Fundi tragjik i kreatorit
të Serbisë moderne
Shkruan: Xhafer SHATRI
Më 12 mars 2003, në ora 12h20, në oborrin e brendshëm
të selisë së qeverisë serbe u fut vetura e
blinduar e kryeministrit, Zoran Gjingjiç. Posa doli prej
veturës dhe u nis drejt derës përballë, dy
plumba të kalibrit të madh, të shkrehur nga vrasës
profesionistë, ia bënë zemrën dhe organet
vitale shoshë. Ishte ky një ekzekutim i përkryer,
pasojat e të cilit Serbia do t'i ndiejë për shumë
vjet. Dhe jo vetëm Serbia, por edhe rajoni.
Kush ishte Zoran Gjingjiç?
Gjingjiç ishte djalë i një ushtaraku. Si i ri
është dalluar për aftësi dhe qëndrim
të guximshëm. Si student i fiozofisë në Universitetin
e Beogradit është përpjekur ta formojë një
organizatë studentore të pakontrolluar nga partia komuniste.
Kjo i kushtoi disa muaj burg. Por doli nga burgu për shkak
se qarqet intelektuale serbe ndikuan që në favor të
tij të intervenojë kancelari gjerman, Vili Brant. Këto
rrethana i ndihmuan që të shkojë në Gjermani,
ku më 1979 u doktorua në filozofi.
Disa vjet u mor me biznes, ndërsa më 1990, me formimin
e Partisë Demokratike, u bë shef i byrosë ekzekutive.
Më 1994, arriti ta mënjanojë mentorin dhe ndihmuesin
e tij shumëvjeçar, Dragoljub Miçunoviç
dhe të bëhet kryetar i partisë. Në ato momente
dramatike, i lënduar shpirtërisht, Miçunoviç
iu drejtua me zë të dridhur: si i lejon vetës të
sillesh në këtë fare feje me mua?
Ndërsa Gjingjiç i përgjigjet me gjakftohtësi
dhe me fjalët që meritojnë të futen në
enciklopedinë e politikës:
Nëse do të merresh me skrupulla morale, lëre menjëherë
politikën dhe shko e bjerr kohën në kishë!
Prej atëherë e deri sa e vranë Zoran Gjingjiç
ishte lojtar i rëndësishëm në skenën
politike serbe.
Gjatë gjithë viteve nëntëdhjetë në
Serbi, ai ishte ideatori brilant i opozitës serbe, ndërsa
jashtë pamja, fjalori dhe përfaqësuesi i një
Serbie urbane dhe moderne.
Njeriu që rrëzoi Millosheviçin
Pas dëbimit të Serbisë nga Kosova, bashkësia
ndërkombëtare, amerikanët në radhë të
parë, mendonin seriozisht që ta pacifikojnë Ballkanin.
Të vetëdijshëm se sa të jetë Millosheviçi
në pushtet paqe të sigurt në rajon nuk do të
ketë, amerikanët vendosën definitivisht ta rrëzojnë
tiranin serb dhe strukturat e regjimit të tij.
Njeriu kryesor në të cilin u mbështet operacioni
"Gotov je" ("I lau duart", ose "mbaroi",në
përkthim të lirë), ishte Zoran Gjingjiç.
Fillimisht ai i lidhi amerikanët me organizatën "Otpor"
(Qëndresa), shumë aktivistë të së cilës
u dërguan në Hungari në trajnim se si duhet të
fitohen zgjedhjet që ishin caktuar të mbahen në
shtator të vitit 2000. Në fakt ata u trajnuan se si
duhet të kontestoheshin rezultatet e zgjedhjeve, në
mënyrë që nga kontestimi i rezultateve që,
sipas praktikës, do t'i falsfikonte regjimi të shpërthenin
revolta dhe Milosheviçi ose do të detyrohej ta pranojë
disfatën elektorale ose do të shpërthenin trazira
që do të çonin pashmangshëm në rrëzimin
e tij nga pushteti.
Ani se kandidat i DOS-it (Opozita demokratike e Serbisë)
ishte Vojisllav Koshtunica, megjithatë truri i opozitës
ishte Zoran Gjingjiç. Ky i fundit kontaktoi strukturat
e ushtrisë, të policisë sekrete, personalitetet
e ndryshme etj., dhe përgatiti terrenin që gjatë
fushatës kontestuese të zgjedhjeve të sigurojë
që as ushtria dhe as njësitë speciale të policisë
politike të mos intervenojnë kundër opozitës.
Natyrisht se në këto aktivitete me shumë rreziqe
ka pasur edhe pazarllëqe të shëmtuara me kriminel
të luftës, siç është rasti me Milorad
Ulemekun (Legia), komandantin e njësive gjakatare "beretat
e kuqe", më vonë vrasësin e tij. Por mu në
saje të aftësive të Gjingjiçit, Millosheviçi
u detyrua të kapitullojë pa u derdh asnjë pikë
gjaku.
Maestro në luftën për pushtet
Me rënien e Millosheviçit, pushtetin real e mori
Vojisllav Koshtunica, një nacionalist që nuk e shqetësonte
aspak ajo që kishte bërë Serbia kundër popujve
të tjerë (kroatëve, boshnjakëve e shqiptarëve),
por ishte i revoltuar parasegjithash pse Serbia i kishte humbur
katër luftëra njërën pas tjetrës. Koshtunica
nuk preku asnjërën prej strukturave të Millosheviçit:
as mediat shtetërore, as policinë e as ushtrinë.
Për më tepër ai u përpoq ta mënjanojë
Gjingjiçin, por ky arrijti ta sigurojë postin e kryeministrit
në një qeveri që ishte një koalicion shumë
i gjerë.
Nuk vonoi dhe rivaliteti në mes Koshtunicës e Gjingjiçit
u kthy në një luftë të hapur për pushtet.
Çuditërisht, edhe pse Koshtunica kontrollonte ushtrinë
dhe shërbimet informative, megjithatë Gjingjiçi
arrijti jo vetëm të mbahet në pushtet, por edhe
t'i forcojë pozitat.
Kulmi i ndarjes së dy liderëve serbë arrijti kur
Gjingjiç arrestoi Millosheviçin dhe pas disa javësh
e dërgojë drejt e në Hagë.
Ky ishte një mesazh i fuqishëm që kryeministri
serb i dërgoi Perëndimit se në kë duhej të
llogariste bashkësia ndërkombëtare në Beograd.
Edhe pse Koshtunica kishte ndikim politik disa herë më
të madh se Gjingjiçi, edhe pse të gjitha hulumtimet
e opinionit e tregonin atë shumfish më të popullarizuar,
megjithatë Gjingjiç, dalëngadalë jo vetëm
e hijesoi Koshtunicën por edhe e zhveshi, ashtu si dhe partinë
e tij, nga të gjitha çandrat e pushtetit.
Gjingjiçi arrijti me shumë përpjekje t'ia hapë
Serbisë shumë porta të mëdha që ishin
mbyllur prej kohësh edhe me shul, arrijti të krijojë
një imazh të pranueshëm për serbët dhe
për Serbinë; arrijti ta strukturojë makroekonominë
serbe, t'i zvogëloj borgjet e shumta e rënduese të
jashtme, por edhe të thithë jo pak ndihma e kredi të
jashtme për ekonominë e rrënuar serbe.
Jo vetëm kaq, Gjingjiç gjithashtu u bë kreator
i bashkësisë së re serbo-malazeze, duke u mbështetur
jo në bllokun proserb, por përkundrazi në bllokun
suverenist malazez.
Naçertanija e re
Muajt e fundit Gjingjiçi e ka tallazitë rrast dhe
disa herë liqenin, për mos me thanë batakun, e
qetë politik kosovar me propozime e nisma nga më të
ndryshmet lidhur me marrëdhëniet shqiptaro-serbe në
përgjithësi dhe lidhur me Kosovën në veçanti.
Reagimet e shqiptarëve kryesisht dhe, si gjithmonë,
kanë qenë euforike.
Në fakt ishte vështirë të depërtojë
njeriu në të gjitha lavirintet e taktizimeve të
Gjingjiçit, por e vërteta është se ai kishte
ardhur definitivisht te përfundimi se Serbia nuk mund të
zhvillohej shpejt, nuk mund të reformohej e të integrohej
shpejt në Evropë, nëse nuk e qartëson çështjen
e kufijve të saj. Gjingjiçi pra në përpjekjet
për ta reformuar shtetin serb donte ta dijë saktësisht
se cili është territori i atij shteti. Sado që
ne shqiptarëve që jemi, prej të parit e deri te
i fundit patriotë me firmë, kjo mund të na plagos
mu në temelin e ndiesive tona, megjithatë kjo është
puna më normale e çdo shtetari të mirëfilltë.
Nuk është e rastit, pse njëri prej anëtarëve
të partisë demokratike, historiani i ri serb Qedomir
Antiç, njëkohësisht me nismat e Gjingjiçit
doli me një Naçertanije të re, që dëshmon
se në Serbi po ndodhin ndryshime shumë të mëdha:
Serbia heq dorë definitivisht nga serbët në Kroaci
dhe Maqedoni. Për ta kërkon autonomi kulturore, pra
ruajtje të identitetit etnik.
Për Republikën e Serbëve të Bosnjës,
kërkon forcim të identitetit në suaza të BeH-së,
për Kosovën si fillim negociatash kërkon federalizim
sipas shëmbullit të Qipros e pastaj marrëdhënie
të mira fqinjësore…
Sipas këtij projekti të ri "Serbia e shekulit XXI
duhet të gjejë shëmbull të shtetet e vegjël
evropianë dhe në traditën politike të Serbisë
para vitit 1912 e madje edhe para vitit 1878"!
Gjingjiçi nuk ishte antishqiptar, madje as sipas parametrave
tanë kolektiv politikë që i quajmë 'anti'
të gjithë ata që nuk janë me ne apo thënë
më mirë që nuk janë si ne. Ai ishte një
politikan i shkathtë serb, që kishte aftësinë,
vullnetin po edhe vizionin për ta reformuar Serbinë,
për ta ngritur atë në këmbë dhe për
t'ia larë fytyrën me përplot njolla të gjakut.
Ai ishte në rrugë për ta bërë këtë,
i duhej vetëm edhe një muaj : për të arrestuar
komandantët e mafisë serbe, për të pastruar
kreun e ushtrisë dhe për të vënë kontroll
mbi shërbimet informative ushtarake.
Hasmit e tij qenë më të shpejtë.
Përfundim
Vrasja e Zoran Gjingjiçit është një humbje
kolosale për Serbinë. Sepse, ekziston rreziku real,
që ajo të futet tash edhe në një faze tjetër
të gjatë lufte për pushtet. Gjatë kësaj
faze mafia e gjithfuqishme do të rrezistojë madje edhe
mund të konsolidohet politikisht.
Për shkak të gjendjes jostabile në vend investimet
e jashme do të mungojnë, për pasojë reformat
do të ngadalësohen dhe kriza sociale mund t'i vërshojë
rrugët…
Një Serbi e destabilizuar, një Serbi ku mund të
udhëheqë një lider kapanak si Koshtunica do të
mbetet për një kohë të gjatë zorrë
çorrë në rajon. Kjo mund të reflektohet
keq edhe në të ardhmen e Kosovës, sepse përfaqësuesit
e saj herët ose vonë duhet të negociojnë me
shtetin serb.
E negociatat, si dhe shumë gjëra të tjera në
jetë, janë më të lehta nëse bëhen
me njerëz dhe me shtete normalë.
Në çdo të keqe, nganjëherë, mund të
ketë edhe diçka të mirë. Në këtë
rast vrasja e Zoran Gjingjiçit, do të duhej të
shërbente për zhdehjen njëherë e mirë
të popullit serb. Si ai chok-u i fuqishëm elektrik në
psikiatri që njeriut të ndërkyer ia qet trutë
në vend.