NUMĖR 70
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI V - 15 JANAR 2003

Nxjerr një kashtë e dalin gjashtë

Shkruan: Xhafer SHATRI

Në kohën kur janë shtuar përpjekjet, vecanërisht në Uashington, për hapjen e diskutimit të statusit të Kosovës, në kohën kur dhe disa disa kongresistë amerikanë riparaqitën para Kongresit amerikan projekt-rezolutën për njohjen e pavarësisë së Kosovës, m'u atëherë edhe kryeministri serb, në një intervistë për revistën prestigjioze gjermane "Der spiegel", po që nuk ishte botuar ende (!), e të cilës i referohej dhe e shpërndau në eter agjencia serbe TANJUG, doli me propozimin për mbajtjen e një Deytoni të ri në të cilin edhe çështja e pavarësisë së Kosovës nuk do të ishte një temë tabu, por se kjo do të nënkuptonte edhe ndryshimin e kufijve.

Intervistën që ende nuk e kishte lexuar askush, e jam i sigurt as redaktori përgjegjës i "Der spiegelit ", e përfoli edhe zëvendësi i Gjingjiçit, povereniku i Beogradit për Kosovën, Nebojsha Çoviç. Ky i konkrezitoi fjalët shumëkuptimëshe të shefit të tij dhe tha shkoqur: nëse shqiptarët insistojnë ta kenë një Kosovë të pavarur ata duhet të pajtohen se Kosova duhet të ndahet lik përgjysmë në mes shqiptarëve dhe serbëve.

Më vonë qeveria e Serbisë doli me një kumtesë për këtë çështje: Bashkësia ndërkombëtare është e detyruar të përdorë të njëjtin kut lidhur me tërësinë territoriale dhe moscënimin e çdo shteti. Qeveria e Serbisë respekton marëveshjen e Deytonit, e cila garanton sovranitetin e Bosnje-Hercegovinës, por pret që edhe Serbia kur është fjala për 'Kosmetin' të marrë të njëjtat garancione...

Ndërsa deputetet "Povratakut" që vullnetarisht janë kthyer nga deputetë në kukulla, 'intervistës' së shefit të tyre i shtuan jehonën. Dragisha Krstoviç tha se "një Konferencë ndërkombëtare e tipit Deyton për Kosovën është e nevojshme ", ndërkaq Rada Trajkoviç i mëshoi çekanit: nëse vie deri te pavarësia e Kosovës, do të shtrohet dhe çështja e Republika srpskës...

Por më i qarti gjithsesi ishte Predrag Simiç, këshilltar i Koshtunicës për çështje të politikës së jashtme: Në vitin 2003 është një rast i rrallë për ne që të nënshkruajmë marrëveshjen për stabilizimin dhe asociimin me Bashkimin Evropian, sepse këtë gjysmë viti BE-në e kryeson Greqia ndërsa më 1 janar 2004 do ta kryesojë Italia. 'Është me rëndësi parësore që të shfrytëzojmë kryesimin e Bshkimit Evropian nga ana e Greqisë dhe Italisë për të nënshkruar këtë marrëveshje para se të ndodhë ajo që po duket gjithnjë e më e qartë: që të mos negociohet me RFJ si një tërësi, por duke i trajtuar pjesët e saj ndarazi, sepse ka shënja se po përgatitet një konstituim tjetër. Në këtë vijë është nisma e Steinerit për evropianizimin e Kosovës, që do të thoshte ndryshe lënie anash e Rezolutës 1244, deshem ose nuk deshëm ne, dhe Kosova të jetë çështje e një procesi të veçantë asociimi, stabilizimi dhe negocimi. Çdo gjë që do të lihej pas vitit 2003 do të ishte dështim i madh historik për vendin... '

Për 'intervistën' e Gjingjiçit u deklarua dhe Brukseli, duke thënë qartë: 'Porosia jonë është se në Ballkan nuk janë të nevojshme konferencat për ndryshimin e kufijve, por konferenca ku do të shtrohet çështja e bashkëpunimit, planet për ndërtimin e institucioneve, si dhe konferenca për lidhje më të ngushta me BE-në.

Ende nuk e kemi hapur çështjen e statusit të Kosovës. Kur të hapet kjo do të jetë çështje e bashkësisë ndërkombëtare, Beogradit dhe Prishtinës.'

Gati njëkohësisht me intervistën e Gjingjiçit ridoli ne sipërfaqje dhe propozimi grek për krijimin e federatës ballkanike. Këtë e bën ministri i jashtëm grek në të përditshmen gjermane Zydojce Cajtung të 31 dhjetorit, vetëm një ditë përpara se Greqia të merrte presidencën e rradhës së Bashkimit Evropian.

Sipas ideatorëve të rinj të saj kjo federatë do të bënte përgatitje për pranim kolektiv të anëtarëve të saj në Bashkimin Evropian, gjë që është në kundërshtim me çdo praktikë të gjertanishme. Në Bashkimin Evropian vendet hyjnë veçmas, duke plotësuar çdonjëra kushtet dhe kërkesat e pranimit.

'Intervista' dhe ide të dyshimta për federata në këto hapësira ka pasur dhe do të ketë dhe në të ardhmen. Sepse, pavarësisht nga këto, dihet se për Kosovën ka një marrëveshje të Ramboullet-it, të panënshkruar nga Beogradi dhe ka një marrëveshje ushtarake për tërheqjen e trupave pushtuese serbe nga Kosova, ka një Rezolutë (1244) të përkohshme dhe të kontestueshme. Pra negociatat për statusin e Kosovës janë të pashmangshme. Dhe në këto negociata do të përthehet njohja ose mosnjohja e një shteti të ri në Evropën Juglindore.

Diplomacia serbe do të përpiqet që këto negociata t'i çojë në drejtim të ndryshimit të kufijve. Ndërkaq, institucionet e Kosovës duhet të përgatiten seriozisht për negociata, të cilat duhet ta përjashtojnë apriori çështjen e kufijve, sepse Kosova ka kufijtë e njohur dhe ndërkombëtarisht, të cilët mbrohen nga ushtarët e NATO-s dhe OKB-ja.

Në këtë kuadër 'intervista' e Gjingjiçit ishte një karrem, as naiv e as i rastit, të cilit ia ngjiti i pari ai që këtë nuk do të duhej ta bënte as i fundit, kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi. I cili bashkë me kryetarin Rugova, ballon - provave të kryeministrit serb dhe të të tjerëve do të duhej në vazhdimësi t'u përgjigjen me kërkesa të idhta që nëpërmjet Washingtonit dhe Brukselit t'i dërgohen Beogradit në emër të institucioneve dhe të popullit të Kosovës.

Kthimi urgjentisht i trupave të masakruar e të varrosur kudo nëpër Serbi të qytetarëve të Kosovës ; informacionet mbi rreth 4000 qytetarët e marrë peng gjatë luftës; ku gjendet Ukshin Hoti (të cilin ne që kemi votuar nuk kemi dëgjuar asnjëherë cilindo prej parisë së Kosovës ta ketë zënë në gojë.)

E natyrisht duhet kërkuar t'i kthehet Kosovës dhe pasuria e vjedhur e filan ndërmarrjes, makinat e filan fabrikës, mjetet teknike të filan minierës, mallërat e filan shitores etj., etj. E qytetarit tëKosovës t'i kthehen dhjetëra mijëra traktorë, kamionë e vetura të plaçkitura...

Dhe kjo nuk do ndonjë punë të madhe: mjafton një zyrë me dy punonjës që aty të përgatiten të dhëna të sakta dhe Gjingjiçit t'i mbyllet goja duke i dërguar rregullisht në tavolinën e tij të punës pelim 'made in Kosova'.

Kjo do të ishte fillimi i komunikimit për çështje praktike, siç po insistojnë edhe qëndrat vendimmarrëse. Dhe do t'i ndihmonte, në mos për asgjë tjetër, të paktën për të kuptuar se çështjet e marrëdhënieve të Serbisë dhe të Kosovës nuk guxojnë të kthehen në cirk, por të merren dhe të trajtohen seriozisht, sepse janë jo vetëm burimi i krizës, por edhe çelësi i stabilitetit në rajon.

Fundja me 'intervistën' e kryeministrit serb ndodhi si në përrallë: nxjerr një kashtë e dalin gjashtë. E njëra prej të gjashtave është fakti se u dëshmua se institucionet e Kosovës nuk funksionojnë. Sepse bartësit kryesor të tyre nuk mundën të merren vesh qoftë dhe për një takim të përbashkët, ku do të analizonin rezultatet e bashkëqeverisjes gati njëvjeçare e lëre më për diçka tjetër.

Dhe nuk u dëshmua vetëm papërgjegjësia e parisë së Kosovës dhe arroganca e trashë e saj, por fakti se ajo po mbijeton në komoditet edhe në sajë të mungesës së debatit të hapur në media, që do të duhej të zgjonte opinionin kosovar, duke e përballur me sfidat e vrazhda që kërcënojnë seriozisht të ardhmen e vendit.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 2:03
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË