Ekzodi
i trurit
Përse ikin diplomatët shqiptarë?
Besnik
Konçi
Largimi i njerëzve me nivel të lartë profesional
dhe intelektual nga vendi i tyre drejt vendeve të zhvilluara
apo, siç quhet ndryshe, "rrjedhja e trurit", është
tashmë një fenomen i njohur për të gjitha vendet
e pazhvilluara dhe ato në zhvillim. Një fenomen i tillë
zuri fill dhe në vendet e Evropës Juglindore, pas rrëzimit
të komunizmit, duke njohur kurba të ndryshme zhvillimi,
varësisht nga specifika e tranzicionit, e nivelit të zhvillimit
ekonomik dhe emancipimit politik të çdo vendi të
veçantë.
Nga këndvështrimi i parimit të lëvizjes së
lirë të njerëzve duket se gjithçka është
në rregull. Garantimi i lëvizjes së lirë të
njerëzve, ideve, kulturave dhe të mirave materjale përbën
gjithashtu një nga sfidat më të forta të botës
demokratike dhe të globalizmit në ditët e sotme.
Por, kur kjo lëvizje "e lirë e njerëzve"
është "eksportim i trurit" në përmasa
të mëdha dhe vetëm me një kah, atëherë
ajo fillon të humbasë kuptimin dhe funksionin dhe meriton
të vihet në thonjëza. Por se, evitimi i saj në
përmasa të mëdha duhet bërë duke mos cënuar
parimet e demokracisë dhe duke gjetur mekanizmat e duhur institucionalë,
që minimizojnë dëmin.

Sigurisht që nga një "goditje" e tillë
nuk do të mund të ishte e imunizuar as Republika e Shqipërisë
e pas vitit 1990. "Rrjedhja e trurit", sikurse edhe braktisja
e vendit, u bë një gjë aq masive, saqë rrezikon
të bëhet një fenomen kërcënuas për
të ardhmen e vendit.
Fokusi ynë do të projektohet në administratën
shqiptare, e cila dekadën e fundit ka qenë pre e "gjuetisë
politike", që e ka cënuar rëndë atë.
Bile, fill pas zgjedhjeve parlamentare të vitit të shkuar
iu dha "dora e fundit" spastrimit të saj nga elementët
e paktë të mbetur "të dëmshëm berishianë",
veprim që ka pasur si rezultat përfundimtar një administratë
politikisht homogjene, megjithëse ekziston një ligj, i
aprovuar pikërisht nga Parlamenti me të njëjtën
maxhorancë, i cili mbron nëpunësin e administratës.
Por, gjithsesi, fokusi ynë do të jetë diku gjetke
- tek fenomeni i ikjes masive të punonjësve të diplomacisë
shqiptare, nëpërmjet braktisjes së detyrës dhe
largimit në vendet perëndimore, duke shfrytëzuar
për këtë lehtësirat që i jep statusi i
diplomatit, veçanërisht disponimi i pasaportave diplomatike,
apo të qenit i akredituar diplomat në vendet destinacion.
Edhe kjo është një formë tjetër, por jo
e re, e spastrimit të administratës së brishtë
shqiptare, ose dhe më gjerë një pjesë përbërëse
e fenomenit shqetësues të "rrjedhjes së trurit".
Ndërsa ishte ende në postin e Minstrit të Jashtëm,
zoti Paskal Milo zhvilloi një takim me të gjithë
ambasadorët shqiptarë të akredituar në botë.
Ishte ky një eveniment lamtumire i numrit një të
diplomacisë shqiptare, ku u bë bilanci i sukseseve të
diplomacisë sonë gjatë mandatit të "Koalicionit
për Shtetin". Ndër të tjera, gjatë paraqitjes
së vërejtjeve për korrin diplomatik shqiptar, Ministri
Milo vuri në dukje faktin se "gjatë këtyre katër
vjetëve të fundit, 64 diplomatë shqiptarë të
të gjitha niveleve diplomatike, të akredituar nëpër
botë kanë braktisur detyrën dhe nuk janë kthyer
në atdhe".
Ky fakt, i cili kaloi disi pa zhurmë, falë situatës
paszgjedhore në vend, është aq tronditës sa
që do të dukej i dyshimtë, nëse nuk do të
dilte nga goja e vetë Milos. Por, sidoqoftë, ky i fundit
do duhej përgëzuar për transparencën e treguar,
po qe se këtë të vërtetë e ka shqiptuar
duke kuptuar se çfarë ka thënë realisht.
Përgatitja e një nëpunësi administrativ është
një investim i konsiderueshëm për çdo vend.
Veçanërisht kushton shtrenjtë, kur bëhet fjalë
për një diplomat. Megjithatë, në këtë
rast, përveç natyrës thjesht ekonomike, ka edhe
një element moral, i cili është shumë më
dominues. Personalitete, të emëruara për të
përfaqësuar politikën shtetërore dhe mbrojtur
interesat tona kombëtare, jo vetëm nuk e kanë bërë
një gjë të tillë, por i kanë braktisur
ato. Ata, që normalisht janë fytyra e Republikës
së Shqipërisë, janë shndërruar në
një shëmbëllim të keq të saj. Thënë
më thjesht dhe troç, i janë dërguar për
të na "zbardhur faqen", por na kanë "nxirë
fytyrën". Dhe gjithçka arrin kulmin kur ka edhe
prej tyre që kanë kërkuar strehim politik në
vendet ku kanë qenë akredituar, ose kanë vendosur
të jetojnë.
Atherë, pyetja shtrohet shumë thjesht: Si dhe pse ndodh
kështu, që vendin ta brakstisin njerëzit më
të besuar të tij?
Që në krye të kësaj përpjekje për
të dhënë një përgjigje sa më racionale,
më duhet të them se përgjegjësia personale e
atyre që kanë zgjedhur këtë rrugë, është
e padiskutueshme. Mirëpo, na duhet të gjejmë raportin
ndërmjet përgjegjësisë individuale dhe asaj
institucionale, që një fenomen i tillë të minimizohet.
Duke debatuar një temë të tillë, një diplomat
shqiptar, aktualisht aktiv në Ministrinë e Jashtme, u
shpreh se "Ministri Milo vetëm dy gjëra ka bërë
shumë mirë, ka thënë vetëm "yes"
kudo dhe kurdo, si dhe e ka mbushur diplomacinë shqiptare me
anëtarë dhe simpatizantë të PSD-së, miq,
shokë dhe njerëz të tarafit të tij"
Zbatimi i kritereve politike dhe tarafllëqeve vetiake në
vend të atyre morale dhe profesionale, në zgjedhjen e
kandidaturave në shërbimin diplomatik shqiptar, është
diçka që nuk na befason më. Fatkeqësisht,
një gjë e tillë ka "fituar qytetarinë"
gjatë tranzicionit tonë. Dhe e keqja qëndron në
faktin se, në vend që të zemë mend nga gabimet
paraardhëse, po e thellojmë këtë lloj "reforme"
famëkeqe më tej. Por, që fusha e veprimit të
ngushtohet edhe brenda vetë koalicionit maxhoritar dhe të
përqëndrohet tek një "partizë' parlamentare,
kjo përbën një stihi të re. Nëse është
kështu, qenka zvogëluar shumë shansi për të
gjetur njerëz të aftë dhe të motivuar. Njerëz
që nuk e gjejnë veten në këtë fushë,
të joshur nga mundësitë që paraqet realiteti
ku jetojnë dhe pozicioni i tyre, kanë mundësinë,
që fare lehtë, në vend të dorëheqjes së
ndershme, të zgjedhin një rrugë tjetër, "më
të mirë për të ardhmen e tyre personale".
Ndërmjet, të ikurve, mund të ketë pasur edhe
nga ata që i janë trembur, jo vetëm ardhjes në
pushtet të opozitës, por edhe ardhjes së një
ministri socialist, në vend të Milos, pas zgjedhjeve parlamentare
të radhës. Sikur edhe ndodhi, në të vërtetë.
Dhe ky person do të tentojë të "shpërblejë"
njerëzit e tarafit të tij të ngushtë dhe përkrahësit
e Partisë Socialiste, ashtu siç ka bërë paraardhësi
i tij.
Natyrisht, që nuk mund të përjashtohen edhe skenarë
të tjerë. Ministri Milo është lakuar shumë
në median shqiptare dhe të huaj për premtime dhe
implikime me çështjet e vizave. Kështu që
nuk ka përse të mos na shkojë mendja se ka prej të
ikurve nga diplomatët shqiptarë, që, me vetëdije,
janë dërguar me shërbim për të realizuar
largimin e tyre të paramenduar nga vendi. Pra, mund të
bëhet fjalë për një "largim të fshehtë"
klandestin, që bëhet më i lehtë dhe më
komod për ata që duan të braktisin vendin. Këtu
mund të futen edhe diplomatë "të përkëdhelur",
që shërbimin diplomatik e konceptojnë vetëm
si punë në ambasade, ose seli diplomatike jashtë
shtetit, dhe kur u vjen radha të kthehen për të punuar
në Tiranë, sipas rregullit diplomatik, i kthejnë
shpinën këtij shërbimi, ndonëse, për to
është investuar goxha. Nuk përjashtohen edhe persona
që mbeten jashtë me detyra thjesht ideologjike, ose partiake.
Sidoqoftë, ky aludim do të duhej të ishte objekt
i një hetimi serioz, por që askush nuk ka ndër mend
ta bëjë.
Është krejtësisht e mundur qe prej të ikurve
ka pasur edhe nga ata që nuk kanë qenë dakort me
politikën e jashtme të ndjekur nga Shteti shqiptar, këto
vitet e fundit. Dhe frika e mbetjes pa punë në rast dorëheqjeje,
e krahasuar me mundësinë që kanë pasur, mund
t`i ketë "detyruar" të hedhin një hap të
tillë, që është, gjithsesi, i shpjegueshëm,
por jo i justifikuar. Sepse, të jesh pjestar i trupit diplomatik,
nuk do të thotë të pëfaqësosh individë,
apo formacione politike, por shtetin dhe institucionet e tij. Gjithçka
bën mirë, ose keq, Meta, Milo, Meidani e kushdo tjetër
në institucionet shtetërore, shkon për llogari të
shqiptarëve. Ndaj, nëse duhen analizuar pozitivisht, a
negativisht veprimet dhe politika e tyre, kjo duhet bërë
me racionalitet dhe pa tendencë politike. Dhe, kështu
përfaqësimi në shërbimin diplomatik nuk duhet
parë si privilegj, apo mundësi për të përfituar,
por si përgjegjësi. Mospajtimi me institucionet dhe politikën
e tyre do të duhej të shoqërohej me dorëheqje
- një veprim ky institucional.
Është evidente se realiteti ekonomik dhe politik në
vend jep pak gjasa për optimizëm dhe përbën
bazën objektive të braktisjes masive të vendit. Edhe
këtu çdo qeveri dhe politikan ka pjesën e vet.
Zhvillimet e pranverës së 97-ës lanë veçanërisht
një shije shumë të hidhur dhe njerëzit kanë
nevojë për veprime konkrete politike dhe institucionale,
që ringjallin shpresë.
Nëse arsyetimi ynë ka sadopak bazë racionale, atëherë
përgjegjësia institucionale për një fenomen
të tillë është evidente, ngado që ta shohim.
Në fund të fundit, pa bërë shumë arsyetim,
fakti që 64 diplomatë kanë braktisur detyrën
dhe vendin në një kohë kur diplomacia shqiptare u
drejtua nga Paskal Milo, e detyron këtë të fundit
të japë dorëheqjen, thjesht si shprehje e përgjegjësisë
institucionale. Nuk ndodh kështu, sepse ministri nuk njeh një
përgjegjësi të tillë.
Ndërsa dhënja zotit Milo e një posti të ri ministror
pa strukturë ngjan si një shpërblim për dikë
që duhej ndëshkuar institucionalisht. Dhe kjo të
bën të reflektosh më tej.
|