|
Afera
Rakipi -
Sa kushton një prokuror i përgjithshëm?
Është konstatim i etabluar tashmë se në Shqipërinë
politike, karriera e njeriut s'vlenë pesë para. Po se
do të vinte dita që edhe Prokuroria e Përgjithshme
e Shqipërisë të kthehet në cirk, këtë
megjithatë s'e kish menduar kush më herët. E megjithatë,
pikërisht kjo është tema nr 1 e këtyre ditëve
në Tiranë.
Afera e Prokurorit të Përgjithshëm, z. Arben Rakipi,
ka uvertyrën e vet që me zgjedhjet e fundit parlamentare.
Atëbotë opozita, e cila tashmë po e bojkotonte Kuvendin,
e kërkoi me vrull dorëheqjen e Rakipit, për shkak
se ky, sipas saj, qenkësh dashur t'i hetojë pandehmat
për parregullsi zgjedhore.
Opozitës s'i bëhej vonë pse pohimet për parregullsi
asokohe ishin të hetuara a priori prej vëzhguesve të
huaj të OSBE-së, që kishin konkluduar se zgjedhjet
kishin pasur "standard të pranueshëm"; një
vënie kapaku kjo në nivel evropian, e vendosur lartë-lartë
mbi kokën e z. Rakipi. E as i bënte përshtypje opozitës
që një aventurë e tillë nga z. Rakipi do të
pasohej përnjëherë me shkarkim të tij prej deputetëve
socialistë, të cilët, falë bojkotit të
opozitës, de facto sundonin parlamentin si me tapi. Fatlumërisht,
atëbotë as z. Rakipi s'i bënin fort përshtypje
thirrjet e opozitës.
Ndryshe është puna tani, kur z. Rakipi duket që i
ka larë duart nga posti i Prokurorit të Përgjithshëm.
Kthesa e madhe u arrit kur opozita e korrigjoi një gabim që
s'duhej ta kish bërë që në krye, pra kur ajo
vendosi të kthehet në Kuvend. Kthimi i Z. Sali Berisha
& Co. në parlament u mundësua pas takimit të
Brukselit, i cili pati për funksion ta lajë z. Berisha
e t'ia mundësojë këtij një comeback sado-kudo
faqebardhë.
Por në qoftë se deputetët evropianë mendonin
se z. Berisha me të kthyer do të niste punë të
mbarë politike, ata e kishin fundekrye gabim. Nisma e parë
e mirëfilltë politike e z. Berisha me të penduar
të bojkotit është, pra, mu mocioni për shkarkim
të Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë,
z. Rakipi. Dhe kjo mu në kohën kur ky, i zënë
ngusht nga kallëzime konkrete e publike ndër media për
korrupsion në radhët e parlamentarëve socialistë,
s'kish nga të mbajë veçse të nisë hetime
për to.
Kushdo opozitar tjetër në botë do t'i gëzohej
këtij ndërrimi të papritur, e do ta kurajonte prokurorin
ta mbajë shpinën drejt në ballafaqim me pushtetin.
Dmth: kushdo - pos z. Berisha!
Por kryeopozitari i Shqipërisë duket se ka bërë
hesap tjetër. Për ta kompenzuar autogolin e vet të
bojkotit parlamentar, i cili me vjet të tëra u la në
dorë socialistëve tërë çelësat e
Shqipërisë, z. Berisha duket se ka vënë në
shënjestër t'i krehë ca pikë të lehta politike,
pikërisht duke arritur rrëzimin e Prokurorit të Përgjithshëm.
Problemi është se ky potez destruktiv, që vë
(sërish!) problemet e imazhit personal të z. Berisha para
atyre të vendit, kësaj radhe mund të notojë.
Në fakt, kësaj radhe situata ndryshon rrënjësisht
prej radhëve tjera kur z. Berisha advokatonte shkarkimin e
z. Rakipi. Pikë së pari, Berisha i penduar ndodhet sot
i ulur në parlament. Dhe së dyti, me këtë mocion
ai llogarit cinikisht t'i tërheqë jo vetëm votat
opozitës në pakicë, por edhe një numër
të konsiderueshëm të votave nga radhët e shumicës
socialiste, më saktësisht votat e parlamentarëve
që ndjehen të kërcënuar nga hetimet antikorrupsion
të z. Rakipi.
Në situatën e re që mbretëron në parlamentin
shqiptar, rrëzimi i z. Rakipi është, pra, në
interes të shumë palëve. Është në
interes të z. Berisha, që më në fund do të
siguronte një dëshmi të pashme se opozita dhe ai
paskan fuqi të ndikojnë diç në Tiranë.
Por, dhe ky është momenti 22 për Shqipërinë,
rrëzimi i z. Rakipi është qartazi edhe në interes
të mafies socialiste.
Ky s'është problem për z. Berisha, që edhe më
parë ka dëshmuar se është në gjendje të
lidhë ujdi me Djallin për t'ia arritur qëllimet e
veta. Por s'ka dyshim se do të jetë problem, madje problem
madhor, për të ardhmen e Shqipërisë.
Çdo pësim është mësim, thuhet; mbetet
që nga kjo krizë e re e politikës shqiptare të
nxirren përfundime për të ardhmen (shpresa është
e mbrama që e lë njeriun, ndonëse klasa politike
shqiptare ka dëshmuar vazhdimisht se s'mëson dot gjë
prej së shkuarës).
Në radhë të parë, ajo që mund ta konkludojë
secili është se në Shqipëri, institucioni jetik
i Prokurorisë së Përgjithshme është tejet
fragjil, e i varur in absurdum prej tekave të politikës
së çastit. Pasi mjaftoka një shumicë krejt
modeste në parlament për ta shkarkuar Prokurorin e Përgjithshëm,
atëherë secili bandit në Shqipëri tani do të
orvatet si e si të bëhet deputet, meqë në parlament
s'të prek dot kush: po lëvizi Prokurori, o burra ta rrëzojmë!
E dyta, në një mjedis kaq të politizuar, sado t'i
ulësh veshët si prokuror, prapë se prapë do
të të rrëzojnë. Prokuratura e z. Rakipi p.sh.,
sido që të vejë puna me të, zor se do të
mbahet mend si prokuraturë e guximshme, madje as si e denjë.
Duke vlerësuar gjithnjë saktësisht situatën,
z. Rakipi ka këqyrur deri tani vetëm mbijetimin e vet,
duke ndejtur sus: kur s'mund të bësh gjë, më
mirë trus!
Por edhe urtësisë më të madhe i vie fundi një
ditë. Që ditën kur mediat shqiptare zunë të
botojnë thënie konkrete të krerëve socialistë,
pos tjerash edhe nga kryesuesi i partisë z. Nano, për
korrupsion, mito etj. në radhët e socialistëve, z.
Rakipi edhe de jure do të kish shkelur detyrën zyrtare
sikur të mos kish nisur hetime - pra, hyp se të vrava,
zhdryp se të vrava!
E treta me rend, por jo me rëndësi: në planin afatgjatë,
rrëzimi i Prokurorit të Përgjithshëm në
kohën kur ky -më në fund!- ka nisur hetime të
motivuara për korrupsion në parlament e në qeverinë
e mëparshme, është sinjal i sigurtë për
shqiptarët dhe për botën se klasa politike shqiptare
vazhdon të jetë dritëshkurtër, shkatërruese
dhe mafioze. Rrjedhimisht, politika shqiptare do të vazhdojë
të tërheqë tipa adekuatë, që s'i përtojnë
asgjëje për një çikë fitim personal;
e do t'i dëbojë tutje investimet e jashtme, që Shqipërisë
i duhen si drita e syrit.
Në dritën e këtyre fakteve, rrëzimi i z. Rakipi
në pamje të parë kushton lirë. Atë mund
ta rrëzojnë krejt lehtë aleancat e pashenjta në
parlamentin shqiptar, e rënia e tij s'i kushton askujt. Por
në planin afatgjatë, bashkë me z. Rakipi bie (edhe
më thellë) imazhi i leckosur i Shqipërisë.
Gjatë ditëve që vien, z. Berisha dhe deputetët
tjerë, opozitarë e socialistë, të Kuvendit,
kanë rastin të dëshmojnë katërçipërisht
se sa u kushton atyre Shqipëria. Mjerisht, unë për
vete jam i bindur që më parë për një çmim
fort të lirë.
|