NUMĖR 71
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DOSSIER
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI V - 01 SHKURT 2003

OPINION: Lidhur me nismën e deputetëve për të shpallur pavarësinë

Papjekuria politike që mbyllë shumë shtigje

Me nisma joserioze politike Kosova po shndërrohet në teatër palaçosh, ku çështjeve madhore u lihet si shteg bumerangu politik.


Shkruan: Driton IBISHI

Kur Presidenti i Kosovës emëroi ish-senatorin Bob Dole përfaqësues të kosovarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u reflektua një ide nga më të qëlluarat, por mënyra se si u bë kjo la shumë për të dëshiruar; meqë Steiner-it iu dha mundësia që edhe njëherë të shfuqizojë një vendim të një institucioni 'shtetëror' të kosovarëve. Bob Dole, në mënyrë indirekte, nuk u pranua si përfaqësues zyrtar nga Kosova e UNMIK-ut dhe kjo i mbylli rrugën deklarimit të diplomacisë amerikane. Vendimi i presidentit u shfaq në këto nivele si joserioz - pa vlerë. Tani e tutje mund të duket e modës që vendimet që dalin nga ai institucion të shihen me mosbesim në qarqe diplomatike...

Kështu, krahas presidentit tonë, humbëm edhe ne një rast të mirë për një imazh sa më pozitiv të politikës sonë. Humbëm rastin e mirë në saje të një politike të gabuar të institucionit tonë; një politike: 'që bën hop, pa e hedhur lumin'.

A nuk ka mundur Presidenti dhe këshilltarët e tij të shpallnin lajmin vetëm pasi Dole të pranohej si përfaqësues nga vetë USA?! A nuk do të ishte më e qëlluar që në rrugë zyrtare, pa rrahur toboshin, të kërkohej nga Shtëpia e Bardhë që t'pranohej miku i madh i asaj shtëpie si përfaqësues i drejtpërdrejtë i kosovarëve te shteti amerikan?!

Pak ka shenja se diplomacia amerikane do ta injoronte një kërkesë të tillë, nëse ajo do të shfaqej si etje e jona për inspirimin e vlerave demokratike. Dhe, thua se Steiner do të dilte kundër miratimit amerikan?!
Ajo që ndodhi dhe mënyra se si ndodhi, nuk janë 'shuplakë' për politikën e kryetarit tonë, por është grusht për institucionin e presidentit të Kosovës, e atij institucioni që ne presim të na përfaqësojë edhe pas ndonjë shekulli.

Njësoj sikurse ideja për shpalljen e një gjigandi politik si Dole përfaqësues tonin në Amerikë, ashtu edhe ideja e shpalljes së shtetit kosovar në rrugë parlamentare është shumë e qëlluar, por, sërish, mënyra se si do të bëhet kjo është papjekuri politike.

Një grup deputetësh kanë marrë nismën e shpalljes, për të dytën herë në rrugë parlamentare, të pavarësisë së Kosovës. Iniciativa nuk është për referendum por për seancë parlamentare nga e cila do të dilte vendimi. Ky vendim nuk do të duket bindës dhe në qarqe diplomatike do të konsiderohet imponues, sepse pjesë e nismës nuk janë institucionet si presidenca, qeveria apo kreu i parlamentit, por as autoritete të pavarura që konsiderohen të besueshme në qarqet e vendosjes.

Një hap i tillë, në politikën moderne mund të quhet mburrje politike. Mburrje, sepse mburrja karakterizohet nga veti të trilluara. Nëse themi se ne kemi kryer përgatitje për të shpallur pavarësinë - kemi gënjyer; institucionet e nevojshme nuk i kemi, ushtrinë e hekurt jo se jo. Diplomacia kosovare nuk ekziston ose tentohet të improvizohet individualisht nga personaitete kryesisht të medias. Pastaj vijnë të tjerat me radhë: problemet e rrymës, pensionet, rrugët, kanalizimet... e, edhe korrupsioni i turpshëm.

Si e tillë, nisma për shpalljen e pavarësisë gjatë këtij muaji, duket joserioze dhe është e destinuar të dështojë. Steiner do të shfuqizojë çfarëdo deklarate për pavarësinë nga parlamenti. Kjo mjafton - edhe nëse ai nuk e zhvlerëson politikisht një institucion të tillë.

Dhe, pavarësisht nga përgjigja e Steiner-it, me papjekuri në tonë politike po i humbim edhe njëherë kuptimin një intitucioni. Pasardhësve po u lëmë trashëgim pak shtigje politike. Tani edhe çështjen jetike të pavarësisë po e hudhim në lojë letrash.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 0:52
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË