NUMĖR 70
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI V - 15 JANAR 2003

Dhuna, produkt i shoqërisë në kollaps

Shkruan: Besnik Konçi

Datat 1 Prill 1991 dhe 12 Shtator 1998 shënojnë fillimin dhe mbylljen e një cikli vrasjesh politike, të cilat, jo për koincidencë, morën jetën e dy studentëve dhjetoristë, Arben Brocit dhe Azem Hajdarit. Kjo periudhë e vështirë u karakterizua edhe nga forma të tjera të keqtrajtimit për motive politike, si dhunë fizike, largime nga puna, etj, deri përndjekje të kundërshtarëve politikë, pasojë e mentalitetit totalitar dhe etjes për pushtet të pakufizuar në kohë dhe fuqi. Të krijohet përshtypja se Shtatori 1998 shënoi kalimin e stafetës së vrasjeve politike nga Republika e Shqipërisë në Kosovë. Një cikël vrasjesh të tilla filloi në Tiranë me vrasjen e Kolonel Ahmet Krasniqit dhe u mbyll, para disa ditësh, në Pejë me vrasjen e Tahir Zemajt, të dy drejtues të lartë të të njëjtit formacion ushtarak - FARK. Ndërsa lakorja e formave e tjera të keqtrajtimit politik në Republikën e Shqipërisë sikur pësoi një zbritje pas Marrëveshjes Nano - Berisha, që pati për rezultat të parë të prekshëm institucional, zgjedhjen e një presidenti koncensual.

Megjithatë, kjo është vetëm njëra anë e dhunës politike; ajo që bie më shumë në sy në një vështrim të pare. Por, po të hedhim një vështrim sado pak të kujdesshëm analitik, dhuna politike na çfaqet me të gjitha dimensionet e saj, e futur thellë në jetën tonë dhe e shtrirë në të gjithë spektrin social dhe politik, me pasoja deri të dhembshme, që nëse nuk ndalen, mund të shndërrohen në gangrenë deri në përmasa kombëtare.

Qytetarët shqiptarë jetojnë një pjesë të jetës së tyre në terr për shkak të kufizimeve të rrymës elektrike. Kjo jo për arsyen se vendi nuk ka burimet e duhura hidrike, por sepse paratë e nxjerra nga privatizimet në sektorin strategjik, në vend që të ivestohen në sektorë strategjikë si energjia, shkojnë për fushata të shtrenjta elektorale, për mbushje buzheti, ose për investime në funksion të fushatave të pandërprera elektorale, pra, bëhen pre e politikës, e cila rëndon kësisoj mbi shpatullat tona. Dhe kjo është dhunë politike.

Sapo lemë shtëpinë këmba jonë shkel në baltë dhe ne udhëtojmë në rrugë plot gropa. Madje, edhe rrugët e saporregulluara fillojnë të "bëjnë naze" shumë shpejt. Shkaku, janë bërë me më pak para se sa parashikon preventivi. Dhe kjo ndodh edhe për arsyen se tenderat fitohen vetëm nga firma të privilegjuara që kontribojnë në fushata dhe që janë prone, ose mbushin me rryshfete xhepat e politikanëve; dhe këto të fundit pavarësisht akuzave, fakteve apo, ndonjëherë padive të ngritura mbi to, gëzojnë "imunitet ndaj ligjit". Po, a nuk është edhe kjo një formë e dhunës politike?

Më tej, përballemi me një treg të tipit europian, të paktën nga çmimet. ku pak prodhime vendi të zenë sytë. Sepse pak prodhohet në të vërtetë, në Shqipëri. Dhe kur prodhohet, mallin vendas e mbyt homologu i tij ardjur nga jashtë, që hyn kontrabandë nën kujdesin e padyshueshëm të një dore të forte politikani. Sistemi i kreditimit pothuaj nuk funksionon, por edhe ata pak kredi shkojnë për të ndihmuar politikanët "e varfër" dhe "të pastrehë".

Dhe, meqë jemi tek strehimi, e keqja nuk mbaron këtu. Flitet se rrezikohemi nga hekuri me radioaktivitet tëlartë, i cili vjen nga Rusia dhe Ukraina. Këto linja i komandojnë dy zyrtarë shumë të lartë, të cilëve as na shkon ndër mend se mun tu "hyjë gjemb në këmbë". Përsëri politikanët kërcënojnë sigurinë tone.

Në rrugë krimi ende ndjehet i trimëruar. Jo vetëm se radhët e policisë nuk janë pastruar ende plotësisht nga "protagonistët e 97-ës, por edhe sepse autorët e krimit shpresojnë tek "dora e butë" e drejtësisë.

Drejtësia, në fakt, mbetet hallka më e dobët e shtetit shqiptar. Në emër të pavarësisë, ajo ka mbetur e pavarur vetëm nga ligji. Gjykatat dhe gjykatësit shqiptarë të emëruar nga politika mbi motive politike, të përdorur nga politika për motive thjesht pushteti në fushata elektorale dhe të kqepërdorur nga politikanët për të mbuluar prapësitë e tyre, nuk ka se si të mos e ndjejnë veten të forte përballë drejtësisë. Dhe mëkatet e drejtësisë bien mbi kokën e qytetarit, që nuk ka para ta blejë atë.

Korrupsioni publik, ndonëse denoncohet, ende nuk ndjen peshën e ligjit. Edhe administrata publike në të shumtën e saj është përzgjedhur mbi kritere politike, pra ka mbrojtjen e politikës dhe e vjedh, për pasojë, nën mbrojtjen e saj.

Por, pagesat e larta vazhdojnë edhe me karburantet. Të importuara në vend nëpërmjet linjave monopol, të drejtuara nga politikanët "elitë" nga fuqia ekonomike dhe në nivele të larta të kupolës politike, ata tregtohen me çmime më të larta se në tregun europian. Bashkë me karburantet, vazhdon edhe kontrabanda e shumçkaje (kontrabandë dhe monopol mbi artikuj të veçantë), që sjell dëme në plane të shumfishta, direct dhe indirect në nivelin tone të jetesës.

Që lufta kundër trafiqeve nuk është aq e vështirë sa flitet, këtë e tregoi rasti kur, brenda disa ditësh, u ndërpre trafiku klandestin i emigrantëve me gomone. Mirëpo mbetet ende shumë për tu bërë në luftën kundër trafikut të drogës dhe prostitucionit. Këto dy fenomene kërcënojnë sigurinë dhe jetën e një brezi të ri të ekspozuar ndaj rreziqeve per shkaqe ekonomike, ose për mungesë edukate të duhur në përballimin e situatave të tilla.

Ndërsa problemi i pronës, mbetet problemi bazë, ndonëse për të nuk flitet sa duhet, si nga e Majta, ashtu edhe nga e Djathta. Plaçkitja e saj është bërë me bekimin e "të fortëve" të politikës shqiptare, të cilët kanë zëvëndësuar, deri tani, pronarët e ligjshëm me plaçkitësit, në radhët e të cilëve bëjnë pjesë shumë njerëz të lidhur direkt ose indirekt me politikën. Problemi i pronës, së bashku me problemet e tjera të lartpërmendura, përbëjnë edhe një barrierë më shumë që po pengon integrimin e Shqipërisë në strukturat euroatlantike.

Në një vend me kaq shumë probleme ende të pazgjidhura vështirë se mund të rrezikojhet për të investuar. Ndaj dhe gjërat ecin ngadalë.. Kështu, politika dhunon në çdo moment, në çdo qelizë të shoqërisë, qoftë në emër të shtetit për të ruajtur pushtetin, qoftë në emër të shtetit nëpërmjet pushtetit që të jep politika, për tu pasuruar. Dhunë politike, apo shtetërore, zorr se ka shumë rëndësi emërtimi. Eshtë dhunë e njerëzve me pushtet politik apo shtetëror që po krijon shtresëzime të fuqishme sociale jolegale, që po rrezikojnë uzurpimin e kupolës shtetërore nga Mafja.

Asgjë nuk duhet pare terr. As mund të çohet në mend se nuk ka përparim. Por, përderisa kjo ecje ende nuk garanton stabilitet në zhvillim, përderisa ky ritëm ende na mban larg pjesës tjetër të Europës, askush nuk mund të jetë i qetë dhe nuk duhet të vëzhgojë duke shpresuar se gjithçka do të bëhet vetë më mirë.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 2:12
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË