Dhurata
e preferuar për 2004
Shkruan:
Ardiana SHALA
Çdo
vjet e njëjta gjë. Diku pas nëntorit e në start
të dhjetorit, sikur të kish krisur një allti starti,
e qes me instinktin e një shoferi garues në të pestën,
duke shtypur gazin gjer në dërrasë, gjersa në
vizir më kalojnë sprovat
e mbrama të vitit: duhet stolisur bredhin, zgjedhur dhuratat,
blerë kartolinat, planuar për kremtat...
Tension
i njëjtë përvjet, një „Formula 1“
kolektive që kulminon në një finale dramatike; klimaks
për ca, antiklimaks për tjerët. Për ndonjë
arsye, fundi i një viti kalendarik, ashtu si ditëlindjet
e njerëzve, festohen me një stres të ethshëm,
ndonëse s’shënojnë veçse një vit
më afër varrit. (-Kjo për ju që më keni
kritikuar se s’paskam vizion ad aeternitam: Gëzuar edhe
juve, kalamaj!)
E
pra, kush ngutet....
Ajo që i duhet kësaj gare është jo një
shofer i shpejtë, po një shofer i përsosur. Një
që e zgjedh artin e vozitjes para shpejtësisë. Që
i do rrafshirat pse janë të bukura, jo pse e turrin motorin.
E që i pëlqen kthesat pse janë gracioze, jo pse mund
ta flakin konkurrentin. Art pour l’art, do të thoshte
Apolineri.
Sikur
t’isha ca më e mençur se që jam, do ta ngrihja
frerin e dorës, do ta skajoja kerrin tim diku, e do të
ndalesha ta pi një kapuçino. Sa rekorde idiotike do
të thej përvjet? Kush bëhet më i/e lumtur pse
merr një kartolinë të bukur prej meje, a pse i jap
një dhuratë një herë në vit, kur ndoshta
s’kam gjetur kohë, mundësi e vullnet për të
ndejtur me të 365 ditë me radhë?
Njësoj
edhe politikanët tanë. Veç bëni seri, ju lutem,
mesazhet e tyre për kremta. Ato janë ”kartolinat”
e tyre për ne. S’kanë filluar ende, por do të
vijnë, ju premtoj. Jam qindpërqind e sigurtë, krejt
një si vitin e kaluar. Bukë e cirk për popullsinë:
Kremta e dashurisë… Këtë Krishtlindje, këtë
vit, kombi shqiptar… Le të jetë viti i ardhshëm…
Bla-bla-bla, blaha-blaha.
E
pra, garuesit shqiptarë edhe sivjet, si përvjet, futen
në cak të mbramët në Evropë, hypur në
5-6 kerre defekte, mbajtur në garë nga mirësjellja
e mëshira e organizatorëve, jo nga fuqia e vet. Rekordet
e tyre të vetme edhe sivjet, si përvjet, janë: shoqëritë
më patriarkale; më injorante; më të korruptuara;
e më të përdhunshme, në tërë kontinentin
evropian. -E ç’rol lozkan për mua urimet e fundvitit
të një politikani – se burra janë shumica absolute
e tyre! – kur ai s’e çan bythën për
këtë poshtërim që ma bën përvjet mua,
si njeri e si femër, 365 ditë me radhë!?
Për
mua privatisht, dhurata më e mirë do të ishte një
mbrëmje e shlirë me të dashurit e mi, në fund
të një viti kur kemi bërë bashkarisht diçka
më mirë se vitin e shkuar. Si njeri e si femër, dhurata
e preferuar për vitin 2004 do të ishte:
·
universitetet dhe shkollat e larta prezentojnë kurse akademike
në feminizëm
· politika i hap udhë ligjërisht proporcionalitetit
gjinor në shoqëri
· ligje të forta, për të gjithë, kundër
diskriminimit gjinor, pasuar nga dënime të rrepta për
thyerje: dënimi i së paku një politikani e një
nëpunësi të lartë, për diskriminim gjinor
e/a dhunë familjare; peshku prishet në kokë së
pari
· Në mungese të tyre (meqë, bazuar në
statistikat zyrtare, shëmtira si këto s’ndodhin
kurrë në parinë shqiptare) ahere e pakta dënime
në radhët e parisë për korrupsion e/a shkujdesje
kriminele në detyrë
Gjer
ahere, në shenj protesti, do ta fik TV-në sa herë
që dëgjoj urata për kremtat. Le të jetë
kjo një shprehje e lirisë sime fetare: Krishti tha ta
duam, e jo ta rrrejmë njëri-tjetrin, në ditëlindjen
e tij.
|