Përurohet
në Bukuresht një fjalor shqip
Shkruan:·
Baki YMERI
“Ja
pra, ky është libri më i pritur, vepra kolosale që
e ëndërronin universitarët tanë, katedrat tona,
bibliotekat, dashamirët e gjuhës dhe letërsisë!
Botimi i këtij monumenti leksikografik, përbën një
sinjal për autoritetet politike, të Rumanisë dhe
Shqipërisë, duke e konsideruar këtë si një
rast i përforcimit të admirimit dhe përforcimit të
marrëveshjes bilaterale, të nevojës për hapjen
e disa lektorateve të përbashkëta, rumune në
Shqipëri, dhe shqiptare në Rumani”.
Organizuar
nga Ambasada Shqiptare, Bashkësia Kulturore e Shqiptarëve
të Rumanisë dhe Editura Polirom, pardje në Bukuresht,
u lansua Fjalori më i madh Shqip-Rumanisht (1300 faqe). Këtë
ceromoni solemne, e zyrtarizoi përmes fjalës së hapjes,
ambasadori i Shqipërisë në këtë vend, zoti
Leonidha Mërtiri, një diplomat i përsosur që
jep kontribut konkret, edhe për bashkimin e diaporës së
përçarë.
Përveç
anëtarëve të shumtë të komunitetit të
këtushëm shqiptar, këtë ngjarje primordiale
e nderuan miq të mëdhenj të Shqipërisë,
personalitetete shkencore, kulturore dhe diplomatike.
Ishin
prezentë ambasadori i Rumanisë në Shqipëri,
zoti Konstantin Erimia, themeluesi i BKSHR-së, prof. dr. Xhelku
Maksuti, kryetari i Shoqatlës së Miqësisë Rumuno=Shqiptare,
zt. Gheorghe Miku, përkthyesi i veprave të Kadaresë
në gjuhën rumune, Marius Dobrescu, aktori i famshëm
me prejardhje arumuno-shqiptare, Niku Konstantin, botuesi i revistës
Shqipëria XXI, Erion Piciri, bij dhe bija rilindasish, shqiptarë,
rumunë dhe arumunë.
Qysh
në fillim, zoti Leonidha Mërtiri, paralajmëroi faktin
se këto ditë, “në Bukuresht do të zhvillohen
një serë aktivitetesh tejet të rëndësishme,
të cilat ndërlidhen me traditat dhe miqësinë
rumuno-shqiptare, një miqësi që njeh vetëm ngjitje,
dhe jo zbehje. Në kuadrin e këtyre ngjarjeve të rëndësishme,
vepra e cila promovohet sot, ka për autor zonjën Renata
Topçiu, mëmën e saj, zonjën Ana Mellonashi,
dhe zotin Luan Topçiu”.
Nga
kumtesa e shkurtë e ambasadorit shqiptar kuptuam se studentesha
e dikurshme rumune Ana Mellonashi, tani e dyzet vjet më parë,
duke studjuar filologjinë në Universitetin e Bukureshtit,
u njoh me një shqiptar me prejardhje nga Fieri, Thimi Mellonashi,
që studjonte medicinën në këtë metropolë.
Kështu, ajo e lidhi jetën e saj me të, dhe gjatë
tërë këtyre viteve, ka shërbyer në arsim,
ndërsa i shoqi i saj, ish-student i Universitetit të Bukureshtit,
u bë njëri nga kardiologët më të njohur
të Shqipërisë.
E
bija e saj, zonja Renata Topçiu, është sot lektore
universitare, pranë Universitetit Ovidius në Konstancë,
përkthyese nga letërsia shqipe në gjuhën rumune,
dhe anasjelltas, kurse zoti Luan Topçiu, pasi kreu studimet
e larta të letërsisë në Shqipëri, i kreu
studimet pasuniversitare në Universitetin e Bukureshtit, ku
u doktorua në fushë të letërisës së
krahasuar, me kualifikativin Magna cum laudae (2001). Aktualisht
është profesor-bashkëpunëtor në Universitetin
e Bukureshtit, autor i një numri të konsideruar librash
të përkthyer dhe origjinalë, eseist i shquar, kryeredaktor
i revistës Shqiptari dhe Shqipëria XXI.
Prof.dr.
Grigore Brënkushi, albanolog dhe mik i madh i Shqipërisë,
e mbajti fjalën qëndrore, lidhur me vlerën dhe rëndësinë
e kësaj vepre brilante. Pasi dha një pasqyrë të
shkurtë të leksikografisë shqiptare, që nga
fjalori i parë i një shtegtari gjerman (Arnold von Harf
(1497), e deri te fjalori më i madh shqip-rumanisht, që
doli këto ditë në Bukuresht, me rreth dyzet mijë
fjalë, zoti Brënkush theksoi:
“-Nevoja
për një vepër të këtillë, ishte e
kahershme, e madhe dhe e domosdoshme, por me gjithë përpjekjet
e disave, kjo nuk u realizua deri më sot. Ja pra, ky është
libri më i pritur, vepra kolosale që e ëndërronin
universitarët tanë, katedrat tona, bibliotekat, dashamirët
e gjuhës dhe letërsisë!”
”Botimi
i këtij monumenti leksikografik, përbën një
sinjal për autoritetet politike, të Rumanisë dhe
Shqipërisë, duke e konsideruar këtë si një
rast i përforcimit të admirimit dhe përforcimit të
marrëveshjes bilaterale, të nevojës për hapjen
e disa lektorateve të përbashkëta, rumune në
Shqipëri, dhe shqiptare në Rumani”, - tha Brënkushi,
dhe vazhdoi: ”-Nuk mund të kuptohen ndryshe raportet
kulturore rumuno-shqiptare, pa lektorate në këto dy vende,
ngase fisërimi linguistik është aq i madh dhe aq
i thellë, saqë do të ishte mëkatë sikur
mos realizohet një inisiativë të këtillë,
qoftë kjo përmes një marrëveshjeje të përbashkët,
për këmbime të ndërsjella, nga njëra anë,
dhe nga ana tjetër”.
Mihai
Eminesku e njihte gjuhën shqipe
Propozimin
për hapje lektoratesh të ndërsjella, zoti Brënkush
e motivon me faktin se ekziston interesimi i studentëve shqiptarë
dhe rumunë, për një nevojë të këtillë.
Ajo që mbetet për t’u bërë, është
realizimi i një kuadri të organizuar. Albanologu Brënkush,
që ligjëron dyzet vjet me rradhë para mijëra
studentëve të Universitetit të Bukureshtit lidhur
me lidhjet e lashta linguistike rumuno-shqiptare, përkujtoi
dashurinë ndaj popullit shqiptar, studimet e specializimit
në Tiranë, miqësinë e madhe që kishte me
Aleksandër Xhuvanin dhe Eqrem Çabejn, me albanologë
të tjerë, rëndësinë e lidhjeve të
lashta linguistike, që ka shqipja me rumanishten.
Hartimin
dhe botimin e fjalorit në fjalë, e konsideruan si një
ngjarje historike dhe një akt të madh të kulturës,
edhe personalitetet e tjera që e morën fjalën, ndër
të cilat edhe shoku Kopi Kyçyku dhe dr. Florin Kollonashi,
ky i fundit, një nga bijtë e rilindasve tanë, mjek,
shkrimtar dhe pronar i Galerisë artistike Contrapunct. “Autorët
e këtij fjalori, sipas tij, i karakterizon këmbëngulja
në punë dhe fuqia e jashtëzakonshme e penetrimit
në fushë të leksikografisë. Është
ky një sukses i lartë, edhe shkencor, edhe editorial,
që meriton përgëzimet tona, për performacën
që e kanë realizuar”.
Sipas
zt. Kollonash, “Kanë qenë edhe shqiptarë të
tjerë shumtë në Rumani, që kanë bërë
politikë kulturore, multikulturore, multinacionale, pothuajse
në të gjitha fushat e aktivitetit, njerëz që
i kanë sjellë kontribute të mëdha kulturës,
që nga Asdreni, Mitrush Kuteli e Lasgush Poradeci, kompozitori
Konstantin Trako, aktori Vangjel Antoniu, piktori Vasile Popesku,
që zë vend qëndror në pikturën rumune,
Despina Gjinokastra, Viktor Eftimiu, profesori universitar Nikolla
Xhamo, personalitete të veçanta që meritojnë
të inkorporohen në kuadrin e një vëllimi mikrobiografik
me titullin “Revista e personaliteteve rumune, me prejardhje
shqiptare”.
Vlen
të theksojmë faktin, se poeti ynë kombëtar,
ylli i poezisë rumune, Mihai Eminesku, në kuadrin e dorëshkrimeve
të tij, pohon për herë të parë se e njeh
edhe gjuhën shqipe. Kam patur kënaqësinë të
shoh në origjinal fjalët e tij, ku thot në një
vend: “cunosc limba albaneza” (e njoh gjuhën shqipe).
Ishte një rend i tij, në kuadrin e dhjetra fletoreve,
që gjenden në Bibliotekën e Akademisë”.
Në
vazhdim, para se t’ia japë fjalën, zoti Leonidha
Mërtiri e prezentoi kryetaren e Bashkësisë Kulturore
të Shqiptarëve të Rumanisë, zonjën Xhemile
Alia Susliu, një nga organizatorët e këtij aktiviteti
të rëndësishëm. Deputetja e imagjinuar e komunitetit
të këtushëm shqiptar, zonja dr. Xhemile Susliu, e
mbesa e patriotit tetovar Daut Memishi, ndër të tjera
tha:
“-Ne
njerëzit, përnga natyra jemi qenje vdektarë, por
ekzistojnë disa ndër ne, që na e sigurojnë pavdekshmërinë
përmes pavdekshmërisë së tyre. Shqiptarët
e Rumanisë, kanë konsiderata të larta ndaj tyre.
Ju falënderojmë juve që keni ardhur për të
na nderuar, falënderojmë shtëpinë botuese që
e ka bërë të mundur botimin e kësaj vepre, falënderojmë
autorët Topçiu dhe Mellonashi, për këtë
monument të kulturës”.
Përfaqsuesi i Editurës, pasi theksoi faktin se vetëm
përgjatë këtij viti, “Poliromi” boton
rumanisht tri vepra të Kadaresë dhe fjalorin në fjalë,
falënderoi për kontributin e jashtëzakonshëm
të Luan dhe Renata Topçiut, që japin për ndërlidhjen
e Rumanisë me Shqipërinë.
“-Janë
dy nga ambasadorët e ardhshëm e të mundshëm,
të Shqipërisë mike, në këtë vend mikpritës”.
Ishte
ky, mendimi paralajmërues, i një veterani të komuniteti
të këtushëm shqiptar, konkretizimin e të cilit
e presim me përzemërsi. Pse? Ngase një konstatim
të këtillë, në kuadrin e artikullit “Shqiptari”
i Bukureshtit në 115 vjetorin e botimit”, e ka shprehur
para dhjetë muajsh, edhe e përditshmja kombëtare
shqiptare “Fakti” (4 shkurt 2003).
Ceremonia
lidhur me promovimin e kësaj vepre monumentale, të cilën
“harroi” ta nderojë deputetja “shqiptare”
që ia ka kthyer shpinën komunitetit të këtushëm
shqiptar (Oana Manolesku), vazhdoi me dhënie dedikimesh, cakrime
gotash, shijime ëmbëlsirash, dhe me përforcime miqësishë.
Me arritjen e sotshme një delegacioni shqiptar, i kryesuar
nga kryeministri shqiptar, miqësia tradicionale rumuno-shqiptare
vazhdon këto ditë, edhe përmes përforcimeve
të tjera të reja, në përmasa politike, ekonomike,
dhe kulturore.
|