NUMĖR 71
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DOSSIER
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI V - 01 SHKURT 2003

Korrupcioni shqiptar, mënyrë e jetesës

Shkruan: Skerdi SIKA

Korrupcioni ndër shqiptarët, i cilësuar si "masiv" nga ekspertët ndërkombëtarë që merren me këqyrje të tij, nuk ka lënë pa prekur as një pore të shoqërisë. Të duhet leja për të hapur një punishte, truall për shtëpi, fonde për ndërmarrje, apo edhe një vërtetim i thjeshtë për fëmijën në shkollë? "-Kruaju!", quhet formula e suksesit. Kruaj xhepat, nxjerri eurot e dollarët, e lutju Zotit që dikush të mos paguajë më shumë se ti.

Dallimet këndej e andej kufirit ekzistojnë, p.sh. lufta kundër korrupcionit në Shqipëri kryhet në radhë të parë prej institucioneve vendase, kurse në Kosovë prej ndërkombëtarëve. Por rezultatet iluzive të saj në të dy anët e dëshmojnë natyrën e pamundur, "hyp se të vrava, zhdryp se të vrava", të korrupcionit shqiptar: në Kosovë rezultate s'ka pasi ndërkombëtarët s'e kanë ankorimin lokal e legjitimitet të duhur për një mision të tillë; e në Shqipëri meqë të korruptuar janë edhe vetë hetuesit. Në daç angazho shqiptarët, pra, e në daç të huajt, hithrat e korrupcionit është vështirë t'i shkulësh me rrënjë.

E drejta, afera ka në të gjitha shtetet, pa edhe në ato me tradita demokratike, si p.sh. në SHBA, në Britani, në Gjermani, e në Suedi. Apo s'janë ndyrësira "masive" p.sh. aferat e armëve në botën e tretë, ku perëndimorët garojnë pale se kush do t'i mitosë më shumë diktatorët "miqësorë", bashkë me gra, fëmijë, e dashnore?

E megjithatë, ekziston diçka te korrupcioni shqiptar, që e spikat prej të tjerëve. Nuk ka vend ku kapiteni e fundos anijen e vet në mes të stuhisë, me shpresë se mos del fati e ia shet motorin hekurishte: kështu ndodh figurativisht vetëm te shqiptarët. Ndërsa tjerët korruptojnë e korruptohen sipas një formule të llogaritshme e racionale, për përfitim konkret, te shqiptarët përmasat e krimit s'maten dot as për së afërmi me çfarëdo shprese iluzore të ketë njeriu për një fitim ekonomik.

Kur mbështetja e shumëpritur ndërkombëtare ekonomike, diplomatike e politike ndalet a frenohet për shkak të neveritjes së ndërkombëtarëve, si po i ndodh Tiranës zyrtare këtyre ditëve, atëhere kjo është katastrofë për të gjithë, prej ministrit e deri te hajni i rrugës. Njësoj tragjike, në mos edhe më keq, qëndron puna në Prishtinë, ku shefi i administratës së UNMIK-ut thotë troç se 20 mil euro avullohen pëvjet - heeej, përvjet! - në punëra të ndyra, prej kontrabandës, shamngies së taksave e mitos, e deri te punësimi pa kontrata: kjo në një Kosovë, pra, ku shteti (?) as 4 vjet pas luftës s'ka para t'u vëjë kulm mbi kokë tërë viktimave të saj.

Unë personalisht druaj se fushatat antikorrupcion do të dështojnë, e pakta në këtë brez, e ndoshta edhe në brezin e ardhshëm. Korrupcioni shqiptar nuk është dhe nuk vepron sipas racios ekonomike, për përfitime të shpejta. shqiptarët nuk shiten e blehen në një ekonomi tregu.

Shqiptari shitet pa para, meqë këtë e kërkon mënyra e jetesës shqiptare. Ai/ajo bir/bijë nëne shqiptare s'ka lindur që mund t'i thotë Ndal të jatit, të ëmës, vëllait e motrës, e mikut, nëse p.sh. punon në doganë e i sheh tek përvjedhin mall pa paguar taksa. "Integriteti personal" është barrikada e fundit kundër korrupcionit, një koncept ky esencialisht i panjohur ndër shqiptarët, ku deri edhe presidenti s'e ka për turp të tregojë se e ka "tradita familjare". Këtu është rrëza, themeli, tjerat pasojnë vetvetiu. Nëse duhet patjetër të shitesh - biles pa para- se ndryshe s'bën, nëse kjo është vlera thelbore e të qenit shqiptar ("gjaku s'bëhet ujë"; "i huaji s'bëhet i yti"; "familjen më parë, botën në kandar") atëhere normalisht që të rritet toleranca: tëndit s'i merr dot para edhe po të ofroi, por nëse shitesh falas te ai, pse të mos shitesh edhe me para, p.sh. ta zëmë, te një mik i tij?

E merreni me mend, ju lutem, një person të tillë në gjendje varfërie ekonomike, kështu si jeton shumica dërmuese e popullit!

Shqiptari është, ashtu si tërë tjerët, produkt final i përvojave të veta. E ato përvoja dallojnë jo vetëm prej atyre gjermane, angleze e amerikane, por edhe prej përvojave të popujve tjerë ballkanikë. Përvoja e dhembshme në lëkurë e ka mësuar shqiptarin sa e sa herë se shteti është mafie që të merr, e s'të kthen më. Se polici, doganieri, nëpunësi i taksave, sekretari i partisë, janë rrahësit lokalë të mafies. E se shteti vjen e shkon ("iku turku, erdh Serbia..."), po familja qëndron.

Andaj, shqiptari nuk i zë besë shtetit. Ai i zë besë vetëm familjes. Po e hëngri shteti fallin ta punësojë shqiptarin, atëhere ky e ka për detyrë të parë t'i ndihmojë "të vetit"; një parim ky plotësisht adekuat për përvojat shqiptare, por që i mëshon shpullë në fytyrë parimeve perëndimore të meritokracisë. Mirëpo ato parime s'kanë kuptim te shqiptari. Shteti nuk ia rrit fëmijët po e zuri taksirati, sikur ia rrit gjermanit, anglezit e amerikanit. Shteti nuk ia fut në punë, nuk i bën me strehë: shqiptari s'ka parë kurrë një shtet të tillë që së pari të qëndrojë aq gjatë, e së dyti të jetë aq dashamirës. Prosperiteti i familjes është obligim i tij privat, të cilin shqiptari madje as s'është mësuar t'ia kërkojë shtetit. Kjo është arsyeja pse në Shqipëri e në Kosovë, përkundër standardit të jetës si në Burkina Faso, mungojnë krejtësisht trazirat sociale: thjesht, askujt s'i ka rënë ende ndër mend ta fajësojë shtetin për standardin e ulët.

Korrupcioni shqiptar, pra, nuk ka për objektiv vetëm grumbullimin e kapitalit ekonomik, sikur është rasti në Perëndim. Ai funksionon edhe si platformë për ta krijuar kapitalin social, atë indin e hollë të "nderimit" mes njerëzve me të cilin është e endur pëlhura e shoqërisë. Andaj, ai degëzohet shumë më thellë se sa korrupcioni evropian, e është shumë më vështirë të çrrënjoset. Është lehtë ta zbulosh një nëpunës të korruptuar në Gjermani, meqë mjafton t'ia zbulosh konton bankare; kontoja ku shqiptari e akumulon kapitalin e shkëmbimeve sociale, "nderimin", ta zëmë në raport me kushurinjtë që përvjedhin narkotikë, nuk tregohet në shifra. Ai bëhet i dukshëm vetëm kur të nis konvertimi i kapitalit social në aso ekonomik, zakonisht në dorën e dytë, kur pagesat fillojnë të vijnë nga miq të miqve të kushurinjve: e deri atëhere, ka kaluar shumë ujë nën urë.

Andaj s'ka pse të jemi tejoptimistë në luftën ndaj korrupcionit. Nëse duam që në këtë luftë të ngadhnjejnë parimet meritokratike të perëndimit mbi ato familjare të shqiptarit, atëhere duhet t'i shpallim luftë të pakompromis mënyrës shqiptare të jetesës, tërë asaj që sot e bën shqiptarin shqiptar. E mundësisht, para se t'i hyjmë kësaj ndërmarrjeje, unë do të propozoja ta shpikim së pari një model të ri të të qenit shqiptar. Në fund krejt, duhet të pranojmë se kjo do të merr kohë: derisa shqiptarët të mësohen që shteti është i tyre, e se ai shtet u do të mirën.

Për këtë arsye, unë për vete, në fakt, as që dua që korrupcioni të zhduket brenda natës! Sepse e di se çrrënjosjen e një mënyre të jetesës brenda natës arrin ta bëjë vetëm diktatura: ashtu si Musolini në Sicili, Lenini në Rusi, e Enver Hoxha në Shqipëri. Problemi është se meritokracia e diktaturës që krijohet me atë rast, vetëm emrin e ka të ngjashëm me atë demokratike. Nëse duhet të zgjedh mes meritokracisë enveriane, e këtij lëmshi të sotëm shqiptar, unë prapë e zgjedh me dy duart këtë të mbramin: çmimi i asaj të parës është, thjesht, tepër i madh; e rezultatet, sikur që po shohim përditë, tepër të dobëta për ta arsyetuar.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 1:37
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË