Loja
me dosjet dhe fshehja e krimit
Shkruan Mustafa NANO
(c) « Shekulli »
Lexoni edhe njëherë këtë copëz të
fjalës së Ministrit të Brendshëm në seancën
e parmbrëmshme të Kuvendit të Shqipërisë:
“Krimi mbrohet nga deputetë në këtë sallë.
Ne e dimë që krimi i organizuar ka partnerë në
korridoret e politikës. Rrjetet e trafikut të drogës
na çojnë tek lidhjet e disa njerëzve të pranishëm
në këtë sallë që mbeten jashtë hetimit,
pasi imuniteti parlamentar i përjashton ata nga hetimi”
(gazeta “Shekulli”, nr. 1829, dt. 15 prill 2003, faqe
4). Në fund, pasi përmend vrasjen e Tivarit, Mirit të
Xhikes dhe tregtarit të hekurit, ai bën një nga ato
deklarata, të cilat më shumë se sa gjetjen e së
vërtetës, synojnë fshehjen e saj: “Shihni ata
që spekulojnë e ata që shpifin, dhe do të mbërrini
tek emrat”.
Tha
këto Ministri i Brendshëm, dhe shkoi të ulej i qetë
atje sipër në tribunë, pranë Kryeministrit,
me fytyrë të kthyer nga deputetët. Ca prej këtyre
të fundit u trembën, ca e humbën toruan, ca filluan
të çirren, ndërsa të tjerët vijuan të
parlamentar-izonin si gjithmonë, pa e bërë qejfin
qeder, sikur të kishin dëgjuar deklaratën më
banale në botë. Eshtë e qartë që pas kësaj
nuk do të ndodhë asgjë. Kjo është politika
shqiptare.
Unë mendoj, se kjo deklaratë “e fortë, denoncuese,
e pamëshirshme, guximtare” e bërë nga njeriu
që është i informuar zyrtarisht e institucionalisht
mbi këto çështje, është një arsye
e madhe për të provokuar një debat të vërtetë
parlamentar, ku t’i shkohet të vërtetës deri
në fund. Do të jetë një gjë shumë
e turpshme, nëse kjo deklaratë lihet si pa dashje në
harresë.
Ka pak gjasa që opozita të kërkojë një
debat parlamentar lidhur me këtë punë. Ka pak gjasa,
jo thjesht se ajo është mësuar të provokojë
debate pa bukë, por sepse, nga reagimi që u vu re në
të nxehtë, nuk duket se është e interesuar kushedi
se çfarë. Kundërpërgjigja e kreut të
saj me fjalët “lëri fjalët, hapi dosjet”
ishte më tepër reagimi instiktiv i njeriut të kapur
gafil, se sa kurajoja e njeriut që nuk ka ç’të
fshehë. Debati u mbyll aty. Menjëherë.
Por përtej kësaj përshtypjeje, këtu është
e tepërt të ndjekësh symbylltazi arsyetimin e zotit
Rama e të hamendësosh inkriminimin e opozitës. Ajo
që të lë me gojëhapur është paturpësia
e maxhorancës apo e qeverisë për të krijuar
terror parlamentar me dosje e për të mos i përcjellë
këto dosje atje ku duhet, në prokurori. Kjo është
loja e vjetër që bën politika shqiptare prej më
shumë se një dekade: krijo dosje, katalogo emra politikanësh
të lidhur me krimin, dhe në fund mos vepro, por thjesht
ushtro presion kur gjendesh në situata të vështira.
Askush nuk është i interesuar të ndëshkojë.
Askush nuk është mirëfilltazi i shqetësuar mbi
përmasat e krimit të organizuar. Të gjithë janë
të përqëndruar në përdorimin e fakteve
e dosjeve në luftën politike. Dhe kështu krijohet
klima më e mirë, ku të vetmin imunitet e ka vetë
krimi i organizuar dhe autorët e tij. Në këtë
klimë politike pra, mund ta pësojnë (me të drejtë
apo pa të drejtë, nuk ka shumë rëndësi
në këtë diskutim që po bëjmë) vetëm
ata që punojnë e veprojnë larg qendrave të komandave
të rëndësishme politike. Eshtë aq e vërtetë
kjo, sa nuk e teproj po të them: “Do të bësh
të gjitha ndyrësitë e mundshme dhe të mbetesh
i paprekshëm? Shpall besnikërinë ndaj një politikani
të rëndësishëm, dhe kaq”.
E shumta që mund të të bëjnë, është
të të rrethojnë me presion në situata të
caktuara. Mënyra më e mirë për të shpëtuar
edhe në këto rrethana, është t’i qepesh
më shumë politikanit të rëndësishëm.
Lidhja me politikën përbën të vetmin imunitet
real të çdo të paudhi në realitetin shqiptar.
Çdo formulim tjetër juridik apo ligjor i imunitetit
është një dokërr e gjysëm.
Në të vërtetë, kur Ministri i Brendshëm
thotë se “ imuniteti parlamentar i përjashton politikanët
e lidhur me krimin nga hetimi”, ai së pari mashtron publikun,
dhe së dyti nuk bën detyrën e vet. Mashtron publikun,
pasi imuniteti parlamentar nuk të përjashton nga hetimi;
ai vetëm sa të mbron nga hetimi i padrejtë, gjë
që s’do të thotë se nuk mund të kërkohet
heqja e imunitetit.
Koncepti i imunitetit parlamentar ka të bëjë me merakun
që përfaqësuesit e popullit të mos nëpërkëmben
në rastin më të parë nga një prokuror arbitrar,
por gjithsesi nuk është bunker për kriminelët.
Dhe këtu vijmë tek momenti, kur ai nuk bën detyrën
e vet.
Ka dërguar ai ndonjë dosje politikanësh të përzjerë
me krimin në prokurori? Ç’ka ndodhur në këto
raste? A mos vallë prokuroria nuk i ka dërguar Parlamentit
kërkesën për heqje imuniteti? Nuk dimë të
ketë ndodhur ndonjë gjë e tillë. Nëse ka
ndodhur, kjo nuk i jep të drejtën Ministrit të Brendshëm
të terrorizojë deputetët; e shumta, i jep atij të
drejtën të denoncojë Prokurorinë që nuk
vepron e që nuk sjell në Parlament kërkesën
për heqje imuniteti të njërit apo tjetrit.
Meqënëse Ministri e hapi lojën, aty duhet të
bëhen të gjallë disa deputetë e duhet të
kërkojnë që kjo histori të ndriçohet.
Nëse kjo nuk ndodh, ky Parlament, jo vetëm është
moralisht i vdekur, por është dhe mbrojtësi politik
i krimit të organizuar. Mbrojtës politikë të
krimit nuk janë vetëm ata që tremben, por edhe ata
që mjaftohen me faktin se fajtorët u trembën.
Papërgjegjshmnëria e këtyre të fundit shtohet
pastaj, kur mendon se institucionet shtetërore të luftës
kundër krimit arrijnë të zbulojnë vetëm
lidhjet e krimit të organizuar me njerëz të opozitës.
Lind pyetja: Pse krimi i organizuar qenka një botë kaq
budallaqe, sa banorët e saj të lidhen vetëm me opozitën
e të mos lidhen në radhë të parë me pushtetin?
|