NUMĖR 62
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
INTERVISTA
DOSSIER
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
 
 
LDK PDK 0,5 me 0, Turni i dytë premton tensione
 
Lufta kundër terrorizmit dhe beteja për tregjet naftëmbajtëse
 

Pse polcia maqedonase vrau shtatë pakistanezë në afërsi të Shkupit?

 
"Rrethi i Kostandinit"
apo vallja e pakëputur e arbëreshëve
 
M.T. Formohet Këshilli Koordinues i subjekteve shqiptare në Maqedoni
 
Procesi gjyqësor i shekullit
 
Njeriu në përballje me dhunën
 
A do të mbahen zgjedhjet në tri komunat e Luginës së Preshevës
 
Afera Rakipi - Sa kushton një prokuror i përgjithshëm?
 
Konsensusi politik si rrugëdalje nga kriza
 
8 Marsi ndër shqiptarët: Si maskohet diskriminimi gjinor
 
Krejt shkurt për një funeral
EDITORIAL VITI IV - MARS 2002

Zoti e bëftë nirë!

Shqiptar OSEKU

Në të gdhirë të datës 5 mars 1998, një grusht njerëzish me familjet e tyre, pleq, gra e fëmijë, në fshatin Prekaz të Drenicës po i jetonin momentet e fundit mbi dhe. Vetë ekzistenca e tyre ish shndërruar qe dy vjet në simbol kolektiv të sfidës kundër një pushtimi jetëgjatë e brutal, si asnjë tjetër në truallin e Evropës. Por ky simbol ishte ende fragjil, i ndjeshëm ndaj kohës. Sfida të ngjashme i ishin bërë pushtuesit edhe më herët, për t'u fashitur prej tij sikur të mos kishin ekzistuar kurrë. Mëngjesi i asaj dite do ta ndante shapin prej sheqerit; se i priste një ditë e zorshme, të cilën shumë prej tyre s'do ta mbijetonin, kjo duhet të ketë qenë e qartë për të gjithë pos lulakëve - po pastaj?

Masada e tyre drenicake, për të cilën ata gaditeshin pa fjalë e gjeste të mëdha, mund të bëhej flijimi që do t'i shkrinte krushqit e ngrirë të legjendës, për ta sjellë në vend lirinë-nuse të nisur qëmoti. Por mundej që edhe ata vetë të ktheheshin në krushq të ngrirë, në shtylla të mnershme skajeve të rrugës, frymëzuese për disa e të frikshme për tjerët. Pasiguria do të ketë qenë më e rëndë se falja e mbramë me familjarët, më prekëse se shikimet e motakëve, më e mundimshme se vet frenimi i instinktit të jetës. "Zoti e baftë mirë!" - kjo uratë e moçme zor se është thënë ndonjëherë më me vend se atë mëngjes të dëbortë, në zemër të Drenicës.

E ardhmja, ashtu sikur e shkuara, është konstrukt psikologjik e social. Njerëzia shikojnë përpara dhe e ndërtojnë një vizion të mirë a të keq, varësisht se si e njohin veten sot. Shikojnë prapa, dhe e vizatojnë të kaluarën "me dorë të lirë", ashtu çfarë u duhet sot. E sotmja, momenti i tashëm aktual, është ai çelësi sekret me të cilin interpretohet si e shkuara, ashtu edhe e ardhmja.

Gojëdhanat indiane flasin për një çun të varfër, që e lë fshatin për ta gjetur fatin në qytet. Pas ca kohe, si ngjanë zakonisht në raste të tilla, ai pendohet, e kujtimi i strehës prindore në fshatin e largët i bëhet ngushëllim i ëmbël në mes të mizerjes. Derisa një ditë fiton në llotari, dhe kupton që vendimi për ta lënë fshatin paskësh qenë vendimi më i drejtë në jetën e tij. Por në qytet të hollat i sjellin miq të rremë, aq sa atij prapë i kujtohet me mall fshati i padjallëzuar i fëmijërisë... etj etj; sigurisht që ju e kuptoni sensmoralin e rrëfimit. Keq, mirë, keq, mirë, vizioni i të kaluarës varet nga e sotmja, njësoj si vizioni i të ardhmes që varet nga e sotmja.

Por e sotmja mbetet çelës sekret, meqë pakkush e pranon vlerën e saj sinqerisht. Meqë është më siguruese, disi më dinjitoze, e pa dyshim më fitimprurëse, ta theksosh rrenën e vjetër logjike, se e shkuara, e sotmja dhe e nesërmja janë të mira a të këqia statike, të pandryshueshme, objektive.

Merrini p.sh. familjen Jasharaj në Prekaz. Kujtoni mëngjesin e 5 marsit 1998, gaditjet e tyre rituale për të vdekur në Besë. Kujtoni uratën e tyre, "Zoti e baftë mirë!".

A u bë mirë?

Vrasja e 21 pjesëtarëve të familjes Jasharaj, prej pleqve deri te motakët, u bë shkëndia që shkaktoi një reagim vargor, përmes intensifikimit të luftës dhe këndelljes së NATO-s, e që në fund shpuri deri te shporrja e pushtuesve prej Drenicës e Kosovës. Në këtë pikë janë dakord të gjithë, si shqiptarët, ashtu edhe të huajt. Masakra e viktimave të pambrojtura në Reçak muaj më vonë u bë Casus belli, shkas direkt për luftë, por Kthesa e Madhe ndodhi në Prekaz: gishti i Zotit preku në gjakun e Jasharajve dhe i dha historisë një vulë krejt tjetër.

A u bë mirë?

Sigurisht, do të thotë shumica.

Ndoshta, do të thonë disa. Aspak, do të thonë një pakicë.

A ka të drejtë shumica gjithmonë?

Kur e hoqën vrasësin Baraba nga kryqi, e gozhduan çunin Jezu nga Nazareti, a kish të drejtë shumica? Kur e ndoqën njëfarë Muhametin nga Meka pse ngacmonte njerëzit, a kish të drejtë shumica?

Turistët vejnë sot me autobus deri në Prekaz në përkujtime rituale vjetore, për ta siguruar veten e njëri-tjetrin se "Jasharajt s'vdiqën kot", ndërsa qindra njerëz atyre katundeve janë ende pa strehë mbi kokë qëkur u dogjën prej serbëve, mijëra të tjerë në Mitrovicë s'kthehen dot në shtëpitë e veta, e liderët kosovarë grinden për poste ende pa e nxjerrur Kosovën prej gërshëreve - athua a kanë të drejtë?

Lideri i një partie shqiptare -heeej, shqiptare!- e ftonte FBI-në amerikane (!) t'u ndihmojë sigurimsave serbë në Kosovë për t'i arrestuar çunat e Jasharajve (emrin s'po ia përmendim, por fillon me I e mbaron me brahim), për të cilët kish "informacione të besueshme" se janë "lojë e Beogradit", e pas vetëflijimit të Jasharajve e mbarimit të luftës ai është prapë lider partie, partia e tij falë votave tona është më e madhja, kurse herifi sot është edhe kryetar i Kosovës, ndërsa 21 anëtarë të familjes Jasharaj, burra, gra, pleq e fëmijë motakë, flejnë shtatë pashë nën dhe (fakt, pa ndihmën e FBI-së) - a thua kemi të drejtë?

Më mirë se dje? Ndoshta po. Por absolutisht jo ashtu si e kishin menduar Jasharajt. E, po t'i dali tymi sërish Kosovës nesër, atëherë kjo "e sotmja më e mirë" do të përmendet me turp në faqe të historisë.

Mirë, keq, mirë, keq. Gjithçka varet nga e sotmja, dhe gjithçka do të varet nga e sotmja edhe nesër.

Vetëm një gjë është e sigurtë. Në të gdhirë të 5 marsit 1998, një grusht njerëzish me familjet e tyre, pleq, gra e fëmijë, në fshatin Prekaz të Drenicës po i jetonin momentet e fundit mbi dhe. Ata kishin vendosur të vdesin duke ndejtur në Besë. Me shpresë, si gjithnjë, se Zoti do ta bënte mirë.


COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 0:21
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË