|
Krejt
shkurt për një funeral
Kur
nisa t'i shkruaj këto radhë, sapo isha kthyer në
shtëpi. Kisha marshuar nëpër rrugët e Stokholmit
tërë ditën; jo vetëm, por bashkë me 100.000
(po, lexuat drejt: njëqindmijë!) vetë tjerë.
E
pra, s'isha në ceremoni politike, as në pajtim gjaqesh.
Isha
në funeral.
Në
kortezhin funebër një pajton i zi, tërhequr nga dorinj
të zi. Ngarkuar në të, një arkivol i bardhë
si dëbora, mbuluar me trëndafila të kuq. Përbri
arkivolit vente në trok një valak i bardhë, Fendth,
i lënë pa frerë në shenj pikëllimi, figurë
fantastike që ka kapluar imagjinatën në tërë
botën. Më pas policë kalorës në uniforma
të paradës, e garda pretoriane e Dragonjve kalorës,
truprojet hijerëndë të mbretit të Suedisë,
të huazuar enkas për ceremoninë funebre.
Rekuiem
për një shkrimtare: Astrid Lindgren. Lamtumira e fundit
me mëmën e Pipi Çorapëgjatës e të
Vëllezërve Zëmërluani, që bashkë me
figura tjera lindgreniane i ngashërojnë e ngushëllojnë
fëmijët në 80 gjuhë të botës.
Ajo
vdiq 94 vjeç, në shtëpinë e vet në periferi
të Stokholmit. Asnjë shkrimtar suedez s'është
lexuar e s'është dashur më fort, as në këtë
vend e as në botë, se ajo.
Në
Katedralen e Madhe të Stokholmit, me 1.000 vende në auditor,
s'kishe gjasa të hyje sot. Shpura mbretërore, shpura e
kryeministrit, familjarët, të afërmit e miqtë
e shumtë...
Edhe
atëherë, edhe tash, s'më shkoqet dot një ndjenjë
e turbullt e pikëllimit. Funeralet me mijëra pjesëmarrës,
në traditën time private ndërlidhen gjithnjë
me krimin, vrasjen, përgjakjen.
E
këtu, në paralelet e Veriut të largët, 100.000
dalin ta përcjellin deri në varr: një shkrimtare.
Për më tepër: një shkrimtare për fëmijë!
Ndjenja
e pikëllimit s'më hiqet.
Shën
Jeronimi: varri i humbur. Gjon Buzuku: varri i panjohur. Pjetër
Budi: varri i panjohur. Bejtexhinjtë: jetë e varr të
panjohur. Naim Frashëri: varri djerrinë. De Rada: varri
djerrinë. Fan Noli: varri në mërgim. Asdreni: varri
djerrinë. Gjergj Fishta: pa varr. Petro Marko: varri djerrinë.
Suedezët
hedhnin trëndafij të kuq para karrocës me arkivolen
e shkrimtares së tyre, që një herë e një
mot e kish paditur vendin e vet (!) në gjykatë ndërkombëtare
për shkelje të të drejtave të fëmijës.
Ndërsa
ndër shqiptarët, ca të dalur menç u heqin
shkrimtarëve të vet post mortem edhe kombësinë
shqiptare. Shkrimtari shqiptar: "Syrgjyn gjallë-syrgjyn
vdekur", dje dhe sot.
E
druaj -ruana Zot!- edhe nesër.
100.000
suedezë të të gjitha moshave e përcollën
me një lamtumirë të mbramë, të heshtur
e të dhembshur, kortezhin e fundit të shkrimtares së
tyre nëpër rrugët e sheshet e Stokholmit, deri në
Katedralën e Madhe: aq shqiptarë s'janë grumbulluar
kurrë për një shkrimtar, të gjallë a të
vdekur.
|