NUMĖR 70
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI V - 15 JANAR 2003

Krimi s'ndalet me politizim

Shkruan: Xhafer Shatri

Njerëzit në Kosovë vazhdojnë të rrinë 'me vesh në krah'. Stresi i njëzet vjetëve të fundit i shtresëzuar përmes dhunës shtetërore, përndjekjeve kolektive, apartheidit gjithpërfshirës dhe luftës asgjësuese është larg të hiqet. Mjafton një krim krejt i rëndomtë që të nxehen gjakërat, që fjala e fundit të thuhet në fillim, që krimi të marrë domosdo ngjyrim politik. Kjo dëshmon se sa të thella janë rrënjët e traumës së përbashkët në Kosovë, prej kthetrave të së cilës nuk do të mund të lirohemi dhe për shumë vjet.

Jetëzgjatjes së kësaj traume po i ndihmojnë sidomos disa media dhe krerë politikë, që thuase ekzistojnë dhe jetojnë vetëm për t'ua nxirë kosovarëve ditët e vështira të transicionit.

Dëshmia më e mirë është rasti i vrasjes së Tahir Zemajt, të birit të dhe kushëririt të tij.

Ky krim i rëndë dëshmoi se në psikologjinë e shqiptarëve po largohet një traditë qytetruese, që dhembja, kjo ndiesi e paskaj, e paanë dhe e cilitdo qoftë, të respektohet me heshtje. Me një heshtje dinjitoze që e meriton çdo viktimë e dhunës.

Varg i vrasjeve

Në Kosovën e pasluftës kanë ndodhur shumë vrasje. Kjo mund të shpjegohet në shumë mënyra, por nuk mund të arsyetohet në asnjë mënyrë. Nuk mund të arsyetohet sidomos fakti se janë qindra njerëz që janë vrarë dhe për ta nuk flet askush, madje emrat e tyre nuk shënohen as me një shkronjë të shkretë në mediat tona. Kështu, në Kosovën tonë kemi viktima të privilegjuara dhe viktima që nuk meritojnë jo dhembje, por as përmendje. E jeta, pavarësisht se emrin e kujt mban, është e ëmbël dhe këputet njësoj dhimbshëm për të gjithë.

Sidoqoftë, as vrasjet që tronditën Kosovën e pasluftës nuk janë pak. Vlen të përmendet atentati i kryer kundër Ekrem Rexhës, para derës së shtëpisë në mëngjesin e 8 majit 2000, rrëmbimi me tradhti, vrasja dhe djegia e kufomës së Shaban Manajt, më 23 korrik 2000; ekzekutimi mizor i Xhemail Mustafës, më 23 nëntor 2000, ekzekutimi i Rexhep Lucit e i Shefki Popovës të thuash në të njëjtën mënyrë, vrasja më 24 prill 2001 e Ismet Rracit, kryetarit të komunës së Klinës, vrasja, më 17 mars 2002, e Smajl Hajdarit, deputet në Kuvendin e Kosovës, ekzekutimi, më 12 tetor 2002, në qendër të Pejës i Avni Elezit dhe Bekim Mustafës, vrasja e Ukë Bytyqit, kryetar i komunës së Therandës me përcjellësit e tij, të nesërmen e mbajtjes së zgjedhjeve lokale, më 23 tetor 2002, (vetë!)vrasja me bombë e Adem Zekës në Pejë, ekzekutimi i Tahir Zemajt me djalë dhe kushëri, më 4 janar 2003.

Deri më sot askush nuk është dënuar për këto vrasje. Dhe ky fakt i tmershëm është heshtur madje edhe është harruar, sepse mbi trupat e masakruar nga orëzinjtë e Kosovës ka lëshuar pelerinën e saj të zezë politika dhe etja për të zënë vendin e parë në librat e historisë...

Krimi godet verbërisht

T'ia fillojmë me Ekrem Rexhën, komandant Drinin. Ai ka qenë oficer. Ushtrinë jugosllave e ka lëshuar më 1993. Më 1998 është arrestuar dhe dënuar nga gjyqi serb më 2 vjet burg dhe aty për aty është lëshuar të mbrohet në liri. Menjëherë pastaj u është bashkuar kryengritësve, pra UÇK-së. Gjatë luftës ka pasur poste të rëndësishme ndërkaq pas luftës është (vetë)demoblizuar dhe ka punuar në administratën e Prizrenit si përgjegjës për siguri dhe emergjencë. Në fillim të vitit 2000 ai dha një intervistë në një gazetë të përditshme. Disa ditë më vonë atë e sulmoi një agjenci elektronike e lajmeve duke e shpallur më së pakut qyqar. Po e njëjta agjenci pas vrasjes lëpiu gjithë vrerin që kishte pështyer mbi të dhe e shpalli hero.

Ekrem Rexha ka qenë i respektuar te bashkëqytetarët e tij për korrektësi, aftësi profesionale dhe komunikuese. Nuk ka qenë anëtar i asnjë partie, por ka punuar në krijimin e një subjekti politik që është themeluar pas vrasjes së tij dhe është quajtur Partia Qendra Liberale e Kosovës. Me vrasjen e tij nuk është prekur drejtpëdrejtë asnjë formacion politik. Pos atyre që kanë organizuar këtë krim, për shtisit e këtij akti mizor dijnë disa njerëz që kanë emër në Kosovë dhe mendoj se duhet të flasin, sepse vrasësit e Ekrem Rexhës nuk kanë as komb, as fe, nuk kanë as zot as atdhe.

Shaban Manaj ka qenë kryetar dhe aktivist shumëvjeçar i LDK-së në Istog. Ka qenë njeri shumë tolerant dhe komunikativ. Kur është vrarë ka qenë anëtar i kryesisë së Degës dhe pa asnjë pretendim politik. Ka qenë urë e gjerë për komunikim e bashkëpunim në mes subjekteve politike e jopolitike të Istogut.

Xhemail Mustafa, ka qenë emër i njohur në gazetarinë dhe publicistikën kosovare. Kur është vrarë ka qenë këshilltar i kryetarit të LDK-së, Ibrahim Rugova. Në skenën politike të vendit ka qenë ndër njerëzit më të çmuar për tolerancë e mendim të hapur. Eshtë vrarë disa ditë pasi kishte shkruar një analizë për zgjedhjet lokale në Kosovë. Në fakt Xhemail Mustafa ishte përpjekur që në artikull t'i përgjigjet me shumë urtësi një fjalie patetike të shkruar në trotoaret e Prishtinës të nesërmen e zgjedhjeve të para të lira lokale në Kosovë: Prishtinë, haram të qoftë gjaku im!

Të gjithë e kanë ditur se ka qenë njeriu më i hapur, më tolerant e më i matur në krejt udhëheqjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ismet Rraci, kryetar i komunës dhe i degës së LDK-së në Klinë, poashtu ka qenë burrë i matur. Në administratën e re komunale është përpjekur për bashkëqeverisje me partitë e tjera.

Ukë Bytyqi, krahas Sali Çekut, ka qenë ndër emrat më emblematikë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Uka ishte jo vetëm pjesëmarrës që prej fillimit por edhe shtyllë e luftës në Therandë. Më sa dihet ai nuk është vrarë në një atentat të përgatitur, por në një konflikt të atypëratyshëm në psikozën paszgjedhore nga një aktivist i PDK-së.

Vrasja e tij ka tronditur posaqërisht Kosovën, sepse ka qenë emër i njohur dhe vrasja e tij u bë menjëherë pas zgjedhjeve që nga të huajt u çmuan si më të mirat, më tolerantet dhe më të organizuarat në krejt rajonin.

Në kujtesën e të gjithë neve duhet të mbetet sidomos fjala e gruas së tij dinjitoze, e shqiptuar në varrin e pambyllur të të shoqit. Një fjali e vetme por që i rrëzoi për tokë fjalët e të gjithë burrave: Uroj që kjo të jetë vrasja e fundit në Kosovë!

Vriten edhe veteranët

Më 12 tetor 2002, në mbrëmje, në Pejë janë ekzekutuar dy djem të rinj: Avni Elezi e Bekim Mustafa. Që të dy ushtarë të UçK-së. Avni Elezi ishte i njohur në opinionin kosovar e shqiptar për faktin se më 8 prill 1999, si 17 vjeçar vrau me pushkë antitank kriminelin e tmershëm serb Velibor Shalipurin me disa vrasës të tjerë. Shalipuri ka qenë pjesëtar e më vonë edhe komandant e njësive më të përgjakshme serbe në Kosovë. Ai ka vrarë e masakruar me qindra shqiptarë. Ishte ekzekutor i masakrit në Qyshk të Pejës, kundër familjes Çeku, i masakrës në Pavlan, Zahaç etj.

Pas luftës, Avni Elezi një kohë ka qenë truproje e Ramush Haradinajt, kryetar i AAK-së, pastaj e ka lëshuar këtë detyrë dhe është regjistruar në Fakultet. Ishte student dhe kishte vetëm 21 vjet, kur plumbat ia këputën jetën.

Vrasja e tij, çuditërisht, nuk ka bërë ndonjë jehonë në Kosovë, edhe pse e Avni Elezi e ka qitë një pushkë të fortë për të dhe për ne.

Tahir Zemaj, ka qenë oficer, si i tillë gjatë viteve '80 ka punuar në Kosovë. Më 1987 është arrestuar për delikuencë dhe është dënuar me gjashtë vjet burg. Pastaj ka jetuar si refugjatë në Gjermani. Më 1998 ka hyrë në Kosovë me një numër oficerësh e kuadrosh. Përkundër problemeve që ka pasur në fillim, ai është bërë komandant i Zonës së Dukagjinit. Ramush Haradinaj pa asnjë kundërshtim ka pranuar të jetë zëvendës i tij. Tahir Zemaj ka organizuar profesionalisht kazermën e Prapaçanit dhe ka kontribuar në betejën e Logjës, ku forcat serbe kanë pësuar disfatë të rëndë. Në fillim të shtatorit të vitit 1998, pasi lejon çarmatosjen e tri brigadave të UÇK-së kalon në Shqipëri. Në Kosovë kthehet pas 3 vitesh.

Tahir Zemajn, krahu 'pacifist' e ka ngritur në piedestalin e heroit. Për të dëshmuar se edhe institucionet kosovare kanë luftuar edhe me pushkë për lirinë e Kosovës. Kjo ishte një kundërpërgjigje krejt naive ndaj disa epigonëve të zhurmshëm të krahut tjetër që bërtasin deri në kup të qiellit se përpjekjet dhe lufta për lirinë e Kosovës kanë filluar vetëm më 1997!

Në gusht të vitit 2002 kundër Tahir Zemajt kryhet një atentat, në të cilin ai plagoset lehtë. Në procesin e mbajtur kundër Daut Haradinajt, Tahir Zemaj ka qenë dëshmitar i prokurorit. Dëshmia e tij ka qenë publike dhe nuk ka qenë aspak rënduese për të akuzuarit: "Unë mund të flas vetëm për gjërat që i kam parë me sy!", tha ai. Pas vrasjes së Avni Elezit dhe Bekim Mustafës, Tahir Zemaj është marrë nga hetuesit ndërkombëtarë dy herë në pyetje lidhur me këtë vrasje. Vitin e kaluar, kryetari i Kosovës, Ibrahim Rugova ka dashur ta emërojë Tahir Zemajn si këshilltar për siguri dhe emergjencë, por zyrtarët e UNMIK-ut nuk e kanë lejuar ta bëjë këtë.

Politizimi

Këto vrasje po dhe disa të tjera kanë tronditur opinionin kosovar. Kjo është dëshmuar edhe me pjesëmarrjen masive në varrimin e viktimave. Partitë politike, të gjitha me radhë kanë dënuar vrasjet, ndërkaq Lidhja Demokratike i ka quajtur me këmbëngulje vrasje politike. Me rastin e vrasjes së Ukë Bytyqit dhe përcjellësve të tij dhe me rastin e vrasjes së Tahir Zemajt me djalë dhe kushëri, kryetari i Kosovës, Ibrahim Rugova ka shpallur ditë zie. Me rastin e vrasjes së Ukë Bytyqit askush nuk ka kontestuar vendimin e kryetarit Rugova për zi kombëtare. Ndërkaq me rastin e Tahir Zemajt mendimet kanë qenë të ndara. Kjo për shkak të mungesës së Ligjit që përcakton kriteret për shpalljen e zisë kombëtare por edhe për shkak të së kaluares së bujshme të Tahir Zemajt.

Shumica e këtyre vrasjeve politikisht kanë dëmtuar krahun që vetëquhet "i luftës", duke e paraqitur si krah ekstremist e antidemokratik, ndërkaq LDK-së i kanë ngritur reitingun në opinion duke e paraqitur si parti viktimë të presioneve dhe likuidimit të aktivistëve të saj.

Atmosferën e pasvrasjeve të tilla e kanë acaruar disa media që janë marrë dhe vazhdojnë të merren me akuza e kundërakuza, me shkrime aspak profesionale në të cilat kutërbon urrejtja patologjike dhe shpifjet më groteske.

Dështimi i organeve hetuese

I ndodhur mes gërshërve të akuzave dhe kundërakuzave, opinioni kosovar, e siç po shihet edhe paria e vendit, kanë harruar atë që është qenësore në këso rastesh: dështimin total të organeve hetuese. Sepse deri më tash askush nuk është dënuar për këto vrasje mizore.

Dhe në krejt këtë tragjedi kjo është më e keqja, sepse Kosova është vendi më i kontrolluar e më i mbikqyrun sot në botë. 11 mijë kilometra katrorë i kontrollojnë rredh 6000 policë kosovarë, rreth 4000 policë ndërkombëtar dhe rreth 30 mijë ushtarë të KFOR-it. Kryesit e të gjitha këtyre krimeve do të duhej të ishin miza për t'i shpëtuar një hetimi qoftë edhe të përciptë të gjitha këtyre forcave të sigurisë.

Më e keqja është se paria e Kosovës në vend që jetë me këmbë në tokë e të kërkojë përgjegjësi nga policia dhe nga ndërkombëtarët e qet topin në fushën e vet dhe merret me akuza e kundërakuza reciproke, prej të cilave nuk pëson krimi as kriminelët, por pëson Kosova! Sepse motivin e një krimi dhe prapavijën e tij mund ta përcaktojnë vetëm drejtësia e askush tjetër.

Në fakt vrasjet e shumta që kanë ndodhur në Kosovë nuk janë zbuluar, sepse policia ndërkombëtare nuk po funksionon. Shumica dërrmuese prej tyre marrin rroga të majme e zhdepen së ngrëni pa u djersitur kurrë në punë. Ndërkaq shërbimi policor i Kosovës jo vetëm nuk ka kompetenca, por është i ndarë më dysh: policët e vjetër janë me LDK-në, ndërsa të rinjtë me PDK-në. Në mes këtyre dy grupeve bëhet një luftë e pistë me të gjitha mjetet e mundshme e sidomos me denoncime të llojllojshme te policshefat ndërkombëtarë. Këta të fundit, fërkojnë duart, sepse në këtë mënyrë kontrollojnë këtë institucion jetik për vendin dhe i zgjatin vetës qëndrimin në Eldoradon që quhet Kosovë.

Por ky imazh deri vetvrasës do të mbetej i mangët, po qe se nuk i shtohet një segment tjetër: ekzistenca e shik-ave partiakë. Pra funksionimi i hapur i shërbimeve informative i të paktën 4 subjekteve politike shqiptare. Povrataku nuk ka nevojë sepse e ka shërbimin serb të sigurimit shtetëror. Për njohësit e mirë të këtyre strukturave ilegjitime është e qartë se nëpër to gëlojnë edhe banditë e spiunë që një zot e di se për kë dreqin punojnë.

Eshtë krejt afër mendsh që në këto struktura veprojnë agjentë serbë, të cilët në emër të "interesave " kombëtare shqiptare kanë kryer edhe ndonjërën prej këtyre vrasjeve.

Policët ndërkombëtarë duke shfrytëzuar anarkinë kaq primitive të shqiptarëve kanë shkuar aq larg, sa që tash për mosukseset e veta po akuzojnë as më pak as më shumë por popullin e Kosovës. Sepse, sipas tyre, populli i Kosovës nuk po kryejka punën për të cilën këta parazitë marrin rroga të majme! Ky është skandal, të cilin paria e Kosovës do të duhej ta shfrytëzojë maksimalisht duke u bërë unison dhe duke kërkuar kompetenca për shërbimin policor të Kosovës dhe, çka është më e rëndësishmja, duke insistuar në formimin e shërbimit inteligjent të Kosovës, pa të cilin nuk mund të ndërtohet as shteti as nuk mund të luftohet krimi. Dhe në këtë rast, e vetëm në këtë rast, jam i sigurt, se do të zbuloheshin të gjitha vrasjet, të gjithë vrasësit dhe të gjithë shtisit.

Se është kështu po jap këtë shëmbull: nga burime të besueshme merret vesh se Tahir Zemaj i ndjerë prej që ka ardhur në Kosovë është përcjellur, përgjuar dhe filmuar hap pas hapi nga policia hetimore ndërkombëtare. Ka qenë i përcjellur nga afër madje edhe mbrëmjen kritike. I takon z. Steiner që të kërkojë se kush dhe pse po i fsheh të dhënat hetimore.

Por parasegjithash i takon parisë së Kosovës që të jetë me këmbë në tokë e me mend në kokë dhe këto vrasje, çështjen e pasigurisë në Kosovë ta shfrytëzojë për të bindur UNMIK-un se sigurinë një populli mund t'ia garantojnë dhe të keqen e tij mund t'ia luftojnë vetëm organet që dalin nga gjiri i atij populli.

Në të kundërtën kalibrat e armëve të vrasësve dhe numri i viktimave të tyre do të rriten. Madje jam krejt i sigurt se me afrimin e negociatave për statusin e Kosovës do të vriten edhe koka edhe emra të mëdhenj të politikës dhe të jetës publike të vendit.

Dhe kjo në funksion të bindjes së qendrave vendimmarrëse se 'shqiptarët anarkistë i qet në mend vetëm dajaku serb'.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 2:07
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË