|
M.T.
Formohet këshilli koordinues i subjekteve shqiptare në
Maqedoni
Naser
SELMANI
N.T.
Ali Ahmeti fton për bashkim
N.T.
Pjesëmarrja e përbashkët e subjekteve shqiptare në
zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të ketë efekt të
dyfisht, do fitohej maksimumi i mandateve në parlamentin e
Maqedonisë dhe do të përfundojnë debatet e pavlera
ndërshqiptare
N.T.
Nëse puna rreth Këshillit kurorëzohet me sukses,
hapi tjetër do të jetë formimi i Kuvendit mbarëshqiptar
në Maqedoni

Ymer Ymeri-Ali Ahmeti-Arbër Xhaferi
|
Më
27 shkurt në Tetovë u themelua Këshilli Koordinues
i faktorit politik shqiptar në Maqedoni, ku marrin pjesë
drejtuesit e ish Ushtrisë Clirimtare Kombëtare dhe tre
partive më të mëdha shqiptare. Dokumentin e themelimit
e nënshkruan udhëheqësi politik i ish UCK-së
Ali Ahmeti dhe kryetarët e PDSH-së, PPD-së dhe PDK-së,
Arben Xhaferi, Ymer Ymeri dhe Kastriot Haxhirexha.
Ndër detyrarat parësore të nënshkruesve do të
jenë forcimi i unitetit të brendshëm shqiptar në
funksion të përshpejtimit të transformimit demokratik
të Maqedonisë dhe të përshpejtojë zbatimin
e Marrëveshjes politike të Ohrit. Këshilli do të
angazhohet edhe për maksimalizimin e potencialeve politike,
ekonomike, sociale e kulturore të shqiptarëve të
Maqedonisë dhe rritjen e kredibilitetit të faktorit shqiptar
në vend, në mënyrë që të vendosë
mardhënie të qëndrueshme me faktorin ndërkombëtar
për të mbrojtur interesat shqiptare. Kthimi i mirëbesimit
mes etnive dhe nxitja e procesit të integrimeve evroatlantike
janë dy çështje të tjera në agjendën
e Këshillit.
"Prioritet dhe objektiv i Këshillit do të jetë
materializimi i marveshjes së Ohrit, i detyrimeve që dalin
nga kjo marveshje si dhe avancimi dhe përmirësimi i
statutit të shqiptarëve në Maqedoni", deklaroi
Ali Ahmeti pas firmosjes së dokumentit themelues. Sipas Ahmetit
"Këshilli nuk do shëndrohet në servis të
partive politike, ndërsa për punën e tij llogari
do të jap vetëm para popullit".
Sipas kryetarit të PDSH-së Arben Xhaferit "nga temat
që do të diskutohen, nga qëndrimet që do të
marrë, nga serioziteti i punës konform nevojave politike
të popullit shqiptar do të varet mbijetesa e Këshillit,
i cili do të ndërtoje identitetin, kredibilitetin dhe
autoritetin e vet".
Këshilli i përbashket i shqiptarëve të Maqedonisë,
lideri i PPD-se Ymer Ymeri, thotë se "do të jetë
vend ku do të shtrohen qëndrimet dhe idetë e subjekteve
politike dhe pasi të ishin shoshitur ato do të merren
vendime meritore me konsenzus të arsyeshëm".
"Këshilli duhet të merret me realizimin e kërkesave
dhe të drejtave të popullit shqiptar dhe përmirësimit
të statutit të tij e jo të shëndrohet në
purgatore ku do të bëhet falja e mëkateve të
liderëve dhe partive politike", kishte deklaruar me kriticizëm
kryetari i PDK-së Kastriot Haxhirexha. Haxhirexha mori pjesë
në aktin e themelimit të Këshillit përkundër
akuzave të sekretarit të përgjithshëm të
PDSH-së, Bedredin Ibrahimi, në adresë të partisë
së tij.
Mestit:
Si erdhi deri tek themelimi i Këshillit
Ali
Ahmeti idenë për formimin e Këshillit e kishte prezantuar
në janar të këtij viti, përmes një letre
drejtuar tre liderëve politik shqiptar në Maqedoni.
"Dëshiroj të kryej një obligim moral ndaj popullit.
Të gjitha mospajtimeve për shkak të përcaktimeve
politike t'u japim fund", kishte sqaruar para opinionit Ahmeti.
Thirrjes së Ahmetit i ishin përgjigjur pozitivisht të
gjitha partitë e ftuara.
Ai propozon që mekanizmi për jetësimin e qëllimit
të shtruar të jetë pjesmarrja e përbashkët
e subjekteve shqiptare në zgjedhjet parlamentare, që priten
të mbahen sivjet. Efekti do të ishte i dyfisht, të
fitohen sa më shumë mandate në parlamentin e Maqedonisë
dhe të ndërpriten debatet e pafrytshme ndërshqiptare.
Së paku këto janë elementet, të cilat Ali Ahmeti
i ka bërë publike në opinion. Nuk përjashtohet
mundësia që ky projekt të ketë pretendime edhe
më serioze. Flitet se formimi i Këshillit do të jetë
hapi i parë kah themelimi i Kuvendit mbarëshqiptar në
Maqedoni.
Inicitiva e shtruar në këtë mënyrë dhe
e iniciuar nga ish drejtuesit politik të UCK-së vështirë
se mund të refuzohej nga ndonjë subjekt shqiptar në
Maqedoni.
Themelimi i Këshillit u shty për disa javë për
shkak të kontestit që kishte lindur midis drejtuesit të
UCK-së Ali Ahmeti dhe drejtuesve të PPD-së mbi mënyrën
e delegimit të përfaqësuesve të partive politike.
Ahmeti mbronte idenë e kandidatëve të propzuar, ndërsa
PPD ishte për atë se partitë duhet të vendosin
se kush do t'i përfaqësojë. Mospërputhjet u
zgjidhën me tërheqjen e Abdulahadi Vejselit dhe delegimin
e Aziz Pollozhanit.
Ahmeti parapëlqente kandidatë që nuk merren me të
kaluarën, sidomos të rinjë, pasi "gjatë
periudhës së kaluar janë lënë pas dore,
ndaj i duhet ofruar hapësirë për të treguar
aftësite e tyre intelektuale e profesionale në shoqërinë
shqiptare të pasluftës. ..."
Kështu mënjanohej dërgimi i njerëzve grindavec,
që me vite përçanin dhe tallnin shqiptarët.
Ish drejtuesi i UCK-së e ka të qartë se bashkim nuk
mund të ketë midis atyre që nuk e duan bashkimin.
Mestit:
Aktorët e Këshillit dhe ulje-ngritjet në mardhëniet
e tyre 10 vjeçare
Detyra
që i ka vënë vetes Ali Ahmeti është madhore,
por shumë e vështirë. Praktikisht ai duhet t'i ofrojë
partitë dhe politikanët që gjatë dhjetë
viteve të kaluara ishin të përçarë dhe
të hasmuar, jo për shkak të interesit të përgjithshëm,
por për shkak të kapriçiove, interesave të
ngushta individuale a grupore dhe për shkak të sherrit
dhe mosbesimit që kishte mbjellë dikush tjetër mes
tyre.
Klasa e tashme politike shqiptare në Maqedoni lart-posht është
ajo e para dhjetë viteve. Ata që deri para një viti
nuk u treguan të suksesshëm në avancimin e pozitës
së shqiptarëve në Maqedoni, nuk ka kurrëfarë
garance se tani do të jetë ndryshe. Dhe për çudi
kanë mbijetuar çdo "fortunë" në
skenën politike të shqiptarëve të Maqedonisë.
Pengesa kryesore që duhet të kapërcejë Ahmeti
është të heq sherrin mes rivalëve të vjetër,
PPD-së dhe PDSH-së. Drejtuesit e dy partive nuk turpërohen
që nuk bashkëpunojnë, por nga ana tjetër krenohen
me "pobratimat" e tyre në mesin e partive maqedone.
PDSH është bërë bisht i VMRO-DPMNE-së,
ndërsa PPD-ja satelit i LSDM-së. PDSH më shumë
i beson VMRO-DPMNE-së se sa PPD-së dhe anasjelltas.
Suksesi më i madh i këshillit do të ishte shkëputja
e lidhjeve të nëndheshme midis subjekteve maqedone dhe
sateliteve të tyre shqiptar dhe vendosja e këtij bashkepunimi
mbi baza të shëndosha dhe transparente.
Në të ardhmen pritet të radikalizohen marrëdheniet
midis dy partive më të mëdha maqedone dhe interes
i shqiptarëve është që të rrimë anash
sherreve ndërmaqedonase.
Kur mardhëniet midis VMRO-s probullgare dhe LSDM-së proserbe
acarohen së tepërmi, maqedonët dinë që
për t'i ikur ndonjë konfrontimi të hapur ndërmaqedon
në lojë i vënë shqiptarët. E shqiptarë
që duan ta luajnë këtë lojë ke sa të
duash, prandaj nevojitet mekanizëm që të kontrollohen.
E vetmja që i lidh me partitë maqedone dhe që i hasmon
aq shume partitë shqiptare me njëra-tjetrën është
lakmia pas pushtetit dhe lënia pas dore e interesit të
përbashkët të shqiptarëve.
Të njëjtin "hall" partitë kanë dhe
tani.
Kush do të përfaqësojë shqiptarët në
ekzekutivin e ardhshëm të Maqedonisë, e jo si të
organizohen sa më mirë shqiptarët që të
mbrojnë interesin e tyre. Pikërisht këtu qëndron
edhe skepsa e shumicës së shqiptarëve të Maqedonisë
për formimin e Këshillit. Shija e hidhur e asaj që
ngjau në '98 ndihet dhe sot. Atëherë partitë
shqiptare PPD dhe PDSH nënshkruan një marrëveshje
për pjesëmarrje të përbashkët në zgjedhje.
Ishin zotuar se cilado parti maqedone të fitojë zgjedhjet
dhe të marre mandatin për të bërë qeveri,
partitë shqiptare të qëndrojnë bashkë qoftë
në pozitë apo në opozitë. Shqiptarët votuan
listën e përbashkët të partive të tyre
dhe u fituan 25 mandate në Kuvend, si asnjëherë më
parë. Mirpo premtimet u shkelën.
Sot shqiptarët nuk janë edhe aq të impresionuar nga
deklarimet pompoze të politikanëve të tyre për
unitet dhe interesa kombëtare, prandaj qarkullojnë spekullime
të ndryshme rreth motiveve të vërteta për themelimin
e Këshillit. Llogaritë kanë filluar të bëhen
më herët.
Sipas të gjitha gjasave partia e kryeministrit Lubço
Georgievski do humb pushtetin. Sondazhet flasin se rejtingu i saj
te zgjedhësit maqedon është thuajse dyfish më
i ulët se sa i partise opozitare të socialdemokratëve.
Sipas logjikës së të menduarit të krerëve
të partive politike shqiptare në Maqedoni, që është
ngulitur në dhjetë vitet e fundit, do të thotë
se socialdemokratët e Cervenkovskit në formimin e qeverisë
së re do të ftojnë PPD-në, me të cilën
kishin bashkëqeverisur nga pavarësimi i Maqedonisë
e deri në vitin 1998.
Kjo do të thotë se sëbashku me VMRO-DPMNE-në
nga pushteti duhet të shkojë edhe PDSH-ja e Arben Xhaferit,
e cila do ta ketë shumë vështirë të qëndrojë
në opozitë, sepse gjate katër viteve të kaluara
e kishte provuar se sa i ëmbël është pushteti,
veçanërisht kur politika bëhet biznes që sjellë
përfitime të majme materiale.
Prandaj qarqet gazetareske parashikojnë që jeta e Këshillit
të jetë e shkurtër, respektivisht deri sa të
mbarojnë zgjedhjet, e pastaj çdo gjë do të
jetë ashtu si ka qenë edhe më herët.
Nga ana tjetër lufta në Maqedoni dhe dalja në skenë
e UCK-së ne fakt dëshmoi humbjen e legjitimitetit të
klasës politike në popull. Politikanët shqiptar frikësohen
që veç e veç të ballafaqohen me votuesin
shqiptar, prandaj parapëlqejnë shkuarjen sëbashku
në zgjedhje, në të cilat askush nuk do të kete
nevojë të japë llogari për dështimet politike.
Populli deshi s'deshi patjeter do t'i votojë sepse s'do ketë
alternativë tjetër. Të gjithë aktorët kanë
hyrë me hesape të veta në Këshill. Ali Ahmeti
do imponohet si faktor politik kur njëherë për shkak
të zvaritjes së amnistisë i iku shansi për të
bërë parti të vetën politike, e cila për
shkak të simpatisë që kishte populli ndaj UCK-së
do të shëndrohej në subjektin më të fuqishëm
shqiptar në Maqedoni.
Ekzistojnë dy motive kryesore që PDSH-ja e Arben Xhaferit
përkrah Këshillin. E para është se do lajnë
gjynahet për deklaratat e pamatura në fillin të luftës
kundër UCK-së dhe se do dalin në zgjedhje pa dhënë
llogari për mënyrën se si e praktikuan pushtetin
gjatë katër viteve të fundit në emër të
shqiptarëve në qeverinë e Georgievskit. Motivi tjeteër
është edhe më praktike. Xhaferi nuk mund të
llogarisë në Georgievskin si partner koalicioni sepse
ai pritet të humb zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Zgjedhjet në kampin maqedon pritet t'i fitojë LSDM-ja
opozitare, që është e afërt me PPD-në e
Ymer Ymerit. Vetëm duke qenë së bashku me subjektet
tjera, veçmas me Ymerin dhe Ahmetin, PDSH-ja mund të
shpresojë të jetë pjesë e qeverisë së
re që do formohej pas zgjedhjeve.
Sjellja e PPD-se gjatë promovimit të idesë së
Këshillit ishte jotaktike. Thuaja se saqë nuk doli hapur
kundër projektit, por shpejt e kuptoi lojën që luanin
Ahmeti dhe Xhaferi duke iu bashkangjitur asaj me hesape të
veta. Ymeri shpjet e kuptoi se nuk duhet të hasmohet me Ahmetin
dhe Xhaferin padallim se çfarë ishin motivet e vërteta
për themelimin e Këshillit. PPD-ja shumë shpejt e
gjeti veten në Këshill. Së bashku me të tjerët
pa e çarë kokën, se do t'i vidhen votat dhe pa
u endur lart-posht do të sigurojë prej gjashtë deri
në tetë deputetë, që mjafton të kyçet
në qeverinë e Cervnkovskit pas zgjedhjeve.
Ende është e paqartë se si do të pozicionehet
PDK-ja e Haxhirexhës, e cila në fillim bëri të
qartë se nuk do të pranojë që Këshilli
të shëndrohet në trup, i cili do amnistojë karierat
e dështuara të disa politikanëve shqiptarë në
Maqedoni. Duke pasur parasysh se bëhet fjalë për
parti relativisht të re dhe duke e ditur se nuk do te jetë
e lehtë të garohet politikisht kundër tre subjekteve
të tjera, me siguri se për PDK-në do të jetë
më oportune të mbetet në Këshill dhe herë
pas here t'i kritikojë aktoret kryesor të Këshillit.
Kjo ndoshta do të jetë strategjia e PDK-së.
E vetmja shpresë se Këshilli nuk është truk
i partive për të mashtruar popullin, që edhe një
herë t'i votojë në emër të unitetit, e
pastaj të vazhdojnë me të vjetrën, është
Ali Ahmeti dhe pjestarët e ish UKC-së. Kjo e bën
përgjegjësinë e Ahmetit dhe bashkëpunëtorëve
të tij shumë të madhe. Ai nuk guxon të jetë
naiv dhe të lejojë që të keqpërdoret imazhi
i UCK-së për marketing politik para zgjedhjeve.
Partitë dhe opinioni maqedon asnjëherë nuk i përkrah
proçeset politike që çojnë drejt bashkimit
dhe konsolidimit të shqiptarëve. Sipas tyre kur homogjenizohen
shqiptarët, rrezikohet interesi maqedon.
Nëse maqedonasit nuk e nderojnë këtë mënyrë
të rezonimit atëherë Maqedonia gjithnjë do të
jetë jostabile. Por, kësaj radhe reagimet nuk kanë
qenë të ashpra sepse partitë maqedone janë të
preokupuara më shumë me acarimet që ndodhin midis
tyre.
Reagimi i ndërkombëtarëve rreth formimit të
Këshillit ka qenë disi neutral. Por ata kanë shfaqur
gatishmëri për të bashkëpunuar me Këshillin
se qëllimi i tyre është i ngjashëm me ato të
bashkësisë ndërkombëtare, zbatimi i marrëveshjes
së Ohrit.
|