|
Haga dhe gjumi i thellë
i parisë së Kosovës
Shkruan: Xhafer SHATRI
1.
Një fjali e moçme që shpreh më së miri
indiferencën e një mjedisi, vazhdon edhe sot të jetë
aktuale kudo ndër shqiptarë: shyqyr që ra kjo dekë
e u pamë!
Kështu ndodhi edhe me arrestimet e fundit që u bënë
në Kosovë me urdhërin e Tribunalit të Hagës.
Për t'u bindur në këtë mjafton të analizosh
reagimet e elitës politike e intelektuale të Kosovës:
Disa u sollën sikur të kishte vra reja për së
kthjellti, ndërsa disa të tjerë nuk mundën ta
fshehin habinë e bashkë me të edhe gëzimin e
tyre qyqar.
Duke përcjellur reagimet e elitës njeriu mbetet me përshtypjen
se këto zonja e zotërinj nuk jetojnë në Kosovë,
por në Honkong.
Elita, apo paria është ajo shtresë njerëzish
që i prin një mjedisi a vendi drejt rrugëtimit të
tij nëpër kohë. Nga elita varet më së shumti
se ç'kahje e ç'intensitet merr rrugëtimi kolektiv:
ecje përpara e shpejt, ecje ngadalë apo edhe sjellje rreth
dardhës së ahmatit.
Zgjedhësit e përgjumur të Kosovës edhe kësaj
radhe kanë pasur një rast të mirë nëse
jo të stepen, të paktën, t'i bëjnë sytë
kapsoll para faktit se paria jonë ka harruar ku jeton, ka harruar
se liria gjithnjë rrezikohet, ka harruar se ndoshta lumi fle
por hasmi jo, ka harruar se shteti dhe pavarësia nuk ndërtohen
me pallavra, ka harruar faktin se kur je më së shliri
rrezikun e ke më së ngati.
2.
Prej që ka ardhur në pushtet Vojisllav Koshtunica e përsërit
rregullisht se Tribunali i Hagës po e shkruan historinë
e Ballkanit perëndimor. Dhe ka bërë çdo gjë
të mundshme që të torpedojë veprimtarinë
e Tribunalit, këtij institucioni të rëndësishëm
ndërkombëtar. Jo vetëm kaq, por Koshtunica dhe i
gjithë aparati shtetëror serb në vazhdimësi
kanë kërkuar që Tribunali të merret edhe me
shqiptarët. Janë bërë me qindra veprime diplomatike
për këtë qëllim, ndërkaq shërbimet
serbe kanë dorëzuar në Hagë mbi 40 mijë
faqe të mbushura me akuza kundër shqiptarëve dhe
UçK-së për krime lufte, tortura, kidnapime etj.
Jo vetëm kundër serbëve, por edhe kundër shqiptarëve!
Nuk është këtu fjala vetëm për hakmarrje,
por për veprime të matura mirë, në mënyrë
që edhe lufta në Kosovë të paraqitet si luftë
qytetare, si luftë brenda një shteti..., ku nuk ka popull
sulmues e popull të sulmuar, popull vrasës e popull të
gjakosur...
Qëllimi është i qartë: barazimi i krimeve dhe
përmes kësaj të arrihet deri te statusi i ardhshëm
i Kosovës: ajo ka qenë luftë qytetare, shqiptarët
kundër serbëve, serbët kundër shqiptarëve.
Më rrove, të rrova, brisku i berberit.
Një përkufizim i tillë i luftës në Kosovë,
mund të ketë ndikim thelbësor në caktimin e
statusit të ardhshëm të vendit.
Kjo veprimtari është bërë edhe publikisht, ndërkaq
paria e Kosovës ka futur veshët në lesh. Ja një
shëmbull konkret: Parlamentit të Kosovës i është
dashur një vit për të formuar një Komision që
merret me të zhdukurit, ndërkaq Qeveria e Kosovës
ende nuk ka emëruar qoftë dhe një njeri të vetëm
që të merret me këtë çështje, që
të kontaktojë me Tribunalin e Hagës, që të
shprehë zyrtarisht (me shkrim) gatishmërinë për
të bashkëpunuar me të, që të grumbullojë
informacione për akuzat e mundshme që mund të vijnë
nga Haga në Kosovë...
Ndërkohë që Beogradi kërkon për çdo
ditë ta dërgojë në Hagë kokën e Thaçit,
Haradinajt, Agim çekut etj., askush nga paria e Kosovës
deri sot nuk ka kërkuar nga kushdoqoftë që të
dërgohet në Hagë komandanti i policisë serbe
në Kosovë, në vitin 1999, gjenerali Sreten Llukiq,
aktualisht zëvendësministër i punëve të
brendshme të Serbisë; gjenerali Nebojsha Pavkoviq, deri
në fund të vitit 2002 shef i shtatmadhorisë së
ushtrisë serbe, e i cili ka udhëhequr me të gjitha
forcat serbe gjatë luftës në Kosovë; apo kolonelin
Millorad Ulemek- Legija, komandant i beretave të kuqe, që
ka kryer krimet në Prekaz, Likoshan, Reçak etj.; apo
gjeneralin Gojko Radulloviq-Guri, i cili ka vrarë civilët
shqiptarë jo vetëm në Reçak, por edhe në
Lugun e Kallugjerit në Rozhajë, e i cili aktualisht është
komandant i xhandarmërisë së Serbisë. Ky gjeneral
serb, ditë më parë ka udhëhequr me aksionin
e arrestimeve të shqiptarëve në Luginën e Preshevës...
Nëse paria jonë nuk e ka bërë këtë,
dhe dihet ashiqare se nuk e ka bërë, atëherë
me çfarë të drejte kërkon më shumëv
kompetenca?
3.
Ka
qenë dhe është krejt e qartë se, pikë së
pari si rezultat i veprimtarisë së autoriteteve serbe,
Fatmir Limaj nuk do të jetë i vetmi emër nga elita
e Kosovës që do të bëhet banues i Sheveningenit.
Për më tepër, përçarja e Fuqive të
Mëdha lidhur me krizën në Irak do të reflektohet
në Kosovë dhe, veç tjerash, do të ndikojë
edhe në numrin dhe emrat e atyre shqiptarëve me të
cilët do të merret së shpejti Tribunali.
Kështu që tash shtrohet çështja e organizimit
të mbrojtjes së tyre, jo vetëm të personaliteteve,
por e të gjithëve papërjashtim, sepse ata janë
qytetarë të Kosovës. Natyrisht, askush nuk do të
duhej të marrë përsipër të mbrojë
veprimet arbitrare të kujtdoqoftë, por është
i domosdoshëm formimi i një grupi ekspertësh që
do të studionte procedurën e Tribunalit, që do të
këshillonte të akuzuarit se cilët avokatë duhet
t'i angazhojnë, që të mbledhnin të dhëna
e argumente që shkojnë në favor të të akuzuarve
në mënyrë që të dëshmohet pafajësia
e tyre ose të merren për bazë rrethanat në të
cilat janë kryer veprat penale.
Mjafton të analizohet mbrojtja e Millosheviçit dhe ndihma
kolosale që ai merr nga shteti serb: atij i shkojnë informacione
të plota për çdo dëshmitar, për biografinë
e tyre, madje edhe asosh se me kë ka komunikuar dëshmitari
në telefon para disa ditësh, apo kush e ka sjellur atë
në aeroport kur është nisur për të dëshmuar
në Hagë!
Njerëzit e Kosovës që shkojnë në Hagë
nuk kanë nevojë të shpallen heronj, nuk kanë
nevojë për manifestime e pelegrinazhe. Ata kanë nevojë
për ndihmë konkrete që ta dëshmojnë pafajësinë
e tyre: për avokatë të mirë dhe ekipe që
hulumtojnë për argumentet që shkojnë në
favor të tyre.
4.
Nuk
duhet përjashtuar mundësinë se në Kosovë
janë kryer edhe veprime të dënueshme arbitrare. Sikundër
që nuk duhet mohuar faktin se mund të ketë pasur
edhe burgje. Dhe kjo nuk është as turp e as e palejueshme.
Një lëvizje e armatosur me të kontrolluar një
territor duhet të aplikojë format elementare të pushtetit.
Njëri prej tyre është edhe burgu, i cili në
rrethana të luftës, e aq më tepër në ato
që kanë qenë në Kosovë, ku në cilëndo
pjesë të saj forcat serbe kanë mundur të mbërrijnë
për 30 minuta, nuk ka mundur të ketë as standardet
më minimale. Dhe ky fakt nuk ka pse të fshehet.
Nëpër këto burgje sigurisht se ka pasur edhe shqiptarë.
Ne edhe pse jemi stërnipa të Kastriotit, të Mic Sokolit
dhe të tjerëve me radhë, nuk duhet të harrojmë
se në mesin tonë ka pasur dhe ka jo pak faqezinj, që
i kanë bërë shumë shërbime Serbisë
dhe, për më keq vazhdojnë t'i bëjnë edhe
sot. Problemi qëndron në atë se ata këto shërbime
ia kanë bërë dhe vazhdojnë t'ia bëjnë
Serbisë në kurriz të Kosovës dhe të popullit
të saj. Kësaj pune ndryshe i thonë tradhti dhe tradhtia
dënohet në çdo vend normal qoftë ai edhe më
demokratiku në botë.
Shqiptarët që janë vënë në shërbim
të Serbisë, në orën më të ligë
të Kosovës nuk i meritojnë as lotët e fëmijëve
të tyre.
5.
Në
Kosovë është bërë luftë. Ajo luftë
ka filluar vetëm pasi janë shterrë të gjitha
përpjekjet dhe mundësitë për ta shmangur më
të keqen me mjete politike. Qëndresa paqësore në
Kosovë ka pasur mbështetje të plotë nga pjesa
dërrmuese e popullsisë. Kur kjo qëndresë ka
humbur çdo kuptim, atëherë ka shpërthyer lufta,
e cila me kohën ka hasur në mbështetje të gjerë
brenda dhe të jashtë, sepse ka qenë e qartë
se Serbia e merr vesh vetëm gjuhën e pushkës. Prandaj
të përpiqesh t'i kundërvesh njëra-tjetrës
këto forma të përpjekjeve për çlirimin
e Kosovës, e për më tepër ta ndërtosh mbi
këto baza përçarëse mendimin dhe praktikën
politike sot, historikisht është e paqëndrueshme
dhe politikisht e rrezikshme.
Në qoftë se absurditeti i tillë përcjell edhe
fatin e shqiptarëve në Hagë, atëherë haraçin
do ta paguajë krejt Kosova. Eshtë koha e fundit që
disa krerë të LDK-së dhe satelitët e tyre ta
kuptojnë se të shkosh pas logjikës 'për inat
të resë më vdektë djali' do të thotë
të pranosh me dëshirë të të mbyllet dera
me therrë.
6.
Në
Kosovë UçK ka luftuar kundër pushtuesve serbë.
Ajo ka luftuar për liri, ndërsa shteti serb për asgjësimin
e shqiptarëve. Këtë fakt e di krejt bota.
Tribunali i Hagës është ngritur sipas shembullit
të Gjykatës Ndërkombëtare në Nurnberg,
ku janë dënuar krerët nazistë për krimet
e kryera ndaj popujve të ndryshëm gjatë Luftës
së Dytë Botërore.
Ajo Gjykatë nuk ka dënuar asnjë person që ka
luftuar kundër nazistëve. Në qoftë se ka pasur
tejkalime, apo veprime arbitrare, me këso veprash penale janë
marrë gjykatat vendore.
Sipas kësaj logjike asnjë shqiptar nuk ka pse të
dërgohet në Hagë, sepse shqiptarët nuk kanë
praktikuar veprime shfarosëse dhe nuk kanë pasur as akte
e as dokumente politike që ka përligjur krimet dhe gjenocidin.
Në dosje të këtij numri lexuesi i këtyre rreshtave
do të mund të lexojë një dokument zyrtar se
si Partia radikale Serbe ka menduar ta zgjidhë çështjen
e Kosovës. Ky është një dokument i kulluar fashist
që pos në Serbi askund nuk i gjen shëmbull.
Prandaj ta vësh Fatmir Limajn dhe shokët e tij, që
kanë luftuar për liri në të njëjtin burg
dhe cung me krerët politikë e ushtarakë serbë,
të cilët kanë vepruar me plan dhe me gjakftoftësi
për asgjësimin e popujve të tërë, thënë
më së buti është tallje e trashë me drejtësinë.
|