NUMĖR 69
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DEBAT
DOSSIER
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI V - 1 JANAR 2003

A MUND TË BISEDOJMË SË BASHKU?

Shkruan: Iliriana A. BAJO

- Nga jeni?
- Nga Deçani
- Oh, më fal, por unë kam hyrë në çat për të folur me njerëz të vendit tim dhe jo me të huaj…
- Si nuk ju vjen marre që më thoni i huej kur unë jam shqiptar si ju, ne kemi një gjuhë, një histori jemi një popull. Por ju të Shqipërisë më mirë preferoni të flisni me një italian a grek se me një shqiptar…
- Më vjen keq, por dy ditë më parë, më 28 nëntor, presidenti juaj, Rugova tha se do ndryshoni flamurin, himnin. Kështu që me flamur e himn të ndryshëm më duket se nuk ka më vend për një popull… Nuk e zgjodha unë, por presidenti juaj të jemi të huaj.
- Oh, tani kuptova, por jo moj motër unë kam vetëm një flamur dhe vetëm një festë flamuri. Kërkush nuk na ka pyet ne për flamurin e ri.

Në fakt dialogu i mësipërm është një pjesë e marrë nga bashkëbisedimi në internet i një mikes sime, vetëm dy ditë pas 28 nëntorit të këtij viti, ditë kur kryetari i Kosovës, Ibrahim Rugova, kërkoi ndryshimin e flamurit dhe të himnit të Kosovës.

Në të vërtetë një shtet i ardhshëm i Kosovës kërkon simbolet e veta shtetërore, të cilat natyrisht do të jenë të ndryshme nga ato të Republikës së Shqipërisë. Simbolet shtetërore të një Kosove të pavarur padyshim që duhet të jenë gjithpërfshirëse e me këtë fjalë nënkuptohet tradita e të gjitha grupeve etnike që jetojnë në Kosovë. Ato nuk mund të jenë simbole thjesht të shumicës. Në këto kushte simbolet kombëtare mbeten të pazëvendësueshme dhe asgjë nuk mund të zërë vendin e ditës së flamurit.
Megjithatë, cila është lidhja e bisedës në internet të mikes sime me shqiptarin e Kosovës dhe simbolet e shtetit të ardhshëm?

Ka një lidhje dhe është ajo mes qytetarit shqiptar që ndihet në shtëpinë e vet si në Durrës ashtu dhe në Prizren. Është qytetari shqiptar që pavarësisht se nga vjen ka ëndërruar të studiojë në Tiranë a Prishtinë.
Dhe thjesht harrohen shqiptarët që jetojnë në Mal të Zi, Maqedoni, apo Kosovën Lindore. Për një mori arsyesh për ta Prishtina ka qenë dhe mbetet ndoshta qendra kryesore, qendra kryesore ku gjallon jeta shqip, jeta kulturore dhe ajo intelektuale.

Për ta Prishtina është qendra kryesore shqiptare. Dhe kjo e fundit nuk duhet harruar. Nuk duhet harruar së pari nga njerëzit publik, ata të mediave, të kulturës, historisë dhe padyshim as nga politikanët. Pasi kjo qasje ndaj Prishtinës do të thotë përgjegjësi për ta.

Kryetari i Kosovës është kryetari i gjithë qytetarëve të saj. Dhe ai duhet të jetë i fundit që plagon ndjenjat e tyre. Dhe natyrisht qytetari i Kosovës ndonse kupton vlerat e simboleve të një shteti, do të vazhdojë të ruajë vlerat kombëtare, si shtyllat e një tradite historike që gjallon shumë më hershëm se shteti i Kosovës. Ky i fundit është kompromis i kushtëzuar nga kushtet historike, pasi në fakt shqiptari i Kosovës ka ëndërruar, luftuar, përpjekur dhe është flijuar për një shtet të vetin, që ndryshe përkthehet shtet shqiptar. Dhe shteti i nesërm i Kosovës para së gjithash është fryt i përpjekjeve të atyre që u përpoqën për një shtet shqiptar, në kuptimin e mirfilltë të tij. Ndaj nisur dhe nga ky fakt askush nuk ka të drejtë të lëndojë a më keq akoma të fyejë ndjenjat e atyre që ndoshta sakrifikuan më së shumti.

Megjithatë për këtë pjesë të qytetarëve shqiptarë, që ndihet njësoj si në Prishtinë dhe në Tiranë, pavarësisht se ku ka lindur, simbolet shtetërore do të respektohen për hir të përgjegjësisë qytetare, por ato që do vazdojnë ta përcaktojnë atë janë simbolet kombëtare, pavarësisht nga hobet e kryetarëve të rradhës.

Duke iu rikthyer sërish dialogut në internet të mikes sime, përgjigjes së bashkëbiseduesit nga Kosova më bie ndër mend ajo rendja marrafrymëse e disave në Prishtinë për t'u dalluar me cdo kusht nga Tirana. Dhe në fakt edhe ata harrojnë se ku duhet të futem unë qytetari i rëndomtë, që më pushton malli njëjtë si për Lindën dhe Nikon, miqtë e mi nga Tirana ashtu dhe për Mimozën dhe Buqjen, mikeshat e mia nga Prishtina.
Që shqetësohem për motin e keq, si kur mbërrthen Pejën ashtu dhe Lezhën, apo njëmijë detaje të vogla që më shqetësojnë mua qytetarit të rëndomtë.

Dhe për mua, qofsha dhe i vetëm, çfarë nuk është e vërtetë, ka përgjegjësi si gazetari i së përditshmes që lexoj rregullisht ashtu dhe kryetari i vendit.

Derisa "qytetarët e rëndësishëm" të mos mësohen të shqetësohen për mua, natyrisht nuk ka shtet e për më pak shoqëri të emancipuar. Emancipimi dhe përparimi janë përfshirës dhe jo përjashtues.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 0:43
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË