NUMĖR 76
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI V - 06 NËNTOR 2003

Greqia, faqja e zezë e Evropës

Shkruan: Skerdi SIKA

Imagjinoni këtë: në kremtimin e 28 Nëntorit në një gjimnaz të Gjirokastrës, maturanti më shembullor pengohet forcërisht prej nxënësve e prindërve shqiptarë që t’i prijë parakalimit tradicional me flamur në dorë. Arsyeja, nxënësi është me kombësi greke.

Pasojat mund t’i merrni me mend. Protesta të serta greke, deportim i mijëra shqiptarëve nga Greqia, kritika prej Këshillit të Evropës dhe prej Unjësimit Evropian, qortime prej Uashingtonit, besa edhe trysni diplomatike e ekonomike …

E pra pikërisht kjo ka ndodhur këtyre ditëve. Veçse me dallimin që maturanti ishte shqiptar, dita e kremtës ishte 25 Tetori, e flamuri që po celebrohej ishte ai i Greqisë. E pasojat ishin ca më ndryshe; më saktë, pasoja s’pati fare!

Odise Cenaj, 18 vjeç nga Shkodra, u pengua me forcë që t’i printe parakalimit të gjimnazistëve me flamurin grek – jo shqiptar, po grek! – nga shokët e tij dhe prindërit e tyre në një gjimnaz të Greqisë. Shkaku thjesht që Cenaj, banues i rregullt në Greqi me vite të tëra, nuk ishte grek.

Rasti ka bërë bujë në mediat greke, ku ka shkrehur debat mes rrymës nacionaliste e intelektualëve të numëruar modernistë. Por fyerja e Cenajt është tejkaluar në heshtje prej shtetit shqiptar, sikur 18 vjeçari të mos ishte shtetas i Shqipërisë por i Mozambikut. Ajo është tejkaluar në heshtje treguese edhe prej partnerëve ndërkombëtarë të Greqisë: thuase Greqia është në Afrikë, e jo pjesëmarrëse fuqiplotë në institucionet qendrore politike të Evropës.

Për Tiranën zyrtare, heshtja është turp. Cenimi i shtetasit Odise Cenaj vje kur ambasadori grek në Shqipëri para jo më shumë se një gjysmë viti premtonte ”zgjidhje juridike” për problemin e çamëve, duke paralajmëruar ”një erë të re” në marrëdhëniet mes dy vendeve. E pa i mbaruar ende fjalët si duhet ambasadori, ndodhën vrasje shqiptarësh prej kufitarëve grekë; përdhosja greke në Himarën shqiptare; e tani së fundi, flakaresha e rastit Cenaj. Ndërsa autoritetet greke jo që s’i ndëshkojnë, por as që i ndjekin ekstremistët antishqiptarë!

Dora në zemër, heshtja e Tiranës është turp i pritur. Qeveria shqiptare sot, ashtu si pararendëset e saj që prej vitit 1991, rri unjur urtësisht në gju të Athinës. Financat bankare, ndihmesat ekonomike nga Unjësimi Evropian dhe mbështetja politike nga Uashingtoni, të gjitha këto aterrojnë në Tiranë përmes Athinës. Ky është ai guri i mullirit në qafën e Tiranës, të cilin s’ka mundur a s’ka guxuar ta flak asnjë qeveri shqiptare prej Berishës e këtej – e aq më pak një filogrek i hapët si kryeministri aktual Fatos Nano.

Surpriza e mnershme është heshtja e institucioneve evropiane para përndjekjeve të pafshehura greke kundër shqiptarëve. Organizata për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, Këshilli i Evropës dhe Unjësimi Evropian, tri institucionet kyçe evropiane që p.sh. e ngrisin zërin përditë për mbrojtjen e 40 mijë romëve të Kosovës, lozin tre majmunat që mbyllin sytë, veshët e gojën para nëpërkëmbjes brutale – sipas OJQ-së greke ”Greek Helsinki Monitor” – të mëse 300 mijë emigrantëve nga Shqipëria, e të më se 200 000 shqiptarëve vendas në Greqi (le t’i quajmë me emrin e tyre të vërtetë, shqiptarë, e jo me termin e urryer ”arvanitë”).

Jo që këto institucione nuk e dijnë se sa është ora në Athinë. Greqia është i vetmi anëtar në Unjësimin Evropian që pohon zyrtarisht se është 98 përqind homogjen. Në kundërshti flagrante me tërë nenet e tërë ligjeve ndërkombëtare, Athina zyrtare edhe sot e kësaj dite e mohon zyrtarisht ekzistencën e të gjitha minoriteteve gjuhësore e fetare në Greqi.

Sipas autoriteteve greke, shqiptarët ortodoksë vendas janë grekë që flasin në dialekt; kurse turqit vendas janë grekë turqishtfolës! Madje autoritetet greke u kanë ndaluar (!) pesë herë me radhë punën ekspertëve evropianë, të cilët kanë kërkuar zyrtarisht që ta bëjnë hartimin e minoriteteve gjuhësore e fetare në Greqi.

Tevona, në prag të olimpiadës që do të mbahet në Greqi, shovenizmi po merr përmasa bezdisëse edhe për qeverinë greke. Me një kryeneçësi tejet folëse, autoritetet e Athinës po refuzojnë që ta lejojnë ndërtimin e një xhamie në kryeqytet, ndonëse në këto gara pritet të vijnë mijëra atletë nga bota islamike.

Në Greqi nuk është ndërtuar asnjë xhami që prej pavarësisë më 1829. Xhamitë që kanë ekzistuar më herët janë shkatërruar, janë kthyer në muze, ose janë çshenjtëruar e përdoren si lokale komunale. Në plot vende ato janë kthyer demonstrativisht në tharqe derrash, për ta çshenjtëruar rrënjësisht faltoren e për t’u dërguar sinjal të fortë minoritarëve vendas.

Të kuptohemi: qeveria greke s’mërzitet pse 100 mijë myslimanë në Athinë janë komuniteti i vetëm fetar i këtij numri në një metropolë evropiane që s’e ka një qoshe të veten për t’iu falur Zotit. Puna është se një refuzim i mëtejshëm mund të kthehe në skandal, duke nxjerrur në pah shovenizmin që mbretëron në shoqërinë greke.

Kurse e vërteta, të cilën qeveria greke e di fort mirë, është se shovenizmi i institucionalizuar grek s’do të mund ta mbijetonte kurrë një ballafaqim frontal me standardet evropiane. Greqisë i noton kungulli mbi ujë vetëm pse askush deri tani s’ia ka prishur tymin e duhanit. Ajo surfon mbi imazhin e vet simpatik, me histori antike, ujdhesa idilike dhe pleq mikpritës që hanë ullinj. E për sa kohë që ky imazh mbetet i pakundërshtuar në opinionet evropiane, asnjë nga burrështetasit evropiane s’ka pse të çajë dru me grekët ngatërrestarë; aq më pak për hir të shqiptarëve, për të cilët s’mërzitet as shteti i tyre amë!

Mirëpo qeveria greke e di fort mirë se ç’do ta gjente sikur ky imazh të zëvendësohej me një tjetër, atë të abuzimeve sistematike të të drejtave të njeriut. Në klimën liberale të Evropës, që madje ka zënë ta vështrojë veten si antipod qytetërues edhe kundrejt Amerikës, Athina do të zihej ngusht si në tehra gërshërësh. Tjerëve mbase mund t’u duket ironi, por për grekët, që kanë bërë çmos për ta ndërtuar një opsion antiamerikan në Evropë, aveniri i rënies në grackën e vet s’është aspak argëtues!

Por qeveria greke mund ta vëjë kësulën mbi një sy e ta pijë ujzën (ouzon) me nge, për sa i përket Shqipërisë. Duket qartë që në Tiranë, nëpërkëmbja e shtetasve në Greqi vështrohet si dukuri normale e cila s’ka pse të diskutohet. Dhe kjo mund të kuptohet. Fundja, a s’i nëpërkëmbin të drejtat e shtetasve njësoj, madje nganjëherë ca më keq, bashibozukët shqiptarë? Ç’paska këtu për t’u qarë!?

Asgjë, pos fatit të gjysmë milioni shpirtash shqiptarë në Greqi. Dhe natyrisht dinjitetit kombëtar të të gjithë shqiptarëve gjithandej; por atë e kemi qarë me mindil qysh moti në Tiranë.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 21.10.2004 22:59
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË