NUMĖR 71
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DOSSIER
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI V - 01 SHKURT 2003

Antikorrupcioni në Shqipëri
Shumë zhurmë për asgjë

Shkruan: Ardiana SHALA


Gjatë vjeshtës së shkuar e këtij dimri, në Shqipëri u mefsht si shkuma në rërë edhe fushata e dytë antikorrupcion e sponzoruar prej shtetit. Si rezultat, Shqipëria është ende zyrtarisht vendi më i korruptuar i kontinentit të Evropës, madje para haverive si Rusia, Moldavia, e IRJM-ja (Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë). Me dallimin e vetëm se ndërkohë janë shpenzuar fonde, kohë e energji për të rrahur ujë në havan: fonde, kohë e energji të cilat, le të shtojmë, do të kishin bërë ca më shumë punë diku tjetër.

Në këtë pikë, pra, kjo fushata e dytë zyrtare e m.n.m.th. antikorrupcionit shtetëror ta kujton rrëqethshëm atë të parën, nga qershori 1998. Fanfare mediale, mbledhje ministrash, zhvendosje piunësh qeveritarë, e në fund prapë më rrove - të rrova, brisku i berberit.

E megjithatë, opinioni shqiptar kish arsye pse të shpresojë kësaj radhe. Jo pse parakushtet ishin më shpresëdhënëse, përkundrazi. Në një hetim të opinionit shqiptar gjatë vjeshtës, 70 përqind (!) të ndërmarrësve privatë shqiptarë pranonin se kishin mitosur punonjës të doganave, e 60 përqind se kishin paguar mito për instalim të telefonit. 50 përqind të tyre pranonte se ka paguar nën dorë për leje të ndërtimit ose për t'i ulur taksat, 33 përqind për ta ndryshuar një vendim byrokratik, 22 përqind për avokat, 10 përqind për të blerë gjykatës a prokuror, e 5 përqind edhe për t'i blerë guardianët e burgjeve. Kjo pra vetëm ndër ndërmarrësit; po t'i pyesësh njerëzit e thjeshtë, që duhet të paguajnë lekë nën dorë edhe për një vërtetim të thjeshtë të gocës nga shkolla, a sa për ta parë një herë me sy mjekun, atëhere mbetesh pa mend.

Shoqëria shqiptare, pra, po i grahte me të vjetrën edhe kësaj vjeshte kur e goditi "antikorrupcioni". Shpresa nuk qëndronte atje, po te trysnitë që vinin nga institucionet ndërkombëtare. O bashkohuni kundër korrupcionit, o ngordhni urie. Ky mesazh i prerë iu dha gjatë vjeshtës të gjitha delegacioneve shqiptare që venin e merrnin si drugëza në Bruksel, Uashington, e Strasbourg.

"Ne e duam përparimin e Shqipërisë, por nëse politikanët shqiptarë nuk bashkohen në luftën kundër korrupcionit, atëhere fondet tona do të bëjnë dobi më shumë tjetërkund", u tha shqiptarëve troç shefi i Bankës Botërore.

Kjo qe ajo purteka magjike që i bëri të puthen frëngjisht Nanua e Berisha, që dy-tri ditë më parë këqyrnin si e si t'ia hanë kokën njëri-tjetrit. Auditori shqiptar, i painformuar për prapavijën, u step nga kjo shfaqje e papandehur patriotizmi, besa edhe u prek si fëmija, e duartrokiti me lot në sy "pajtimin historik". Diçka e madhe do të kish ndodhur për ta nxitur dashuriçkën Nano-Berisha, kjo kuptohej qartë, po tamam se çka s'e muar vesh kush. Le që dyshimi dukej i pavend, madje fyes, kundrejt dy liderëve kaq të mëdhenj, që po i fusnin thikat e ahmarrjes në mill për hir të Atdheut.

Kur e shikojmë atë moment sot në pasqyrë, vijmë patjetër te përfundimi se mediave shqiptare s'duhej t'u ndalej fryma me të parë romansën tiranase, po duhej ta kishin pyetur vetën - dhe kryeprotagonistët e saj! - se PSE mu tani, ç'ka ndodhur, ku doni të vrisni me këtë punë!

Sepse ndodhi ajo që s'duhej të ndodhte. Bashkimi u bë, por jo për ta luftuar korrupcionin - po vetëm sa për iluzion. E drejta, dashnorët tiranas u dakorduan që ta zgjedhin në postin e presidentit të shtetit një plak të parrezikshëm, që i ka shërbyer sjellshëm e urtë të gjithë pushtetmbajtësve shqiptarë prej Enver Hoxhës e Ramiz Alisë, e deri te Berisha e Nanua. Dhe u shpall botërisht, i trumpetuar në TV-në shtetërore e i plasuar zgjuarësisht nëpër mediat jokritike, fillimi i "fushatës antikorrupcion", një mesazh subtil ambasadave të huaja se gjoja diçka po shpurdh në Tiranë. Por këto qenë të vetmet sihariqe mashtruese të çiftit të lumtur, para se ta shpallnin publikisht divorcin në janar.

E pse të qëndroni bashkë edhe më, kur martesa e tyre ishte vetëm për interes? Pas dridhjes së dheut në Tiranë, FMN-ja ka nisur sërish t'i derdh të hollat në kontot plot vrima të shtetit shqiptar, Banka Botërore ka premtuar ta shpërblejë "unitetin" në Tiranë, dhe lufta kundër terrorizmit ndërkombëtar i ka bërë madje edhe amerikanët më dorëlirë se zakonisht. Liderët shqiptarë tani mund të vazhdojnë, Bussiness as Usual. U dridh mali, polli një mi, do të thoshin labët: dhe do t'ia qëllonin, si zakonisht.

Është një lojë tejet tragjike e Fatos Nanos, jo vetëm me nusen budallaqe Berisha, por edhe me shtetin shqiptar. Analistët e huaj s'kanë harruar të përmendin që Nano është një nga vetëm dy kryeministrat e vetëm në Evropë, bashkë me ish kryeministrin polak, që është gjykuar e dënuar për korrupcion. Në prill 1994, Fatos Nano u dënua me 12 vjet burg për korrupcion, por u lirua pas revoltit social të vitit 1997. Atë vit ai bëri një comeback spektakular, duke premtuar t'u kthejë paratë dertlinjve shqiptarë, por u rrëzua sërish një vit më vonë, në shtetor 1998, pas një kritike djegëse të OSBE-së për, si thuhet në diplomaci, "paaftësi në luftë me korrupcionin".

Fatos Nano është një figurë tejet jokredibile në krye shtetit shqiptar, që qëndron vetëm falë asaj se bota e krahason me histerikun Sali Berisha. Mjerisht, Shqipëria s'ka kohë ta presë rrëzimin e të dyve. Korrupcioni shqiptar duhet të luftohet përnjëmend, qysh dje, e jo vetëm sa për sy e faqe. Një studim ndërkombëtar nga OJQ-ja prestigjioze londineze "The Freedom House" propozon një sistem për matje të korrupcionit me katër nota, prej asaj A (minimal) e deri te D (maksimal). Nota D u jepet Armenisë, Azerbaixhanit, Kazakistanit, Kirgizistanit, Rusisë, Taxhikistanit, Turkmenistanit, Ukrainës, Uzbekistanit - dhe, ia qëlluat, Shqipërisë! Kurse Banka Botërore në raportin e vet vjetor shkruan troç se mu korrupcioni, bashkë me diskriminimin gjinor, janë dy faktorët e vetëm sot për sot që po e ngulfatin potencialin e Shqipërisë.

Ndërkohë, seriali tragjikomik në Tiranë vazhdon ende, tani pas divorcit nga Berisha në regji private të Fatos Nanos. Kuvendi Popullor e ka duartrokitur me ovacione një ligj që i mbyll shitoret Duty Free, të cilat me emrin e vet të dyshimtë anglez janë tejet të përshtatshme për një tjetër teatër politik. Ndërkohë, edhe fëmija e rrugës në Tiranë e di se korrupcioni në të vërtetë financohet nga një burim krejt tjetër, nga trafiku i a.q. "tranzit" nëpër Shqipëri: kamionë ngrehës që hyjnë të mbushur deng pa paguar asnjë taksë doganore, gjoja për shkarkim në IRJM, por që shkarkohen e avullohen në Vlorë, Durrës e Tiranë. Natyrisht, qeveria shqiptare bën sikur s'e sheh këtë dell të fuqishëm të korrupcionit; ndryshe s'bën, meqë dogana e korruptuar është gusa e artë e qeveritarëve të korruptuar.


Këtu mund të shikoni tabelën mbi korrupcionin në Botë, marrë nga Organizata Jo Qeveritare TRANSPARENCU INTERNATIONAL

 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 1:36
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË