NUMĖR 69
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DEBAT
DOSSIER
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI V - 1 JANAR 2003

NË MES DY VITESH...

Shkruan: Iliriana BAJO

Viti 2002 u mbyll dhe natyrisht një vit i ri ka nisur.

Nuk ka asnjë çudi në këtë ritëm të kohës, veç faktit se fëmijët janë rritur dhe një vit, të rriturit janë moshur pak më tepër, ndërsa pleqtë vazhdojnë të mbledhin fillin e lëmshit që quhet jetë.

Natyrisht në këtë orën e ndërrimit të viteve çdokush prej nesh ka pëshpëritur gjysmë me drojë e natyrisht me shumë shpresë dëshirat që do donim t'i shihnim të realizuara këtë vit që sapo ka nisur.

E natyrisht dëshirat janë të ndryshme.

Dritoni është nga Skënderaj dhe ndonse ka mbi tre vjet e gjysmë që ka përfunduar lufta në Kosovë ai ende nuk ka kulm mbi kokë. Dhe ai është fëmija i pestë në familjen me 9 anëtarë. Dritoni këtë vit të ri ka pëshpëritur dëshirën për një dhomë të ngrohtë, ku të mund të flejë pa u dridhur. Natyrisht për ushqim më të mirë. Në Kosovë ka ende që luten për bukë e strehë.

Tezja Sadije është një tjetër qytetare e Kosovës, që banon afër çarshisë së vjetër në Gjakovë. Ah, po, ish-çarshisë, pasi ajo më nuk ekziston. Teze Sadija pret Vitin e Ri përpara ndërtesës së KMLDNJ-së për të protestuar për të afërmit e zhdukur, duke dëshiruar në këtë ndërrim vitesh një varr për më të dashurit, që ende mungojnë si mes të gjallëve dhe mes të vdekurve.

Ndërsa nëna ime në momentin e ndërrimit të viteve ndryshoi krejt papritur dëshirën, pasi e kapi tremba se po ikin dritat. Dhe natyrisht që u lut për më shumë rrymë dhe ujë.

Dhe a e dini cila qe dëshira ime?

Megjithëse thuhet se po ta përmendësh me zë të lartë ajo nuk realizohet. Por shpresoj se dëshira ime duhet dëgjuar. Duhet dëgjuar nga ata që mund të ndryshojnë diçka. Kam kërkuar të ndërtohet rruga Durrës - Prishtinë.

Në fakt duke u përqafuar me miqtë dhe më të dashurit, në orën kur vitet ndërrohen, kemi uruar për një vit të mbarë, shumë më pak fjalë e më tepër punë.

Me shpresën se politikanët tanë do të kenë heroin e tyre të vitit që vjen, një fëmijë, nga ata të shumtët që mbushin rrugët e Kosovës. Një fëmijë nga ata që e mbajtën Kosovën të gjallë për shekuj.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 0:41
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË