NUMĖR 73
SOT ËSHTË
 
BALLINA
ARTIKUJ
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI V - 08 MAJ 2003

Shteti i kafkave

Shkruan Xhafer SHATRI

Po ndodhë ajo që askush nuk ka mundur ta marrë me mend; Serbia po i nxjerrë për fushë sekretet dhe skeletet e saj shtetërore.

Në aksionin e gjerë policor të koduar „Shpata“ brenda një muaji janë arrestuar rreth 8000 persona. Në mesin e tyre ka mafioz, trafikantë, politikanë, policë, superspiunë, gjeneral dhe yje të estradës. Në këtë shkundje kanë dalur për fushë krime që më se shumti e kanë befasuar popullin serb, i cili pas kësaj me të drejtë meriton t'i bëjë një shqyrtim serioz gjendjes kolektive të shpirtit të tij.

Gjatë aksionit "Shpata", krahas shumë vrasjeve të tjera, u zbuluan jo vetëm vrasësit por edhe varri i ish-kryetarit serb, Ivan Stamboliç. Si duket, as vrasja e kryeministrit Gjingjiç nuk ka ndikuar aq shumë në zhdehjen e serbëve sa pamja lemeritëse e kafkës së kryetarit të dikurshëm, e kredhun në varrezën me çereç. Veç kafkës dhe shtyllave të shkeletit, gëlqerja megjithatë nuk kishte mundur t’i tretë as patiket e Stamboliçit, të cilat bashkë me varrin u bënë personifikimi më origjinal i historisë së re të shtetit serb.

Veç te opinioni vendor, skeleti i Stamboliçit ka shkaktuar tërmet shumëballësh edhe në Hagë. Zbulimi i kësaj vrasjeje mizore (kidnapimi i ish-burrshtetit gjatë joggingut në Koshutnjak dhe ekzekutimi i tij buzë varrezës së hapur e të mbushur me gëlqere) kryepersonazhin në gjykatoren e Hagës e ka tronditur keqas.

Siç kanë vërejtur të pranishmit, për herë të parë kasapit të Ballkanit i është dridhur zëri, sepse ishte zënë me kërpesh për dore. Vrasjen e kishin kryer pjesëtarët e elitës së policisë së tij, me urdhër nga lart, pra nga ai dhe e shoqja e tij, Mirjana, tashmë në arrati dhe me një wanted ndërkombëtar në shpinë.

Ky është vetëm fillimi, sepse "Sllobo Slloboda" së shpejti do të përballet në gjykatore edhe me bashkëpunëtorët e tij dikur të ngushtë, siç janë ish-shefi i shërbimeve sekrete serbe, Jovica Stanishiç dhe ndihmësi i tij Franki Simatoviç, që të dy të arrestuar së fundit në Beograd dhe transferimi i të cilëve drejt Hagës tash është vetëm çështje javësh. Me të drejt pritet që "Karla e tmershme" do t'i detyrojë ata të dalin para shefit të tyre të dikurshëm dhe ta përkujtojnë për veprimet e përbashkëta: për urdhërat konkrete, për përgatitjen e luftërave, për formimin e eskadroneve të vdekjes, për praktikat e shfarosjes së popujve...

Kohët e fundit është shkundur rrast edhe një institucion deri tash i paprekshëm i shtetit serb: ushtria. Me procedurë të shkurtë është shkarkuar nga posti i shefit të KOS-it (shërbimi ushtarak i kundërzbulimit), gjenerali Aca Tomiç. Ky dofin I Koshtunicës menjëherë pastaj është arrestuar me akuzën për komplot. Pas tij është arrestuar edhe ish-shefi i shtamadhorisë së ushtrisë, gjenerali Nebojsha Packoviç. Nga Haga ka informacione se prokurorja e Tribunalit po përgatit aktakuzën edhe për këtë, sepse, më 1999, ka qenë komandant i forcave serbe në luftën në Kosovë.

Njëkohësisht me arrestimin e të dy gjeneralëve u shformua edhe I famshmi Komision i ushtrisë për bashkëpunim me tribunalin e Hagës. Këtë Komision, dy vjet më parë, e kishte formuar me sygjerimin e Koshtunicës, gjenerali Pavkoviç. Në këtë Komision që udhëhiqej nga gjenerali aktiv Tërziç, bënin pjesë 28 oficerë të lartë në pension, të cilët kishin punuar në shërbimin informativ ushtarak. Sipas zyrtarëve serbë ky Komision kishte seleksionuar një dokumentacion usltrasekret prej 14 mijë faqesh!

Në fakt Komisioni nuk kishte për detyrë bashkëpunimin por pengimin e efektshëm të Tribunalit të Hagës, sepse, siç pohojnë tash zyrtarët në Beograd, pjesëtarët e këtij Komisioni përcillnin rregullisht seancat e Tribunalit e sidomos deponimet e dëshmitarëve dhe menjëherë pastaj në përputhje me nevojat i dërgonin Millosheviçit të dhëna djegëse për biografitë e dëshmitarëve, 'dokumente' që hidhnin posht dëshmitë rënduese, si dhe kundërpyetje që hutonin apo edhe paralizonin dëshmitarët.

Fshesa aktuale serbe nuk ka kursyer asnjë nga skutat dhe sefat e nëntokës dhe institucioneve duke nxjerr në pah faktin se shteti serb ka qenë një piramidë mafioze, që nuk ka lënë të zezë mbi dhe pa bërë; trafik droge, vrasje, komplote, shantazhe, kidnapime…

Fshesa ka bërë ndryshime edhe në Akdeminë serbe të Shkencave, por nuk ka prekur akoma institucionin shpirtëror të serbëve që për të gjitha ato krime që ka bërë shteti serb ka dhënë bekimin e zotit, pra Kishën ortodokse.

E Kisha, siç po shihet, do ta vazhdojë punën e saj. Ajo do të mbetet e paprekshme dhe do të vazhdojë të ruajë dhe ta zgjërojë tharmin e ultranacionalizmit serb, i cili gjatë shekullit të kaluar ka ulur shumë herë në gjak krejt rajonin që quhet Ballkan.

Në fakt kafka, që më së miri do t'i shkonte stemës serbe, ishte dhe mbetet një projeksion i Kishës ortodokse serbe, e cila tash është bërë edhe de jure pjesë e strukturave shtetërore të Serbisë: ajo është futur nëpër shkolla e institucione, ajo vazhdon të luftojë hapur çdo autoktoni malazeze dhe madje ka arritur të fusë thellë pykat e saj dhe në Maqedoni.

Aty ku ka humbur luftën politika dhe ushtria, Kisha ortodokse serbe po vazhdon ta bëjë betejën e saj për Serbinë e madhe.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 1:49
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË