jo kësisoj ad
hoc. Nisma e kryetarit Rugova sigurisht që është
dashur të kalojë nëpër institucionet kosovare."
(Ad hoc shqip dtth paushall, v.a.)
"Kryetari
Rugova le të tregojë se kush e paska bërë flamurin
dhe simbolet në të, e se çfarë baze historike
paska përdorur në përgatitjen e simboleve",
thotë Shyqyri Nimani, studiues i heraldikës shqiptare.
"Le
të sqarohet se pse është vizatuar një rreth
i kuq në një fushë të kaltër, pse është
vendosur një yll gjashtecepësh sipër shkabës.
Ai flamur nuk mund ta përfaqësojë Kosovën",
mendon ai.
E
kështu me radhë, të gjithë pos dervishëve
të Rugovës, kanë dalur haptazi kundër; Sadriu
e Zgjatani s’ishin ujq të vetmuar. S’do mend që
nxitimi i Ibrahim Rugovës e ka cenuar keq si dellin kombëtar
të shqiptarëve, ashtu edhe procesin demokratik. Nxjerr
një kashtë e dalin gjashtë, pasojat e mëvonshme
mbesin për t’u parë. Veçse, në prag
të negociatave të zorshme që e presin Kosovën,
edhe budallai e kupton që kryetari i protektoratit ka torpeduar
pozicione të forta të palës shqiptare.
Probleme
të ngjashme ka edhe në IRJM e në Mal të Zi.
Edhe atje, u desh gryka e armës që t’i hapen portat
flamurit shqiptar, qoftë edhe përgjysmë. Autoritetet
sllave janë liberalizuar ca, policia nuk ndërhyn më
në dasmat ku valon shkaba. Por shqiptarëve s’u lejohet
ta ngrisin flamurin zyrtarisht, pra në festat kombëtare,
para godinave komunale etj, as në komunat ku dominojnë
90 përqind, pa lëre më tjetërkund. E më
e keqja është, që pala shqiptare s’ka ndonjë
strategji se ç’të kërkojë rreth flamurit:
do mëvetësi heraldike e legalizim të dykrenares,
integrim të saj me diellin e Lekës së Madh, apo diçka
krejt të tretë? Shkabës së gjorë liderët
i këndojnë oda në bisht sharkie, por të tubohen
e ta bëjnë kuvend fatin e saj, këtë s’e
bëjnë dot!
Stuhia
e acartë me të cilën përballet sot shkaba shqiptare
në Ballkan është tejet folëse. Kundër saj
konspirojnë ditë e natë shtetet fqinje, ndërsa
ajo është braktisur sërish – sikur sa herë
tjera - nga Fuqitë e Mëdha. BE-ja de facto e ka braktisur
atë në fatin e vet; në një ndër shtetet
qendrore në BE, siç është Greqia, etnia shqiptare
prej 2 mil nga 10.5 gjithsejt (1/5 e popullsisë) dhe flamuri
i saj, si dhe gjuha, ritet fetare e të gjitha shenjat dalluese
të kombit, lihen padhembshur në pamëshirën e
grekëve. Është koha të thuhet e vërteta
troç. Kur kjo ndodh në zemër të BE-së,
ç’të presim nga bishtat e saj këtu në
Ballkan?
E
megjithatë, më duket që për shkeljen më
të dhembshme kundër flamurit, fajtorë janë vetë
shqiptarët. Liderë lokalë, zgjedhur prej shqiptarësh,
s’e kanë për turp ta shesin, madje ta hedhin falas
në prehër të të huajve, flamurin kombëtar.
Kundër tij ngritet propagandë dyfytyrëshe, gjoja
ai, e jo vobegtësia shpirtërore, mendore, e vepruese e
parisë shqiptare, na qenka pengesë e mirëqenies dhe
progresit. Injoranca, grindjet, korruptimi i parisë sonë
qenkan detaje, krahasuar me rëndësinë parësore
që na e paska, po pra, pamja e flamurit. Andaj, oburra ta ujdisim
flamurin, para se t’i marrin në dorë ato cikërrimat
tjera.
Ruajmë
Zot, por nganjëherë më vje mirë që Zgjatani
prehet në dhe, e që miku im Sadriu është plakur.
Ndofta edhe Sadriut i ec fati, e s’arrin t’i shohë
shqiptarët tek kuvendojnë, pa u bërë syri tërr,
a t’ia zhdukin krejt apo t’ia lënë pak sa
për yrnek, idealin jetësor. Them: Mbase i dhimbset të
paktën Zotit; meqë robit, me sa po shihet, do t’i
dali cipa krejt.
|