Një
shtet racist në zemër të Europës
Tom
Lantosh - Shpreh indinjatën sesi në Shekullin XXI ndaj
njerëzve të qytetëruar që jetojnë në
Evropë mund të ushtrohet një diskriminim kaq i thellë
vetëm pse ata duan të mbajnë gjallë trashëgiminë
e tyre gjuhësore, kulturore e etnike. Anet Lantosh - Mali i
Zi është njëqind vjet prapa pjesës tjetër
të Evropës.
Shkruan: Shirley Cloyes DIOGUARDI
(Këshilltare e Çështjeve Ballkanike Lidhjes Qytetare
Shqiptaro Amerikan)
©
AACL
OSSENIG
NY Prej 31 Korrikut deri më 4 Gusht, Lidhja Qytetare Shqiptaro
Amerikane, me mbështetjen e Shoqatës Patriotike të
Krajës dhe Shoqatën Ana e Malit, ndërmori një
mision të gjurmimit të fakteve në popullsitë
shqiptare në Mal të Zi me Kongresmenin Tom Lantosh (Tom
Lantos) dhe të shoqen Anet Lantosh (Annette Lantos). Delegacion
ishte në zbatim të një plani të Lidhjes Qytetare
për të filluar ndërkombëtarizimin e gjendjes
së shqiptarëve në Mal të Zi që ka marrë
pikënisje më shumë se një vit më parë
në Uashington. Nuk u desh shumë kohë për të
shpalosur të vërtetën, sepse shumë shpejt ne
zbuluam se përpjekjet e shumicës sllave malazeze të
sponsorizuara nga shteti për ta përzënë nga
vendi ose për ta asimiluar popullsinë shqiptare në
Mal të Zi, nuk është një temë e historisë,
por një realitet bashkëkohor dhe shokues që kërcënon
vetë ekzistencën e shqiptarëve në Mal të
Zi.
Kjo
përpjekje është acaruar nga një racizëm
vrastar kundrashqiptar që kërcënon gjithashtu të
ardhmen politike dhe ekonomike të Malit të Zi si pjesë
e Evropës. Pas dëgjimit të dëshmive nga ekspertë
dhe veprimtarë shqiptarë në Ulqin, Ana e Malit, Krajë
dhe Tuz, Anet Lantosh, e cila punon me Grupin Kongresional të
të Drejtave të Njeriut (Congressional Human Rights Caucus),
bëri vërejten se në trajtimin e tij racist të
shqiptarëve ‘Mali i Zi është njëqind vjet
mbrapa pjesës tjetër të Evropës’. Bazuar
në ato që pa dhe dëgjoi, Kongresmeni Lantosh e përshkroi
ndjenjën e tij si "një indinjatë sesi në
Shekullin XXI ndaj njerëzve të qytetëruar që
jetojnë në Evropë mund të ushtrohet një
diskriminim kundër tyre kaq i thellë vetëm pse ata
duan të mbajnë gjallë trashëgiminë e tyre
gjuhësore, kulturore dhe etnike. Kongresmeni Lantosh deklaroi
se, bashkë me miqtë e tij Joe DioGuardi dhe Shirley Cloyes,
ai është ‘i përkushtuar emocionalisht dhe intelektualisht’
për ta ndihmuar popullin shqiptar në Malin e Zi. Ai u
zotua që t’i trajtojë problemet e tyre në nivelet
më të larta në Uashington.
Dy
qëllimet kryesore të udhëtimit tonë ishin të
shikojmë, para së gjithash, kushtet në të cilat
shqiptarët e Malit të Zi jetojnë sot dhe për
ta sjellë këtë informacion në Kongresin e SHBA,
kështu që Lidhja Shqiptare duke punuar me Kongresmenin
Lantosh mund të ndërmarrë një zgjidhje që
do t"iu japë shqiptarëve barazinë ekonomike,
politike dhe ekonomike me sllavët malazezë. Pikërisht
siç luajti një rol të rëndësishëm
për të ndërkombëtarizuar çështjen
shqiptare në Kosovë, Tom Lantosh është tashmë
i përgatitur për të bërë të njëjtën
gjë për shqiptarët e Malit të Zi. Anëtarët
e delegacionit përfshinin Presidentin e Lidhjes Qytetare Shqiptaro
Amerikane, ish Kongresmenin Joe DioGuardi, Këshilltaren e Çështjeve
Ballkanike Shirley Cloyes DioGuardi, dhe anëtarët e Bordit
të Lidhjes Qytetare Luan Bukolla, Gjergj Dedvukaj, Adem Dukaj,
Sadri Gjonbalaj dhe Marash Nuculaj; Xhevat Kraja (nënpresident)
dhe Adem Cukaj i Shoqatës Patriotike të Krajës; dhe
Xheladin Zeneli (nënpresident) I Shoqatës Ana e Malit.
Faton Bislimi, student koordinator i Lidhjes Qytetare nga Kosova,
ishte përkthyes zyrtari i delegacionit.
Ndërkohë
që Kongresmeni Lantosh u nis për në Budapest për
të kremtuar 75-vjetorin e tij të ditëlindjes në
vendin e origjinës së tij, disa nga anëtarët
e delegacionit tone udhëtuan për në Prishtinë
për të mbajtur një konferencë shtypi më
5 gusht për hulumtimet tona në Malin e Zi. Fill pas konferencës,
ne patëm fatin të takohemi me Azem Hajdinin, një
nga pak të mbijetuarit e masakrës së 4300 luftëtarëve
kundrafashistë në vitin 1945 në Tivar, Mal i Zi,
nga forcat ushtarake serbe dhe malazeze. Azem Hajdini, i cili ka
publikuar një raport të dokumentuar të masakrës,
shpjegoi sesi ai, nën kërcënimin për vdekje,
për shumë e shumë vite nuk ishte lejuar të fliste
për këtë tragjedi. Ai shprehu shqetësimin e
tij se shqiptarët e Malit të Zi dhe kudo në Ballkan
do të vazhdojnë të përballen me rrezikun e përzënies
dhe të shfarosjes nëse ne nuk do të kërkojmë
ndryshimin e situatës.
Në
vijim të historisë mizore të genocidit kundër
shqiptarëve të Malit të Zi, e cila filloi së
pari me aneksimin e tokës shqiptare nga Mali i Zi më 1878,
atje ka ndodhur një praktikë e vazhdueshme e emigracionit
të detyruar forcërisht, konfiskimit të tokës
dhe asimilimit të dhunshëm. Delegacioni i ndeshi këto
realitete nga Ulqini në Tuz, gjithashtu në Plavë-Guci,
ku pjesa e caktuar e grupit përfundoi misionin e hulumtimit
të fakteve. Historiani Riza Rexha shpjegoi se qyshkur të
ashtuquajturat Fuqi të Mëdha në Kongresin famëkeq
të Berlinit i vunë shqiptarët nën kontrollin
malazez, përpjekjet për ta ndaluar fjalën shqipe,
mënyrën e jetesës dhe kulturën shqiptare dhe
për t’i sllavizuar shqiptarët, duke filluar me vendosjen
e prapashtesës sllave [-iç] në mbiemrat e shqiptarëve,
ka vazhduar me intensitet.
Sipas
Riza Rexhës, shqiptarët përballen me të njëjtat
çështje me të cilat janë përballur gjatë
123 viteve me radhë. Si rezultat, sot gjysma e popullsisë
shqiptare të Malit të Zi jeton në Shtetet e Bashkuara
të Amerikës dhe në Evropën Perëndimore.
Riza Rexha gjithashtu përshkroi një strategji paralele
që synon vendosjen e malazezëve në zonat me popullsi
shqiptare për të ndryshuar përbërjen e tyre
etnike dhe strukturat politike. Disa nga shembujt më flagrantë
të konfiskimit të tokave të shqiptarëve dhe
të vendosjes së malazezëve në zonat e populluara
me shqiptarë për të ndryshuar demografinë kanë
ndodhur dhe janë duke ndodhur në Tuz. Ne mësuam nga
Anton Lajcaj, një profesor në Tuz, se brenda vitit të
ardhshëm, 1200 sllavë do të vendosen në fermat
dhe do t"iu jepen apartmente në tokat e konfiskuara midis
Tuzit dhe Podgoricës.
Në
të njëjtën kohë, qeveria ka konfiskuar tokën
në pronësi të sllavëve në rrethinat e Podgoricës
me qëllim që të ndërtojë atje një
burg. Qeveria iu ka premtuar pronarëve të shqetësuar
të tokave se ata do të kompensohen me 60000 metra katrore
tokë që do t’iu merret shqiptarëve. Qeveria
gjithashtu, gjoja për të ndërtuar një park kombëtar,
po ua merr shqiptarëve kilometra të tëra katrore
tokash përgjatë Liqenit të Shkodrës, të
cilat shqiptarët i kanë me tapi brez pas brezi. Kur Kongresmeni
Lantosh pyeti se çfarë lloj kompensimi do t"iu
bëhet shqiptarëve të cilëve ua ka marrë
tokat e tyre qeveria malazeze, Anton Lajcaj u përgjigj se ata
nuk do të marrin asgjë prej gjëje dhe se çdo
protest do të shpërblehet me burg dhe me persekutim. Tuzi
ka qenë gjithashtu i ndarë fizikisht nga ndërtimi
i një baze ushtarake dhe i një depoje të mbeturinave
e cila është burim i sëmundjeve të fëmijëve
shqiptarë. Anton Lajcaj deklaroi se politika malazeze dhunon
të gjitha konventat evropiane të të drejtave të
njeriut dhe se, po të vazhdojë kështu, e gjithë
popullsia shqiptare do të largohet prej këndej ose do
të asimilohet. Kur Kongresmeni Lantosh, zonja Lantosh dhe anëtarët
e delegacionit tonë ishim tronditur thellë nga ato që
kishim parë dhe nga guximi i shqiptarëve të cilët
ne i takuan në Malin e Zi, ne ishim plotësisht të
vetëdijshëm se politika shtetërore tashmë ia
ka arritur të asimilojë shumë shqiptarë, të
cilët nuk flasin më gjuhën e tyre amtare. Disa shqiptarë
janë bashkuar tashmë me partitë politike malazeze
dhe të tjerë kanë bashkëpunuar në mënyrë
aktive me forcat qeveritare të sigurisë dhe me policinë
speciale në kontrollin dhe në shtypjen e popullsisë
shqiptare.
Delegacioni
kërkoi të takojë presidentin Petrit Gjokaj dhe nënpresidentin
Nik Gjeloshaj të Shoqatës Kombëtare të Studentëve
Shqiptarë, si dhe udhëheqësve të degëve
të kësaj shoqate në Ulqin. Ngaqë atje nuk ka
arsim të lartë në gjuhën shqipe, të gjithë
i ndjekin studimet universitare jashtë Malit të Zi. Shoqata,
e cila ka 700 anëtarë, eshte themeluar kohët e fundit
për të kundërshtuar asimilimin dhe për të
ndihmuar studentët që të përballen me një
sistem arsimor që eshte ndërtuar në një mënyrë
të tillë që për studentët shqiptarë
të mbyllen të gjitha rrugët. Petrit Gjokaj dhe Nik
Gjeloshaj folën për trysninë e pareshtur mbi studentët
shqiptarë për të harruar identitetin e tyre dhe historinë
e tyre dhe të heqin dorë nga aktiviteti politik. Në
përgjigje të kësaj trysnie, Shoqata është
duke kërkuar që arsimi në gjuhën shqipe të
bëhet në shkollën e lartë dhe me një program
mësimor që ua meson historinë dhe kulturën shqiptare.
Aktualisht, mësimet në gjuhën shqipe ekzistojnë
vetëm në shkollën fillore, por as kjo madje nuk ka
përhapje të plotë.
Gjithnjë
e më shumë serbishtja po shndërrohet në gjuhë
të vetme të shkollës në të gjitha nivelet
(studentët janë të detyruar t’i përkthejnë
tekstet serbe në shqip), dhe programet mësimore janë
plotësisht në shërbim të kulturës dhe të
historisë serbomalazeze. Petrit Gjokaj tha gjithashtu se Shoqata
e Studentëve ishte duke punuar me të gjithë trupën
studentore në Mal të Zi për të çuar përpara
çështjen politike të shqiptarëve. Ngaqë
shqiptarët përbëjnë vetëm shtatë për
qind të popullsisë së Malit të Zi, studentët
theksuan se, duke u nisur nga standartet evropiane, ata nuk mund
të shpresojnë që Mali i Zi të ndërtojë
një Universitet në gjuhën shqipe.
Megjithatë,
ata thanë se studentët shqiptarë të Malit të
Zi duhet të regjistrohen sa më shumë në universitetet
e Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë pa iu krijuar
asnjë pengesë prej atyre universiteteve. Petrit Gjokaj
dhe Nik Gjeloshaj thanë se një kolegj në gjuhën
shqipe për të përgatitur arsimtarë për
shkollën fillore dhe tetëvjeçare do të duhej
të funksiononte në Malin e Zi. Ata treguan sesi propozimi
për kolegjin për arsimtarë është duke u
hedhur poshtë në mënyrë sistematike nga politikanët
malazezë dhe shqiptarë. Qeveria ka ofruar të ndërtojë
një kolegj për arsimtarë në Nikshiq, i cili
është në thellësi të një territori
plot me sllavë dhe prandaj është i papranueshëm
nga shumica e shqiptarëve. Ndërkaq, partitë politike
shqiptare, në vend që të jenë të bashkuar
për të kundërshtuar ndërtimin e kolegjit në
Nikshiq, janë duke u ndeshur mes tyre se ku të ndërtohet
kolegji në tokën shqiptare. Rezultati është
një bllokim i situatës çka kërcënon të
ardhmen e arsimit shqiptar në Mal të Zi. Studentët
të cilët kanë mundësi ekonomike për të
studiuar në universitetet jashtë Malit të Zi shpesh
e shikojnë se e kanë të pamundur të rikthehen
në Malin e Zi, sepse shteti nuk i njeh diplomat e atyre universiteteve
dhe, prandaj, ata nuk mund të gjejnë punë. Por shumë
studentë nuk arrijnë të studiojnë në asnjë
shkollë të mesme.
Për
shembull, ne mësuam nga historiani Ismail Doda, kur po qëndronim
bashkë pranë shtatores së Skënderbeut, ndërtuar
me financimin e Shoqatës Patriotike të Krajës, se
studentët nga Kraja janë të detyruar të shkojnë
në Ulqin ose të marrin autobusin për të bërë
një rrugë të gjatë që të mund të
vazhdojnë shkollën e mesme. Shumë prej tyre nuk kanë
asnjë rrugëzgjidhje. Nail Draga, president I Shoqatës
së Artistëve dhe Intelektualëve në Ulqin dhe
një drejtor shkolle që kohët e fundit është
pushuar nga puna prej qeverisë së Malit të Zi, i
tha delegacionit të Lidhjes Qytetare se edhe pse Mali i Zi
është një vend shumëkombësh, prandaj edhe
shumëkulturor, kultura malazeze mbisundon. Ai tha se deri sot
qeveria e Malit të Zi nuk ka financuar qoftë edhe një
projekt të vetëm kulturor ose shkencor shqiptar.
Askund
tjetër nuk është më i dukshëm fakti se
racizmi antishqiptar sjell pasoja negative ndaj shqiptarëve
dhe malazezëve se në fushën e ekonomisë. Ulqini,
një qytet ilir me bukuri magjepsëse që është
themeluar në Epokën e Bronxit, është qendra
më e madhe turistike në Detin Adriatik. Qyteti është
në më shumë se 80 për qind shqiptar dhe një
numër shumë i madh I turistëve që vizitojnë
Ulqinin janë shqiptarë. Edhe pse qeveria qendrore në
Podgoricë i merr përfitimet më të shumta nga
turizmi i Ulqinit, duke e lënë bashkinë pa fondet
që do t’i duheshin që ajo të vepronte vetë,
ajo, pra qeveria malazeze, refuzon zhvillimin e infrastrukturës
së zhvillimit të Ulqinit sepse Ulqini eshte një zonë
me shumicë shqiptare. Rezultati është që Podgorica
lë gjithë Malin e Zi pa kapitalin më urgjentisht
të nevojshëm që do të sigurohej nëpërmjet
industrisë së turizmit të zhvilluar në shkallën
e duhur.
Delegacioni
mësoi se 60% e Ulqinit përbëhet nga brezi i ri i
shqiptarëve, sepse ata kanë gjetur punë në turizëm
dhe në administratën bashkiake. Megjithatë në
Anën e Malit, Krajë, Tuz dhe Plavë-Guci, brezi i
vjetër mbizotëron, për shkak të mungesës
së punës dhe të infrastrukturës. Në Krajë,
historiani Ali Gjecbritaj informoi grupin tonë se në vitin
1991, 4000 njerëz jetonin atje, por sot në Krajë
banojnë vetëm 2000 shqiptarë, sepse nuk ka punë,
nuk ka ujë të pijshëm (pavarësisht afërsisë
së qytetit me Liqenin e Shkodrës) dhe nuk kanë lidhje
me Internetin. Muhamet Gjokaj, një jurist në Tuz, na shpjegoi
se qyshkur Tuzit, qendrës më të madhe të shqiptarëve
të rajonit të Malësisë, I është hequr
autonomia e tij si bashki më 1957 dhe është përfshirë
nën Podgoricën, ekonomia dhe infrastruktura janë
përkeqësuar deri në atë pikë sa që
gjysma e popullsisë shqiptare ka emigruar tjetërkund.
Në
njërin nga momentet më tronditëse të udhëtimit
tonë përmes Malit të Zi, Gjokaj na shpalosi shkallën
e mjerimit, përfshirë mungesën e ujit të pijshëm,
mungesën e elektricitetit minimal, mungesën e lidhjeve
telefonike në fshatrat shqiptare të rajonit. I tillë
është rasti i Dinoshës, fshatit më të madh
shqiptar të asaj zone, i cili ndodhet vetëm pesë
kilometra larg kryeqytetit Podgorica dhe ku banojnë 1500 veta.
Kur Kongresmeni Lantosh pyeti sa fshatra malazeze janë në
kushte të ngjashme, përgjigja ishte kuptimplote ‘asnjë’.
Në mënyrë alarmante, Gjokaj deklaroi se kërkesa
për ta bërë Tuzin komunë, si dhe çdo
kërkesë për përmirësimine gjendjes së
shqiptarëve, është e paragjykuar të konsiderohet
si një vepër e ‘lëvizjes separatiste’.
Ai deklaroi se qeveria e Malit të Zi është duke i
kaluar tani në parlament ligjet për t’ua ndaluar
shqiptarëve kontrollin e pushtetit vendor përgjithmonë.
Delegacion ynë mësoi se Bashkimi Evropian nuk ka bërë
asgjë për të ndalur këtë tragjedi të
pashoqe.
Siç
është shpjeguar më lart, emrat shqiptarë janë
ndryshuar në çastin e lindjes që të duken
sllavë. Kjo bëhet sepse asnjë nga shtëpitë
e lindjes në Malin e Zi nuk drejtohen dhe nuk kanë në
përbërje mjekë ose mami shqiptare. Dr. Sime Dobreci
e informoi delegacionin se nuk ka pasur investime financiare në
sistemin e shërbimit shëndetësor në asnjërën
prej zonave shqiptare të Malit të Zi gjatë njëze
viteve të fundit. Shumica e shqiptarëve në Malin
e Zi nuk mbulohen nga shërbimet shëndetësore dhe,
kur ata trajtohen nga këto shërbime, atëherë
komunikimi me sistemin e shërbimit shëndetësor bëhet
në serbisht. Spitali i Ulqinit është një institucion
i varfër, pa personel të mjaftueshëm dhe funksionin
vetëm për turistët, të cilët trajtohen
për sëmundje dhe plagë, por nuk funksionon për
vendasit.
Delegacion
vizitoi klinikën në Ana e Malit, një nga klinikat
e pakëta të shqiptarëve në Malin e Zi. Vetëm
dy mjekë iu shërbejnë 10000 banorëve. Dhe të
dy vijnë nga Ulqini çdo mëngjes dhe rikthehen në
shtëpi në orën 7:00 të çdo mbrëmjeje.
Nga Dr. Zulfie Duraku, me mësuam se qeveria financon shkollimin
e studentëve sllavë të mjekësisë por jo
të studentëve shqiptarë. (Ajo e kishte financuar
shkollimin e vet në moshën 38 vjeçe. Dr. Duraku
nënvizoi se klinika në Ana e Malit eshte saktësisht
ashtu siç ka qenë atëherë kur ajo kishte lindur,
pra si para 38 vjetësh. Ajo na tha se klinika nuk merr asnjë
fond nga qeveria.
Juristi
Gezim Kalavrezi ia dha delegacion një pamje të hollësishme
të sistemit të drejtësisë antikrim në Malin
e Zi, ku parimi i të drejtave të njeriut përpara
ligjit nuk është praktikuar dhe ajo që është
hkruar në Kushtetutë nuk është zbatuar, tha
ai. Për shembull, ligji që thekson se minoritetet kanë
të drejtën të përdorin gjuhën e tyre në
të folur dhe në të shkruar nuk është zbatuar
kurrë. Të gjitha procedurat gjyqësore bëhen
në serbisht dhe pastaj përkthehen. Sipas Kalavrezit, përkthimi
është shpesh aq i dobët saqë të drejtat
e qytetarëve janë shfuqizuar plotësisht. Asnjë
nga gjyqtarët në Gjykatën Supreme apo në zyrat
e prokurorisë nuk janë shqiptarë. Gjatë paraqitjes
me delegacionin tonë, Muhamet Gjokaj na rrëfeu se ai ishte
një prej 300 shqiptarëve, nga mosha 18 deri 35 vjeçe
(shumë prej tyre, si Gjokaj, i martuar, me grua dhe fëmijë),
të cilët sapo kishin marrë fletëthirrjet ushtarake
të Serbisë për t"u paraqitur në shërbimin
ushtarak më 3 shtator. Ky rekrutim, pra regjistrim i shqiptarëve
të Malit të Zi në ushtrinë e Serbisë, është
shpallur si një përpjekje ‘multietnike’ e
shtetit, tani që shqiptarët dhe sllavët ‘nuk
janë më në konflikt’. Dhe kur është
këtu fjala, historikisht, shqiptarët kanë qenë
objekt i racizmit dhe brutalitetit të tejskajshëm në
ushtritë e ish Jugosllavisë nën komandën serbe
dhe malazeze.
PËRFUNDIME
Situata
e shqiptarëve të Malit të Zi është e tmerrëshme
dhe ogurkeqe. Siç na deklaroi Nail Draga gjatë vizitës
sonë, qeveria malazeze ‘i pranon’ problemet e saj
kur delegacionet ndërkombëtare e vizitojnë Podgoricën,
por në praktikë ata kurrë nuk bëjnë ndonjë
gjë. Mendësia e ngulitur në qeveri është
thellësisht raciste dhe ende si në kohën e komunizmit.
Draga beson se problemi i të drejtave qytetare të shqiptarëve
në Malin e Zi mund të zgjidhet vetëm përmes
ndërhyrjes diplomatike të Shteteve të Bashkuara të
Amerikës dhe Bashkimit Evropian. Anëtarët e delegacionit
të Lidhjes Qytetare janë të përkushtuar të
punojnë me Kongresmenin Lantosh për të ndërkombëtarizuar
gjendjen e shqiptarëve në Malin e Zi. Ne nuk do ta mbështetim
pavarësinë e Malit të Zi derisa popullsia shqiptare
të ketë fituar plotësisht të drejtat ekonomike,
politike dhe kulturore. Dhe ne fuqimisht do të kundërshtojmë
pranimin e Serbisë dhe të Malit të Zi në Bashkimin
Evropian dhe NATO gjersa të dyja të kenë vullnetin
e mirë për të pranuar dhe mbrojtur legjitimitetin
e shqiptarëve, duke hequr dorë nga një qind vjet
të spastrimit etnik e të genocidit dhe të përqafojnë
demokracinë si sundim të ligjit.
Shenim:
Autorja eshte shkrimtare amerikane dhe Këshilltare e Çështjeve
Ballkanike Lidhjes Qytetare Shqiptaro Amerikan, njohese e mire e
ceshtjeve shqiptare.
|