Ese
Kur
do të emancipohet mashkulli shqiptar?
Shkruan:
Iliriana SHABANI
Femrat shqiptare, mbyllur mbrenda
katër mureve, të dobëta e të pa zhvilluara,
jan shtypur e mbytur nga zgjedhja e rëndë e një edukate
që s’këshillon e s’porosit asgjë tjetër
veçse ndalime: mos prek! mos dil! mos hy! mos fol! mos qesh!
mos qaj! e plot mosa tjerë të një edukate, e cila
mashkullin e ka normë, e femrën përjashtim, anomali,
kërcënim që duhet kontrolluar.
Femra
te ne është një qenje e shtypur nga mashkulli e cila,
në një akt final të poshtërimit të saj,
shahet, përqeshet e fyhet – pse është e shtypur!
Ajo ta djegë zemrën për pa drejtësit që
i bëhen. Kjo femër e gjorë, e pashkolluar dhe e robëruar
për jetë, si mund të bëhet nanë e mirë,
edukatore e denjë!?
Çfarë aftësish
mund të ketë një skllave e tillë për të
rritur fëmijë, ata fëmijë që do të
jenë shpresa e nesërme e vendit tonë, mburoja e atdheut
dhe krenarija e kombit!?
Ai atdhe ideal që e ëndërruan
dëshmorët tanë do të mbetët një dëshirë
e varrosur nën dhe bashkë me kufomat e tyre, përderisa
femra shqiptare të mos ketë p.sh. mundësi për
shkollim të barabartë me meshkujt. Si është
e mundur që ndër shqiptarët, ku gjysma e demografisë
janë meshkujt e gjysma femra, meshkujt janë kaq të
mbireprezentuar në arsim të lartë!?
Unë akuzoj të gjithë
ata “patriotë”, “politikanë”,
“udhëheqës”, “baballarë të
kombit”, me mjekra, syze, shalle, kostume, e flamuj simpatikë
kuqezi nëpër tavolina, që heshtin si qyqe e s’e
ngritin zërin të kërkojnë lirinë e femrës
shqiptare, ta provojnë kapacitetin e saj, për t’i
zhvilluar cilësitë e brendëshme të saj, për
të fisnikruar shpirtin e saj të shtypur me shekuj; i akuzoj,
pra, të gjithë që janë pjesëmarrës
direktë në krimin masiv që kryhet përditë
kundër gjysmës së kombit shqiptar, kundër fëmijëve
të tij e ardhmërisë së tij.
Për të pasur gjenerata
të reja e mendjendritura, shpresërisht ca më të
mira se gjenerata jonë, duhet të kemi familje të
lumtura ku dominon drejtësia e respekti në familje: si
do të presim nga fëmijët tanë që të
kenë respekt për jetën e pronët e tjetrit, kur
qysh në familje i mësojmë sistematikisht, duke i
shtypur gratë, që respekti për jetën është
iluzion?
Ku qëndron problemi!?
Dihet thjeshtë se problemi
është mu aty: në edukatën familjare.
Ne jemi ata prindër që
vendosim për fatin fëmijëve tanë, pa marrë
parasyshë a është vajza a po djali. Ne jemi ata prindër
të cilit i ndalojmë vajzat tona nga shkolla, ne jemi ata
që nuk duam ta pranojm se femra është thelbi i shoqërisë
dhe i qenies njerzore.
E kur femrën e lëmë
mbas dore, atëhere vuan gjithë populli. Herët a vonë,
prej kësaj vuajmë edhe ne. Por mjerisht, të shpeshtën
jemi aq injorantë, sa s’e vërejmë shkakun e
vuajtjeve tona. E s’e vëmë re që shkelja e
femrës është primitivizëm, ngecie, papërsosmëri,
katastrofë morale e etike, në aspektin demokratik të
një populli.
E megjithatë: të gjithë
flasin për lirinë. Liri majtas, djathtas, liri me grushta,
liri gjithandej: liri prej komunizmit, prej pushtimit, prej regjimit,
prej krimit, prej taksave. Liri prej lirisë, po deshe: pazari
ballkanik i ha të gjitha…
E ku mbeti liria e femrës!?
Pse vetëm kjo qenka e parakohëshme,
e parealizueshme, e padëshirueshme, e nxituar, e qortuar, e
vonuar? Pse vetëm kjo – pse vetëm femra! –
kaq e mohuar!?
Të gjithë flasin për
vetvendosje. Vetvendosje për Kosovën, vetvendosje për
shqiptarët në IRJM, vetvendosje për bashkim kombëtar.
Vetvendosje për shitësin analfabet të djathit në
çarshinë kosovare, që vë ende gisht e nënshkruhet
me çirilicë. Por jo vetvendosje për Flora Brovinën,
a jo! atje nuk është koha të shkohet ende.
Pse këtë problem e lëmë
të zhvarritet ndër shekuj? A nuk është koha
që t’i dhëmë fund kësaj shtypjeje të
egër?
Ju
ftoj: ju meshkujt jeni ata që duhet t’i jepni fund shkeljës
së të drejtave të femrës. Ju porosis: ju, e
jo femra, jeni ata që keni nevojë për emancipim. |